Ish-shefi i CIA-s për Ballkanin, Steven Meyer, thotë në Ballkan, herët a vonë, do të vijë deri tek ndryshimi i kufijve.
Duke folur për situatën në rajon, Meyer thotë: “Bosnja e Hercegovina tani është më larg nga të qenit një vend i bashkuar se në çdo moment në të kaluarën. Çështja e Kosovës po bëhet më serioze, ndërsa Maqedonia është në rënie serioze për muaj. Në të njëjtën kohë, BE nuk ka përgjigje në pyetjet që shqetësojnë Ballkanin”, u shpreh Meyer, transmeton Koha.net.
Sipas tij, ndryshimet eventuale të kufijve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë mund të sjellin krijimin e Shqipërisë së Madhe, por kjo nuk do ta kishte përkrahjen e SHBA-së.
Në pyetjen se çfarë fati e pret Maqedoninë, ai thotë: “Nëse Mali i Zi dhe Kosova mund të dëshmojnë pavarësinë, edhe Maqedonia do të mundte. Por, ndoshta kjo s’do të ishte rruga më e mirë për t’u ballafaquar me Maqedoninë. Në këtë rast, ata do ta konsiderojnë edhe bashkimin federal me Serbinë”.
Në pyetjen se si do të reagonte administrata amerikane në rast të formimit të Ushtrisë së Kosovës, Meyer thotë se Qeveria aktuale amerikane nuk është në favor të kësaj, “por kjo mund të ndryshojë lehtësisht”.
“Administrata Trump ka qasje të vogël ekspertësh në lidhje me Ballkanin. Serbia duhet që t’i përcjellë me kujdes ndryshimet në politikën e SHBA-së”, theksoi ai.
Sipas fjalëve të tij, “Ushtria e Kosovës, nëse do të formohej, do t’i shtonte rajonit edhe një element trazues në situatën që veçse është jo-stabile”.
“Kjo vlen veçanërisht për rrezikun e përleshjeve të mundshme në veri të Kosovës”, ka shtuar ish-shefi i CIA-s, i angazhuar në çështjet e Ballkanit.
Duke folur për gjendjen në Bosnje, Meyer thotë se, pas heqjes dorë nga padia ndaj Serbisë, do të mund të bëhet e paqëndrueshme.
“Boshnjakët tani janë të pakënaqur dhe të zemëruar, ndërsa serbët të kënaqur. Kjo në veçanti i vështirëson raportet mes Federatave dhe Republikës Serbe”, thekson ai.