2022-12-16

Bedri Halimi: “Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” XI

 Bedri Halimi

Në një intervistë të bërë nga Baton Haxhiu me Mihailo Markoviqin – ideologun e PSS (siç e thekson edhe vetë), e cila është botuar në revistën “KOHA”, nr. 54/95, 29 mars 1995, f.13, në këtë intervistë, Mihailo Markoviq pos tjerash thotë: ”Udhëheqësit shqiptarë të cilët organizuan demostratat e vitit 1981 bënë gabim të madh historik….Padurueshmëria dhe mendjelehtësia e liderëve tuaj, e shprehur më 1981, shkaktoi humbjen e asaj që deri atëherë e patët”. Pra të njëjtat qëndrime, të Mihailo Markoviqit, i jep pas kaq vitesh edhe Buxhovi, në romanin e tij. Ngjashmëria po shihet, po cili është dallimi mes qëndrimit për ngjarjet e vitit 1981 mes akademikut serb Mihailo Markoviqit dhe Jusuf Buxhovit? 

 

 

Pozita ekonomike e Kosovës në periudhën e Jugosllavisë socialiste  

 

Sa i përket të arriturave “të mëdha” dhe barazisë së shqiptarëve në ish-Jugosllavi, edhe pas kushtetutës së vitit 1974 po sjellim të dhënat ekonomike në vijim…  

Edhe përkundër faktit se Kosova ishte e pasur, me minerale të shumta, toka pjellore shumë të përshtatshme për bujqësi si edhe një popullsi aktive për punë, prapëseprapë, Kosova si edhe viset me popullsi shqiptare në Maqedoni, në Serbi dhe në Mal të Zi ishin krahinat më të prapambetura në ish-Jugosllavi. Kjo prapambetje është rrjedhim i politikës diskriminuese që është ndjekur ndaj këtyre trevave. 

Pasuritë minerale të Kosovës janë veçanërisht të rëndësishme. Rezervat e qymyrit linjit, arrinin në rreth 12 miliardë tonë dhe përbënin 68.8% të të gjitha rezervave të këtij lloji në Jugosllavi. Në Kosovë gjendeshin 30% të rezervave energjetike të Jugosllavisë, 22.3% të rezervave të nikelit, 52% të rezervave të plumbit dhe të zinkut, 51.8% të rezervave të magnezit. 

Gjithashtu në sasi të konsiderueshme janë kromi, argjendi, boksidet, mangani, hekuri, antimoni, zhiva, bakri e kallaji. Nuk mungojnë as mineralet e rralla si kobalti, indiumi, kadmiumi, germaniumi etj., pa folur më tej për metaloidet, ndër të cilat numërohen mbi 20 lloje me vlera të mëdha industriale. 

Megjithëse dispononte pasuri kaq të mëdha minerale dhe energjetike, që përbëjnë 10% e të gjithë pasurive natyrore të Jugosllavisë, (ndonëse ishte vetëm 4.2% të sipërfaqes së saj) dhe si pasojë kushte shumë të favorshme për zhvillimin mbi këtë bazë të industrisë dhe të bujqësisë, Kosova ishte gjithnjë rajoni më i prapambetur i Jugosllavisë. 

Sikurse shihet, Kosova përdorej kryesisht si një burim për furnizimin e viseve të tjera të Jugosllavisë me lëndë të para të përpunuara ose pjesërisht të përpunuara, me energji elektrike bile edhe me fuqi punëtore të lirë. Në të njëjtën kohë ajo ishte kthyer në një treg të leverdisshëm për shitjen e mallrave të gatshme industriale të republikave më të zhvilluara. 

Prapambetja dhe struktura ekonomike e pavolitshme e Kosovës kushtëzohej jo vetëm nga gjendja e trashëguar, sikurse pohonin në Beograd. Po kryesorja ishte politika e interesave të ngushta të kapitalit të madh që ndodhej kryesisht në republikat e zhvilluara jugosllave, të cilat bënin investime në sektorët që nuk i leverdisnin ekonomisë kosovare.  

Në këtë mënyrë nga një nivel i produktit shoqëror dhe i të ardhurave kombëtare për frymë 2 herë më i ulët se mesatarja jugosllave në periudhën e pasluftës dytë, Kosova ra në vitet e fundit të viteve 70-ta në një nivel 4 herë më të ulët. Gjatë të njëjtës periudhë 40 vjeçare Kosova, e cila në vitet e para të pasluftës ishte në produktin shoqëror dhe në të ardhurat kombëtare për frymë në nivel të njëjtë me atë të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjë Hercegovinës, ra një një nivel 2.5 herë më të ulët në krahasim me këto republika. Kurse, në krahasim me republikën më të zhvilluar, të Sllovenisë, kjo diferencë u thellua, nga 3.3 herë në vitin 1947, në 7.5 herë në vitin 1981. 

Atëbotë gjatë 15 viteve të fundit, deri më 1981, premtimet zyrtare që ishin dhënë për të penguar këtë tendencë duke rritur produktin shoqëror të Kosovës me një ritëm vjetor 60% më të lartë se mesatarja e Jugosllavisë, kurrë nuk u realizuan. Përkundrazi ritmi ka qenë 50% më i ulët se kjo mesatare. Pra prirja e zhvillimit të ekonomisë kosovare shkonte në të kundërtën e parashikimeve të bëra. Rrjedhimisht dallimet dhe prapambetja e Kosovës në krahasim me ekonomitë e republikave jugosllave dhe të Krahinës së Vojvodinës shkonin duke u thelluar. 

Përcaktuese për prapambetjen e Kosovës ishte në radhë të parë, politika e investimeve, nëpërmjet së cilës realizohej shfrytëzimi i saj ekonomik. Degët bazike kanë thithur gjithnjë mjetet kryesore të investimeve, që nga ana e tyre asnjëherë s’kanë qenë të mjaftueshme.  

Deri në gjysmën e dytë të viteve 50 investimet në ekonominë e Kosovës pothuajse munguan, kurse më pas u përdor sistemi i kreditimit në vend të financimit buxhetor. Në këtë mënyrë deri nga mesi i viteve 60 Kosova ndërtoi me mjete pa detyrim kthimi vetëm 8% të objekteve të saj ekonomike, ndërkohë që në viset e tjera me këtë mënyrë u ngritën 27% e objekteve.  

Me gjithë parashikimet që bëheshin, në Kosovë nuk u realizuan asnjëherë fondet e caktuara për investime. Nga shuma prej 94 miliardë dinarësh, e caktuar për investime në pesëvjeçarin 1975-1980 u realizuan vetëm 51 miliardë e 220 milionë dinarë, domethënë rreth 56% e tyre. 

Struktura e shpërndarjes së investimeve kishte mbetur e pandryshuar. As kur Kosovës iu njoh statusi i rajonit më të pazhvilluar të Jugosllavisë dhe iu premtuan si kurrë më parë investime të shumta në degët rentabile të industrisë përpunuese, gjendja nuk ndryshoi. Në këtë periudhë, Kosova mori mjete jo vetëm shuma më të pakta nga sa iu premtuan, por edhe rreth 16% më të pakta se në pesëvjeçarin e mëparshëm. 

Edhe gjatë viteve 1970 e më tej, ekonomia kosovare ka qenë në gjendje të përballojë me mjetet e veta financiare vetëm 5-10% të investimeve, tregues ky disa herë më i ulët se mesatarja jugosllave. Në këtë mënyrë ekonomia kosovare ishte vënë në një gjendje krejtësisht të varur nga Serbia e Federata dhe ishte e zhytur në borxhe. 

Ngarkesa e Kosovës me borxhe vlerësohej afro 3 herë më e madhe se mesatarja jugosllave e këtij treguesi. Për çdo 100 dinarë të investuar, ajo duhej të ndante 97 dinarë për shlyerjen e borxheve, një e treta e të cilave ishin thjesht kamata. 

Në këto kushte edhe ata shqiptarë që punonin, mund të siguronin në përgjithësi vetëm një nivel jetese shumë të ulët për familjet e tyre. Përveç kësaj, të ardhurat personale që nga 1979 po pakësoheshin vazhdimisht, 5-6% në vit dhe ndodheshin në nivelin e para 20 vjetëve. 

Të gjitha këto që u thanë, dhe shumë të tjera që duhet thënë, tregojnë qartë pozitën e pafavorshme të shqiptarëve nën Jugosllavi, ku duhet potencuar dhe shtypja e egër që u bëhej përmes formave të ndryshme të represionit, detyrimit për shpërngulje për Turqi, ndalimit të shkollimit në gjuhën shqipe, censurës së pamëshirshme të kulturës kombëtare, etj. Kështu që në pranverën e vitit 1981 u shkye përfundimisht maska e gënjeshtrave mashtruese mbi parajsën e socializmit vetëqeverisës dhe lidhjes komuniste të Jugosllavisë.  

Kësisoj djemtë dhe vajzat më të guximshme të Kosovës e jashtë saj, u organizuan në radhët e lëvizjes ilegale, të cilët ua sqaronin këtij populli gjendjen e rëndë dhe pabarazinë e madhe në të cilën ishte katandisur Kosova, duke u shfrytëzuar resurset e saja natyrore e njerëzore.  

Dhe më 11 mars të vitit 1981 situata shpërtheu. Ishte kjo lëvizja e parë politike në Evropën lindore e cila së bashku me Solidarnostin polak, që ia hoqën maskën e “barazisë” së vëllazërim- bashkimit, i cili ishte vetëm një parullë boshe për t’ju hedhur hi syve të popullit, për bashkëjetesë të dhunshme nën shfrytëzim. Atëbotë, këto ngjarje masës iu servuan si shprehje e revoltës së studentëve për kushte më të mira. Pushteti i atëhershëm komunist, u mundua ta fshehte gjendjen reale në të cilën ndodheshin shqiptarët nën Jugosllavi. Mu atëherë, kur pushteti titist, kishte menduar se ia kishte arritur qëllimit për ta mashtruar sërish popullin, më 25 mars të vitit 1981 në Prizren shpërthyen demonstratat, ku në këtë rast doli pikërisht rinia e Prizrenit, e që kryesisht mbizotëronin studentët e SHLP-së “Xhevdet Doda”, si dhe nxënës të shkollave të mesme, ku dalloheshin në këtë drejtim shkolla e mesme teknike “Gani Qavdërbasha” dhe gjimnazi që atëherë quhej “Jovanka Radivojeviq – Kica”. Në këtë rast, jo vetëm që iu dha përkrahje ngjarjeve të 11 marsit, por atyre iu dhanë edhe konotacion të qartë politik, sepse nga studentët dhe nxënësit përpos kërkesave të karakterit social, kishte edhe kërkesa të karakterit politik si: “duam barazi”, “kushtetutë”, “Kosova Republikë” etj. Natyrisht se pushteti i atëhershëm u alarmua dhe reagoi egërsisht menjëherë me policë, të cilët rrahën e arrestuan shumë të rinj shqiptarë, shumë nga të cilët më vonë do të dënoheshin me vite të tëra burgu.  

Demonstratat e Prizrenit të 25 marsit të vitit 1981, janë të rëndësishme, sepse jo vetëm që masën e madhe të njerëzve që kishin dalur atë të mërkurë në Pazar (dhe po vështronte e hutuar), por edhe të tjerët që nuk ishin aty, i bënë që të mendojnë politikisht.  

Këto ngjarje janë të rëndësishme edhe për faktin se i dhanë kurajë studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët të nesërmen më 26 mars, ditën kur po vinte stafeta e Titos – që proklamohej si simbol i bashkim-vëllazërimit, e që për shqiptarët në fakt ishte simbol i mashtrimit, (të cilëve tentohej tu paraqitej deri në nivelin e besëtytnisë), studentët e festuan me demonstrata të fuqishme të cilëve iu bashkuan edhe punëtorët dhe popullata e gjerë. Ngjarje të tilla ndodhen në shumë qytete të Kosovës. 

Ngjarjet e vitit 1981 padyshim se nuk janë fillimi i rezistencës shqiptare, por gjithsesi janë ngjarjet që paraqesin formën më të artikuluar të rezistencës shqiptare pas luftës së dytë botërore deri në atë kohë, duke ia trandur kështu themelet e Jugosllavisë së atëhershme.  

Në këto ngjarje më e papërgatitura ishte inteligjenca e Kosovës, prandaj edhe nuk u hodh në mbrojtje të kërkesave të drejta të studentëve dhe të punëtorëve. Burokracia politike e Kosovës e ndikuar nga kërcënimi i shovinizmit dhe hegjemonisë serbe, u hodh në gjykim të ashpër të këtyre ngjarjeve duke i cilësuar ato njëjtë, ashtu siç i cilësonte politika antishqiptare jugosllave e kohës, si nacionaliste, separatiste, irredentiste, armiqësore, të drejtuara kundër sistemit socialist vetëqeverisës jugosllav, e për minimin e pushtetit politik të klasës punëtore, për prishjen e bashkim-vëllazërimit, etj.  

Kësisoj ngjarjet madhështore të vitit 1981, ishin burim frymëzimi edhe për ngjarjet e mëvonshme të vitit 1989 e deri te pranvera e vitit 1998.  

Muaji mars për shqiptarët, nuk është vetëm muaji i fillimit të pranverës. Marsi është muaji i fillimit të shpresave shqiptare, i rezistencës, për liri.  

Në marsin e vitit 1981, u tranden themelet e të ashtuquajturës Jugosllavi.  

Në marsin e vitit 1989, u derdh lumë gjaku në mbrojtje të asaj autonomie që e kishte Kosova, e cila edhe aq sa ishte dhe e tillë çfarë ishte e përgjysmuar, iu mor shqiptarëve me tanksa.  

Kurse në marsin e vitit 1998, me rënien e Adem Jasharit në altarin e lirisë, përfundimisht u ndërpre procesi i vdekjes së heshtur të Kosovës. 


Deklarim i çuditshëm përmes gojës së personazhit ‘Vrasësi i Penduar’ rreth shpalljes së pavarësisë 

 

“17 shkurti 2008 paraqet një ngjarje historike për Kosovën (shpallja e pavarësisë), por njëherësh paraqet edhe një datë tragjike për të, meqë në këtë ditë, autorët e krimit, me “Oreolin e çlirimtarëve” dhe ndihmën e disa qarqeve ndërkombëtare, do të legjitimojnë shtetin si një pronë të patjetërsueshme të tyre!…”. Qoftë e thënë kjo realisht nga goja e ‘vrasësit të penduar’ apo nga goja e autorit, është tepër domethënëse si për misionin e autorit rreth këtij libri për mohimin e gjithçkaje kombëtare në emër të kombëtares, si për predikimin qëllimkeq të aktit të shpalljes së pavarësisë, si për përmendjen e vetë vrasësit të penduar si personazh, loja e të cilit ende nuk ka përfunduar, por në këtë rast autorit i duhet në ndihmë të qëllimit të tij, edhe një personazh i tillë.

Edhe fëmijët shqiptarë në perëndim kundër “shtetit paralel”! 

Në funksion të realizimit të qëllimit të autorit, ai do të sjellë edhe këtë pohim sipas tij analitik: “Si ishte e mundur që një kategori e të rinjve që në moshë të re (10-15-vjeçare) të ikur nga dhuna serbe nga ambientet rurale nga fillimi i viteve të 90-ta e këtej, brenda 10 apo më pak vitesh të qëndrimit në Gjermani, të përfshirë në sistemin arsimor dhe edukativ gjerman të frymëzoheshin me një urrejtje të tillë kundër shtetit paralel dhe frymës intelektuale, kur do të duhej të ishte e kundërta”?

Pra, jo kundër Serbisë, por kundër “shtetit paralel”. Merre me mend çfarë përrallis Buxhovi, në këtë të ashtuquajtur roman. Dhe përsëri këtu vijmë te momenti se lufta ishte e domosdoshme, ngase nga qielli nuk do të vinte liria kurrë sipas konceptit të rezistencës paqësore. Ndërkohë dihej që vetë sllavët mes vete nuk mundën të merren vesh pa luftë brenda Jugosllavisë. Prandaj, cila do të duhej të ishte arsyeja që shqiptarët ta besonin se liria do të pikte nga qielli?

Krahasim morbid Levizjes me fundamentalizmin islamik 

 

Dhe për ta njollosur luftën çlirimtare, Jusuf Buxhovi e thërreh në ndihmë sociologun Zigfrid H. i cili paskësh bërë një krahasim të indokrinimit të natyrës ideologjike (propagandës) për bashkim me Shqipërinë enveriste, sipas të cilit qenka i ngjashëm me atë të natyrës fundamentaliste që klerikët fanatikë vahabi zhvilluakan brenda refugjatëve turq dhe të tjerëve nga vendet islamike. A ka nevojë për koment ky krahasim kaq banal dhe kaq keqdashës? Lufta kishte karakter çlirimtar dhe jo ideologjik, pra luftohej duke u vrarë ushtarët në fushëbetejë për largimin e ushtarëve serbë nga Kosova, dhe jo për të sjellë farë komunizmi mes shqiptarëve, ndërkohë që komunizimi nuk ekziston në tërë Evropën. Kush ia ha këtë çorbë Jusuf Buxhovit? Prandaj me të drejtë Vaclav Havel ka deklaruar se “më të këqinj se komunistët, janë vetëm komunistët antikomunistë”. Kurse Jusuf Buxhovi ishte siç dihej njëri ndër partizanët e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë.

“Rituali i anatemës së tradhëtisë”… 

Duke i përdorur shpesh, pra duke i përsëritur gjërat e përgjithësuara me qëllim të dezinformimit rreth kauzës, autorit, nuk e di për cilat arsyera i djeg kaq shumë “rituali i anatemës së tradhëtisë, me shfrime nacionaliste…” që sipas autorit këto mbretërojnë edhe në tubimet maratonike që janë përcjellë me “aktivitete kulturore (një përzierje e kiçit muzikor folklorik me recitime patetike-patriotike dhe skeqe të ngjashme që ngjallin dalldi kolektive)”. Pra këtu Buxhovin e pengojnë edhe pikat muzikore edhe recitimet, sipas të cilit janë të një niveli të ulët artistik. Ndërkaq harron se në rrethanat kur janë bërë këto, primare nuk ishte kultivimi i vlerave të larta artistike, por lufta dhe çlirimi i Kosovës. Disi ngjashëm edhe Buxhovi e bën me këtë libër, nuk i shikon vlerat artistike fare, por gjërat i përzien si ‘mielli i…’, ngase në fokus nuk e ka artin dhe as kulturën, por misionin politik. Prandaj Buxhovin e kanë penguar edhe klubet, klubet e shqiptarëve pra, të cilat kanë ekzistuar edhe gjatë kohës kur Buxhovi ishte korrespondent i “Rilindjes”, sepse në këto klube paskësh pasur mundësi të depërtojë armiku i Jugosllavisë, i socializimit e qeverisjes jugosllave.

Sërish dërdëllisje me organet njerëzore… 

Aq kompetenca në “lirinë e krijimtarisë” i jep vetes Buxhovi, sa që paraqitet njeri i gjithëdijshëm, sikur të kish qenë në çdo ngjarje anekënd Kosovës. Prandaj shkruan për to, për të gjitha pra, por shkruan sipas orekseve të tij, dëshirave dhe synimeve. Por meqë nuk e ka fuqinë e një “supermeni” që të ketë qenë gjithkund, ai për realizimin e qëllimeve të tij, thirrë në ndihmë edhe mendime të të ashtuquajturve psikiatër gjerman, të cilët paskan mbledhur “shumë e shumë rrëfime tronditëse të të rinjve që kishin kaluar nëpër ecejaket e luftës së Kosovës, por edhe të paraluftës (qëndrimit në Shqipëri), që del se kishte qenë një përzierje kriminale-mafioze ndër më të paparat deri atëherë në ato anë ku disa pacientëve nën tretmanin e mbikëqyrjes së mbyllur shumëvjeçare, krahas shumë e shumë fiksimeve makabre, në halucinacione u përvijohen edhe trafikantët e organeve njerëzore”. Këto gjëra autori i thotë përmes një personazhi Rajan H., psikiatër. Pra kur i duhet autorit që gjërat t’i gjykojë, formon menjëherë një trup gjykues me: sociolog, psikolog, psikiatër, kriminolog… Dhe ky është “baca mjeshtër” i të gjithëve. Prandaj edhe përmes gojës së politologut Matias R. si personazh e thotë “Historikisht, gjatë dy shekujve të fundit, Serbia ua ka prezantuar shqiptarëve heronjtë e tradhëtarët në përputhje me interesat e veta dhe se edhe këtë herë po ndodh kështu…”.

Marrja me pasojën e jo me shkakun 

Buxhovin e pengojnë shumëçka, madje edhe lufta e kaçakëve, sipas të cilëve Beogradi ia doli që me… “ofensivat policore ushtarake kundër kaçakëve dhe jatakëve të tyre, që rëndom drejtoheshin kundër popullatës së pambrojtur, që për pasojë kishin shpërnguljen e detyrueshme të tyre për në Turqi dhe gjetiu…” A ka nevojë të komentohet kjo kur autori kapet për pasojën dhe jo për shkakun?

Po sipas tij duke thirrë në ndihmë personazh të huaj del se: “Beogradi ka përcaktuar rrugën e Shqipërisë kah lindja… dhe se Hoxha ishte një krijesë e Beogradit…, i cili paskësh bërë çmos që ky të mbetej në krye të shtetit shqiptar si stalinist, ndërsa Shqipëria si një gulag trishtues europian”.

Në këtë drejtim autorin e pengon edhe propaganda ideologjike e Shqipërisë ndaj Jugosllavisë, ku paska ndikuar që në Kosovë të forcohet rryma enveriste. Por rreth propagandës titiste nuk thotë asnjë fjalë, rreth qëllimeve të titizmit nuk thotë asnjë fjalë, sepse vetë autori ishte ushtar i titizmit, madje njëri ndër pararojet e titizmit në Kosovë. Prandaj këtë e pengon Lëvizja Kombëtare Shqiptare gjatë kohës së komunizmit jugosllav ku thotë: “në këto kushte nga ilegaliteti shfaqet edhe lëvizja revolucionare për bashkim me Shqipërinë, që nuk ishte tjetër pos formë e përsëritur e iridentizimit ideologjik, sipas recetave internacionaliste në kuadër të doktrinës së njohur ideologjike për “vetëvendosjen e popujve” brenda kampit socialist”…

Përmendja formale e NDSH-së 

Në disa raste e përmend NDSH-në, por jo ngaqë ka ndonjë simpati për të, por me qëllim për t’ia kundërvënë ‘grupeve të majta’, prandaj edhe konkludon: “Të fiksuar nga ideologjia si dhe kornizat ku duhej kërkuar hapësirë për interesat kombëtare, me dashje apo pa dashje të tillët ishin kthyer në agjitatorë të regjimit të Tiranës, prej nga ata i merrnin qëndrimet e gatshme që duhej të kishin karshi ngjarjeve në Kosovë, siç ishte ajo rreth kërkesës për Republikën e Kosovës në përbërje të Federatës Jugosllave, e manifestuan me demonstratat e mëdha shqiptare në Kosovë gjatë nëntorit të vitit 1968 dhe e rishfaqur në demonstratat e vitit 1981”. Së pari, këtu autori e pranon se demonstratat paskëshin qenë të mëdha, dhe nëse shqiptarët do të kishin të gjitha të drejtat siç në shumë vende pohon gjatë këtij libri, masiviteti i pjesmarrjes së shqiptarëve në protesta nuk do të ishte aq i madh. Së dyti, hipotetikisht ta zëmë, sikur dikush paskësh marrë instruksione apo qenka shndërruar në agjitatorë të regjimit të Tiranës, del konkludimi se e kundërta e kësaj do të duhej të shëndrroheshin në agjitatorë të titizmit siç ishte Buxhovi, pra autori i këtij libri dhe rrjedhimisht do të duhej të merrnin instruksione nga Buxhovët, pararoja e titizmit në Jugosllavi. Prandaj Buxhovit i djeg edhe përkrahja e Shqipërisë në “kërkesat për Republikën e Kosovës, duke e quajtur atë “të drejtë” të pakontestueshme të shqiptarëve të Kosovës për barazi”. Dhe menjëherë e jep vetë arsyen Buxhovi, sikur tash të jetonte në periudhën e ngjarjeve të vitit 1981, ku thotë: “Por, edhe kthesa për Republikën e Kosovës në përbërje të Federatës Jugosllave, u kushtëzua me ideologjinë staliniste. Kjo kërkesë duhej të kthehej në armë të re të përkrahësve të tij në Jugosllavi”… Kush nuk e ka të qartë përpos atyre që qëllimisht nuk duan ta kenë të qartë, se atëbotë, askund nuk është kërkuar Republikë Staliniste, por Republikë e Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave? E Buxhovi është si Buxhovi, nuk lë gur pa lëvizur, vetëm e vetëm që çdo gjë të rrotullojë së prapthti.

Por logjika e tij shkon edhe më larg kur thotë: “Një fatalitet për shqiptarët, sipas skenarit të Beogradit, me ç’rast stalinistët dhe enveristët u kthyen në heronjë, ndërsa intelektualët që themeluan institucionet kombëtare në Prishtinë gjatë viteve 70-ta dhe 80-ta dhe ia dolën që ta afirmojnë idenë për barazi në Federatën Jugosllave, u shpallën tradhëtarë”… Dhe këtij mendimi, kur flet për ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, ia pason mendimin e njëjtë të zhvendosur në kohën tjetër kur thotë “Në Kosovë perëndimi fitoi një luftë gjeostrategjike e cila me fitorën e enveristëve dhe neostalinistëve ndaj intelektualëve properëndimor që ia vunë themelet e shtetit të Kosovës si dhe ardhjen e tyre në pushtet rrezikon një humbje gjeopolitike?…”

Gjithashtu rreth ngjarjeve të vitit ’81 mendimi i Buxhovit është i njëjtë me mendimin e akademikut serb Mihailo Markoviq.

UÇK-ja arsyet…

 

 Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli nga gjiri i këtij populli, për ta mbrojtur në radhë të parë substancën biologjike shqiptare të Kosovës, të cilës i kanosej rreziku i shfarosjes fizike dhe për t’i mbrojtur trojet shqiptare, të cilat ishin vënë nën kthetrat e shovinizmit serb. Realisht, pas veprimeve të para publike të UÇK-së më 1993 përgjigja serbe ndaj veprimeve çlirimtare kombëtare, u shoqërua me arrestime dhe burgosje nën akuzën e terrorizmit shqiptar. Kështu u burgosën sërish anëtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, të Frontit për Çlirim Kombëtar, të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës etj. Mbushja e burgjeve serbe, me veprimtarë të rinj shqiptarë, vrasjet, përzënia nga puna dhe mohimi i të drejtave në të gjitha sferat e jetës, ndikoi që ideja për çlirimin e vendit me luftë të armatosur të bëhet jo vetëm arsyeshmëri, por edhe domosdoshmëri shqiptare.

Vendimin për formimin e UÇK-së e mori LPK-ja, por radhëve të UÇK-së do t’i rrekeshin vazhdimisht edhe personalitete të tjera, të cilët me kalimin e kohës e kishin kuptuar se rezistenca paqësore ishte politikë jo vetëm e pafrytshme e nënshtrim, por edhe vetshkatërrim.

Ndaj, të kota ishin insinuatat, e atëhershme, se “mbrapa UÇK-së qëndron shërbimi sekret serb”. Kjo gjellë u gatua që ta hante opinioni shqiptar, për të hequr dorë nga rruga e lirisë dhe për t’u pajtuar me robërinë.

Lufta e UÇK-së ishte faktori sublim, i cili çështjen e Kosovës e çoi në Rambuje. Pra, gryka e pushkës dhe gjaku i derdhur në altarin e lirisë.

UÇK-ja e solli NATO-n në Kosovë, dhe UÇK-ja ishte këmbësoria e saj, aleate në luftën kundër Sadamit të Ballkanit e Evropës – Millosheviqit.

Edhe përkundër kësaj që u tha, Buxhovi duke bërë fjalë për këtë periudhë, gjatë zhvillimeve të luftës autori konstaton edhe këtë “Në këtë luftë, nga anë të ndryshme, tashmë po luftohet shteti dhe siç po shihet, aty ku ndiqen dhe vriten intelektualët, do të luftohet edhe liria”… Këtu nuk përmend Buxhovi Serbinë pra për autorin respektivisht personazhin e autorit këtu “luftohet shteti”! Ndërkohë që Kosova ishte e okupuar, pra ishim nën robëri. Dhe Buxhovi vazhdon të konstaton se po u luftuaka ‘shteti’ (pa liri – vërejtja jonë).

Si duket i vetëdijshëm autori se materien e ka bluar shumë trashë, ndonjëherë e lëshon edhe ndonjë frazë fillestare të ndonjë paragrafi, për të dalë sërish te qëllimi i tij, si: “Nuk përjashtohet mundësia se edhe Beogradi të ketë futur komandat revolucionare të maskuara me uniforma të UÇK-së, për t’i qëruar përfundimisht hesapet me intelektualët dhe aktivistët, të cilët prej vitesh ishin përfshirë në konceptim dhe veprimtarinë e lëvizjes institucionale,… por nuk mund të mohohet fakti se mentaliteti “revolucionar” është pjesë e lëvizjes ilegale e pranishme në disa qarqe të diasporës shqiptare e përqëndruar në Gjermani e Zvicër”.

Deklaratat e gjeneralit serb i thirrë në ndihmë…

Dhe përsëri jo vetëm kaq! Për të përforcuar propagandën e tij kundër pjesëtarëve të UÇK-së, Buxhovi e thirrë në ndihmë duke potencuar edhe pohime të burimeve serbe si: “Një gjeneral serb në Prishtinë, në një konferencë për shtyp me përfaqsues të mediave botërore, doli me disa të dhëna tepër shqetësuese, sipas të cilave “komandat terroriste” për të cilat tha se ishin militantë marksistë, leninistë, nga lëvizja ilegale e diasporës të drejtuar nga oficerë enveristë të armatës shqiptare, gjatë pranverës dhe verës së atij viti, në të ashtuquajtura zona të lira (përmendi Drenicën, Dukagjinin dhe një pjesë të Hasit), kishin vrarë 123 qytetarë të përkatësisë shqiptare… E një pjesë e të cilëve ishin marrë përtej kufirit me Shqipërinë “si plaçkë lufte” ”.

Dik Martin që e ‘përmendka përsonazhi’ i tij, nuk distancohet as Buxhovi

Dhe po sipas këtij gjenerali të cilin na e sjellë autori paska përmendur “Shtëpinë e Verdhë” në Shqipëri dhe një në afërsi të Tiranës (spitali i dikurshëm ushtarak) prej nga organet njerëzore, përmes aeroportit të Tiranës transportoheshin jashtë. Ç’ti themi kësaj? Ky është monstruozitet i llojit të veçantë nga Buxhovi që e këndon të njëjtën melodi me Kosaçevin, pra me Moskën dhe Beogradin. Mbi bazë të kësaj akuze Dik Marti e tronditi botën, e cila akuzë tani përfundoi deri në formimin e Gjykatës Speciale. Ndërkaq argumentet për Trafikim me qenie njerëzore u heshtën sepse nuk mund të prodhoheshin argumente të tilla. Madje që në kohën e deklarimit të Dik Martit për këto akuza, disa profesionistë të fushës së mjekësisë – serbë nga Serbia u patën deklaruar hapur për pamundësinë për të ndodhur një gjë e tillë sipas parimeve shkencore.

 

Çka thoshte specialisti i Mjekësisë Ligjore nga Beogradi – Zoran Stankoviq për mundësinë e trafikimit me organe njerëzore?

Specialisti i mjekësisë ligjore nga Beogradi – Zoran Stankoviq, duke folur për trafikimin me organe njerëzore në vitin 1999 nga ana e UÇK-së, ka thënë se: “një gjë e tillë është e pamundshme”, sepse sipas tij “në këtë punë duhet të marrin pjesë kirurgë të mirë, një ekip multidiciplinar me të paktën pesëdhjetë njerëz”, për të vazhduar pastaj “që organi të merret nga trupi duhet të jetë në gjendje pa vetëdije duke dhënë sedativë apo anestetikë. Janë iluzione teoritë se, ata së pari janë vrarë dhe të vdekur i kanë dërguar deri në vendin ku janë marrë organet”.

Çka thoshte kirurgu serb, koloneli, prof. dr. Goran Kronja kirurg në Spitalin Ushtarak të Beogradit, lidhur me mundësinë e trafikimit me organe njerëzore?

Koloneli serb, prof dr. Goran Kronja, kirurg në Spitalin ushtarak të Beogradit, lidhur me mundësinë e trafikimit me qenie njerëzore në Shqipëri, në revistën “VREME”, nr.1135, të datës 04.10.2012, në artikullin e përgatitur nga Millosh Vasiq, thekson:

Prokurori për krime lufte, Vladimir Vukçeviq, thotë se lidhur me dëshminë e atij dëshmitari, “ata janë konsultuar me shumë ekspertë mjekësorë me qëllim që të na thonë nëse është e mundur të kryhet gjithçka ashtu siç flet dëshmitari, para së gjithash nuk duhet përzier transplantimin dhe këtë intervenim ku e vetmja gjë e rëndësishme është që të merret organi dhe ta paketosh në mënyrë të sigurtë”… Megjithatë, “paketimi i sigurt” është diçka tjetër: nga rrëfimi i dëshmitarit, thotë doktor Kronja, del se nuk ka kurrëfar “paketim të sigurt” dhe nuk mund të ketë, gjë që është e qartë për çdo teleshikues të vëmendshëm dhe lexues gazete, e lëre më “shumë ekspertë mjekësorë”.

“Ka edhe një detaj tjetër të rëndësishëm logjistik: e gjithë kjo për tregtinë e organeve, “shtëpinë e verdhë” etj., gjoja ka ndodhur në Shqipërinë e Veriut gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999. Aeroporti më i afërt është në Tiranë, dhe organi “i paketuar në mënyrë të sigurt” , duhet t’i sillet marrësit sa më shpejt që të jetë e mundur. Nga Kukësi dhe Burimi (“shtëpia e verdhë”) deri në Tiranë, në atë kohë duheshin dhjetë orë për të vozitur me një automjet të mirë, sepse rrugët ishin katastrof të këqija. Për këtë, këtij autori (Millosh Vasiq) i ka thënë me hollësi një ish-major i forcave speciale nga një nga vendet e NATO-s, i cili më pas ka shërbyer atje, e më pas është bërë diplomat: “Duhej të kishit një helmetë në kokë, sepse vazhdimisht goditje çatinë e automjetit”, thotë ai. “Për transportin eventual me helikopter të organeve të njeriut, në anën shqiptare nuk kishte helikopter, atëherë fluturonim vetëm ne”.

Por kush donte t’ia dinte atë botë për këto gjëra? Po kujt do t’ia dinte kur mes tyre ka edhe ndonjë shqiptar si Buxhovi që qoftë edhe tërdhorazi e biberos “romanin” e tij me xhevahirët e Dik Martit.

Buxhovi në rolin e prokurorit

Kurse për vrasjet enigmatike të pasluftës në Kosovë, në këtë libër përmendet, “si emërues i përbashkët i të gjitha pistave shfaqej SHIK (shërbim klandestin informativ) i themeluar gjatë luftës në kuadër të UÇK-së të shumtën nga radhët e militantëve të LPK-së, shërbim ky që kishte vazhduar… edhe gjatë administrimit ndërkombëtar në Kosovë e deri në vitin 2008…”.

Madje ky shërbim sipas të dhënave të këtij libri duhej “ta kishte pasur edhe mbështetjen e jashtme, veçmas nga SHISH (shërbimi informativ i Shqipërisë)…”.

Pra kur i duhet Buxhovit gjërat i lidhë me Tiranë. Kur i duhet i lidhë me Beogradin e nëse i duhet sërish, atëherë e lidhë edhe Tiranën me Beogradin.

Rrethanat që çuan te lindja e UÇK-së 

 

Si çdo fenomen shoqëror, historik dhe politik, që nuk qëndron asnjëherë i vetmuar, as i lindur papritmas, ashtu edhe lindja dhe zhvillimi i UÇK-së nuk mund të shikohet si fenomen në vete, si diçka që lindi papritur dhe po ashtu papritur kreu misionin e saj gjatë viteve 1993/99. 

Realisht në themele të secilit fenomen madhor, qëndrojnë qindra ose edhe mijëra ngjarje e dukuri pararendëse, e të cilat duke u akumuluar brenda rrethanave të caktuara kulmojnë me shpërthimin në një moment të caktuar historik. Së këndejmi, edhe në themele të lindjes së UÇK-së, qëndrojnë mbi 250 vite ngjarje e fenomene historiko-politike në rrjedhë të integrimit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare brenda kombit shqiptar, të cilat në saje të shtresimit dhe të akumulimit të tyre si ndërgjegje kombëtare e sollën lindjen dhe zhvillimin e UÇK-së.  

Me fjalë të tjera, gjatë periudhave të ndryshme historike, ndonëse nën perandori të shumta, shqiptarët dhanë shenjat vazhdimisht pa ekuivoke, se ata janë gjallë.  

Gjatë këtyre periudhave pati kulmime historike madhore që u përcollën përmes qindra kryengritjeve krahinore e regjionale. 

Natyrisht këto ngjarje të hershme nuk lidhën drejtpërdrejtë me lindjen e UÇK-së, por si kujtesë historike janë të pashkëputshme. Shumëçka ka ndryshuar në terren. As shtrirja etnike e shqiptarëve nuk është më ajo që ka qenë në periudhën e integrimit të kombit shqiptar. Kanë pësuar njësitë etnokulturore e gjeopolitike në Ballkan e veçanërisht ato shqiptare e të Shqipërisë.  

Andaj, në këtë drejtim lufta e UÇK-së, shikuar edhe në rrafshin etnopsikologjik dhe historik, vjen si frymëzim liridashës që nga lashtësitë historike. Këtë e ilustrojnë edhe këngët e kënduara në linja të para të luftës së UÇK-së për komandantët apo dëshmorët e rënë, së bashku me këngët tjera, si: “Jem Ilira jem Teuta”, për Skënderbeun, për Ali Pashë Tepelenën, për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (“Të gjithë shqiptarët janë Mic Soloka”), për Pavarësinë e Shqipërisë, për Lëvizjen Kaçake, për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, etj. 

Edhe më vonë ndjenja e lirisë do të frymëzohej nga ngjarjet tjera historike dhe padrejtësitë e mëdha që iu bëheshin shqiptarëve në to, si:  

Kongresi i Berlinit 1878, ku për shkak të këtyre padrejtësive u organizua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pastaj konteksti historiko-politik i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 si dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913. Më tej Konferenca e Versajës dhe krijimi i Jugosllavisë së parë, ku shqiptarëve përsëri iu bë padrejtësi e deri te Lufta e Dytë Botërore; protokoli i Firencës dhe konferenca e Jaltës më 1943, ku u vendos që të gjitha shteteve pjesëmarrëse në luftë kundër nazifashizmit, pas mbarimit të luftës, t’u njihen kufijtë e mëparshëm dhe jo kufijtë e vënë nga fashizmi. Kjo do të thoshte se Shqipërisë, edhe pse e renditur në koalicionin antifashist, do t’i njiheshin kufijtë e mëparshëm, ata të Londrës të vitit 1913. 

Edhe Konferenca tjetër e paqes – ajo e Parisit më 1946, i përkrahu vendimet e mëparshme që viset shqiptare të mbeten nën ish-Jugosllavi. Kështu kjo çështje do të vazhdonte kësisoj, duke mos u trajtuar si duhet problemi i Kosovës edhe në Helsinki II (12. XI. 1991); Konferencën e paqes për Ballkanin të mbajtur në Londër më 1992, në Konferencën e Hagës më 1993 dhe në Konferencën e Dejtonit më 1995. 

 

Lufta e dytë, mbetja në Jugosllavi 

 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB-së), populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të saj, ju qas luftës antifashiste duke marrë pjesë brenda Koalicionit Antifashist Botëror të kohës. Këtë e bëri duke shpresuar se pas mundjes së fashizmit, si të gjitha kombet tjera, edhe ai do të gëzojë të drejtën e tij të ligjshme për vetëvendosje dhe Bashkim Kombëtar me vendin amë – Shqipërinë. Për këtë bashkim, më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944, u mbajt konferenca themeluese e Këshillit Antifashist të Kosovës, organizuar në veri të Shqipërisë në fshatin Bujan, konferencë tashmë e njohur si “Konferenca e Bujanit”, në të cilën u vendos që pas luftës antifashiste-nacional çlirimtare, treva e Kosovës dhe e viseve tjera të banuara me shqiptarë të ndara padrejtësisht në kuadër të Jugosllavisë së Vjetër, të kenë të drejtë vetëvendosjeje deri në bashkëngjitje me shtetin amë – Shqipërinë.  

Me këtë vendim të këtij Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar të Kosovës ishin pajtuar jo vetëm përfaqësuesit shqiptarë, por edhe ata serbë e jugosllavë duke e firmosur bashkërisht dokumentin.  

Mirëpo, përkundër pjesëmarrjes masive të shqiptarëve në luftë, pas përfundimit të luftës, Kosova dhe viset tjera të banuara me shqiptarë (në Maqedoni e Mal të Zi), në saje të fuqive të mëdha të kohës dhe të intrigave të Titos, ato sërish mbeten po aty ku i kish lënë Kongresi i Berlinit i 1978-ës, Konferenca e Ambasadorëve të Londrës e 1913-ës, dhe e Jaltës, pra në kuadër të Serbisë e Jugosllavisë.  

KQ i PKJ-së me Josip Broz Titon në krye, kur dëgjoi për dokumentin dhe Vendimin që ishte ndërmarrë në Bujan, në mënyrën e tij mashtruese, krerëve të Këshillit Antifashist të LNÇ-së i dërgoi një letër, duke u shprehur se “në Bujan është marrë një hap i ngutshëm, se s’është koha për të marrë vendime të tilla për kufijtë, etj.” … 

Menjëherë pas luftës, Tito për ta zhbërë Vendimin e drejtë historik të Konferencës së Bujanit, e vuri në shtetrrethim Kosovën dhe e realizoi dhunshëm një Konferencë tjetër, e cila do ta mohonte atë të Bujanit. Kuvendi i tillë që tashmë njihet si “Kuvend i Prizrenit”, u mbajt më 10 korrik 1945 në Prizren. Siç dihet, në këtë Kuvend, delegatët shqiptarë, dhe delegatët serbë e malazezë të cilët tani ishin shumë më shumë se përqindja reale e popullatës serbe e malazeze në Kosovë, aprovuan rezolutën, sipas të cilës Kosova “me dëshirën” e saj po deklarohej të mbetej një “Obllast” në kuadër të Serbisë federale. Delegatët që e kundërshtuan këtë rezolutë të dhunshme më vonë u eliminuan politikisht.  

Realisht Ushtria çetnike e Titos, tashti me yllin partizan në ballë, më 1 prill 1945, gjatë rrugës për Tivar të Malit të Zi, vrau e masakroi mbi 2000 shqiptarë të Kosovës të cilët ushtritë jugosllave i kishin mobilizuar në kuadër të luftës antifashiste.  

Më 1944, akademiku serbomalazez, Vaso Çubrilloviq, i dorëzoi Titos dhe Shtabit që ai kryesonte, elaboratin e tij të dytë mbi metodat e shfarosjes së shqiptarëve të Kosovës e me porosi që klasa e re politike serbo-jugosllave “të mos merrej me gllabërimin e Shqipërisë, sepse ajo tanimë është kafshatë e madhe, por ta kryejnë punën me Kosovën derisa nuk është bërë vonë”. Mirëpo, Tito këtë dokument ndonëse e ruajti në fshehtësi për të mos u komprometuar para botës, ai prapëseprapë deshi t’ia tejkalojë në praktikë edhe Çubrilloviqit duke tentuar ta gëlltisë edhe Shqipërinë për ta bërë Republikë të shtatë.  

Një skenar tjetër antishqiptarë, të cilin e realizi OZNA qysh gjatë LDB-së ishte eliminimi fizik i antifashistëve shqiptarë si Emin Duraku, Hajdar Dushi, Xhevdet Doda e të tjerë. Eliminimi i tyre ndodhi gjatë luftës, sepse jugosllavët, duke pasur parasysh patriotizmin si dhe ngritjen politike të tyre, të cilët ishin pjesë përbërëse e udhëheqjes së LNÇ-së në Kosovë, i konsideruan të rrezikshëm për realizimin e skenarëve të tyre ndaj Kosovës.  

Në anën tjëtër, as krahu tjetër i patriotëve nacionalistë të Kosovës, të cilët shikuar objektivisht e historikisht kishin plot argumente që midis dy fashizmave ta luftonin atë më të keqin, në rastin konkret fashizmin serb, nuk kaloi më lehtë. Këta, jo rastësisht, jugosllavët i quanin ballistë, dhe kjo do të thoshte përkrahës të fashizmit. Brigadat jugosllave në Kosovë nuk luftuan gjithaq fashizmin italian e gjerman, por në emër të armiqve të LNÇ–së, i grinë mijëra nacionalistë shqiptarë. Natyrisht, këtë e bënin pos për t’i sakatuar shqiptarët si popull, njëkohësisht edhe për t’ua lënë atyre namin e keq para aleatëve të mëdhenj të Koalicionit Antifashist Botëror, të cilët pas përfundimit të luftës do të përcaktonin edhe kufijtë e vendeve të ndryshme, se shqiptarët nuk ishin përkrahës të koalicionit antifashist.  

Për ta bërë sa më të besueshme këtë përshtypje para botës, shtypi jugosllav dhe radiot e luftës asokohe propagandonin me të madhe “reaksionin ballist të shqiptarëve”, por jo edhe rezistencën e organizuar të tyre në radhët e LNÇ-së. 

Kësisoj armata Jugosllave dhe shërbimi sekret me emrin OZNA, në emër të pastrimit të terrenit nga mbeturinat fashiste në Kosovë, gjatë vitit 1945 bënë eliminimin e të gjithë atyre patriotëve shqiptarë të cilët nuk u pajtuan me konferencën famëkeqe të 10 korrikut 1945, të mbajtur në Prizren.  

Në këtë mënyrë u vranë e u masakruan me mijëra shqiptarë “armiq” siç ishin antifashistët Shaban Polluzha, NDSH-ja, e pastaj Xheladin Hana e Rifat Berisha me shokë.  

Vërtet biografi i Titos, Vladimir Dedijeri, shkruan se: “brenga më e madhe e Titos menjëherë pas luftës ishte Kosova”!…  

 Kush është Jusuf Buxhovi? 

 

Emri i Jusuf Buxhovit në sferën e gazetarisë është i njohur si korrespondent i gazetës “Rilindja” gjatë viteve të 70-ta dhe 80-ta në Bon, pra në Republikën Federale të Gjermanisë. Ndërkaq në sferën politike është i njohur si njëri ndër bashkëthemeluesit e LDK-së. Në lëminë e letërsisë ka shkruar disa libra, ashtu si edhe në histori, për të cilën gjë do të bëjmë fjalë një herë tjetër. 

Gjithashtu, vlen të përmendet se emri i tij është përfolur shumë rreth koketimit të tij me UDB-në jugosllave. Pra, me Shërbimin e Punëve të Brendshme të Jugosllavisë.  

Libri me titullin “Dosja B”, për të cilin do të bëjmë fjalë, paraqitet si roman nga vetë autori, i cili që në fillim paralajmëron se “ngjashmëritë e mundshme të personazheve me realitetin janë të rastësishme”. Por në fakt libri është shkruar pikërisht për “ngjashmëritë”. Ky libër p.sh. duke e krahasuar me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, edhe lexuesi më i thjeshtë e kishte ta besonte se këta dy libra i ka shkruar i njëjti person. Në këtë libër pra, në “Dosja B” kemi të bëjmë me konglomerat fjalësh e shprehjesh kryekëput të zhargonit publicistik. Madje edhe përkundër faktit se “Qëllimi arsyeton mjetin”, në këtë rast, sado që në mënyrë mjeshtërore mundohet t’i rendis një “grumbull të dhënash” sipas tij, ato kanë një qëllim. Dhe ky qëllim është shndërruar në hakmarrje, në urrejtje, ironizim, tallje, ofendim dhe assesi me dhënien e ndonjë mesazhi me rëndësi kombëtare.  

Në fakt, këtu në emër të kombëtares luftohet pikërisht kombëtarja, ku në emër të ideologjisë, përkatësisht luftimit të ideologjisë komuniste, ky mohon çdo gjë të rezistencës kombëtare dhe atë që nga Lufta e Dytë Botërore, të cilën luftë, Buxhovi mundohet ta paraqes si luftë vëllavrasëse, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Më pastaj, si titist i rryer që ishte vetë, bën lavdërimin e periudhës së titizmit, duke e arsyetuar pothuaj çdo gjë, për ta hyjnizuar gazetën “Rilindja”, si gazetë të kësaj kohe, ku edhe vetë ishte punëtor, për të dalë si partizan kundër komunizmit e deri te lufta e UÇK-së të cilën e krahason me luftën vëllavrasëse të shqiptarëve kundër nazifashizmit.  

Për të gjitha këto bën konstruksione të ndryshme, duke u thirrur në hetues ndërkombëtar (në këtë rast një gjerman), duke u thirrur në shërbimin gjerman BND, të UNMIK-ut, të EULEX-it, për të kaluar pastaj në shpalimin e rrëfimeve të Vrasësit të Penduar, pastaj në njëfarë ditari të një rojtari dhe sërish kështu për t’ju rikthyer “shënimeve” të këtyre “burimeve”, me qëllim për të realizuar misionin e tij përmes këtij libri – pamflet, e që ky e quan “roman”. Kështu brenda 400 faqeve gjërat përsëriten, stërpërsëriten, duke u mbllaqitur disa here, që bëhet aq shumë monoton, sa që edhe lexuesi mesatar e kupton qëllimin e autorit, sapo të nis ta lexojë fjalinë vijuese.  

Shumë nga këto gjëra që përmenden në këtë roman janë thënë me qindra herë në mediumin e quajtur “Bota Sot”, apo edhe në rastin e fushatës elektorale të partisë të cilës i përket dhe bashkëthemelues i të cilës ka qenë vetë Jusuf Buxhovi. Pra mund të thuhet se, Jusuf Buxhovi, si autor i këtij libri që e quan roman, ka arritur t’i sintetizojë në një masë të konsiderueshme shumë nga sulmet që u janë bërë personaliteteve të caktuara në gazetën “Bota Sot”, në periudhën e pasluftës. Por sado që zhdërvjelltësia e kompilacioneve nuk i mungon, për vetë faktin se ka një qëllim të vetëm, dhe ky është mohimi i rezistencës së armatosur kundër pushtuesit, nuk ka se si të mos merret vesh qëllimi. Prandaj edhe në shumë raste e tradhëton edhe aftësia për të kompiluar, sa që në shumë raste del jo vetëm kompilator i dobët, por edhe qesharak. 

Jusuf Buxhovi në këtë libër sillet sikur historia të kish filluar prej momentit kur ky ka filluar të mendojë “shqip” (ndonëse dyshojmë edhe sot që e di se cila është forma e të menduarit shqip). Prandaj për këtë si fazë e ndritur në histori janë (dhe kjo nuk përmendet pa hile): periudha e autonomisë së Kosovës, ku sipas tij nuk ka pasur nevojë që të ndodhnin demonstratat e viteve 68 e sidomos 81; pastaj periudhë e ndritur për të është ekzistimi i shtetit paralel të Kosovës, nga LDK-ja. Pra nuk ka pasur nevojë për luftë të armatosur, sepse shteti po funksiononte, kështu që sipas tij përkatësisht konceptit të tij, liria do të vinte vetëvetiu dhe s’paskësh pasë nevojë për gjakderdhje. Natyrisht pa harruar të përmend këtu edhe gazetën “Rilindja” të cilës i thurë elozhe, ndërkohë dihet se “Rilindja” ishte organ i Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Kosovës (LSPP) dhe zëdhënëse e politikës së Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë (LKJ). 

Në vijim do të sjellim disa nga “xhevahirët” e Jusuf Buxhovit lidhur me këto që u përmendën më lart.  

 

Lëvizja ilegale në Kosovë dhe petku ideologjik i kësaj lëvizjeje 

 

Buxhovi, përmend emrat e disa organizatave ilegale, si Froni i Kuq popullor, Lëvizja Socialiste të Kosovës (LRSPK), LPRK, etj., për t’i ritheksuar se pos që e kanë pasur orientimin e majtë, si të Shqipërisë pra, ato angazhoheshin për një Republikë në kuadër të federatës së atëhershmë Jugosllave. Dhe pastaj, menjëherë potencon se me rastin e formimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si lëvizje e gjithmbarshme, shumë nga këta pjesëtarë të organizatave të majta u kyçen në lëvizjen paqësore. Pra siç shihet, Buxhovi, edhe pse e mban veten historian, bën akrobacione historike në kohë.  

Së pari, lëvizjen majtiste që e përmend me emra të disa grupeve, nuk e thotë qëllimshëm se kur është formuar. Pra është formuar në kohën kur monizëm ishte edhe në Jugosllavi. Dhe përderisa titizmi udhëhiqte në ish-Jugosllavi, ku Kosova nuk ishte Republikë, është vepruar në kuadër të rrethanave të kohës së atëhershme për avancimin e Kosovës në nivel Republike, e që kjo nuk do të thoshte se në rrethana të favorshme ishte hequr dorë nga bashkimi kombëtar.  

Në atë kohë, edhe Buxhovi, por edhe të gjithë udhëheqësit e LDK-së, ishin pjesëtarë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Pra, edhe LKJ ishte e majtë apo jo? Prandaj, me rastin e rënies së komunizmit gjithkund në Evropë, është e drejtë e secilit që t’i ndërrojë bindjet politike, siç është e drejtë edhe Bill Clintoni, Tony Blair, Nicolas Sarkozy, Gerhard Schroder, Lamberto Dini, Madeleine Albright, etj., të kenë ide të majta. Por, për logjikën e Buxhovit kjo nuk vlenë, sepse si shihet, ai gjërat i vlerëson vetëm nga momenti kur janë larguar nga anëtarësia e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë… Për të edhe historia e ‘shtetndërtimit’ (por jo edhe e çlirimit) fillon nga ky moment.  

Së dyti, Buxhovi ua sheh për të madhe shteteve evropiane si Gjermanisë, Zvicrës, etj., që kanë pranuar t’i strehonin grupacionet politike shqiptare, pra të Kosovës, si të majta që ishin, dhe në të njëjtën kohë e përmend, që po në këto vende gjetën strehë dhe pjesëtarë të Qeverisë së Kosovës, qoftë nga ata që e kishin shpallë 7 Shtatorin, qoftë nga Qeveria Bukoshi, e që të gjitha këto të fundit nuk ishin të majta. Por harron ta përmend faktin pse shkuan këta pjesëtarë të shtetit paralel në perëndim: sepse Serbia do t’i burgoste apo jo? Dmth, funksionimi i shtetit nuk paska qenë siç thotë Buxhovi, ngase ky ‘shtet’, duhet të çlirohej. Logjika e Buxhovit do të dëshironte që pjesëtarët e grupeve të mjata, apo më qartë të ilegales, të mos kyçeshin në sfidën e luftës që do të vinte pashmangshëm në Kosovë, sepse “shteti po funksiononte”, dhe sipas tij (Buxhovit) liria do të pikte nga qielli. Përderisa Buxhovi me bashkëmendimtarë të tij (jo të gjithë LDK) mendonin se nga qielli mund të binte kokrra gruri, këta të majtët (apo enveristët si do të kishte qejf ti quante Buxhovi), mendonin se nga qielli nuk bie kokrra gruri, por bie shi, borë e breshër. Kurse për t’u bërë gruri, duhet me u bërë disa punë paraprakisht. Koha tregoi se “të majtët” që Buxhovi i urren patologjikisht, kishin të drejtë. Po Buxhovi vetë, pse ishte i majtë gjatë kohës së titizmit? Buxhovin e kanë penguar materialet që janë shpërndarë nga këto grupe majtiste ndër shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të zi, e të Luginës së Preshevës. Dhe sërish Buxhovi kapet për ideologji. Buxhovit nuk i bën përshtypje situata e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Ai i din këto pamflete si i quan ai artikujt e Zërit të popullit, e libra të ndryshëm. Sepse si duket ka qenë pjesë aktive e përndjekjes së kësaj literature, vetëm e vetëm që mos të indokrinohen shqiptarët në ish-Jugosllavi me “enverizëm e stalinizëm”, vetëm e vetëm që të ruhet jugosllavizmi përkatësisht titizmi nga shqiptarët. Dhe njëri ndër pararojat e kësaj ideologjie, padyshim se ishte edhe vetë Buxhovi. 

Rreth fondeve të “tre përqindëshit” e sidomos të atij “Vendlindja thërret”, shkruan vetëm “për manipulime të shumta me kontrata fiktive të blerjes së armëve, pastaj bartjes së fondeve të caktuara në duart e komandantëve të shpifur dhe të grupeve tjera mafioze të instaluara nëpër hotelet luksoze të Tiranës dhe nëpër disa qytete tjera perëndimore”…  

Natyrisht se nuk përjashtohet mundësia e keqpërdorimit nga ndonjë individ i caktuar, dhe për këto adresa është prokuroria dhe jo libri para se të lajmërohet në organe kompetente. Pra për këto fonde flitet vetëm keq. Asnjë fjalë e mirë. Thua se asnjë ndihmesë nuk e paskan bërë për financimin e luftës për çlirimin e Kosovës! Po kështu e ka qejf që të kishte qenë Buxhovi. Dhe meqë nuk ka qenë kështu, atëherë shkruan kështu, që të krijojë mjegull e hallakamë. Po të ishte vërtet kështu, jo vetëm Buxhovi, më së pari do të lajmëroheshin në organet kompetente. Përse nuk ka bërë asnjë denoncim Buxhovi? Por nuk është vonë as tani që t’i deponojë secili të gjitha të dhënat që ka, sepse kështu i ndihmohet Kosovës, kështu pastrohen edhe luftëtarët e vërtetë nga keqbërësit eventual që hipotetikisht kanë mundur të hyjnë në radhët e UÇK-së për t’u pasuruar. Ndoshta është e tepërt ta pyesnim Buxhovin, meqë kaq shumë bën zhurmë në këtë çështje, sa para ka dhënë vetë Buxhovi, dhe në cilin fond? 

Nxitje e urrejtjes ndaj Shqipërisë 

 Qëllimi i ‘historianit të gjithëdijshëm’, është që të lansojë idenë se në Shqipëri shqiptarët e Kosovës janë luftuar dyfish, edhe si nacionalistë, edhe si kosovarë. Vërtet ka mundur të luftohet ndonjë kosovar si Kapllan Resuli, por përse nuk qenkan luftuar Sylejman Krasniqi, Adem Istrefi, Agim Gjakova, Dervish Shaqa…? 

Për ngjarjet e vitit 1997 thotë se “Shqipëria ishte e përfshirë në trazirat e përgjakshme, të shkaktuara nga pinjollët e komunistëve, të cilët rikthyen dhunën revolucionare… Perëndimi parandaloi vetshkatrrimin e shtetit shqiptar, por nuk e ndaloi edhe rikthimin e mentalitetit majtist në pushtet… Kjo i solli dëme të mëdha Kosovës, siç do t’i sjellë edhe në të ardhshmen…”. Kush nuk e di pse ndodhi 1997 në Shqipëri? Kush nuk e di lejimin e sistemit piramidal dhe tërheqjen e vërejtjes nga Banka Botërore? Kush nuk e di deklarimin e udhëheqësit të shtetit të Berishës, kur iu kundërpërgjigj Bankës Botërore, se paratë e sistemit piramidal, janë paratë më të pastërta në botë…”? Kush nuk i di burgosjet dhe ndjekjet e kosovarëve që bëheshin nga shteti shqiptar, vetëm pse po merreshin në Shqipëri me përgatitje për luftën në Kosovë? Kush nuk e di në atë kohë burgosjen nga ana e Serbisë, të pjesëtarëve të shumë grupeve që sapo ishin kthyer në Kosovë?  

Kurse Buxhovi këtë e arsyeton (trazirat e vitit 1997 pra), se “i bënë eprorët policorë, gjykatësit, prokurorët dhe drejtuesit e administratës…, ngjashëm u veprua edhe në armatë, në shërbimin e sigurisë kombëtare” ku shumë prej tyre do të shndërroheshin në mercenarë partiakë, ose nga shërbime të huaja për organizimin e ‘njësive të revoltës’ të drejtuar kundër qeverisë dhe shtetit shqiptar”. Natyrisht nuk jep përgjigje se cilit shërbim i interesonte destabilizimi i Shqipërisë dhe përse. Ndërkohë që deri në atë periudhë, tri luftra në Jugosllavi kishin përfunduar. 

 

Trillimet përmes gojës së të ashtuquajturve personazhe 

 

Gjithashtu përmes gojës së personazhit që paraqitet si hetues, ai rrëfehet edhe në rolin e hulumtuesit të historisë, që nga Lidhja e Prizrenit, Lidhja e Dytë e Prizrenit, bashkimin e trojeve etnike shqiptare të quajtur gabimisht “Shqipëri e Madhe” (për këtë ka nevojë ta lexojë shkrimin e Fehmi Aganit, madje gjatë periudhës së titizmit, i cili pati guxim t’ju kundërvihet me argumente sulmeve të historiografisë dhe politikës serbe), formimin e qeverisë shqiptare me Xh. Mitrovicën, pastaj Xhafer Devën, Bedri Pejanin etj., për të ardhur në përfundim se cak i të gjitha luftimeve ishte ripushtimi i Kosovës nga forcat partizane….  

Krahas shumë parregullsive edhe brenda LNÇ-së, sidmos në përfundim të luftës, kur ndodhen shumë gjëra jo të mira, si shkaqet që çuan deri të masakra në Drenicë, Masakra e Tivarit, Kuvendi i Prizrenit etj., megjithatë dihej raporti i forcave dhe qëndrimi i fuqive të mëdha. Por historiani “i gjithëdijshëm”, meqë i di të gjitha, kjo s’i duket qëllimisht, “i paska shpëtuar pa e ditur”. 

Për të tëra vrasjet në Drenicë, autori e fajëson pjesëmarrjen e Kosovës në luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, sepse po të mos ishin partizanët, Shqipëria e Madhe ishte formuar nga gjermanët. Sikur të mos kishin marrë pjesë shqiptarët në koalicionin antifashtist, jo që nuk do të ekzistonte Kosova, ashtu siç ndodhi me Çamërinë, por nuk do të ekzistonte as Shqipëria. Përderisa u ndëshkua vetë Gjermania, cila do të ishte arsyeja që nuk do të ndëshkohej Shqipëria? Po Buxhovi edhe pse ‘historian i gjithëdijshëm’, mund të pohojë përse shqiptarët nuk u lidhën me Anglinë dhe Amerikën? Greqia ishte në anën e partizanëve dhe pastaj dihet si ndodhi atje. Dhe jo vetëm kaq? Por Greqia në momentin që paraqiti pretendime territoriale ndaj Shqipërisë për Vorio-Epirin, Anglia si njëra ndër fuqitë e mëdha, ishte në krahun e Greqisë. 

 

Pakëz histori për “historianin e gjithëdijshëm” 

 

Studiuesi i kësaj periudhe dr. Xhelal Gjeçovi thekson se “Ngjarjet që pasuan treguan qartë se zgjidhja e saj nuk varej vetëm nga lufta dhe përpjekjet e shqiptarëve, por dhe nga faktorët ndërkombëtarë, nga qëndrimi e mirëkuptimi i PKJ-së dhe i LNÇJ-së në radhë të parë, por dhe nga gatishmëria e aleatëve të mëdhenj që drejtuan koalicionin dhe luftën antifashiste botërore”. 

“Në këto kushte, udhëheqjes së shtetit komunist jugosllav dhe qarqeve shoviniste greke iu shtuan më tej orekset. Pas Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi, si dhe Çamërisë, shigjetat u drejtuan nga Shqipëria për aneksimin e së cilës jugosllavët hartuan plane e komplote të njëpasnjëshme, ndërkohë që grekët pretendimet e tyre për të ashtuquajturin Vorio-Epir i paraqitën dhe në Konferencën e Paqes së vitit 1946 e i vazhduan edhe pas saj për të ardhur deri te provokacioni i armatosur i 2 gushtit të vitit 1949. 

Dhe për çudi, pretendimet absurde që qeveria greke i paraqiti në Konferencën e Paqes gjetën mbështetjen e Britanisë së Madhe, njërës nga Fuqitë e Mëdha aleate, që udhëhoqën Koalicionin 

Antifashist dhe luftën antifashiste botërore. Në rrethana të tilla, tepër të ndërlikuara e me rreziqe reale e jo të shpikura, është padyshim një meritë e shtetit shqiptar të dalë nga lufta, si dhe e tërë kombit shqiptar, e Kosovës dhe e Çamërisë, e shqiptarëve në Mal të Zi e në Maqedoni, që u arrit të ruhej kjo Shqipëri që kemi sot”. 

“Shqipëria përballë një Jugosllavie të dalë nga lufta, me prestigj e mbështetje të gjerë ndërkombëtare, për shkak të kontributit të dhënë në luftën kundër fashizmit, por dhe faktit të njohur që aleatët e kishin bërë të qartë se nuk mbështetnin në asnjë rast e në asnjë vend pretendimet territoriale”. 

“Tashmë është provuar në dokumente zyrtare se Jugosllavia në këtë kohë po planifikonte aneksimin e Shqipërisë përmes përfshirjes së saj në federatën jugosllave, në kuadër të së cilës do të mund të bisedohej e të arrihej dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Mirëpo, Shqipëria në këtë kohë nuk rrezikohej vetëm nga planet e Beogradit, por dhe nga ambiciet e kahershme të Greqisë, fqinjit tonë jugor, ndaj territoreve shqiptare. Në rrethanat e vështira të pasluftës, e inkurajuar dhe nga mbështetja e ndonjë fuqie aleate, ajo do të ndërmarrë hapa konkretë për realizimin e planeve të vjetra, për zgjidhjen e të ashtuquajturës çështja Vorio-Epiriote, që do të thoshte as më pak dhe as më shumë, por aneksimi i Shqipërisë së Jugut. 

Në këtë mënyrë, situatës edhe ashtu mjaft të rënduar i shtoheshin dhe rreziqet reale e jo të shpikura që vinin nga Greqia, e cila në Konferencën e Paqes të mbajtur në Paris më 1946-ën, shfaqi hapur pretendimet e vjetra për Vorio-Epirin. Kuptohet që në rrethana të tilla nuk ishte e lehtë që të kërkojë ndryshimin e kufijve dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”. 

“Aq më tepër që pas mbarimit të luftës të dyja vendet, Jugosllavia dhe Shqipëria u gjendën në bllokun e vendeve fituese të luftës dhe problemet kufitare e pretendimet territoriale që ekzistonin midis tyre, siç u tha, u mbyllën në bazë të vendimeve të marra nga Fuqitë e Mëdha në Jaltë e në Postdam. Ato mund të hapeshin e mund të zgjidheshin vetëm me bisedime e me marrëveshje, kurse përdorimi i forcës, edhe sikur ta kishe, përjashtohej në mënyrë absolute. 

Në këto rrethana asnjëri nga aleatët, as amerikanët, as anglezët dhe as rusët nuk mbështetnin përdorimin e forcës si mjet për ndryshimin e kufijve. Përkundrazi ato kërkonin që të gjitha vendet t’u përmbaheshin vendimeve të Jaltës”. 

“Udhëheqja e PPSH-së, siç shkruan dhe studiuesi gjerman perëndimor Bernard Tones, në punimin “Rrënjët ideologjike të regjimit të Enver Hoxhës”, ishte e bindur se lufta për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit ishte e lidhur dhe i kontribuonte edhe zgjidhjes së problemit kombëtar, pasi te largimi nga marksizmi shikohej tërë e keqja, pra dhe qëndrimi i gabuar i udhëheqjes jugosllave ndaj Kosovës e ndaj shqiptarëve në tërësi”. 

 

 

Disa nga dërdëllisjet e Buxhovit që flasin vetvetiu 

 

“Lufta nuk bëhet dosido dhe nga kushdo…”- thotë Buxhovi… “Nga komisarë dhe komandantë të vetë shpallur që vijnë nga Tirana, Gjermania dhe Zvicrra…” për të vazhduar pastaj me xhevahirët e tilla si: “Kjo është luftë për rikthimin e ideologjisë gjë që, pa marrë parasysh se si do të marrin fund pazaret midis të mëdhenjve, ku nuk përjashtohet mundësia që edhe Beogradi të paguajë njëfarë çmimi për krimet e bëra në pushtet, do të sjellë revolucionarët, ata që kërkojnë dhunë dhe rrënim të çdo vlere qytetëruese. Kosova nuk do të fitojë tjetër, pos që do t’i nënshtrohet hakmarrjes staliniste-enveriste të përgatitur tashmë për një gjë të tillë sipas detyrave të marra nga dikah, që e gjitha të kthehet në një luftë vëllavrasëse siç ndodhi edhe pas asaj Botërores”… Ç’ti thuhet këtij konstatimi? A ka nevojë për koment? Kosova ishte e okupuar, dhe ishte në luftë, prandaj për çfarë ideologjie flet Buxhovi përmes gojës së një personazhi? Dhe jo vetëm kaq! Luftën vëllavrasëse “(personazhi – shënim i imi BH) e shihte si një murtajë që po përhapej brenda asaj që i thoshte UÇK (fjala ishte për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku sipas tij në njërën anë ishin komisarët – kryesisht majtistë nga radhët e LPK-së – Lëvizjes Popullore të Kosovës nga diaspora, me shtabet politike në hotelet luksoze të Tiranës, dhe në tjetrën farkistët – fjala ishte për forcat e armatosura të Republikës së Kosovës). Këta të dytët, të përkushtuar që rezistenca e armatosur të jetë institucionale dhe e drejtuar prej oficerëve profesionistë, shumë prej tyre të përfshirë në kuadër të Forcave të Mbrojtjes Territoriale të Mbrojtjes së Kosovës (të shkapërderdhura nga vitit 1993 pas burgosjes së shtabit dhe një pjese të madhe të oficerëve drejtues që e bëri Beogradi)”… Konstatime të tilla janë dëgjuar me dhjetra herë nëpër artikuj të ndryshëm të disa kalemgjinjve të një gazete në Kosovë. Buxhovi vetëm përsërit tiradat e të njëjtës mendësi.  

 


I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...