Serbia, siç ka paralajmëruar për të blerë kohë, dhe për të nxitur vullnetin ekspansionit ruso-serb, i ka dërguar një shkresë zyrtare KFOR-it, që në emër të Rezolutës 1244 u dashka, që të pranohen një mijë ushtarë nën urdhrat e NATO-s.
Sigurisht se të gjithë e dimë përgjigjen negative. Madje një nga shpjegimet më të mira për Serbinë, i ka dhënë ish-presidenti i Serbisë Tadiç, sipas të cilit as që bëhej fjalë për trupa të armatosura, dhe po ashtu e shihte si një blof mashtrues nga Vuçiqi.
Përgjigjen zyrtare e ka marrë nga i dërguari i SHBA-së për dialogun, dhe ndihmësi i zëvendës sekretarit të shtetit, Gabriel Eskobar, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.
Përgjigjen e prerë e ka dhënë SHBA-ja
Ndërsa, ambasadori Hill në Serbi, i kishte thënë se mund ta bënte këtë, në kuptimin, që askush se ndalon një president ta shkruajë një letër.
Përgjigja për këtë letër, mbetet e qartë, e plotë, dhe pa ekuivoke, nuk ka kush që dërgon trupa ushtarake nga Serbia në Kosovë.
“Ne e kundërshtojmë këtë në mënyrë kategorike. Ne e refuzojmë këtë në mënyrë kategorike. Nuk e mbështesim fare. Dhe, po ashtu, dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Gabriel Escobar për REL-in.
Po ashtu, ai i qe përgjigjur edhe hipotezës tjetër, që po ngritet këto ditë për kërcënimin për luftë, duke iu referuar kërkesës publike të Serbisë, për t’i sjellur në Kosovë, një mijë trupa.
“Para së gjithash, nuk e pres këtë. Por, së dyti, do të ritheksoj se Kosova ka garanci të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara, të manifestuara me pjesëmarrjen e tyre në KFOR”, ka thënë Gabriel Escobar.
Por, cili është qëllimi i letrës? Padyshim, që Vuçiqi po luan me harxhimin e ‘letrave’, për të dëshmuar se ai po i shpenzon të gjitha rrugët ligjore, pra për të dëshmuar, se ai nuk ka lënë asgjë pa bërë ‘për të mirën e serbëve’. Por, fajtorët dihen, janë refuzuesit, shtetet perëndimore, që nuk ia mundësuan këtë, në krye me SHBA-të.
Në të njëjtën kohë, ai po e shfrytëzon këtë kohë, për të arsyetuar mbajtjen e barrikadave dhe po ashtu për t’u arsyetuar para barrikadistëve të zhgënjyer, të cilët, nuk po arrijnë të bëjnë asgjë, përveç se të shijojnë motin e ftohtë, dhe disa vështirësi qarkullimi që ia kanë krijuar policisë, por edhe vet qytetarëve serbë.
Sigurisht se letra u shkrua edhe e nxitur nga Moska, për të provuar, sipas kësaj mënyre të menduari, se ka pasur ca gjëra, që nuk janë përmbushur sipas Rezolutës 1244.
Por, që kur Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe sovran nga 17 Shkurti 2008, Rezoluta 1244 ka vdekur. Vdekjen e saj e ka konfirmuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila përveç se ka legjitimuar shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, i ka dhënë fund, zbatimit në Kosovë, të Rezolutës 1244.
Me Shpalljen e Republikës së Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran, e vetmja forcë që lejohet të veprojë në Kosovës, është e KFOR-it, kështu, që Serbia letra, nuk mund t’i dërgojë thjesht kësaj organizate.
Zot shpie në Kosovë, janë institucionet e saj, ndërsa KFOR-i, është mision në shërbim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë, mbi të gjitha të sigurisë së kufijve.
Është e vërtetë, që situata me KFOR-in ka mbetur komplekse, sepse burimi i këtij misioni është Rezoluta 1244, por edhe udhëheqësi i këtij misioni, NATO-ja, është e vetëdijshme, që Kosova është një shtet i pavarur, dhe se për të pasur sukses misioni ka pranuar aktet shtetërore të Republikës së Pavarur.
Ish-luftëtarë dhe pjesë të organizimit të armatosur në Kosovë për rreth një dekadë, Saim Tahiraj, beson se nëse Serbia do të niste një mijë ushtarë, do të ballafaqohej në kufi me 100 mijë shqiptarë të armatosur!
“Kjo kërkesë e Serbisë për t’i sjellë 1000 ushtarë në Kosovë është vetëm një provokim i radhës i banditit Vuçiqit. Ai e din mirë se nëse kjo ndodhë do i ketë 100.000 shqiptarë në kufi përballë dhe pa kaluar mbi trupat tonë nuk do ta kalojnë kurrë kufirin e Kosovës. Ka kaluar koha kur ushtria kriminale e Millosheviçit 2 mund të futej në Kosovë. Nëse ju ka mbetur merak, serbët le ta provojnë prapë se ne jemi këtu, por atëherë nuk do të ndalemi deri në bashkimin e të gjitha trojeve tona, që ju i keni pushtuar me ndihmën e Rusisë dhe miqve tjerë. Do mbeteni vetëm me pashallëkun e Beogradit!”, thotë Saim Tahiraj, njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të heroit Sali Çekut, në organizimin e grupeve të para të armatosura para luftës, dhe gjatë luftës brenda Ministrisë së Mbrojtjes.
Një “Kalë Troje”
Letra e Vuçiqit, është përpjekje për të mashtruar ndërkombëtarët, duke futur një mijë ushtarë, për të përsëritur lojën me “Kalin e Trojës.
Betejën e humbën trojanët, vetëm kur u mashtruan që ta pranonin dhuratë, kalin e drunjtë, brenda të cilit qenë futur ushtarët e Agamemnonit, dhe natën vonë, dolën nga Kali, dhe bën kërdi mbi ushtarët e fjetur, të cilët kishin festuar gjatë “miqësinë” për dhuratën, dhe disa të tjerë, arritën t’ia hapnin portën ushtarëve të tjerë, që po rrinin gati.
Kështu, ne një dhuratë, u fitua lufta 10 vjeçare, nëpërmjet tradhtisë.
Pra, ushtarët apo forcat serbe brenda KFOR-it, do të ishin një “Kalë Troje” për Kosovën, sigurinë dhe vetë ekzistencën e saj