2022-12-12

Poezia në Italinë veriore

Akademik Flori Bruqi ,PHD 

 Në Italinë veriore lindi ndërkohë një letërsi interesante vulgare me karakter didaktik që frymëzohej si nga tradita provencale që përfshin enueg-un dhe plazer-in, ashtu dhe në traditën bibliko-apokaliptike, dmth. letërsi eskatologjike të shek. të XII dhe XIII. 

Midis autorëve më të shquar përmendet kremonezi Gherardo Patecchio, që shkroi një poemth me udhëzime morale të titulluar Slanamento de li proverbi de Salamone dhe një listë në njëmbëdhjetë rrokësha mbi bezditë e jetës me titullin Noie, Uguccione da Lodi autor i një Libri të shkruar në gjuhën venete dhe në monorimë me vargje aleksandrine që trajton gjykimin hyjnor, Giacomino da Verona që shkroi në dialektin veronez një poemth të ndarë në dy pjesë, De Ierusalem celesti dhe De Babilonia civitate infernali që konsiderohen midis burimeve të Komedisë hyjnore të Dantes. 

 Por midis shkrimtarëve më të aftë dhe rëndësishëm të shekullit të XIII që shkruan në gjuhën lombarde përmendet Bonvesin de la Riva për poemthat e tij të lidhur me nevoja didaktike, kontratet e tij me karakter alegorik, por mbi të gjitha për Libro delle tre scritture të shkruar rreth vitit 1274, të ndarë në tre pjesë që ka për subjekt Ferrin (scrittura nigra), Pasionin e Krishtit (scrittura rubra) dhe Parajsën (scrittura aurea). 

Teksti konsiderohet i pari në letërsinë vulgare në dialektin lombard dhe autori midis pararendësve të Dantes. 

 Në gjysmën e dytë të Dyqintës u përhap në Italinë veriore një letërsi në gjuhën vulgare në formën e baladës, kryesisht anonime, të shkruar mbi të gjitha nga xhularët dhe e përbërë nga ankesat e vajzave të reja që duan të martohen, nga gra të keq martuara dhe nga këngë dasmash.

Nga Mantova ka mbërritur një këngë anonime për kërcim, ndërsa nga Milano ose nga Pavia shembulli i parë i satirës në gjuhën vulgare kundër fshatarit të keq e titulluar Detto e Matazone da Caligano

Ndërsa nga Venetoja ka mbërritur Lamento della sposa padovana dhe nga Emilia si dhe nga Romagna sirventesi të ndryshme me subjekt politiko-qytetar.

 Nga Toskana kanë mbërritur tre krijime: një tenzone me argument politik, një parodi e Pasionit dhe një epitaf 'sermone' të atribuara xhularit Ruggieri Apuliese

 Me vdekjen e Frederikut të II dhe të të birit Manfredi u asistua në perëndimin e fuqisë zveve si dhe shterimin e poezisë siçiliane. 

Pas betejës së Beneventos (1266) aktiviteti kulturor u zhvendos nga Sicilia në Toskanë, ku lindi një lirikë dashurie, pikërisht lirika toskane, e ngjashme me atë të poetëve të oborrit siçilian por e përshtatur për gjuhën e re vulgare dhe e përzier me klimën dinamike dhe konfliktuale të qyteteve 'komunalë': në planin tematik të dashurisë oborrtare iu shtuan përmbajtje të reja politike dhe morale.

 Rimeren kështu në Toskanë temat e shkollës siçiliane dhe kërkesat për stil dhe metrikë provencale me pasurimin e dhënë nga pasionet e reja të kohës komunale. Poezia e poetëve toskanë pasurohet kështu si nga këndvështrimi tematik ashtu dhe gjuhësor edhe pse munguon "ai nivel aristokratik formal të cilit siçilianët përgjithësisht i përmbaheshin" 

 Në grupin e poetëve toskanë bënin pjesë Bonagiunta Orbicciani nga Lucca, Monte Andrea, fiorentini Chiaro Davanzati, Compiuta Donzella dhe shumë të tjerë nga të cilët më i njohur është Guittone d'Arezzo (i njohur edhe si Fra Guittone dal Viva da Arezzo).

 Prijësi i poetëve toskanë konsiderohet Guittone del Viva d'Arezzo, i lindur afër vitit 1235 në Arezzo dhe i vdekur në vitin 1294, te i cili mund të gjesh, siç vëren Alberto Asor Rosa "... një koncept të funksionit të poezisë më i artikuluar nga ai i praktikuar nga siçilianët dhe, ndoshta, nga vetë provencalët".

 Guittone ka lënë një përmbledhje të gjerë rimash (të përbëra nga 50 'canzoni' dhe 239 sonete) te të cilat pasqyrohen dy mënyrat e tij të ndryshme të jetesës, dhe në këtë mënyrë edhe vepra e tij ndahet në dy pjesë: e para, ku imiton poetët e shkollës siciliane, që ia kushton dashurisë dhe armëve, ndërsa e dyta me përmbajtje fetare dhe morale. Guittone-s i atribuohet shembulli i parë i 'canzone-s' politike (Ahi lasso, or è stagion de doler tanto) e shkruar në vazhdim të humbjes që guelfët fiorentinë pësuan në vitin 1260 në betejën e Montapertit nga gibelinët, ku, me tonin energjik dhe të vrullshëm do të rigjendej në disa faqe të Dantes, ai ankohet për paqen e humbur duke përdorur dhe alternuar sarkazmën me 'diskutimet' dhe ironinë. Por poeti i vërtetë kuhet kërkuar te rimat e tij me karakter fetar dhe vecanërisht te 'le laude' (lavdet), si në atë kushtuar Shën Domenikut e shkruar me skemën e betejës së shenjtë, të krijuar po nga ai. Guittone d'Arezzo i atribuohet edhe një Trattato d'amore në 12 sonete dhe rreth tridhjetë Lettere. Midis poetëve më interesantë të shkollës së Guittone-s, mbetet lukezi Bonagiunta Orbicciani të cilit Dantja në këngën XXIV të Purgatorit i beson detyrën e përcaktimit të mënyrës së re të vargëzimit, me emrin 'stilnovo'. Në të njëjtën kohë, lindën në Pistoia, në Piza dhe në Firence, shkolla të tjera në mënyrë pak a shumë të përpiktë me Guittone-n. Përmenden Chiaro Davanzati, që në Canzoniere e tij paraprin motivet stilnoviste, guelfi Monte Andrea, të cilit i atribuohet trobar clus-i më i vlerësuar fiorentin, dhe Dante da Maiano, që shkroi një Canzoniere në një stil të ndërmjetëm midis atij siçilian dhe atij guittonian. Nuk është provuar ekzistenca historike e poeteshës Compiuta Donzella të cilës i atribuohen, vetëm nëpërmjet një dorëshkrimi, tre sonete.


Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...