NGA RAMAZAN SHERJA
Këto ditë u largua nga PD Grida Duma. Pas saj priten të largohen dhe të tjerë, përveç, Alfred Rushajt. Në fjalën e saj të lamtumirës, përveç disa pikave lot që derdhën dy kolegë të saj, askush nuk e mori vesh pse u largua Grida. Po kështu nuk mund të besohet as lënia e mandatit nga Rushaj “për angazhime personale!” Dorëzimi i mandatit të deputetit bëhet për dy arsye, ose kur të ofrohet një punë me rrogë më të lartë, ose kur familja politike ku bën pjesë, të bën presion që t’u nënshtrohesh rregullave që janë kundër ndërgjegjes sate. Nuk e dimë, se cila arsye qëndron pas veprimit enigmatik të Gridës? Grida, për vetë egon e saj politike që ka, nuk largohet nga politika aq kollaj, sado e madhe qoftë rroga që i ofrohet. Atëherë mbetet arsyeja e dytë, presioni i papërballueshëm nga brenda PD, kur dihet se PD është Berisha. Grida ka kaq kohë që militon në radhët e PD dhe ka pranuar sfida më të mëdha se sa “ndonjë sulm që mund t’i jetë bërë asaj nën brez.” Ajo e la njëherë mandatin e deputetes dhe kandidoi për kryetare bashkie, por pas humbjes, u rikthye dinjitoze të militonte përsëri në radhët e PD. Po ashtu Grida përballoi bashkë me disa kolegë të saj, sulmin e egër të Berishës ndaj selisë së PD më 8 janar. Ajo, atë ditë me sy të përlotur nga gazi , u qante hallin kolegëve të saj dhe sidomos, “nënave shtatzëna”qw u helmatiswn dhe drejtoi gishtin kundër fajtorit, që dihej kush ishte. Por më pas Grida, sikur e harroi shpejt autorin e sulmit të 8 janarit dhe filloi ta dredhë, duke u munduar të hiqej si e paanshme se gjoja “ luftonte për mirëkuptimin e bashkimin e PD, dhe se po “ i jepte edhe një herë shansin e fundit Lulzim Bashës.” Por për çudi Grida, edhe pse Luli u largua nga PD, duke pranuar përgjegjësitë e tij, filloi t’i zgjasë dorën Berishës, si e pishmanuar për qëndrimin e saj dhe Berisha nuk vonoi ta epitetonte atë si “Nora e Kelmendit.” Çudi kaq shpejt u dorëzua Nora e Kelmendit!? Mos Grida priste kryet e qoshes, dhe për këtë u vetzhgënjye nga Berisha ? Apo është diçka më e madhe !? Të gjithë ata deputetë që largohen ,”për arsye personale” nga partia e tyre, pasi e kanë mjelë mirë atë, nuk i shërbejnë demokracisë, përkundrazi i sjellin dëme të mëdha asaj. Demokracia vendoset duke luftuar brenda partisë prirjet autoritare të drejtuesit tënd. Dhe sot në Shqipëri antidemokrati më i madh është Sali Berisha. E pse, tani u kujtua Grida se “se në politikë fatet individuale vlejnë të konsiderohen dhe rimendohen vetëm kur shkojnë në kahje me fatet e njerëzve!” Veprimet e këtyre ikanakëve të përlotur, të kujtojnë ndonjë ish deputet të PS, të cilin pasi shefi i partisë nuk i rikandidoi, “falenderonin partinë për vlerësimin që u kishte dhënë , dhe se do të vazhdonin të jepnin kontributin e tyre në shërbim të partisë”, por pasi ia shtrydhën të mirat asaj, nuk u panë më në dyert e PS. Intelektualët e vërtetë , me ose pa parti, duhet të jenë opozitarë konseguentë të padrejtësive, ndryshe demokracia tek ne do të mbetet gjithmonë embrionale. Nëse Grida dhe të tjerë që pretendojnë se luftojnë për demokracinë e vërtetë, nuk e kanë kuptuar se sot lufta kundër Berishës është lufta për demokracinë e vërtetë, janë jasht çdo situate. Pse e them këtë? Së pari Sali Berisha, sikur të ketë zbritur sot nga olimpi i demokracisë, bredh nëpër Shqipëri e mundohet t’u mbushë mendjen atyre që s’kanë mend, se ai lufton për votën e lirë, duke tundur “flamurin e primareve.” Se sa fallco është kjo luftë e tregon zhvillimi i primareve, ku pak kandidatë që duhet të garojnë për kryetar bashkie , i janë afruar atij, ndaj është detyruar t’i shtyjë dy herë ato. Le të thotë Grida nëse ka parë një fije demokracie në foltoret e Berishës, në organizimin e zgjedhjeve brenda PD dhe mbajtjen e dy kuvendeve “të demokracisë së madhe”, dhe në primaret që ka nisur ai në tërë vendin. Mos vallë, edhe pse me vonesë , Grida e kuptoi këtë farsë? Të jesh kundra Sali Berishës sot, dotë thotë të forcosh opozitarizmin në Shqipëri dhe të shpejtosh rotacionin e pushtetit. Katandisja e turpshme e opozitës dhe opozitarizmit në Shqipëri, është krejtësisht për faj të Berishës, që gjithmonë ka mbjellë presion, diktat e përçarje. Si mund të jetë i angazhuar për votën e lirë e demokracinë e vërtetë një politikan që është hapur kundër demokracisë perendimore!? Demokracia shqiptare vërtet zvarritet, por kjo jo vetëm prej keqqeverisjes së mazhorancës, por në radhe të parë prej Berishës, që ka eliminuar opozitarizmin në këtë vend. Ata që e deshën dhe luftuan për demokracinë e vërtetë , Berisha ca i largoi në emigrim, ca i persekutoi dhe ca i eliminoi fizikisht. Sa kohë ka qenë në pushtet Berisha , “demokracia” e tij ka qenë dhuna, manipulimi i votës, presioni dhe vrasjet. Rruga e pushtetarit Berisha sintetizohet sinqerisht me thënien e Volterit ,se “Një formë ideale e qeverisë, është demokracia e mbrojtur me vrasjen.” Berisha nuk ka ndërtuar asnjëherë parti, por një grup idhtarësh të verbër pa ideale, që e shenjtërojnë atë me urimet “je perendia në tokë”,”ne japim jetën për ty” ,” të dua më shumë se fëmijët e mij”, madje i kërkojnë dhe armë që të vrasin Edi Ramën! Çdo shqiptar duhet ta kuptojë mirë, se gjendjen në këtë vend, nuk e rregullojnë as mashtrimet e Berishës dhe as kërcënimet e Metës, sepse ata e kritikon ashpër qeverinë, për ata pisllëqe, që i manifestuan dhe aplikuan me arrogancë të plotë, sa kohë ishin të veshur vetë me pushtet. “Unë preferoj - thotë një filozof - të votoj për mashtruesit që janë në pushtet, se sa për ata që bëhen mashtrues pasi ta marrin pushtetin”. Shumë e saktë! Aq më keq, kur Sali Berisha është provuar dy herë se sa mashturues është sjellë me pushtetin.