2024-03-08

Shkruar nga Fadil Lepaja : Epopetë e (pas)luftës: Haga përballë Prekazit

 

Epopetë e (pas)luftës: Haga përballë Prekazit


Po të mos kishte ekzagjerime, pas luftës kuptohet, lidhur me meritat për çlirimin e Kosovës, do të kuptohej shpejtë  përse makinerisë vrastare të Serbisë, asokohe, mund t’i bënte ballë vetëm NATO- ja ndërsa UÇK-ja ishte veç një përpjekje e penguar, e pazhvilluar mirë dhe si e tillë edhe duhet të vlerësohet, të respektohet dhe pasqyrohet në librat tonë të historisë dhe në shoqëri. Kjo e bën të mundur një marrëdhënie të sinqertë me vetveten dhe me miqtë...

Sërish erdhi marsi. Nuk ka lajme nga Haga. Është bërë përditshmëri. Më saktë, absurd. Grackë logjike. Për të dëshmuar pafajësinë, disa çlirimtarë u  duhet të mohojnë gjithë të vërtetën për luftën. U duhet ti quajnë ekzagjerime. Bëhet fjalë për të vërtetën e shkruar nëpër kujtime, të përfolur nëpër fushata parazgjedhore, apo ndeja publike. Bëhet fjalë për lirinë e çlirimtarëve dhe lirinë e qytetarëve. Sa i përket popullit, ka vetëm një problem. Nuk duhet ngatërruar lufta dhe paslufta.

Çdo luftë herët a vonë kryhet. Por, politika, gjithnjë e vazhdon  luftën me mjetet e veta. Shumë militantë, duke mos pranuar të vërtetën dhe duke e zbukuruar realitetin, sidomos duke arkëtuar me vota apo pasuri, kontributin e tyre të (pas)luftës, sollën qytetarët në një gjendje konfuze. Tu besojnë syve të vet apo fjalëve të pasluftës. I bënë qytetarët të dyshojnë në vetvete. Disa çlirimtarë shkuan edhe më tej. Thanë se ky popull nuk i meritonte sakrificat e këtyre çlirimtarëve. Sidomos kontributin e të gjallëve. Kishte nga ata që pa e quanin popullin “narod” dhe ja bënë haram gjakun e heronjve, vetëm sepse populli nuk i votoi. Populli e kishte kuptuar gabimisht mesazhin: u sollëm lirinë dhe tani mund të votoni sipas dëshirës. Gabon edhe populli.

Edhe pse heronjtë e kanë thënë fjalën e tyre të fundit është pikëpyetje e madhe kush ka të drejtë të flasë në emër të tyre: populli apo politika? Varësisht nga përgjigja që i jepni tregoni përse është luftuar: për liri apo për pushtet.

E pra, njëra palë thotë se “disa çlirimtarë” kishin kryer krime, e tjetra thotë ...kemi ekzagjeruar, menjëherë pas lufte. Madje edhe dëshmitarët e prokurorisë e pranojnë se ishte eufori, kishte ekzagjerime, edhe me akuzat. Tash, qytetarët, pra, të gjithë e kanë të qartë, ata që kërkonin pushtet në emër të luftës dhe heronjve, paskan ekzagjeruar. Aq më tepër ata e pranojnë vet, sa herë që u nxjerrin si dëshmi fjalët e tyre. Pra, e qartë, ata ndodheshin kryesisht “larg llogoreve të luftës”. Edhe dëshmitarët që kërcënonin nëpër media se do të flisnin nëse nuk u jepnin poste, tash e pranojnë se kanë ekzagjeruar me deklaratat. Edhe dëshmitarët duhet të dëshmojnë se kanë gënjyer. Nëse nuk kanë gënjyer, përse i morën postet?

Qytetarët , si zakonisht edhe atëherë edhe tani, mbeten dyshues. Në fakt, duan të besojnë por më nuk e vënë dorën në zjarr për askënd. Ata që besojnë, edhe kur ekzagjeron, janë avokatët. Më së shumti besojnë ata që paguhen më mirë. Ata të mbrojnë me çdo kusht. Mjafton që shteti t’i paguaj. Ndërsa prokurorët dyshojnë, sipas detyrës zyrtare. Mjafton të  akuzojë dikush publikisht apo të lavdërohesh vet. Në këtë rast futesh në rrugë pa krye. Nuk shpëton dot nga akuzat pa e dëshmuar se ke gënjyer, se je mburrur kot, se ke ekzagjeruar. Aq më keq, kjo duhet bërë me fakte. Nuk të beson kush pa i bindur se di të gënjesh. Në rregull, të gjithë e dinë se politika gënjen, por çlirimtarët ... lëre fare, është absurd. Ishte vetëm ekzagjerim.

E pra, po të mos kishte ekzagjerime, pas luftës kuptohet, lidhur me meritat për çlirimin e Kosovës, do të kuptohej shpejtë  përse makinerisë vrastare të Serbisë, asokohe, mund t’i bënte ballë vetëm NATO- ja ndërsa UÇK-ja ishte veç një përpjekje e penguar, e pazhvilluar mirë dhe si e tillë edhe duhet të vlerësohet, të respektohet dhe pasqyrohet në librat tonë të historisë dhe në shoqëri. Kjo e bën të mundur një marrëdhënie të sinqertë me vetveten dhe me miqtë.

Ndërkaq, historia shkruhet për të mos u harruar, ndërsa mësohet për të mos u përsëritur... Epo, është ekzagjeruar o njerëz, me shkrim dhe me gojë...epopeja e të gjallëve ishte vetëm interpretim politik i (pas)luftës. Heronjtë nuk flasin, nuk argumentojnë me fjalë, ata u bënë urë, themel, simbol, kuptim. Prandaj, mos flisni në emër të tyre. Ata e kanë thënë fjalën e tyre të fundit. Për ta marsi do të vijë gjithnjë i njëjtë.

Marsi duhet të ketë arritur edhe në Hagë, nga andej nuk ka ndonjë lajm. As portalet më nuk i kapin më fjalët. Vetëm televizioni shtetëror e kryen këtë obligim. Asgjë çka flitet, më nuk përbën lajm. Më as shkuarja eventuale e Edi Ramës, nuk do të përbëjë lajm. Nuk ka epope që nuk e zverdhë përditshmëria. Pastaj, është mësuar mësimi i madh: koha e pasluftës dhe luftës nuk futen dot në të njëjtën fletë të historisë.

No comments:

Post a Comment

Kush është Dejona Mihali dhe pse është kaq e rëndësishme në LVV

Kërko brenda në imazh Para 2 vitesh  ish Deputeti i LVV, Haki Abazi, i cili  u largua nga 2 komisione parlamentare, kishte  disa akuza të rë...