2022/08/30

Rreth 40 mijë përdorues të lëndëve narkotike në Kosovë

 

Përdorimi i lëndëve narkotike në Kosovë, shënon rritje. Institucionet shëndetësore ballafaqohen me kufizime në trajtimin e këtyre rasteve. Të dhënat e organizatave flasin se në Kosovë, ekzistojnë rreth 40 mijë përdorues të substancave narkotike. Fakt shqetësues është se në këtë grup dominojnë grup moshat e reja. Mirëpo, institucionet shtetërore nuk disponojnë më të dhëna të sakta të përdoruesve të drogës.
Duke e shënuar Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit të Drogave dhe Trafikimit të paligjshëm nga Asociacioni i Psikiatërve të Kosovës (APK), thonë se në rritje është edhe numri i atyre që përdorin drogën në nivel botëror.
Valdete Alidema, kryetare e Asociacionit të Psikiatërve të Kosovës, theksoi se abuzimi me drogat sot paraqet një problem mjaft të madh social e mjekësor në të gjithë botën, e rrjedhimisht edhe Kosova.
“Me të prekur me këtë problem janë të rinjtë, të cilët shumë shpesh të shtyrë nga kurioziteti dhe në ndikimin e moshatarëve fillojnë të eksperimentojnë me droga qysh herët, duke mos ditur fare se çfarë mund të shkaktojë përdorimi i tyre. Sot të rinjtë zakonisht për drogat po informohen përmes rrjeteve sociale dhe informohen për mënyrën se si përdoret droga, pastaj në rrjete sociale ekzistojnë edhe video të cilat japin mjaftë informata për efektin pozitiv, por fatkeqësisht nuk informojnë për efektet negative të përdorimit të drogave, tha Alidema.

Sipas zyrës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për drogën dhe krimin në vitin 2020 gati 275 milionë njerëz përdoren drogën në mbarë botën, me 22 përqind më shumë se nga viti 2010, numri i përdoruesve të kanabisit u rrit për 18 përqind”, tha ajo.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, e pranoi se kapaciteti aktual i institucioneve shëndetësore ku trajtohen këto raste është i kufizuar.
“Aktualisht në Kosovë nuk ka vlerësime gjithëpërfshirëse për të dhëna përfaqësuese që flasin për numrin e saktë të përdorueseve të drogave. Organet që kanë prezantuar këto të dhëna nga institucionet e shëndetësisë që merren me këtë çështje na tregojnë se përdorimi i drogës është rritur. Numrat që janë dhënë janë 30 mijë deri në 40 mijë përdorues të drogave sa vlerësohet që janë në Kosovë nga të gjitha komunitetet dhe grup moshat e ndryshme, me dominim nga moshat e reja. Shumica e drogave përdoren në shtëpi, tha ministri Latifi.
Ndryshe, në bazë të rasteve të cilët i trajtojnë institucionet shëndetësore të Kosovës, është vërejtur se përdoruesit e lëndëve narkotike nga lagjet urbane janë shpërngulur edhe në fshatrat e largëta. Marihuna është lloji i drogës më i shpeshtë që përdoret. Por, kohëve të fundit sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë, së Kosovës, ka rritje të numrit të abuzuesve nga kokaina. Kjo e bënë punën e tyre më të vështirë. Personat të cilët vuajnë nga varësia e lëndëve narkotike aktualisht trajtimin e marrin në repartin Psikiatrisë, i cila ka vetëm 6 shtertër. Në këtë repart, gjatë këtij janë regjistruar 60 pranime.

Sa vite nevojiten për ndërtimin e autostradave dhe korridoreve kryesore në Ballkan?

 

Arsyet e zgjatjes së përfundimit të tyre herë janë objektive dhe herë subjektive. Terrene të paarritshme, male, tunele, trase të dështuara, lëshime financiare, mangësi teknike.... Në vazhdim bëjmë një vlerësim të disa autostradave kryesore në Ballkan.

11 vite për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër

Autostrada Kërçovë-Ohër në Maqedoninë e Veriut është një nga rrugët që po ndërtohet për më shumë kohë. Kritikët thonë se nëse do të ndërtoheshin dy kilometra autostradë në vit që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991 e deri më sot, autostrada Kërçovë-Ohër do të ishte gati deri më tani. Sipas dokumentacionit, ajo duhet të jetë me një gjatësi prej 57 kilometrash dhe nëse realizohen njoftimet e fundit, i gjithë projekti për autostradën do të zgjasë nga nëntë deri në 11 vite.

Duke marrë parasysh distancën mes dy qyteteve që duhet të lidhen dhe kohën e përfundimit të punimeve kjo është një lloj kurioziteti.

Ndërtimi filloi në vitin 2014 dhe ishte planifikuar të siguronte një lidhje më efikase me qendrën kryesore turistike në Maqedoninë e Veriut. Parashikimet fillestare ishin se do të ishte gati në vitin 2018, por u konstatuan lëshime në trase dhe afati i ndërtimit u shty deri në qershor të vitit 2021. Projeksionet e fundit të qeverisë thonë se autostrada duhet të jetë gati në vitin 2023. Aneksi i fundit i kontratës për ndërtim, të cilit i referohet ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski, ka si afat të fundit vitin 2025.

Nga ana tjetër, autostrada Demir Kapija-Smokvica me një gjatë prej 28 kilometrash, e cila është pjesë e Korridorit 10, është në ndërtim e sipër tashmë gjashtë vite.

BeH ka 20 vjet që pret Korridorin C5

Korridori C5 me një gjatësi prej 338 kilometrash është ai për të cilin publiku i Bosnjë e Hercegovinës (BeH) deri më tani ka drejtuar shumë kritika ndaj disa garniturave qeverisëse. Përfundimi po zgjat më shumë se 20 vite dhe është e mundur të vonohet edhe gjashtë të tjera. Ideja është që BeH të lidhet më shpejt me Bashkimit Evropian (BE), respektivisht me Kroacinë dhe Detin Adriatik. Sipas parashikimeve të fundit, për këtë projekt të madh do të shpenzohen dy miliardë marka të konvertueshme ose rreth një miliardë euro.

Afatet po zgjatet vazhdimisht. Në vitin 2013, Damir Haxhiq, në atë kohë ministër i Transportit dhe Lidhjeve të BeH-së, njoftoi se projekti do të përfundonte në vitin 2020. Ish-drejtori i “Autostradave të BeH-së” në vitin 2015 deklaroi se do të duhej të pritet deri në vitin 2022.

Në fillim të vitit të kaluar, ministri Federal i Transportit, Denis Laziq, tha se përfundimi i Korridorit C5 mund të pritet edhe deri në vitin 2028.

Serbia për dy dekada përfundoi autostradën “Horgosh-Beograd-Preshevë”

Një nga projektet më të mëdha kapitale kur bëhet fjalë për Serbinë sigurisht është autostrada A1 ose e njohur si autostrada Preshevë-Horgosh. Ky seksion ka një histori që daton që nga koha e ish-Jugosllavisë kur pjesë të rrugëve të sotme ishin pjesë të autostradës Bratstvo-Edinstvo të ndërtuar në RSFJ.

Ideja e Serbisë, pas rënies së shtetit të dikurshëm, është lidhja e autostradës me Hungarinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatësia e autostradës është rreth 580 kilometra.
Kilometrat e para të ndërtuara drejt kufirit të Maqedonisë së Veriut, pas përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi dhe embargos ndaj Serbisë dhe Malit të Zi, ishin në vitin 1997. Pjesa Peçenjevce-Grabovica u vendos në funksion në vitin 2005. Në vitin 1997 vazhdoi ndërtimi i pjesës së lidhjes me Hungarinë.

Pjesa drejt Maqedonisë së Veriut deri në pikën kufitare Preshevë është e gjatë 121 kilometra. Ndërtimi ka përfunduar në vitin 2019, përkatësisht 22 vite pas fillimit të ndërtimit.

“Rruga e Arbrit” para përfundimit në Shqipëri

Autostrada “Rruga e Arbrit” është planifikuar të sigurojë një lidhje midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Gjatësia totale e autostradës do të jetë 72 kilometra. Ajo do të shkurtojë distancës midis Tiranës (Shqipëri) dhe Dibrës (Maqedoni e Veriut) për 100 kilometra.

Duke marrë parasysh terrenin e ndjeshëm për punime në pjesën e Shqipërisë përmes zonave malore me gjashtë tunele dhe katër ura, fakti që ndërtimi i autostradës ka nisur në vitin 2017 ndoshta nuk duket aq i tmerrshëm pasi pjesa në këtë vend është planifikuar të përfundojë në vitin 2022.

Në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë projeksion se kur do të fillojnë aktivitetet për përfundimin e kësaj rruge. Vetëm kur të përfundojë edhe ajo pjesë mund të thuhet se autostrada e ka arritur plotësisht qëllimin e saj.

Kosovës iu deshën pesë vite për autostradën “Arbën Xhaferi”

Situatë e ngjashme është edhe lidhja e Maqedonisë së Veriut me Kosovën. Ndërtimi i autostradës “Arbën Xhaferi” në pjesën e Kosovës, që shkon në pikën kufitare Bllacë me Maqedoninë e Veriut, zgjati pesë vite. Kjo pjesë është me një gjatësi prej 65.5 kilometrash. Pjesë e autostradës, që është ndërtuar nga viti 2014 deri në vitin 2019, është edhe një nga urat më të gjata në grykën e Kaçanikut.

Deri këtu punimet ndoshta janë brenda kufijve të tolerancës për seksione të tilla. Por frenimi i realizimit të plotë të autostradës sërish vjen nga pala maqedonase, edhe atë vetëm për 14 kilometra nga Bllaca në Shkup, që sipas deklaratave të ish-kryeministrit Zoran Zaev duhet të ndërtohet deri në fund të vitit 2023. Kjo do të thotë se autostrada prej rreth 80 kilometrash nga të dyja anët do të jetë plotësisht gati për dhjetë vite.

Përplasjet ndër vite mes Kosovës dhe Serbisë


Përplasjet ndër vite mes Kosovës dhe Serbisë     Foto: TRT Balkan

Mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë përmbyllur, pavarësisht se lufta përfundoi në vitin 1999 me ndërhyrjes e NATO-s. Ndonëse ushtria dhe policia serbe për më shumë se dy dekada është larguar nga Kosova, shteti serb ende nuk pranon t’a njoh realitetin se Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur nga më shumë se 100 shtete.

Institucionet e Serbisë, në pothuajse çdo paraqitje të tyre kur bëhet fjala për Kosovën, i referohen si pjesë të territorit të tyre. Deklaratat e tyre i mbështesin në Kushtetutën e Serbisë, e cila thotë se Kosova është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë.

Shpallja e pavarësisë në vitin 2008 hapi një faqe të re të raporteve Kosovë – Serbi. Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me aktin e shpalljes së pavarësisë nga ana e Kosovës, në vitin 2010, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën e cila kërkonte fillimin e dialogut Kosovë-Serbi, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Mosmarrëveshjet për “Marrëveshjen e Brukselit”

Marrëveshja e Brukselit e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013, edhe pse u cilësua si historike nga zyrtarë të lartë të BE-së, ajo fare pak është zbatuar në praktikë. Përplasjet e viteve të fundit mes këtyre dy shteteve në masë të madhe sillen rreth kësaj marrëveshje.

Serbia insisiton që Kosova t’a themeloj asociacionin/bashkësinë e komunave me shumicë serbe, ashtu siç qëndron në Marrëveshjen e Brukselit. Por, autoritet e Kosovës, thirren në vendimin e Gjykatës Kushtetues, e cila thotë se kjo marrëveshje është në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës. Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, kategorikisht është shprehur kundër themelimit të këtij asociacioni. Themelimi i një Republika Srpske të dytë në Ballkan, sikurse në Bosnje e Hercegovinë, sipas tij nuk duhet të ndodhë. Kurti pajtohet që në Kosovë, të themelohet Këshilli Nacional i Serbëve, ashtu siç shqiptarët dhe boshnjakët e kanë në Serbi.

Reciprociteti i papranuar për Serbinë

Nga viti 2011 e deri më sot Kosova ndaj Serbisë ka vendosur disa masa reciprociteti. Prej këtyre vendimeve bujë të madhe shkaktoi reciprocitetit që kishtë të bënë me produktet (mallrat) ushqimore. Eksporti i mallrave në Kosovë nga Serbia pa certifikatat fitosanitare ku shënohet emri i Kosvës ishte shkaku i vendosjes së kësaj mase të reciprocitetit, e njohur ndër popull si taksa “100 %”.

Tjetër masë e reciprocitet të cilën Kosova ia vendosi Serbisë, dhe e cila shkaktoi tensione në Veri të vendit vitin e kaluar, kishte të bënë me vendimin për targat. Serbia ndër vite nuk i njeh targat dhe dokumentet e Kosovës. Andaj, në shtator të vitit 2021 filloi zbatimi i kësaj mase të reciprocitetit për veturat që hynin nga Serbia në Kosovë. Me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare u arrit marrëveshje e përkohshme që simbolet shtetërore në targa të mbulohen me ngjitëse.

Në korrik të këtij viti Qeveria e Kosovës miratoi masa të reja të reciprocitet me Serbinë. Ata u paralajmëruan se do të hynë në fuqi më 1 gusht. Por, vendosja e barrikadave dhe përshkallëzimi i situatës në Veri të Kosovës, e prolongoi këtë vendim për 1 shtator.

NATO e interesuar për stabilitet

Sulmet ndaj policisë së Kosovës në fund të korrikut dhe gjatë këtij muaji në Veri të Mitrovicës ka ngjallur reagimin e KFOR-it. Përmes njoftimeve të tyre ata janë shprehur se situatën në Veri të Kosovës e vëzhgojnë së bashku me organizatat e sigurisë nga vendi dhe jashtë. Duke u mbështetur në mandatit e OKB-së, ata janë deklaruar se janë të gatshëm të ndërmarrin masat e nevojshme. Krahas vëzhgimit të situatës në Veri të Kosovës, ditë më parë nga KFOR-i, njoftuan se Ushtarët e KFOR-it nga Republika e Türkiye-s kryen një patrullë të pavarur në Kosovën lindore. Ushtarët e Forcave të Armatosura të Türkiye-s, patrullën e kryen në këmbë përgjatë zonës së tyre të operacionit në Kosovën lindore siç është mandatuar me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së të vitit 1999. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në konferencë për shtyp deklaroi se është detyrë e autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë të parandalojnë eskalimin e situatës. Sipas tij, një dialog konstruktiv është mënyra e vetme për t’i zgjidhur dallimet në rajon. Mes tjerash, ai në konferencën për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha se të gjitha palët duhet të vepruar me përmbajtje dhe për t'i shmangen retorikës së padëshiruar. Çështjet e pazgjidhura, siç theksoi Stotenberg duhet të zgjidhen përmes dialogut. Këtë qëndrim ai paraprakisht, tha se ia kishte kumtuar edhe presidentit Vuçiq.

Kosovë publikojnë lajme për Türkiye-n

 

Mbi 70 për qind e mediave online të cilat i janë përgjigjur një pyetësori të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), kanë aprovuar se publikojnë informacione lidhur me ngjarjet në Türkiye (Turqi).

Nga 18 media online të cilat KMShK i ka pyetur me 34 pyetje te ndryshme për të analizuar mundësitë e dezinformimit dhe dezinformimit me lajme të rreme, ka nxjerrë në pah mangësi të ndryshme të mediave online në Kosovë të përmbledhura në një raport me titull “Keqinformimi, Dezinformimi dhe Lajmet e Rreme në Mediat Online në Kosovë”.

Në kuadër të praktikave të publikimit të lajmeve nga burime jashtë vendit, KMShK ka pyetur mediat online ndër të tjera se a publikojnë informacione lidhur me ngjarjet në Türkiye, ku 77,8 për qind janë përgjigjur pozitivisht, ndërsa 22,2 për qind negativisht.

Mediat të cilat janë përgjigjur pozitivisht kanë arsyetuar se raportojnë, mes tjerash, rreth çështjeve të ndikimit të Türkiye-s në rajon apo edhe rreth diasporës shqiptare në Türkiye.

Gjithashtu, këto media janë arsyetuar se publikojnë lajme nga Türkiye për shkak të interesit të opinionit publik, për shkak të ekonomisë dhe për shkak të shkëmbimeve tregtare Kosovë-Türkiye.

Mediat të cilat kanë thënë se nuk publikojnë informacione lidhur me ngjarjet në Türkiye janë arsyetuar se “publikojnë më shumë lajme vendore dhe nga rajoni” dhe “nuk kanë ndonjë interes”.

Duke folur rreth problemeve të brendshme të mediave online, autori i raportit Qerim Ondozi përmendi faktin që shumica e pronarëve të mediave online janë njëherësh edhe drejtorë të mediave që kanë nën pronësi, mossanksionimin e gazetarëve kur ata qëllimshëm shkruajnë lajme të rreme, mungesën e lektorëve në mediat online, e të tjera.

“Problem tjetër ose gjetje interesante për ne është se nuk kemi parë përqindje të lartë të sanksionimit ose ndëshkimit të gazetarit i cili qëllimshëm e ka prodhuar një lajm të rremë. Në njëfarë forme kjo na shtyn në përfundimin se redaktorët apo pronarët e mediumit janë të interesuar për prodhim të lajmit të rremë”, theksoi Ondozi.

KMShK ka rekomanduar që redaksitë e mediave online në Kosovë duhet të përpiqen t’i zbatojnë sa më shumë standardet profesionale dhe etike të të bërit gazetari, të demantojnë dezinformatat dhe të punojnë më shumë në verfikimin e fakteve.

Shume media, pak pluralizem

 Megjithëse numri i mediave në Shqipëri është i konsiderueshëm, ky numër jo domosdoshmërisht garanton një nivel të kënaqshëm pluralizmi në media. Në fakt, ekspertët e medias mendojnë se vendimi i vitit 2016 i Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar kufizimin e pronësisë të licensave kombëtare i ka hapur rrugën monopolizimit ose të paktën përqendrimit të tregut mediatik në pak duar. Në situatën aktuale katër nga pesë licensat për rrjete digjitale kombëtare janë në pronësi të dy grupeve kryesore në sektorin e mediave private, gjë që shkakton shqetësime për të ardhmen e pluralizmit në fushën e medias. Sipas një raporti të fundit të Qendrës për Pluralizmin dhe Lirinë e Medias dhe Lirine e Medias77 kur bëhet fjalë për Pluralizmin e Tregut skena e mediave shqiptare klasifikohet si me rrezik te lartë (80%) për shkak të mungesës së transparencës në pronësinë e mediave dhe ndikimit të interesave tregtare dhe interesave ekonomike dhe politike të pronarëve të mediave mbi politikën editoriale të mediave. Numri i mediave (mediat tradicionale dhe ato të reja) është i lartë duke marrë në konsideratë madhësinë e tregut të vendit. Numri shume i madh i operatorëve të medias në raport me popullsinë dhe tregun e reklamave, në kushtet kur asnje nuk falimenton, të çojnë në përfundimin se operatorët e medias nuk po veprojnë sipas rregullave të tregut. Sfidat për Shqipërinë duket se është të pasurit më pak, jo të pasurit më shumë. Edhe pse industria e medias po lëviz në internet (Media Online, 19%) me industrinë e gazetave në rënie (13%) -TV mbetet ende lojtari më i madh dhe më i rëndësishëm (64%). Pas 30 vitesh të liberalizimit të tregut të medias, nuk ka patur ndonjë zhvillim të madh në sigurimin dhe publikimin e të dhënave sistematike dhe të besueshme mbi tregun e medias dhe financat e organeve të medias. Mungesa e këtyre të dhënave e vështirëson diskutimin për drejtimin që po merr tregu i medias. Megjithatë, duket qartë se shfuqizimi i kufizimit të pronësisë është një hap prapa për sa i përket garantimit të pluralizmit në media. Në vitin 2018, një studim i Reporterëve pa Kufij dhe BIRN78 Shqipëri tregoi se ka një përqendrim të madh të pronësisë mbi organet e mediave. Sipas të dhënave nga një agjenci sondazhi, arrihet në përfundimin se kemi të bëjmë me një përqendrim mesatar në tregun televiziv ku katër pronarë të mëdhenj arrijnë 48.93 për qind të publikut. Nga ana tjetër, të dhënat e kompanisë së dytë të sondazhit tregojnë për një përqendrim më të madh të tregut në duart e këtyre katër pronarëve që mbulojnë 58.60 për qind të publikut. Edhe llogaritë e kryera në lidhje me përqendrimin në tregun e radios dhe gazetave tregojnë një prirje të ngjashme: kemi përqendrim të lartë me 63.96 për qind të publikut për katër pronarë të stacioneve të radios, dhe 43.29 për qind për katër pronarë gazetash. Nga ana tjetër matja e përqendrimit në bazë të përqindjes së publikut që ndjek këto media paraqet shifra akoma më alarmante: dy familjet kryesore që kanë në pronësi stacione televizive zotërojnë kontrollojnë më shumë se 70 për qind të tregut televiziv, ndërsa katër pronarët që u përmendën më sipër zënë 89,6 për qind të tregut. I gjithë ky përqendrim përkthehet edhe në përqendrim fondesh dhe reklamash, që ngushton edhe mundësinë e operatorëve të tjerë për të pasur financa të mjaftueshme apo të kënaqshme për të mbështetur mediat e tyre. Kjo sjell edhe mundësinë e një ngushtimi të narrativës që paraqitet në media, edhe pse praktika e ka treguar që pasja e fondeve apo konkurenca e ndershme nuk përkthehet medoemos në pluralizëm të përmbajtjes në media. Tregu i reklamave në Shqipëri paraqitet relativisht i vogël, sidomos për numrin e madh të mediave që ekzistojnë në vend. Tregu favorizon qartë televizionet, të cilat marrin pjesën e luanit përsa i përket reklamës. Ndërkohë që shtypi është në një rënie të vazhdueshme, mediat online janë rritur ndjeshëm, edhe pse roli i televizionit nga ana e thithjes së reklamës është më  i konsoliduar se kurrë. Radio vazhdon të ruajë pjesën e vet të vogël, por të konsoliduar në këtë treg reklame. Transparenca në tregun e medias në Shqipëri vazhdon të jetë shumë e ulët, përsa i përket matjes së audiencës dhe shikueshmërisë nga njëra anë, dhe për rrjedhojë edhe kritereve me të cilat ndahet reklama nga ana tjetër. Po kështu, fuqizimi i aktorëve të rinj në skenën mediatike, si agjencitë e reklamave, dhe kompanitë partnere të organeve të medias, e ndërlikon edhe më shumë gamën e faktorëve që ndikojnë ekonomikisht te media. Për pasojë, në mungesën e një tregu të fuqishëm reklame apo mjeteve alternative për mbështetjen ekonomike të medias, të gjithë këta faktorë deri diku ndikojnë edhe në politikat editoriale dhe përmbajtjen mediatike që arrin te publiku. Përpjekjet për adoptimin e legjislacionit për reklamat shtetërore kanë qenë të pakta. Rregullat aktuale nuk garantojnë dot transparencë të plotë të këtij procesi dhe kanë lënë shteg që të hyjnë në lojë për fonde shtetërore nga reklamat dhe fushata publike edhe aktorë të tjerë. Kjo e bën edhe më të vështirë punën për të analizuar dhe vlerësuar mënyrën si shpenzohen fondet publike në lidhje me organet e medias. Po kështu, transparenca e ulët në praktikat e biznesit të kompanive mediatike në administrimin e brendshëm dhe në tregun e reklamave nuk na ndihmon në këtë drejtim.

F.B

Dilemat e profesionalizmit gazetaresk

Pas viteve 1990, pati një shpërthim të organeve të reja të medias në Shqipëri. Përkrah këtij lulëzimi, në vitet 1990 lindi një brez i ri gazetarësh, të pasur në pasion dhe ambicie, por të varfër në shprehi profesionale.66 Në fakt, tradita dhe historia e Shqipërisë në ofrimin e shkollimit për gazetari ka një nisje mjaft të vonë. Shkolla e parë ishte ajo e ngritur brenda Departamentit të Shkencave Politike-Juridike, ndërtuar sipas modelit sovjetik. Shkolla zgjati për dhjetë vjet, deri në fillim të viteve 1970, dhe u pasua nga një numër lëndësh që jepeshin nga të njëjtët mësues.67 Për pasojë, shkollimi i duhur për gazetarët ishte i pakët gjatë periudhës komuniste dhe u fut vetëm në vitin 1992 si pjesë e Departamentit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, universiteti publik. 68 Nga 800 të anketuar nga IDRA69, 46 përqind e tyre deklaruan se kanë diplomë masteri (MA) dhe pothuajse një e treta kanjë diplomë bachelor (BA) (29%). Pothuajse gjysma e profesionistëve të medias (46%) nuk janë diplomuar në gazetari dhe as nuk kanë kualifikime të tjera zyrtare në fushën e gazetarisë. Pjesa më e madhe e gazetarëve (90%), pavarësisht nga arsimi i tyre, janë diplomuar në Shqipëri. Parimi i pavarësisë editoriale garantohet në parim nga legjislacioni, por nuk është marrë asnjë masë tjetër për të siguruar zbatimin e këtij koncepti në punën e përditshme të medias. Në praktikë, nuk ka asnjë institucion apo instrument që të mbrojë gazetarët nga ndërhyrjet e pronarëve të medias. Autonomia dhe pavarësia e gazetarëve është mbase një nga elementët e lëna më pas dore nga legjislacioni, dhe deri në njëfarë pike është injoruar edhe nga opinioni publik. Mediat zakonisht identifikohen me pronarët dhe interesat e tyre, dhe për pasojë mungesa e autonomisë profesionale të gazetarëve merret automatikisht si e mirëqënë, dhe bëhet objekt diskutimi vetëm kur ka ndonjë zhvillim të ri, dhe nuk është objekt i vazhdueshëm shqetësimi në lidhje me mbrojtjen e pavarësisë së medias. Një sërë studimesh mbi lirinë e medias dhe profesionalizmin në gazetari konfirmojnë se vetëcensura është e ngulitur thellë në mediat shqiptare, që janë më shumë të interesuara të mbrojnë interesat politike apo të biznesit të pronarëve të tyre, se sa interesin publik. Një studim i BIRN70 në lidhje me prirjet ndaj vetëcensurës tregoi se 73 për qind e të anketuarve besonin se gazetarët shqiptarë e shmangnin raportimin e lajmeve që binin ndesh me interesat e medias së tyre. Punonjësit e medias u pyetën në sondazh rreth eksperiencave personale për këtë fenomen, dhe rezultoi se 48 për qind e tyre kishin evituar raportimin e lajmeve apo ngjarjeve të caktuara shpesh ose disa herë gjatë karrierës së tyre.71 Kur u pyetën në lidhje me strukturën e brendshme të redaksisë së lajmeve dhe elementet që ndikonin më shumë tek autocensura, rezultatet e sondazhit treguan se në 56 për qind të rasteve kjo vinte si rezultat i sinjaleve apo urdhrave direkte të redaktorëve dhe pronarëve të medias.72 Vetë-censura është shumë e zakonshme në mesin e profesionistëve të mediave shqiptare, nenvizon nje tjeter studim i IDRA per situaten e gazetareve ne vend73. Të anketuarit mendojnë se ose “pothuajse të gjithë mediat censurojnë vetveten” (41%) ose se “disa media vetë-censurohen” (36%). Lajmet “pezullohen” ose “shtyhen” për shkak të:i) presionit të qeverisë, ii) presionit të partive politike dhe iii) presionit të biznesit të vlerësuar me peshë pothuajse të barabartë. Rreth 36% e të anketuarve deklaruan se ata “janë vënë nën presion” nga redaktorët e tyre që të mos shkruajnë për një ngjarje apo çështje të caktuar. Ngjashëm, rreth 38% deklaruan se janë vënë nën presion nga pronari i tyre / drejtori i medias. Sipas Indeksit të Transformimit të Bertelsmann Stiftung (BTI), panorama e medias në Shqipëri është shumëllojshme, ku çdo parti e madhe ka zyrën e vet të shtypit dhe ekziston një gamë e gjerë mediash të cilat kanë përmirësuar mbulimin e proceseve politike, politikave dhe veprimeve të gabuara qeveritare (të cilat çdo ditë marrin një pjesë të konsiderueshme të vëmendjes). Megjithatë, media financohet zakonisht nga bizneset, të cilët kanë tendencë t’i përdorin ato si një mjet për të fituar qasje në politikë dhe kontrata fitimprurëse në këmbim të mbulimit të favorshëm politik, duke e komplikuar në këtë mënyrë cilësinë e raportimit të mediave. Kur eksplorohet më thellë në çështjen e lirisë së kufizuar të fjalës, sipas raportit të sipercituar, janë tre faktorë kufizues që rezultojnë të përmendura më së shumti sai përket ndërhyrjeve nga palët e treta: ndërhyrjet nga individë

politikë (62%), ndërhyrjet nga qeveria (61%) dhe ndërhyrjet nga pronarët e mediave (60%). Një faktor tjetër dukshëm i rëndësishëm janë ndërhyrjet nga individë të komunitetit të biznesit (43%). Më shumë se 30 për qind gjithashtu raportojnë se vetë-censura dhe korrupsioni janë faktorë kryesorë që kufizojnë lirinë e fjalës (përkatësisht 39% dhe 31%)74. Herë pas here qarqet e gazetarisë angazhohen në refleksione dhe diskutime mbi çështjet e etikës, dhe kjo zakonisht ndodh në raste krizash apo raportimesh problematike. Kjo tregon se gazetarët janë të vetëdijshëm dhe të shqetësuar në lidhje me respektimin e rregullave etike në media, por megjithatë komuniteti mediatik nuk ka arritur akoma që të dorëzojë një pjesë të “sovranitetit” të vet dhe t’i bindet gjykimit të pavarur të mekanizmave vetërregulluese. Mbështetja e dobët për inciativat vetërregulluese duhet të gjykohet duke patur parasysh edhe situatën e vështirë ekonomike të gazetarëve, frikën e heqjes nga puna, si dhe vënien e interesave të biznesit mbi profesionalizmin në gazetari në shumicën e mediave në vend. Kodi i pare i Etikës u hartua për herë të parë në vitin 1996 nga Instituti Shqiptar i Medias në bashkëpunim me dy shoqatat më të mëdha të gazetarisë në atë kohë, por nuk pati ndonjë miratim apo adoptim zyrtar të këtij Kodi. Në një përpjekje tjetër në vitin 2006 Kodi i Etikës u pëmirësua dhe u rifreskua me përpjekjet e përbashkëta të Institutit Shqiptar të Medias dhe një grupi ekspertësh të medias. Gjithashtu u analizua edhe mundësia e krijimit të një instrumenti apo institucioni vetërregullues, bazuar dhe në modelet e përdorura nga vende të tjera. Asokohe u mor mendimi i pronarëve të mediave kryesore në vend, redaktorëve, ekspertëve të medias dhe gazetarëve. Megjithëse shumica ishte dakord në parim, aktorët kryesorë të medias në vend hezituan që të mbështesnin krijimin e mekanizmave vetërregulluese që duhet të mbikqyrnin zbatimin e rregullave të Kodit dhe të merrnin vendime që do të respektoheshin nga të gjitha organet e medias. Kodi i Etikës u rishikua sërish në 2018 nga një grup ekspertësh nën udhëheqjen e Institutit Shqiptar të Medias, si dhe u hartuan disa udhëzime për të mbuluar sjelljen etike në median online. Kodi i ri i Etikës përcakton të drejtat dhe detyrimet e gazetarëve gjatë punës së tyre të përditshme dhe paraqet këndvështrimin e tij mbi rolin që duhet të luajë shtypi dhe gazetaria e lirë në shoqëri. Ky kod ka një përqasje të ngjashme me rregulloret etike të vendeve të tjera për sa i përket çështjeve që merr në shqyrtim, si saktësia në raportim, ndarja e faktit nga opinionet, respekti për minorenët, viktimat dhe personat në nevojë, mbrojtja e pavarësisë redaksionale, shërbimi ndaj interesit publik, respektimi i parimit të pafajësisë pa u shpallur fajtor, e drejta e replikës dhe përgënjeshtrimit, ndarja e qartë e përmbajtjes redaksionale nga reklamat, respektimi për jetën private, respektimi i të drejtës së autorit, etj. Kodi i Etikës merret gjithashtu edhe me konfliktin e interesit, megjithëse e prek këtë çështje shkurtimisht. Ndër të tjera Kodi nënvizon se lajmet nuk duhet të përdoren për përfitim personal, dhe se gazetarët duhet të shmangin raportimin e tematikave apo sektorëve nga ku mund të kenë drejtpërsëdrejti përfitim personal. Në vitin 2017 Instituti Shqiptar i Medias mblodhi së bashku një grup ekspertësh për rishikimin e Kodit dhe hartimin e Udhëzimeve Etike për Gazetarinë Online. Të dyja këto dokumente kaluan në proces konsultimi me komunitetin mediatik. Përveç Kodit të Etikës janë hartuar edhe rregullore apo udhëzime për sektorë të veçantë të gazetarisë, si gazetaria investigative, raportimi mbi viktimat e trafikut, raportimi mbi minorenët, raportimi mbi grupet në nevojë, raportimi mbi zgjedhjet, etj. Edhe në këto raste zbatimi i rregullave etike i lihet në dorë gazetarëve dhe ndërgjegjes së tyre, dhe nuk vendosen penalizime për shkelje. Një nga zhvillimet e fundit është edhe krijimi i Këshillit të Medias në vitin 2015 nga një grup gazetarësh i cili u mbështet nga Këshilli i Evropës. Qëllimi i tij ishte që të ndikonte në përmirësimin e standardeve profesionale në gazetari nëpërmjet respektimit të rregullave të Kodit të Etikës75. Deri tani ky këshill ka hapur zyrën e vet dhe ka zgjedhur një këshill ankesash me mbështetjen e donatorëve të huaj. Sidoqoftë, është akoma tepër herët për të gjykuar se çfarë efekti do të ketë ky këshill në vetërregullimin e medias në vend. Përveç këtyre nismave, Këshilli i Ankesave funksionon pranë rregullatorit, Autoritetit të Mediave Audiovizive, duke shqyrtuar kërkesa nga publiku apo institucione publike në lidhje me përmbajtje mediatike që mund të jetë fyese për dinjitetin njerëzor dhe në shkelje të të drejtave të njeriut. Në Shqipëri, e drejta e replikës dhe botimit të përgënjeshtrimeve janë të parashikuara me ligj. Neni 43 i Kodit Penal thotë se gjykatat mund të urdhërojnë një të dënuar që me shpenzimet e veta të publikojë në një apo disa gazeta ose stacione radiotelevizive vendimin gjyqësor, sipas urdhërimit të bërë nga gjykata. Gjithashtu, nëni 617 i Kodit Civil merret me publikimin e informacioneve të pasakta ose mashtruese, dhe thotë se gjykata me kërkesën e personit të dëmtuar, detyron personin fajtor për publikimin e të dhënave të pasakta, jo të plota ose mashtruese që të publikojë një përgënjeshtrim. Edhe ligji i mediave audiovizive merret deri në detaje me të drejtën e replikës (Neni53) ndërsa Autoriteti i Mediave Audiovizive ka miratuar një rregullore dhe procedurat për përmbushjen e të drejtës së replikës në median audiovizive.76 E drejta e replikës është gjithashtu e përfshirë në Kodin e Etikës. Ka patur disa çështje gjyqësore ku e drejta e replikës dhe përgënjeshtrimit është përdorur të ndrequr dëmtimin e reputacionit dhe nderit të individëve, por nuk ka të dhëna mbi përdorimin e tyre në mënyrë vullnetare nga media pas ankesave të publikut. Mendohet se këto raste duhet të jenë të pakta në numër duke patur parasysh se pothuajse nuk ekzistojnë fare instrumentet që mundësojnë dialogun midis medias dhe publikut.F.B


Një status quo pa mbarim I mediumeve shqiptare

 Zhvillimi i medias shqiptare në tri dekadat e fundit mund të ndahet në vija të trasha në dy faza: faza e parë u karakterizua nga e ashtuquajtura media e angazhuar politikisht, dhe e dyta nga lindja dhe zgjerimi i medias klienteliste. Periudha e parë, nga fillimi deri në fund të viteve 1990, u karakterizua nga lufta e përhershme dhe e ashpër mes medias dhe qeverisë. Në periudhën e dytë, me ndryshimin e modeleve të pronësisë në media, media më shumë përjeton probleme të natyrës ekonomike, ku disa prej sfidave janë organizimi i dobët i gazetarëve, mbështetja e dobët e publikut për lirinë e medias, si dhe marrëdhëniet e punës. Sipas nje Studimi te tregut te punes ne Shqiperi realizuar nga IDRA mbi 60 % e gazetarëve ne Shqiperi janë nën moshën 30 vjeç, ndërkohë që mbi 80 % e tyre janë nën moshën 35 vjeç. Keto shifra na dëshmojnë për një popullsi të re në tregun e medias. Nuk ka të dhëna zyrtare mbi pozitën ekonomike dhe sociale të gazetarëve. Në bazë të të dhënave të pjesshme dhe informacioneve të mbledhura nga NGO te ndryshme është e qartë se gazetarët gjenden në pozitë të vështirë në industrinë e medias. Shpesh atyre u mungon edhe minimumi i mbrojtjes sociale për të luajtur me sukses rolin e tyre në shoqëri. Shoqatat e gazetarëve dhe organizatat që merren me lirinë e medias, dhe veçanërisht Unioni i Gazetareve, kanë paralajmëruar vazhdimisht se situata social-ekonomike e gazetarëve në vend ka ardhur duke u përkeqësuar. Të drejtat e punës të profesionistëve të medias nuk rregullohen me ndonjë ligj të veçantë përveç Kodit të Punës, që mbron marrëdhëniet e punës për të gjithë qytetarët shqiptarë. Mungesa e një mbrojtjeje të veçantë ligjore për profesionin e tyre nuk i imunizon gazetarët nga problemet sociale me të cilat përballet e gjithë forca punëtore në vend. Mospagesa e kontributeve shoqërore, vonesat në dhënien e rrogave, orare të tejzgjatura pune, mospagesa e orëve shtesë apo refuzimi i pushimeve të paguara janë disa nga problemet kryesore në marrëdhëniet e punës. 46 Media në Tranzicion: refleksione pas tri dekadash Punësimi vazhdon të mbetet një fushë me shumë dritëhije në median shqiptare. Një anketë e Institutit te Medias ne 201856 identifikoi problemet e konfirmuara prej vitesh në diskutimet për gjendjen e medias në Shqipëri, si problemet me kontratat, me fiktivitetin e tyre, shkeljen e të drejtave të punës, problemet me pagat, etj. Më konkretisht, 1/3 e të anketuarve thanë se nuk kishin kontratë pune, ndërkohë që vetëm 24% e të anketuarve thanë se kishin pasur kontratë gjatë gjithë karrierës së tyre në media. 55% e të anketuarve thanë se paga që merrnin ishte më e ulët sesa paga mesatare e sektorit publik dhe 59% thanë se ka vonesa në marrjen e pagës rregullisht ose me raste, ndonjëherë edhe për disa muaj rresht. Sipas nje Raporti te Komitetit Shqiptar te Helsinkit57 për herë të parë, në vitin 2019, kemi rënien e numrit të punonjësve të medias, nga 6200 në 5900 vetë. Arsyeja kryesore lidhet me mbylljen e disa mediave, por edhe me largimet e gazetarëve nga profesioni për shkak të pakënaqësive me kushtet e punës. Sipas ketij studimi gazetarët e rretheve punojnë shpesh në kushte më të vështira se gazetarët e Tiranës. Siguria e tyre në punë dhe pagat jane më te ulëta krahasuar me kolegët e tyre në kryeqytet. Gazetarët e portaleve raportohet më shpesh që të punojnë në kushte informaliteti (pa kontrata pune), dhe anonimiteti. Kjo nuk i lejon që të mbrojnë të drejtën e tyre të autorit, por as edhe që të krijojnë një profil vetjak profesional, duke u bërë pjesë e barabartë e komunitetit të gazetarëve profesionistë. Po ashtu, gazetarët e rinj raportojnë që punëdhënësit i trajtojne mjaft me keq se gazetarët me pervoje. Nderkohe, nuk mungon as diskriminimi per shkak te gjinise. Gazetaret femra ngacmohen ne vendin e punes dhe sidomos ankohen për mos respektimin e lejes së lindjes, çka ndikon në zgjedhjet e tyre për jetën. Nje Raport i Unionit të Gazetarëve58 nënvizon situatën e vështirë të kushteve te punes në mbi në mbi 90 për qind të mediave, madje edhe në ente publike si Agjencia Telegrafike Shqiptare apo Radio Televizioni Shqiptar. Në asnje prej tyre, punonjësit nuk paguhen për kohën që punojnë jashtë orarit normal dhe kontraktual. Nuk ka statistika zyrtare edhe për sa i përket nivelit të rrogave në media. Sidoqoftë, Unioni thotë se ka tre nivele rrogash për gazetarët në varësi pozicionit të tyre, nga media ku punojnë, dhe vendndodhjes së saj. Gazetarët me rrogat më të larta paguhen mesatarisht nga 550-600 USD, niveli i dytë paguhet nga 450-500 USD, ndërsa mediat e nivelit më të ulët i paguajnë gazetarët e tyre me një rrogë mesatare prej 300 USD në muaj.59 Në të njëjtën kohë, ka një diferencë shumë të madhe midis mediave të Tiranës dhe mediave në rrethe. Rroga mesatare e gazetarëve të mediave lokale shkon nga 150-220 USD, dhe zakonisht punojnë në më shume se një media, në mënyrë totalisht informale.60 Unioni thotë se gazetarët në rrethe përbëjnë 45 për qind të numrit total të gazetarëve, gjë që tregon se ka një nevojë urgjente për të ndërhyrë në këtë fushë61. Intervistat me gazetarë dhe përvoja e Unionit deri më sot tregojnë edhe për një tjetër problem shqetësuese: vitet e punës të humbura nga mospagimi i sigurimeve shoqërore për vite me rradhë. Në një sondazh të zhvilluar nga Unioni, 65 për qind e gazetarëve raportuan se vitet e punës me kontratë nuk përkonin me vitet e punës që kishin kaluar realisht në media.62 Punonjesit e medias gjithashtu kane qene viktima te skemave te mashtrimit, ku pagesat per kontributet e sigurimeve shoqërore ose nuk janë paguar fare ose janë paguar vetëm për disa vite pune.63 Për më tepër, si të dhënat e Unionit, ashtu edhe intervistat me gazetarët tregojnë për një prirje të re në marrëdhëniet e punës: edhe kur paguhen sigurimet shoqërore ato bazohen mbi rrogën minimale dhe jo mbi rrogat reale të punonjësve të medias, duke nxjerrë edhe njëherë në pah problemin e informalitetit. Sipas Unionit, 98 për qind e organeve të medias nuk i deklarojnë rrogat reale to punonjësve të tyre.64 Sic veren me te drejte IDRA65 gazetaria në rastin shqiptar i ngjan më shumë një punëtorie me ekuilibra të prishur, sepse proceset e punës dukshëm janë të pabalancuar, dhe gazetarët, si pasojë apo për pasojë, janë pa status profesional të rregulluar në bazë të gjitha parametrave dhe treguesve të respektueshëm ligjorë.

FB

Elon Musk bën thirrje që "Radio Evropa e Lirë" dhe "Zëri i Amerikës" të mbyllen

                                                    Nga Flori Bruqi Biliarderi afrikano-amerikan  Elon Musk  Tesla bën thirrje që "Rad...