Në 24 qershor 1965 Enver Hoxha shkruan për diktatorin algjerian Ben Bela, që ato ditë u rrëzua nga pushteti me puç prej kolonelit Bumedien: “Ben Bela është njeriu tipik aventurier i kohëve aktuale. Ai është një mikroborgjez, karrierist, megaloman, i dyshimtë, njeri i të gjitha kallëpeve, njeri që ka një pikëpamje për veten e tij të një njeriu “të madh historik” me perspektivë jo vetëm “algjeriane”, jo vetëm “afrikane”, por “botërore”. Ai veshi “togën” e luftëtarit pa hedhur pushkë, ai përfitoi ng alufta për të hedhur pushtetin në duar dhe të bëhej një personalitet botëror.”Këtij tipi njeriu i përkiste dhe Enver Hoxha që me këtë kishte bërë edhe epigramin e vetvetes... ...Synimi i qartë i Enver Hoxhës ka qenë që çdo studiues i jetës së tij dhe të familjes së tij, të gjendet para dilemës: Ose të humbë në “prehistorinë” e gojëdhënave, ose të pranojë historinë zyrtare, “hagiografinë” e shkruar nga vetë Enver Hoxha (Jeta dhe veprimtaria e Enver Hoxhës u bë praktikisht një “hagiografi” e mistikës ateiste). A ka një mënyrë për ta shmangur këtë kurth? Pikërisht këtë jam përpjekur të gjej në këtë libër. Unë jam orvatur të gjej një pikëpamje të ndërlikuar për ta kqyrur jetën e Envet Hoxhës, duke kombinuar dokumentet historike të disponueshme, pa përjashtuar as kujtimet e tij, si dhe traditën orale (gojëdhënat) e asaj që mund të quhet si prehistoria e jetës së Enver Hoxhës dhe familjes së vet. Duke bërë këtë, unë u kam kushtuar një vëmendje të posaçme kujtimeve të vetë Enver Hoxhës... ...Kujtimet e Enver Hoxhës përbëjnë në fakt një kurth ku ai kërkon t’i tërheqë të tjerët, duke u dhënë versionin që i vjen për mbarë atij për ngjarjet e jetës së tij. Por, në këto kujtime Enver Hoxha ka rënë dhe vetë në një kurth. Bë kujtimet e veta ai përdor një kod për t’i tjetërsuar ngjarjet, në pjesën më të madhe të rasteve që të bëjë alibi për veprimet e veta dhe tëe familjarëve të vet. Në rast se arrin ta perceptosh këtë kod, atëherë të shfaqet një tekst virtual, një tekst paralel, një intertekst i mahnitshëm, në librat me kujtime të Enver Hoxhës.
No comments:
Post a Comment