2025/02/06

Qeveria e re do të përballet me një presion të madh nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump


                           Dr Gani N Asllani 


 Është qoroditëse, madje edhe e pabesueshme, që një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane të bëjë një ndërhyrje kaq direkte pesë ditë para zgjedhjeve parlamentare të një vendi tjetër. Rastis që ndonjë deputet i caktuar të mbështesë një kandidat për deputet në ndonjë vend tjetër për arsye personale apo ideologjike, por është e pazakontë që dikush të dalë hapur, me emër e mbiemër.

 Arsyet e ndërhyrjes së Grenellit nuk kanë të bëjnë aq shumë me Vetëvendosjen si organizatë politike apo me z. Albin Kurti personalisht, por janë të orientuara nga prirja ideologjike e z. Grenell dhe e gjithë ekipit udhëheqës në SHBA nën presidentin Trump, si një formacion politik i të djathtës së largët. 

Pra, Grenell, si libertarian me një qasje që favorizon botën e udhëhequr nga kapitali, nuk parapëlqen liberalizmin, e aq më pak socialdemokracinë që zbaton Lëvizja Vetëvendosje. 

 Ishte pikërisht kjo mendësi politike e z. Grenell që çoi në ftohjen e marrëdhënieve të tij me Berlinin zyrtar kur ai shërbente si ambasador i SHBA-së në Gjermani, pasi qeverinë gjermane ai e shihte si liberale. Vështrues të vëmendshëm mund të shprehen se Grenell e ka objektiv z. Kurti dhe qeverinë e Vetëvendosjes, pasi ai nuk po kritikon qeveritë e majta të Vuçiqit në Beograd apo të Edi Ramës në Tiranë. 

Njëmend kjo është e vërtetë, por ndryshe nga Kosova, ku administrata e z. Trump nuk ka interesa të ngushta ekonomike, një konsorcium i financuar me fonde shtetërore nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – ku dhëndri i z. Trump dhe Grenell kanë aksione financiare – është i përfshirë në një investim prej 1.2 miliardë dollarësh në brigjet e Danubit në Beograd dhe një investim tjetër mbi një miliard dollarë në ishullin e Sazanit. Cila do që të jetë e vërteta, një gjë është e sigurt: pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare për Kuvendin e Republikës së Kosovës, qeveria e re do të përballet me një presion të madh nga administrata e presidentit Trump për një zgjidhje të shpejtë politike. Është imperative që të mos jepet floriri për thëngjill në arsyetimin për bashkëpunimin me Amerikën, sepse shkurtpamësi të tilla sollën Gjykatën Speciale dhe dhënien e Çakorrit Malit të Zi. Po ashtu, një kokëfortësi e tepruar nuk mund të jetë zgjidhje, sepse do të çonte në një izolim të panevojshëm, kur dihet mirëfilli se aleati tjetër thelbësor i Kosovës, Bashkimi Europian, ende i ka të vendosura 'masat ekonomike' ndaj vendit tonë.

Qeveria e re do të përballet me një presion të madh nga administrata e presidentit Trump

No comments:

Post a Comment

PREAMBULLA E GJENOCIDIT SERBIAN SOT

          Search within imag                        Shkruan historiani i njohur kosovar :                      Akademik Prof Dr Hakif Bajram...