Nga Flori Bruqi
Pas një kohe shkëputje nga intervistat, Zhiti është pyetur ndër të tjera dhe për situatën e diskutuar së fundmi në lidhje me hapjen e dosjeve të sistemit komunist.
Shkrimtari është shprehur se nuk ka punuar kurrë në një ofiçinë-burgu dhe dosjet duhet të hapen për t’u bërë publikë emrat e sistemit komunist.
‘Ai (ish drejtori i burgut të Qafë-Barit) bashkë me të tjerët që nuk shfaqin pendesë, edhe tani që nuk janë më policë dhe as un nuk jam më i burgosur politik, me paturpësinë më të madhe vërsulen përbindshëm drejtuar ne të burgosurve politik.Në letrën e tij të hapur vihet re një krenari boshe, shifje, kapota të varura bosh, helmeta dhe çizme kuestori. Ky njeri ( ish drejtori i burgut të Qafë-Barit) e shikon kalimin tim nga burgu i Spacit në Qafë-Bar si të dërguar me mision. Në atë letrën e tij të famshëm, ky njeri thotë që kam punuar në një ofiçinë burgu, kur faktikisht unë s’kam punuar fare atje dhe skam qenë asnjë sekondë bashkëpunëtor i tij. Në librin tim shkruaj që në vitin 1989 kam refuzuar të bëhem bashkëpunëtor i Sigurimit, por mesa duket këtyre i ka hypur një nostalgji për telat me gjemba. Ka munguar hapja e dosjeve, po jetojmë në një demokraci të drejtuar nga ata që na kanë persekutuar në kohën e regjimit. Mungon e drejta, e vërteta dhe ndëshkimi të paktën moral. Ne duhet të kemi kultin e së vërtetës. Qëllimi i veprës sime së quajtur Burgologji, është që të merresha me dukuritë, e keqja është bërë me njerëz, me emra, domosdoshmërisht një ditë emrat do dalin. Është krijuar një gjendje e tillë që ka munguar hapja e dosjes, e së vërtetës. Diçka është bërë, diçka është thënë. Mungon e vërteta, e edukatës njerëzore. Duheshin bërë publikë emrat e sistemit komunist. Diçka është bërë, edhe unë e kam marrë dosjen time. Në qoftë se ai që thotë këtë dhe gjendet në atë dokumentacion atëherë çështja duhet të zgjidhet, në qoftë se jo të ndëkohet’, tha Zhiti.
****
Visar Zhiti (Durrës, 2 dhjetor 1952) është shkrimtar shqiptar i përndjekur në periudhën e regjimit komunist, përkthyes, deputet, diplomat dhe ministër i shtetit shqiptar.
U lind në Durrës, i biri i aktorit dhe poetit Hekuran Zhiti. Visari u rrit në Lushnjë, ku përfundoi shkollën e mesme në vitin 1970. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, ai filloi karrierën e tij të mësimdhënies në qytetin malor verior të Kukësit, duke demonstruar një interes në fillim në vjersha, disa nga të cilat u botuan në revistat letrare.
Në 1973 përgatiti për përmbledhje, "Rapsodia e jetës së trëdafilave". Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës në të cilin Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që pëlqenin kulturën perëndimore. Babai i Zhitit kishte pasur më parë një konflikt me autoritetet, dhe poeti i ri papritmas u bë një nga viktimat politike të diktaturës për të frikësur intelektualët shqiptarë. Dorëshkrimi i përmbledhjes së tij të përmendur më sipër, që kishte qenë dorëzuar për botim në shtëpinë botuese Naim Frashëri, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist. Ai u arrestua më datë 8 nëntor, 1979 në Kukës. Mbasi u dënua në një gjyq qesharak në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg, ai u dërgua në burgun e Tiranës dhe më vonë transferohet në burgun famëkeq të Spaçit. Shumë nga të burgosurit që ishin me të në burg vdiqën nga keqtrajtimet, torturat dhe kequshqyerja ose pësuan çrregullime mendore.
Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe u "lejua" nga pushteti komunist për të punuar në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, ai arriti të shkojë në Itali ku punoi në Milano deri në 1992. Përmes një burse studimi nga Fondacioni Heinrich Boll, Zhiti shkoi në Gjermani në vitin 1993 dhe vitin e ardhshëm shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas kthimit të tij në Shqipëri, ai punoi si gazetar dhe u emërua kreu i ndërmarrjes botuese e cila kishte planifikuar të botonte librin e tij të parë. Ai ka qenë i punësuar më vonë nga shërbimet administrative të parlamentit të ri shqiptar dhe në 1996 u zgjodh vetë në parlament. Mbas Realiteteve të zymta të politikës shqiptare, ai u tërhoq nga politika. Në vitin 1997 ai u emërua atashe kulturor në ambasadën shqiptare në Romë, ku ai qëndroi deri në vitin 1999.
Veprimtaria krijuese
Libri i tij i parë me poezi, "Kujtesa e ajrit" u botua në Tiranë në vitin 1993, i cili përfshinte disa poezi nga burgu. "Hedh një kafkë te këmbët tuaja" u botua vitin e ardhshëm. Ky vëllim përmbante të gjitha 100 poezitë të krijuara në burg në mes 1979 dhe 1987, të cilat kishin mbijetuar vetëm në kujtesën e tij. Vëllime të shumta pasuan, dhe ai është i njohur tani si një prej poetëve të mëdhenj shqiptare të shekullit të 20-të.
Ai ka shkruar edhe shumë tregime të shkurtra, të mbledhura në dy vëllime, dhe ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra nga Garcia Lorka dhe poeti italian Mario Luzi.
Kujtimet e tij nga burgu, "Rrugët e ferrit : burgologji" u botuan në Tiranë në vitin 2001.
Në vitin 1991 atij iu dha çmimi italian për poezi "Leopardi d'oro" (Leopardi i artë), dhe në 1997 ai mori çmimin prestigjioz "Ada Negri".
Listë e librave me poezi :
Kujtesa e ajrit (Tiranë: Lidhja e shkrimtarëve, 1993)
Koha e krisur, Tiranë, 1993
Hedh një kafkë te këmbët tuaja (Tiranë: Shtëpia Botuese Naim Frashëri, 1994)
Mbjellja e vetëtimave (Shkup: Flaka e vëllazërimit, 1994)
Dyert e gjalla (Tiranë: Eurorilindja, 1995)
Kohë e vrarë në sy (Prishtinë: Rilindja, 1997)
Si shkohet në Kosovë (Tiranë: Toena, 2000)
Rrugët e ferrit: burgologji(2001)
Pazari i Këpucarit.
Përkthime
Condemned Apple (Molla e dënuar): Poezi të zgjedhura, përkthyer nga Robert Elsie (Los Angeles: Green Integer, 2005).
****
Visar Zhiti ka folur prej kohësh për dosjen e tij, burgologjinë, apo poezinë.
“Është shumë e cuditshme dhe pabesueshme. Madje është bërë e pabesueshme dhe për ne. Ishte një diktaturë e egër. Më e egra në të gjithë pernadorinë komuniste. Diktatura donte të zotëronte me gjithçka. Materialisht. Njeriun e kishte zhveshur nga prona, ng apasuria, nga identiteti njerëzor dhe poezinë e donte për vete. Madje edhe një nga filozofët më të mëdhenj të shekullit të XX Umberto Eco thotë që diktaturat poezinë e duan për veten e tyre, nuk duan që poeti t’ua kushtojë gjërave lirike. Si psh trëndafilave. Dhe me citon edhe mua për librin tim “Rapsodia e jetës së trëndafilave”. Në këtë kohë diktatura i sulmonte intelektualët e poezinë, nëpërmjet intelektualëve dhe atyre që e lexonin, që e dinin, që e bënin poezinë. Në këtë drejtim do të thoja që ka qenë shumë e rëndë. Është e nevojshme për Katharsis. Të na bashkojë poezia, jo të na ndajë”, shprehet Visar Zhiti.
Përgjigjen publike të Pandeli Koçit, se atij i është falsifikuar firma, Zhiti e komenton kështu: “Ne jetojmë në një pseudokohë, ku ka edhe pseudonjerëz, ku është falsifikuar shumëçka. Në këtë drejtim do shumë kujdes, do dhe dhimbje për ta parë specialisti. Së pari, dosja ime më jepet në hetuesi për ta parë, dosja hetimore. Pastaj në vitet e mëpasshme kam mundur ta shoh, tani dhe e kam. Mund t’ju a le kur të doni ta shikoni”.
Aty në Spaç ai e gjeti forcën që të krijojë edhe në kushtet e mungesës së lirisë: “Poezia siç e thashë pak më parë ka aftësinë të bashkojë, dhe kur je në burg, duke menduar për të, ndihesh jashtë saj”.
Nuk mund të ketë jetë pa poezi. Poezia e jetës. Nuk është vetëm ajo që shkruhet, është dhe ajo që jetohet.
Dhe sërish ai i rikthehet poezisë sepse së shpejti një libër i ri me krijime të tij do të jetë mes shqiptarëve në Bukuresht: “Unë do shkoj të promovoj një libër mes shqiptarëve në Rumani. Më ka dalë një libër me poezi të reja atje, falë studiuesit, kritikut dhe përkthyesit Luan Topçiu”.
Të dënohesh për një poezi, sot tingëllon jo vetëm e çuditshme, por edhe çnjerëzore. Por, fenomeni i dënimit të poetëve nga poetët ka qenë e zakonshme në Shqipërinë e asaj kohe. Por ashtu sikurse Visar Zhiti e tha. Ky nuk ishte një dënim dhe vendosje prangash ndaj tij, por ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.