Artur Ajazi: Batakçinjtë dhe gjobaxhinjtë e medias shqiptare



Ndryshimet e thella politiko-sociale në Shqipëri pas vitit 1992, sollën bashkë me shumë gjëra të tjera pozitive për vendin, edhe veset negative të shqiptarëve. Ajo çfarë prisnin shumica e shqiptarëve nga ndryshimet politike, shumë shpejt do të kthehej në zhgënjimin më të madh, kur panë me sytë e tyre se si, qeveritarët dhe ligjvënësit e rinj, po transformoheshin nga njerëz normalë në batakçinj dhe gjobaxhinj, madje duke infektuar me vese të tilla fatkeqësisht edhe median e lirë, të sapolindur.

Hapja e shumë gazetave, radiove, televizioneve, natyrisht solli tek ne edhe frymën e re, duke u dukur si progres, për një qasje ndryshe, dhe të një transformimi mendor dhe logjik të problemeve të përditshme, dhe atyre që lidheshin me politikën dhe qeverisjen.

Në Tiranë dhe rrethe, shumë shpejt nisën të botohen gazeta të ndryshme, nisën të çelen radio dhe televizione private , duke rritur tregun, konkurencën dhe rriskun e mbijetesës së tyre. Në tregun e medias të vetmit që nuk kishin (dhe nuk e kanë) mundësinë financiare të hapnin dhe mbanin gjallë një gazetë, revistë, apo radio e televizion, ishin gazetarët profesionistë. Në skenë nisën të dalin “pronarët” e rinj të mediave, që fatkeqësisht nuk vinin nga gazetaria por nga rruga, nga emigrimi, nga bota e trafiqeve dhe krimit.

Ata kishin tashmë paranë, kishin milionat, kishin miqësinë me politikanin dhe ministrin, deputetin, apo kryetarin e partisë. Të mbështetuar nga politika, ata nisën të blenin gazeta, radio dhe televizione, nisën të blenin diploma, të vishnin kostumin dhe kollaren, nisën të mbushin gishtat me unaza floriri, dhe të afroheshin sa më shumë me pushtetin, duke u shërbyer atyre. Mbijetesa në tregun e medias, realisht u bë e vështirë, gjë e cila vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite.

Në 27 vitet e tranzicionit demokratik, janë hapur dhe janë mbyllur me dhjetra e dhjetra gazeta, revista, radio dhe televizione, por fatin e mirë, të mbijetesës e kanë patur gjithmonë ata, që nuk kanë patur kurrë në jetën e tyre lidhje me median, (anonimatët) por veçse me politikën dhe botën e errët të trafikut . Këta të fundit, pasi ndryshuan “lukun” e tyre, dhe pasi siguruan edhe ndonjë miqësi ministri apo politikani, nisën një tjetër kapitull të jetës së tyre, duke harruar se e kaluara kurrë nuk mund të blihet.

Ata tashmë nisën ti gjenin vetë “rrugët” e daljes nga rreziku i falimentimit , duke u kthyer në gjobaxhinj, ndaj atyre që nuk binin në ujdira për tenderin, sponsorizimin, përqindjet e fitimit, apo edhe marifete të tjera të ndyra. Ata që sot, e vetëquajnë veten “pronarë” apo “drejtues mediash”, nuk janë gjë tjetër veçse “gjobaxhinj dhe batakçinj të rëndomtë”, pa kurrfarë etike dhe elegance as në mënyrën e komunikimit, (të paktën të shtiren sit ë emancipuar) nga koha e afrimitetit të tyre me kollaret e pushtetit.

Ata që sot, drejtojnë disa prej mediave në Shqipëri, veç anës së errët të së kaluarës së tyre, veç mundësisë zero të qasjes me një media, janë sot njerëzit më të përfolur dhe më të penalizuar, për “gjobëvënie, shpifje, akuza të fabrikuara”, dhe që janë palë në dhjetra procese gjyqsore si të akuzuar. Duke përdorur mantelin e “pronarit apo drejtuesit të medias”, ka sot shumë prej tyre që u bëjnë presione psikologjike, njerëzve të pushtetit në Tiranë dhe rrethe, duke reflektuar ndaj tyre mungesë etike, sjelljen brutale, shpifjen, dhe akuza të fabrikuara, me qëllimin e vetëm marrjen e ndonjë tenderi, apo zhvatjen e ndonjë grushti me para për të mbijetuar në tregun e pabarabartë mediatik.

Në Shqipëri ka ardhur koha, e seleksionimit përfundimtar edhe në fushën e medias, ka ardhur koha e Vettingu-t edhe në media, për të nxjerrë jashtë rradhëve të saj, ata që nuk kanë asgjë të përbashkët me gazetarinë e mirëfilltë. Ka ardhur koha të flaken tutje, gjobaxhinjtë dhe batakçinjtë e medias, ata që kanë vite që vegjetojnë dhe penetrojnë me mashtrime, duke u kthyer në ushtarë të politikanëve dhe oborrit të partisë, për të mbajtur gjallë median e tyre të kthyer në paçavure, nga ku vetëm e vërteta nuk gjendet gjëkundi.

Ka ardhur koha, që ata që mbushin faqet e gazetave me sajesa, mashtrime, dhe shpifje për të fituar tenderat dhe milionat e pazareve të pista, duke përdorur fatkeqësisht madje edhe gazetarë hallexhinj, të dalin nga skena nga ku kanë hyrë rastësisht, për tu rikthyer në origjinën dhe botën e tyre perverse.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit