2017-09-14

BANORËT E KRYEQYTETIT AKUZOJNË MINISTRIN SERB SE I KA TORTURUAR GJATË LUFTËS

Prokuroria Speciale e Kosovës ka paralajmëruar hapjen e hetimeve ndaj ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, i cili është akuzuar nga disa qytetarë të lagjes “Dardania” në Prishtinë për maltretime gjatë kohës së luftës.

Prokuroria paralajmëron fillimin e hetimeve ndaj ministrit Nenad Rikalo

Pas raportimit të deklaratave të banorëve të një ndërtese në lagjen “Dardania në Prishtinë, në të cilën gjatë luftës ka jetuar edhe ministri Rikalo, Prokuroria ka paralajmëruar se do të nis me grumbullimin e informacioneve dhe më pas nëse ka prova dhe dëshmi vazhdon me hetime penale.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu kanë thënë “Arbresh.info” se kjo prokurori nuk ka qenë e njoftuar më parë për këtë rast.

“Ju informoj se PSRK deri dje 13.09.2017, kur ka parë në media nuk ka pasur asnjë informacion lidhur me veprimet e mundshme inkriminuese, për Nenad Rikallo, ministër i Bujqësisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Lutfiu ka thënë se Prokuroria do të ndërmerr veprimet sipas Kodit të Procedurës Penale.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, do të ndërmerr veprimet e duhura në pajtim me Kodin e Procedurës Penale”, ka thënë Luftiu.

Ndryshe, një ditë më parë, mediat kanë publikuar deklaratat e qytetarëve, të cilët kanë drejtuar akuza të rënda ndaj ministrit të sapo emëruar të Bujqësisë, Nenad Rikalo, duke nisur nga maltretimet e deri te dhunimet.


Ata kanë kërkuar hapjen e hetimeve dhe shkarkimin e menjëhershëm të tij.





******

Ministri i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo, po akuzohet për torturim të qytetarëve të Prishtinës gjatë kohës së luftës.

Banorët e ndërtesës në Kurriz të Dardanisë kanë rrëfyer për torturat që thonë se Rikallo ka bërë dhe faktin që ai gjithmonë aty është shfaqur me uniformë dhe i armatosur.

Edhe pse kanë kaluar gati dy dekada, Fexhrije Beqiri mund ta kujtojë fytyrën e Nenad Rikallos, i emëruar ministër i Bujqësisë në qeverinë e Ramush Haradinajt.


“Po qeky është veç atëherë ka qenë më i dobët”, nisë rrëfimin Beqiri.

Familja Beqiri jeton në katin e shtatë të kësaj ndërtesë në Kurriz të Dardanisë tash e disa dekada. Në katin e njëjtë, në numër 45, jetonte edhe Nenad Rikallo.

Gjithçka që mund të kujtojë zonja Beqiri nga Rikallo, atëherë i ri, janë torturat dhe maltretimet ndaj banorëve shqiptarë.


“Gjithçka kanë bo vallahi, ka bo vaki i kanë shti djemtë me i fshi shkallët fun e nalt. Dalsha qetu mos po i mytin. Më thanë hin mrena se ta bojmë ma zi se këtyre”, rrëfen zonja Beqiri.

Djali i saj, Festimi, i ka të freskëta përjetimet për dy skena të torturave nga Rikallo, e njëra prej tyre përfshin edhe drejtimin e armës ndaj babait të tij, tashmë të ndjerë.

Në secilin kat të kësaj ndërtese ka banorë që kujtojnë tmerrin e përjetuar nga e gjithë familja Rikallo.


“Nenadi u kon përfaqësues i Beretave të Kuqe, paramilitar bashkë me vëllain e vet Goranin. Baba i tij Radishavi u kon oficer shumë i naltë në policinë serbe”, ka thënë Festimi.

Ata që pranojnë të flasin e kujtojnë ta kenë parë ministrin e ri, gjithmonë në uniformë.

Banorët këtu janë shokuar kur e kanë parë Rikallon të jetë renditur në mesin e ministrave të qeverisë së re dhe kërkojnë largimin e tij të menjëhershëm.

Rikallo është pjesë e Listës Serbe dhe deri para pak kohësh ka shërbyer si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.


“Nuk po shoh asgjë urgjente” – përgjigja e Vllahiut për “torturat e ministrit serb”

Deklaratat e disa banorëve të lagjes “Dardania” në kryeqytet se ministri serb i Bujqësisë në Qeverinë e Ramush Haradinajt, Nenad Rikalo ka torturuar shumë banorë të Prishtinës gjatë viteve ’90 dhe sidomos gjatë kohës së luftës, ka bërë që sekretari i AKR-së, Rrahim Pacolli të kërkoj shkarkimin e këtij ministri.

Por këshilltari i kryeministrit Haradinaj, nuk ka gjetur kohë që të përgjigjet nëse ministri serb do të shkarkohet.

“I kam vetëm një për qind bateri në telefon dhe nuk mund të flasë. Nuk po shoh asgjë urgjente që në këtë kohë të prononcohem”, ka thënë Vllahiu për Gazetën Blic.


Banorët e kryeqytetit akuzojnë ministrin serb se i ka torturuar gjatë luftës



Për këtë çështje nuk ka folur as Meliza Haradinaj, këshilltare politike e kryeministrit Haradinaj, e cila po ashtu nuk ishte në gjendje të prononcohet lidhur me çështjen, por kërkoi që pyetja t’i përcillet me SMS përmes telefonit, në atë mënyrë që siç tha ajo “t’ia përcjell zyrës së informimit”.

****

Rrahim Pacolli i kërkon Haradinajt ta shkarkojë ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo

Sekretari organizativ i AKR-së, Rrahim Pacolli i ka kërkuar kryeministrit, Ramush Haradinaj që ta shkarkojë ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo.

Pacolli ka thënë se ai që ka kryer krime lufte në Kosovë duhet të gjykohet dhe të dënohet.

“Të shkarkohet Ministri i Bujqësisë Nenad Rikalo rrëfimi i dëshmitarëve për keqtrajtimin e banorëve të lagjes Dardania nga Ministri i Bujqësisë Nenad Rikalo duhet të vënë në lëvizje të menjëhershme Prokurorinë”.


“Ani pse kanë kaluar 20 vjet, ai që ka kryer krime në kohë të luftës duhet të gjykohet dhe të dënohet. I bëj thirrje kryeministrit Ramush Haradinaj të shkarkojë Rikalon dhe të emërojë një ministër të ri. Prokuroria dhe gjyqësori duhet ta hetojnë këtë rast në mënyrë të pavarur, pa ndikime politike”, ka shkruar Pacolli



****

 PDK deklarohet për ministrin Nenad Rikallo


E kaluara e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, ka ngjallur reagime të shumta në vend. I njëjti është akuzuar se gjatë periudhës së luftës kishte torturuar disa banorë të Prishtinës, respektivisht ata të lagjes “Dardania” në Kurriz. Disa prej tyre kanë dalë edhe haptas në media duke akuzuar ministrin Rikallo për të bëmat e tij. Madje, ata u deklaruan se ministri në fjalë gjithmonë ecte i armatosur dhe me uniformë të paramilitarëve.

Pas gjithë këtyre deklarimeve , ka ardhur edhe reagim i kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj. Sipas tij, institucionet përgjegjëse (Prokuroria, AKI-ja...) nuk i kanë dhënë asnjë informacion negativ për Rikallon dhe se i njëjti, sipas tij, nuk mund të shkarkohet.

Njëjtë mendohet edhe në Partinë Demokratike të Kosovës. Njëri prej figurave kryesore në këtë subjekt, Xhavit Haliti ka thënë për “Indeksonline” se çdo akuzë që bëhet ndaj dikujt duhet të mbështetet në fakte konkrete të cilat i vërteton Prokuroria dhe Gjyqësia në Kosovë.

Sipas tij, gjëra të tjera nuk janë fakte. “Në qoftë se argumentet të cilat edhe unë i kam dëgju mbrëmë në TV prokuroria i verifikon si krime lufte apo krime të cilës do natyrë atëherë edhe unë do të kërkoja që personi në fjalë mos të jetë pjesë e institucioneve të Kosovës”, ka thënë ai.

Më tej, nënkryetari i Kuvendit thotë se duhet të mësohemi që për ta akuzuar dikën për krime duhet të ketë një mbështetje ligjore nga organet përgjegjëse.

“Dëshmitarët mund të jenë ashtu-ashtu, por dëshmitarë ka shumë. Problemi është se për çdo prej tyre apo dëshmi duhet të jetë një institucion që ngarkon ndikënd dhe e verifikon akuzën”, ka thënë ai.


*****


Deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.




Kërkesa e tij vjen pas dëshmive publike të fqinjëve të tij të dikurshëm se, në kohën e luftës në Kosovë, Rikallo i ka keqtrajtuar buralisht shqiptarët.
“Shkarkimi i tij është domosdoshmëri. Pazaret e Lista Srpskas s’mund të mundin dinjitetin e viktimave shqiptare”, ka shkruar Abdixhiku, në një postim në Facebook.
Ai i ka bërë thiorrje Prokurorisë së Kosovës që t’i trajtojë pa vonesë pretendimet e dëshmitarëve të akteve kriminale të Rikallos.
Kohavizion transmetoi të mërkurën dëshmi të shqiptarëve që e kishin fqinj familjen Rikallo, në lagjen “Dardania”, në Prishtinë. Ata treguan se ministri aktual, Nenad Rikallo, ka qenë pjesëtar i formacionit paramilitar serb “Beretat e Kuqe” dhe kanë treguar disa raste të keqtrajtimit brutal të shqiptarëve.

Postimi i plotë i deputetit Abdixhiku:

Po të kishte Prokurori ky shtet, dëshmitë rrëqethëse për torturat e Nenad Rikallos – pjesëtar i Beretave të Kuqe gjatë luftës në Kosovë – do të trajtoheshin qysh sot në mëngjes.
Po të kishte Qeveri ky shtet, një paramilitar me histori torturuese si kjo, as që do të ishte pjesë e kabinetit të Republikës. Shkarkimi i tij është domosdoshmëri. Pazaret e Lista Srpskas s’mund të mundin dinjitetin e viktimave shqiptare.
Janë me dhjetëra qytetarë e dëshmitarë që pretendojnë keqtrajtim brutal të civilëve shqiptarë. Pretendimet e tyre s’kanë për të kaluar në heshtje. Do të bëjmë gjithçka, në Parlament e jashtë tij, për të marrë përgjigjet e duhura. Ftoj Prokurorinë e Kosovës të trajtojë pa vonesë pretendimet në fjalë.


****

Edhe partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje në një përgjigje për albeu.com ia ka kujtuar Jabllanoviqin dhe i ka kërkuar një reagim Haradinajt përndryshe sipas tyre, duket e qartë se kjo qeveri është e varur nga Serbia.

“Haradinaj, i cili ka qenë mjaft i zëshëm dhe kërkonte dikur shkarkimin e ish-ministrit Jabllanovqi, i cili ofendonte nënat shqiptare, do të duhej të tregohet konsistent, e meqë tani është në krye të ekzekutivit, ta shkarkojë sa më shpejtë. Nëse nuk e bën këtë, Haradinaj edhe një herë e dëshmon se sa i varur është nga Serbia, teksa e dokumenton qysh në fillim vazhdimësinë e logjikës të pushteve të kaluara.” thuhet në përgjigjen e Vetëvendosjes.

Ky subjekt më tej bën të ditur se e kanë ngritur shqetësimin që nga fillimi për varësinë e qeverisë Haradinaj nga Lista Srpska, rrjedhmisht Beogradi dhe kanë shtuar se “Kjo u manifestua më së miri ditën kur kjo qeveri u votua në Kuvend, pra kur Lista Srpska me vonesën e saj dëshmoi fuqinë e saj në raport me pakicën shqiptare që e donte me çdo kusht pushtetin.”

“Përfshirja e një ministri i dyshuar për krime të tilla, për të cilin tashmë dihet qartë roli i tij që kishte gjatë luftës dhe ndaj qytetarëve shqiptarë, është rrjedhojë e një filllimi të mbrapshtë të kësaj qeverie. Është e paranueshme që në Qeverinë e Kosovës të zë vend një ministër si Nenad Rikalo, historia e të cilit lidhet me krime, e që veprimtaria politike e të cilit s'mund të jetë në dobi të shtetit të Kosovës, rrjedhimisht as të qytetarëve serbë që jetojnë këtu.” thekson Vetëvendosje!


Flori Bruqi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...