Ish-kreu i Arkivit në ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi publikon një dokument me drejtuesit e parë të shërbimit komunist në vitin 1945.
Ky model ishte huazuar nga shërbimet jugosllave dhe ishte në varësi të ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare.
Nga jugosllavët, sipas formulave që ata sillnin, nën modelin e OZN-s (Organizacija Zabranja Naroda), u ngrit më 14 dhjetor 1944 struktura kriminale me emër humanitar e quajtur Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit (DMP), në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, në krye të së cilës ishte Koçi Xoxe. DMP përbëhej në qendër nga 4 – 5 seksione të ndarë sipas profileve.
Nën këta vepronin tri SEMP-e (Seksioni i Mbrojtjes së Popullit) si vijon:
-SEMP-i i Tiranës (me Durrësin e Elbasanin) me drejtues Bako Dervishin.
-SEMP-i i Beratit (me Korçën, Gjirokastrën e Vlorën) me drejtues Niko Cetën.
-SEMP-i i Shkodrës (me Kukësin e Peshkopinë) me drejtues Zoi Themelin.
Drejtimi i punës kishte të bënte me zbulimin politik, mbrojtjen e pushtetit, mbrojtjen e ekonomisë, kundërspiunazhin dhe mbrojtjen e ushtrisë. DMP funksionoi deri në prill 1946, kohë kur u formua Drejtoria e Sigurimit të Shtetit në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Përgjatë dy viteve të ekzistencës së saj DMP ishte në krye të operacioneve agjenturiale-operative për goditjen e “elementit reaksionar”, misioneve të huaja në Tiranë, etj.
Në një dokument të vitit 1945 organograma e Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit paraqitej kështu:
-Drejtimi qendror: Nesti Kerenxhi, Vaskë Koleci, Zihni Muço, Josif Pashko. Teme Sejko.
-Byroja e partisë: Kadri Hazbiu – përgjegjës, Mit’hat Poloska, Niko Ceta, Nesti Zoto, Siri Çarçani, Thoma Karamelo.
-Seksioni I: Mit’hat Poloska, Foni Qirko, Kasem Trebreshina, Afërdita Deliana, Skënder Tupe, Kolec Ilia, Ilo Vero, Manushaqe Qadhimi, Edip Çuçi.
-Seksioni II: Niko Ceta, Sokrat Gjini, Hysni Bega, Mihallaq Konda, Emine Pojani, Lutfi Milori, Sotir Dako, Suat Sulo, Uran Avdiu.
-Seksioni III: Nesti Zoto, Andon Deçka, Rakip Dobrolishti, Ali Korbi, Ali Josa, Toto Dervishi, Hysen Reçi, Shyqyri Luga, Isa Aliaj.
-Seksioni IV: Siri Çarçani, Vani Plasari, Llambi Titani, Tili Naçe, Enver Stropani, Ligor Mali, Malo Konea, Sefedin Araniti, Halim Poloska.
-Seksioni V: Thoma Karamelo, Mihallaq Vangjeli, Bujar Dalani, Eqrem Raifi, Teki Qerimi, Lisimak Trëndafili, Ahmet Rustemi, Leksi Kamberi, Sefedin Qerimi.