Prof.Dr. Bardhosh Gaçe: “Studiuesi kroat Milan Shuflaj, qysh
në fillim të shek. XX, tërhoqi vëmendjen e opinionit shkencor evropian me
botimin e punimeve dhe veprave: “Akte dhe
diploma”, “Qytetet dhe kalatë e Shqipërisë,
kryesisht gjatë mesjetës”, “Historia e Shqipërisë së Veriut”, si dhe “Serbët
dhe Shqiptarët”, duke nxjerr në dritë doket e zakonet kulturore të shqiptarëve
që kanë dhënë ndikimet e tyre në jetën e popujve të tjerë të Ballkanit”.
Vjollca TYTYNI - BIRAKU
Emrat më të spikatur të fushës së shkencës dhe kulturës gjuhësore
nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Greqia, Rusia, Maqedonia, Turqia, Italia,
Austria, etj, kanë marrë pjesë për dy ditë me radhë në Konferencën Ndërkombëtare
Ballkanike me temë “Harta e drejtimeve të
Ballkanit: peizazhe letrare, kulturore dhe gjuhësore”, (“Mapping Balkan routes: letarary, cultural and linguistic landscapes”),
mbajtur në qytetin e Vlorës. Kjo temë kishte një rëndësi të veçantë, për faktin
e prurjeve shkencore rreth studimit të gjuhëve të Ballkanit, kontakteve,
konfliktit midis gjuhëve, (siç është shqipja, serbishtja, serbokroatishtja…),
ndikimeve, marrëdhënieve, huazimeve sllave, zhvillimeve leksiko-semantike, frazeologjizmave etj, e poashtu edhe të studimit rreth
tipareve në fushën e semantikës të secilës gjuhë, duke u thelluar edhe më tej në
theksimin e modelit të gramatikës universale dhe asaj gjenerative.
Rektori i Fakultetit të Shkencave Humane të Universitetit të
Vlorës, Roland Zisi, në hapje të konferencës, potencoi rëndësinë dhe vlerat që
ka organizimi i kësaj konference, e cila veç tjerash, synon të hedhë dritë mbi
gjuhën, kulturën, marrëdhëniet, bashkëjetesën dhe fqinjësinë historike të
popujve ndërballkanas.
Në fjalimin e tij, akademik Shaban Sinani, paraqiti studime të
hollësishme të marrëdhënieve gjuhësore të shqipes dhe serbishtes. Në studimin
me temë: “Disa vrojtime antropogjuhsore për
ndërveprimin e shqipes me gjuhët në kontakt: rasti i serbishtes”, ai theksoi
traditën e gjatë të studimeve në këtë fushë, ndonëse, ndjehet mangësi në
aspektin sasior roli dhënës dhe marrës i dy gjuhëve në kontakt”. “Në anën tjetër,
apo në të kundërt të kësaj, -theksoi akademik Sh. Sinani, -vrojtimet
antropogjuhësore, kanë mundësuar të vërehet prania e frymës së njërës gjuhë tek
tjetra, siç janë urimet, mallkimet, vajtimet e deri te “kopjimi i gabimit” të
gjuhës tjetër”. Këto kërkime prej kapërcimit nga etnogjuhësia në antropogjuhësi
nga ana metodologjike, akademik Shaban Sinani i konsideroi ‘emancipuese’.
Një pasqyrim të gjendjes së mësimdhënies së gjuhës shqipe jo
vetëm në Serbi por edhe në disa vende të Ballkanit, përmes temës shkencore “Mësimdhënia e gjuhës shqipe si gjuhë e
pakicës kombëtare” e solli prof. Danica Avramoviç, nga Universiteti i
Beogradit, e cila potencoi gjendjen aktuale të mësimdhënies si dhe elementet
pozitive dhe negative në përfshirjen e mësimdhënies në rrjedha bashkëkohore. Ajo tha se: “Për këtë punim kemi bërë një
anketë modeste në Katedrën e Albanologjisë në Fakultetin Filologjik të
Beogradit, ku studentët janë pyetur për cilësinë e mësimdhënëies në këtë katedër.
Sipas të dhënave të marra nga anketimi, mbizotëron paknaqësi, por edhe ide për
përmirësimin e mësimdhënies”.
Në studimin e tij “Disa
konkordanca ndërballkanike në trashëgiminë shpirtërore”, prof.dr. Roland
Zisi ka vënë në fokus trajtimin e ndjeshëm dhe aktual që paraqet përfytyrimin e shtrembër se “në Ballkan nuk mund të ketë përbashkësi
kulturore”. Këtij kundërfakti, prof.dr. R. Zisi i vë argumentin se: “Në këtë
rajon, ku popujt jetojnë ‘supi i njërjit nën sqetull të tjetrit’, bashkëjetojnë
edhe sot tre alfabete: i latinishtes, i greqishtes dhe alfabeti cirilik”. Këtë
argument ai e përforcon edhe me tej me faktin se: “Konkordancat ndërballkanike
në trashëgiminë shpirtërore prekin jo vetëm atë që quhet “lidhje gjuhësore
ballkanike”, por edhe korpuset kryesore të traditës gojore, eposin heroik dhe
atë historik, ritet,…, historinë politike dhe atë shoqërore, letërsinë dhe
artet”.
Një studim të thellë rreth marrëdhënieve shqiptaro-serbe
paraqiti prof.dr. Bardhosh Gaçe. Në studimin e tij me temë “Milan Shuflaj dhe vepra e tij ‘Serbët dhe Shqiptarët’”, prof. dr.
B. Gaçe, u bazua në studimin e veprës shkencore të dijetarit dhe studiuesit
kroat Milan Shuflaj, i cili nxorri në dritë jo vetëm marrëdhëniet e përbashkëta
të popujve të Ballkanit, por edhe historinë dhe kuturën mesjetare. “Studiuesi
kroat Milan Shuflaj, -tha në kumtesën e tij prof.dr. Bardhosh Gaçe, -i ka bërë
një shërbim të veçantë kulturës shqiptare. Qysh në fillim të shek. XX, ai tërhoqi
vëmendjen e opinionit shkencor evropian me botimin e veprës “Akte dhe diploma”,
dhe më pas një varg artikujsh dhe
studimesh mbi botën kulturore, ilirike dhe arbërore. Në këtë hulli janë edhe
veprat dhe punimet e tij “Qytetet dhe kalatë e Shqipërisë, kryesisht gjatë
mesjetës”, “Historia e Shqipërisë së Veriut”, si dhe “Serbët dhe Shqiptarët”, në
të cilat M. Shuflaj nxjerr në dritë mjaft doke e zakone, të cilat kanë një
shtresë kulturore të veçantë të shqiptarëve që kanë dhënë ndikimet e tyre në
jetën e popujve të tjerë të Ballkanit”. Në përfundimin të referëncës së tij
shkencore prof.dr. B. Gaçe theksoi se “Në tërësi, vepra shkencore e dijetarit
Milan Shuflaj nxjerr në dritë etnitetin etnokultutror dhe rrënjët e lashta
autoktone të shqiptarëve në rrjedhat e shekujve duke përcaktuar mjaft elemente që
kanë ndikuar në jetën e popujve të Ballkanit”.
Prof. dr. Nexhip Merkuri dhe Elira Xhakollari dhanë ndihmesën
e tyre përmes temës shkencore: “Tiparet e
interpretueshme të sintagmës emërore (SN) tek fjalët e urta të Ballkanit”. Ndërlidhur
me këtë, prof.dr. N. Merkuri tha se: “Ndërtimi i mesazheve nga breza të ndryshëm
në ndarjen gjeografike në gjuhët e Ballkanit këndvështrohet për tiparet
interpretuese të sintagmës emërore (SN). Krahasimi realizohet në gjuhët:
rumanisht, bullgarisht, maqedonisht, serbokroatisht, si ndërtime shumë
shekullore, duke zgjedhur një kampion për të gjitha gjuhët, saktësisht, mbi 40
fjalë të urta të madhësive: fjali e thjeshtë, periudhë”. Ndërlidhur me këtë
studim, prof.dr. N. Merkuri potencoi se: “Tiparet semantike të secilës gjuhë të
marrë në karahasim janë universale, ndërsa leksemat e ndryshme si ndërtuese të
sintagmës emërore ndryshojnë nga njëra gjuhë tek tjetra, duke shfaqur kështu
risitë, prirjet gjuhësore të kultivuara në bazë të rrethanave të ndryshme
historike. Ndërsa, afërsia gjeografike ka sjellë edhe afri, huazim dhe risi të
dallueshme për kokën e sintagmës emërore dhe përcaktuesit e saj apo
komplimentit”.
Një studim të thuktë rreth huazimeve sllave në gjuhën shqipe
paraqiti prof.dr. Evis Hudhera e cila i dha një shpjegim shqyrtimit tërësor të
sllavizmave në shqipen standarde, të pasqyruara në fjalorët shpjegues të
shqipes, kryesisht në fjalorin e 1980-ës dhe 2006-ës. Vëzhgimin krahasues mbi
zhvillimet leksikore e fjalëfomuese të sllavizmave dhe përdorimin e tyre edhe në
ditët e sotme si pjesë e gjuhës standarde, prof.dr. E.Hudhera i përcaktoi në dy
grupe: huazime sllave nga
serbokroatishtja dhe huazimet sllave
nga bullgarishtja, si: baltë, gardh, gatuaj, etj; zhvillmet
leksiko-semantike të fjalëve: bisedë, zakon. etj; zhvillimet fjalëformuese:
kockë-kockor etj.
Në këtë konferencë shkencore, kontribut me punimet e tyre
shkencore dhanë edhe studiuesit e njohur Francesco Altimari nga Universitetit i
Kalabrisë në Itali, Matteo Mandala nga Universiteti i Palermos në Itali, studiues
nga Universiteti i Beogradit: Mirjana Marinkoviq, Julijana Vuço, Jovanka
Lazarevska - Stancevska, etj., Serpil Murtezaoglu, Panajotis Asimopulos, prof.
dr. Ermir Xhindi, prof.dr. Vilma Bello, prof.dr. Migena Balla, prof.dr. Mariglena
Meminaj, prof.dr. Etjona Hoxhaj, prof.dr. Artan Xhaferaj, prof. dr. Edlira
Çerkezi e studiues të tjerë.
Konferencën Ndërkombëtare Ballkanike “Harta e drejtimeve (urave) të Ballkanit: peizazhe letrare, kulturore
dhe gjuhësore”, (“Mapping Balkan routes:
letarary, cultural and linguistic landscapes”) e cila u mbajt për dy ditë në
qytetin e Vlorës, është organizuar nga Fakulteti i Shkencave Humane të
Universitetit të Vlorës dhe Fakulteti Filologjik i Universitetit të
Beogradit.