Prof.Dr.Blerim Reka
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po tregohet si politikan kyç në përcaktimin e rrugës së ardhme për vendin e tij. Ai duhet të vendosë nëse do të mbështetë Perëndimin dhe t’i bashkohet Bashkimi Evropian; apo do të mbështetë Rusinë? Një pjesë e rëndësishme e kësaj vendimmarrje përfshin njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë për të reflektuar këtë.
Politikanëve kryesorë të Serbisë u mungon një qëndrim i unifikuar për çështjen kryesore në lidhje me Kosovën. Presidenti Tomislav Nikoliq, kryeministri Aleksandar Vuçiq dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, të gjithë kanë përgjigje të ndryshme.
“Autonomia për Kosovën” e presidentit Nikoliq nuk është e re, por është joreale. Daçiq propozon “ndarjen e Kosovës”, gjë të cilën bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë e as nuk do të pranohet nga shqiptarët. Kryeministri Vuçiq sugjeron ‘normalizim’- në vend të njohjes së Kosovës. Por propozimi i tij është i paqartë, sepse ai nuk specifikon nëse kjo përfshin de facto ose de jure njohjen e Kosovës.
Por se paku tri propozimet të paktën nuk e pranojne që Kosova e 2015-s ka ndryshuar që nga viti 1998.
Dilema tjetër është se si të shmanget bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara, por pa njohur Republikën e Kosovës?
Dilemat e Serbisë paraqiten në një vit vendimtar për Serbinë. Ajo është duke pritur që t’i nisë negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian dhe duhet të vendosë në aspektin gjeopolitik nëse do të rreshtohet kah Perëndimi apo Lindja.
Politikë hibride
Serbia po përballet me tri trysni kryesore gjatë viti 2015: normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Kosovën; bashkangjitja sanksioneve të BE-së kundër Rusisë; dhe dobësimi i linjës së fortë të Serbisë në Republikën Srpska, (Bosnjë e Hercegovinë).
Serbia nuk i ka trajtuar asnjërën nga këto çështje, por ka vazhduar politikën e saj hibride të jashtme, që ka të bëjë me BE-në dhe Rusinë deri kohët e fundit, kur ajo ka lëvizur në drejtim të integrimit evropian dhe marrëdhënieve më të ngushta me Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Nikoliq ka thënë në maj 2015 se gazsjellësi i propozuar i Rusisë nëpër Turqi, nuk do të kalojë nëpër Serbi. Kryeministri Vuçiq tha se Serbia nuk do të varet nga gazi rus, por do të konsiderojë përdorimin e burimeve të ndryshme të energjisë. Mediet në Azerbajxhan njoftuan në qershor se Serbia mund të bëhet pjesë e gazsjellësit azerbajxhanas Trans-Adriatik (TAP).
I dërguari special i Amerikës për Energjinë, Amos Hochstein, ka kërkuar edhe nga Greqia që të heqë dorë nga pjesëmarrjen e saj në gazsjellësin rus dhe ta mbështesë TAP-in.
Gazi rus
Gazsjellësi i propozuar i Rusisë nëpër Turqi mund të deshtoj, ashtu sikur paraardhësi i tij:”Rrjedha e Jugut”, (në vitin 2014).
Kjo do të ndryshojë gjeopolitikën e Ballkanit në tërësi, duke e orientuar rajonin, duke përfshirë Serbinë, drejt komunitetit euro-atlantik.
Nëse përpjekja e dytë e Rusisë për të shitur gazin e saj në tregun e BE-së dështon, ajo do t’u kthehet tregjeve në Lindjen e Largët, veçanërisht në Kinë. Kjo është arsyeja pse Ballkani, veçanërisht Serbia dhe Maqedonia, janë të rëndësishme për rajonin dhe për gjeopolitikën e përgjithshme.
Rëndësia gjeopolitike e Serbisë mund të jetë arsyeja pse kryeministri i saj vizitoi SHBA-në më 3 qershor – politikani i parë serb që pranoi një vizitë shtetërore pas më shumë se 20 vjetesh. Tri pikat kryesore – stabiliteti rajonal, energjia dhe dënimi për kriminelët që vranë tre shqiptaro-amerikanët – ishin diskutuar.
Kushtet e Gjermanisë
Vizita e kryeministrit Vuçiq ka pasuar shkuarjen e tij në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, ku ai ishte kryeministri i parë serb që vizitonte këtë shtet pas 70 vjetësh.
Vuçiqi do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, në Bruksel, në raundin e ardhshëm të ‘dialogut të Brukselit’, para takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel në Beograd, (më 8 dhe 9 korrik). Pritet që Angela Merkel t’ia rikujtojë atij se qëndrimi i Gjermanisë është se nuk do të ketë fillim të negociatave për anëtarësim me BE-në, nëse Serbia nuk do të ketë marrëdhënie normale me Kosovën, që përfshinë atë që Serbia të mos e bllokojë e anëtarësimin e Kosovës në OKB. Asnjë nga këto nuk janë risi për Serbinë. “11 kushtet” e Gjermanisë janë bërë publike në medie në vitin 2014. Kjo do të thotë zbatim të plotë të Marrëveshjes së Brukselit (të vitit 2013), të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Njohja e Kosovës
Gjermania insiston që Serbia duhet të trajtojë së pari çështjen e njohjes së Kosovës. Top- diplomatja e BE-së, Federica Mogherini, e bëri këtë të qartë gjatë vizitës së saj të fundit në Beograd.
Pyetja mbetet, se si do t’i trajtojë Serbia këto kushte?
Nuk ka zgjidhje të lehta. Nëse Serbia nuk i përmbush kushtet e BE-së, perspektiva e saj e negociatave për anëtarësim në BE në vitin 2015 do të jetë e paqartë. Presidenti i Serbisë, Nikoliqi e di se kjo është një kërkesë e qartë që Beogradi ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kryeministri Vuçiq beson se BE-ja kërkon vetëm që marrëdhëniet me Kosovën të normalizohen.
BE-ja nuk e ka kërkuar në mënyrë eksplicite njohjen e Kosovës nga Serbia deri në 2014-n. Deri atëherë, ajo kishte kërkuar vetëm‘normalizim’ të marrëdhënieve bilaterale midis tyre. Por, ndryshimi u sqarua në fillim të 2015-s me dy kushtet kryesore: zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Brukselit dhe ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë, heqja e dispozitës, e cila e njeh Kosovën si pjesë të Serbisë.
Bisedimet në Bruksel
Në dialogun e parë në Bruksel, më 9 shkurt, u arrit marrëveshja për drejtësi në veri të Mitrovicës. Ato do të vazhdojnë më 23 qershor, pas një vonese të gjatë. Por marrëveshja mbi gjyqësorin është e pamjaftueshme për të hapur kapitullin 35 mbi Kosovën për negociatat e pranimit të Serbisë me BE-në.
Janë të paktën gjashtë obligime më shumë që rrjedhin nga Marrëveshja e Brukselit, të cilat nuk janë përmbushur deri më tani. Këto përfshijnë: asociacionin e komunave serbe, një kod telefonik për Kosovën, energjinë, vendkalimet e përhershme kufitare, arritja e marrëveshjes për Mbrojtjen Civile në veri dhe hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Kushti i dytë është shumë më i vështirë për Serbinë. Presidenti i Serbisë, Nikoliq është i vetmi politikan serb që e kuptoi këtë. Ai tha, “Unë kam dëgjuar mirë: Kosova është kusht për pranimin në BE. Ata do të na bëjnë thirrje për të njohur Kosovën për t’iu bashkuar BE-së dhe të nënshkruajmë një marrëveshje detyruese me Kosovën”.
“Plani i ri”
Kjo është konfirmuar nga presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, e cila ka thënë: “Serbia duhet të njohë Kosovën”’. Rumania dhe Greqia kanë njoftuar se do të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre për njohjen e Kosovës, që më parë kanë refuzuar ta bëjnë këtë.
Presidenti serb, Nikoliq ka propozuar një referendum për Kosovën në vitin 2015. Ai ka premtuar të japë dorëheqjen në qoftë se shumica në Serbi voton për të njohur Kosovën. Ai ka publikuar një “Plan të ri për Kosovën”, për të ndaluar njohjen dhe ka paralajmëruar një ofensivë të re kundër mbështetjes për njohjen. Propozimi i tij për statusin përfundimtar të Kosovës do të thotë: ‘autonomi për serbët në Kosovë në kuadër të një autonomie të gjerë të Kosovës nën Serbi’. Por Ministri i Jashtëm i Serbisë, Daçiq dhe politikanë të tjerë e shohin këtë propozim si joreal.
Serbia mund të tentoj ta përdorë referendumin si një mjet për të vonuar procesin e njohjes. Mirepo, përfundimi më realist i lojës është që Kosova të del nga Kushtetuta e Serbisë.
Ndryshimet kushtetuese
Kryeministri i Serbisë, Vuçiq ka thënë se preambula e Kushtetutës do të ndryshohet dhe dispozita e cila e mban ‘Kosovën nën Serbi’ do të fshihet. Serbia e ka humbur sovranitetin e saj mbi Kosovën në vitin 1999.
Ai e di se Serbia nuk mundet ende të hapet, t’i konkludojë vetë negociatat e pranimit me BE-në pa e ndryshuar Kushtetutën e saj, e cila përfshin Kosovën si pjesë të Serbisë.
BE-ja nuk do të pranojë një situatë të re në një anëtar të ri si Qiproja, ku kufijtë janë të paqartë dhe të papërfunduar dhe është një konflikt i ngrirë. Kjo do të sigurojë që Serbia ta legalizojë statusin e shtetit normal para përfundimit të procesit të negociatave për pranim.
Serbia duhet të pranojë se nuk ka pasur kontroll ndaj Kosovës për16 vjet dhe se Kosova shpalli pavarësinë shtatë vjet më parë dhe tani është njohur nga 109 vende anëtare të OKB-së.Kosova tani është anëtare e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe 35 organizatave ndërkombëtare, dhe ka aplikuar për t’u bërë anëtare e UNESCO-s dhe Këshillit të Evropës.
Ajo çka është e rëndësishme, është se ndryshimet kushtetuese në Serbi, do e bëjnë Serbinë si një vend normal me kufij të përcaktuar dhe pa asnjë konflikt të brendshëm. Kjo është arsyeja pse BE-ja po përdor me kujdes shprehjen ‘normalizimin’ i marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje.
Rusia, duke pranuar se pavarësia e Kosovës nuk cenon integritetin territorial të Serbisë, do të humbë argumentin e saj të fundit për të bllokuar aplikimin e Kosovën për anëtarësim në OKB.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin përsëriti në vitin 2014 se në qoftë se komuniteti ndërkombëtar njeh të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, atëherë pse të mos e bëjë të njëjtën gjë edhe për Krimenë?
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ishte i pari lider i lartë shtetëror amerikan që vizitoi Rusinë për dy vjet, kur ai bisedoi në Soçi me Putinin dhe ministrin e tij të Jashtëm, Sergei Lavrov, në maj 2015. Kerry i bëri thirrje Rusisë që ta zbatojë plotësisht ‘marrëveshjen Minsk- 2’ për Ukrainën Lindore. Por, për herë të parë, nuk u tha asnjë fjalë për Krimenë.Ka spekulime se Kerry diskutoi për një lloj balance që përfshinë Krimenë dhe Kosovën në bisedimet e tij në Soçi, pasi qe Putini kishte krahasuar dy rastet në vitin 2014.
Lavrov vizitoi Beogradin një ditë pas vizitës së Kerry në Rusia dhe një muaj përpara se kryeministrit serb ta vizitonte Uashingtonin. Lavrov mohoi të jetë bërë ndonjë marrëveshje për Kosovën dhe Krimenë, por pyetja mbetet se pse ai bëri një vizitë të paplanifikuar në Beograd menjëherë pas bisedimeve Kerry-Putin në Soçi?
Përgjigjja mund të jetë se Serbia i ka kërkuar Rusisë të mos bllokojë aplikimin e Kosovës në OKB dhe se i njëjtë mesazhi është kuptuar që i është dhënë nga Angela Merkel, kryeministrit të Serbisë, Vuçiq.
Zgjedhje e vështirë
Është e qartë se kryeministri i Serbisë kohët e fundit ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj Perëndimit dhe ka zbutur qëndrim ndaj Kosovës. Ai është i vetmi zyrtar serb i cili u takua me tri figurat kyçe botërore brenda një muaji: ministrin e Jashtëm të Rusisë, Lavrov; zyrtarët të ShBA-së dhe kancelaren e Gjermanisë, Merkel; sikur edhe dhe me dy figurat kryesore shqiptare:Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa (në fund të qershorit). Kjo tregon se ai mund të jetë politikani kryesor serb për të vendosur mbi ndryshim historik në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
Ai përballet me një zgjedhje të vështirë të mbetur jashtë BE-së me Kosovën dhe Rusinë; ose në BE pa Kosovën apo Rusia. Ai ka të ngjarë të zgjedhë për t’u bashkuar me BE-në. Qëndrimi zyrtar i Serbisë do të ndryshojë në vitin 2015, duke filluar me Kushtetutën, dhe pastaj me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kjo do të jetë skenar i favorshëm.
E kundërta do të ishte që Serbia të vazhdojë të dështojë që ta njohë realitetin e ri në Kosovë, që ekziston që nga viti 1999. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është e një rëndësie kyçe për stabilitetin e Ballkanit dhe sigurinë evropiane.
Nuk do të ketë paqe në Ballkan, pa pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve.
Skenarët
1. Serbia përballet me vendim te veshtira në vitin 2015, në rrugën e saj për anëtarësim në BE. BE-ja dhe ShBA-ja nuk do të tolerojë më politika e dyfishtë të Serbisë. Serbia duhet të zgjedhë: ose të qëndrojë me Rusinë; ose ta zgjedhë BE-në. Serbia pritet ta zgjedhë BE-në.
2. Serbia e ka humbë Kosovën de facto; në vitin 2015 edhe de jure me ndryshimet kushtetuese, për shkak se BE-ja nuk do t’i hapë negociatat e pranimit me Serbinë pa normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën. Pa normalizimin e marrëdhënieve, Serbia do ta humbë mbështetjen amerikane.
3. Serbia mund të përpiqet që të shtyjë ndryshimin e Kushtetutës me mbajtjen e një referendumi mbi Kosovën. Por kjo nuk do të ndalë lojën me përfundimin më realist, duke e shlyer Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë.
4. Normalizimi i marrëdhëniet Kosovë-Serbi do të ketë një ndikim pozitiv në stabilitetin e Ballkanit dhe do të ndryshojë gjeopolitikën rajonale. Paqja në mes të shqiptarëve dhe serbëve – dy kombet më të mëdha në Ballkan – do të thotë paqe për të gjithë Ballkanin.
5. Trysnia ndërkombëtare mbi Serbinë do të thotë se nuk do të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, edhe në qoftë se nuk e njeh Republikën e Kosovës.
Fakte për Kosovën
• Kosova ishte pjesë e ish-Jugosllavisë në bazë të Kushtetutës së saj 1974, por statusi i saj federal u shfuqizua në vitin 1989 nga presidenti serb, Slobodan Milosheviq, i cili krijoi një sistem të aparteidit, në vitet 1989-1999, ku pakica serbe prej pesë për qind sundonte 95 për qind të shqiptarëve
• Shqiptarët filluan luftën për të çliruar Kosovën nga Serbia në vitet 1998-1999. Serbia ka vrarë 13. 000 shqiptarë të Kosovës dhe me spastrim etnik dëboi 850. 000 shqiptarë nga Kosova. NATO-ja intervenoi kundër Serbisë për të parandaluar një katastrofë njerëzore nëmars1999. Kosova njoftoi në vitin 2015 se do të padisë Serbinë për gjenocid në Kosovë
• Misioni i Administratës Ndërkombëtare në Kosovë (UNMIK), ishte themeluar në qershor të vitit 1999, si një fazë kalimtare deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës
• Pavarësia e Kosovës është shpallur në 17 shkurt 2008. Republika e Kosovës është njohur nga 109 vende anëtare të OKB-së, dhe është anëtare e disa organizatave të mëdha ndërkombëtare, duke përfshirë Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar
• Tri raunde të negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë në vitin 1999, 2005-2007 dhe 2011-2012 kanë dështuar
• BE-ja ndërmjetësoi negociatat mes dy ish-armiqve, me arritjen e Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013 – e para marrëveshje ndërkombëtare e nënshkruar në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo ende nuk është zbatuar plotësisht