Fatos Lubonja , lindi në Tiranë në vitin 1951, është humanist dhe shkrimtar shqiptar.
Mbaroi studimet për fizikë në vitin 1974 në Universitetin e Tiranës.
U akuzua dhe arrestua për shkrimet që iu gjetën të fshehura, për agjitacion dhe propagandë kundër regjimit dhe për to u dënua 7 vite burgim.
Në vitin 1979 u arrestua sërish dhe u dënua sërish edhe 16 vite të tjera burgim, me akuzën si pjesëtar i një organizate kundër revolucionare. Nga burgu u lirua në vitin 1991, pas shtatëmbëdhjetë vitesh burgim.
Nga koha e lirimit gjer në vitin 1993 punoi si sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Në vitin 1994 themeloi revistën "Përpjekja". Në vitin 1997 u zgjodh lider i Forumit për Demokraci.
Botime
"Në vitin e shtatëmbëdhjetë", 1994
"Ploja e mbrame", 1994
"Ridënimi", 1996
"Liri e kërcënuar"
"Trashëgimia kulturore e Shqipërisë në rrezik", 1999
*****
Lubonja është ngacmuar për këtë analizë nga një shkrim i para ca ditëve te revista Monitor, sipas së cilës Shqipëria ka 235 metra katrorë sipërfaqe qemdrash tregtare për çdo 1000 banorë, duke kaluar vende të zhvilluara si Gjermania, Spanja, Italia e Franca.Në shkrim theksohej fakti se dyshja Rama-Veliaj po japin një bum lejesh ndërtimi për kulla dhe qendra të reja tregtare dhe kjo mund të rezultonte në flluska piramidale të rrezikshme për ekonominë shqiptare, kur disa qendra tregtare duket se kanë falimentuar, ndërsa për lejet e banimit risilleshin deklaratat e Veliajt për asnjë ndërtim të ri në qytet.
Lubonja e çon më tej analizën e tij kur shkruan se ky është një projekt paradoksal dhe duhet analizaur thellë.
‘Si ka mundësi që në një kohë që shqipëria sa vjen e boshatiset e varfërohet në blerje, ndërton gjithnjë e më shumë sipërfaqe shërbimi për njerëzit. Kaq budallenj qenkan të ashtuquajturit investitorë sa i kthejnë para kot në çimento?’ – shkruan Lubonja për Panorama.
Sipas Lubonjës nëse thellohesh në hipoteza të besueshme të cilat janë dy, ato janë, njëra më e rrezikshme së tjetra.
‘Hipoteza e parë është se këto qendra tregtare e kulla ndërtohen nga aventurierë që marrin para të madhe borxh nga bankat, një pjesë të të cilave e përdorin për ndërtimin e objekteve, kurse pjesën tjetër e fusin në xhepat e tyre. Pas kësaj, ata mund të shpallin falimentim duke ua lënë bankave objektin që kurrsesi s’do të mund ta shesin me një çmim që të kompensojë shumat që kanë lëvruar. Rreziku në këtë rast është që këtë diferencë ta paguajnë qytetarët nëpërmjet shtetit apo, edhe më keq, nëpërmjet kursimeve të klientëve. Në këtë rast jemi më afër konceptit të piramidave financiare të ‘97-s.’ – shkruan Lubonja.
Lidhur me hipotezën e dytë, Lubonja argumenton se paratë me të cilat po ndërtohen këto kulla e qendra tregtare vijnë nga krimi i organizuar.
‘Hipoteza e dytë është se paratë me të cilat po ndërtohen këtë qendra e kulla nuk vijnë nga bankat, por nga krimi i organizuar, shkurt nga trafikantët e drogës që s’kanë se ku t’i investojnë dhe pastrojnë paratë e pista më lehtë se në Shqipëri.’ – thekson Lubonja më tej.
Lubonja shton se mund të jetë edhe një kombinim i dy hipotezave, por sipas tij peshën më të madhe e ka e dyta, pra paratë për këto ndërtime vijnë nga krimi i organizuar në vend.
‘Mund të kemi të bëjmë edhe me një kombinim të të dyjave, por personalisht besoj se peshën më të madhe në bumin e fundit e ka kjo e dyta. Kjo, së pari duke parë se kanabizimi i Shqipërisë ka arritur nivele rekord dhe, së dyti, pasi bankat, sipas ç’kemi lexuar, janë më të kujdesshme për të dhënë kredi me rrezikun që të kthehen në kredi të këqija.’
Lubonja e vë theksin te fakti se problemi i problemeve është se të dyja variantet nuk mund të realizohen pa bashkëpunim me qeverinë, pasi ajo i jep lejet e ndërtimit pa u shqetësuar as për burimin e parave, as për faktin se kjo është një rrugë zhvillimi e ekonomisë krejt e gabuar.
‘Këta po japin leje ndërtimi gjithandej, edhe në vende nga më të pabesueshmet që dukshëm shëmtojnë peizazhin urban, përveçse shkatërrojnë tokën e bukës dhe zhvleftësojnë vlerën e banesave ekzistuese. Pra, pyetja shtrohet: pse kupola e Partisë Socialiste, pasi na premtoi zero ndërtime në Tiranë është lëshuar në këtë masakër urbane?’
Sipas Lubonjës kjo shpjegohet me faktin se kupola e krimit dhe njerëzit e krimit rreth saj, janë të paaftë që të ndërtojnë një ekonomi të shëndoshë dhe duan të qëndrojnë në pushtet në sajë të parave të krimit.
‘Për Edi Ramën & Co nuk ka rëndësi se kjo e ashtuquajtur “rritje” nuk është gjë tjetër, veçse rritja e një tumori që po pushton gjithnjë e më shumë trupin e shëndoshë të vendit, as se po u hapin gjithnjë e më shumë dyert e ekonomisë dhe të pushtetit njerëzve të krimit me rreziqe të jashtëzakonshme për demokracinë. Ata kanë llogaritur se kjo para e pisët do të vërë sidokudo në qarkullim ekonominë, do të punësojë ca njerëz, do të shpërndajë ca para. Sigurisht, pa harruar paratë që fusin vetë në xhep, si dhe ato që duhen për propagandën brenda dhe jashtë vendit për të mbuluar krimin që po kryhet.’
Në fund Lubonja kritikon opozitën që nuk reagon për këto projekte të Ramës duke i lënë “dorë të lirë” për të bërë gjithçka ka planifikuar.
‘Çuditërisht, opozita që deri dje ulërinte për njerëzit e krimit në Parlament, nuk është dukur të reagojë për këtë projekt, i cili qëndron në thelb të asaj se pse u mbush Parlamenti me njerëz të krimit. Duket sikur shqiptarët kanë shtypur butonin që i kalon në gjendjen e nënshtrimit total ndaj së keqes, si në kohën e diktaturës, dhe po presin Mesinë të vijë t’i shpëtojë. Kjo është një ëndërr nga e cila duhet të zgjohen sa më parë’.