Të dy librat publicistikë të Veton Surroit janë përkthyer shpejt nga gjuha shqipe në atë serbe, marrë parasysh rrethanat tona botuese. “Këmbët e Gjarprit”, dorëshkrimi i përfunduar në maj të vitit 2014, i botuar po atë vit, dhe “Ambasadori dhe shënime të tjera heretike”, i kryer në maj të vitit 2015, i botuar në shqip të njëjtin vit, po ashtu, janë botuar në Serbi një vit më vonë (botuesi: Samizdat B92).
Në të dy librat, në mënyrë dominuese në fokus janë rrethanat politike dhe shoqërore në Kosovë. Në shkrimet e veta, Surroi përfshinë më pak periudhën gjatë apo nga fundi i viteve '90 të shekullit të kaluar, e shumë më shumë periudhën pas largimit nga Kosova të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore civile dhe ushtarake të Serbisë.
Edhe pse Parlamenti i Kosovës në vitin 2008 e shpalli pavarësinë e Republikës së Kosovës, Surroi Kosovën e sheh si një protektorat të UNMIK-ut. Në librin “Këmbët e Gjarprit”, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ia mohon të tri elementet e emërtimit të saj, duke iu kthyer në mënyrë kritike liderit joformal të UÇK-së dhe kryeministrit të mëparshëm kosovar, Hashim Thaçit.
Këta dy shembuj flasin tiparin qenësor të të dy librave të Veton Surroit, për polemicitetin dhe subversivitetin e tyre, nëse subverzivitetin e kuptojmë si mohim radikal të mendimeve të ngulitura apo kanonizuara. Autori preferon termin heretike) nëntitulli i librit “Këmbët e Gjarprit” është “shënime heretike” dhe ajo sintagmë do të gjendet në titullin e librit të dytë).
Se autori ka pasur të drejtë kur e ka përzgjedhur këtë term, tregojnë reagimet drastike pas daljes së librit “Këmbët e Gjarprit”, të cilën pjesëtarë të UÇK-së nga Ferizaj e dogjën në qendër të këtij qyteti, sepse “në dritën më të keqe flet për luftën e UÇK-së dhe pjesëtarët e saj”.
Privatizimi i shtetit të ri
Për Veton Surroin shteti bashkëkohor kosovar është i pakryer, demokratikisht jofunksional, i privatizuar, partiakisht “patrimonial”, ndërsa jetesa në shoqërinë kosovare është pa perspektivë, ashtu që motivon valët e migrimeve masive në BE, dhe sipas numrit të emigrantëve (ilegalë) Kosova bën pjesë në grupin e shteteve ku ka luftë (Siri, Irak, Afganistan).
Surroi shfrytëzon shprehjen e Fukujamës të patrimonisë për të shënjuar “shtetin e trashëgimisë” apo shtetin tradicional, në të cilin njerëzit që punojnë në administratën shtetërore, përgjithësisht, në sektorin publik, përkrahin liderin e vet politik përmes “rrjetit të miqve dhe familjeve që përfitojnë dobi materiale në shkëmbim për luajalitetin politik” (Ambasadori, 94). Në shtetet patrimoniale, në të cilat bën pjesë edhe Serbia, në kushtet e shkallës së lartë të papunësisë (posaçërisht të të rinjve) dhe shkallës së ulët të aktiviteteve të reja ekonomike, është krijuar një zinxhir i mbyllur i shërbimeve të ndërsjella jolegjitime dhe të pamoralshme.
Vetë përftimi i punës është kushtëzuar nga luajaliteti i dëshmuar partiak apo forma të tjera të nepotizmit, dhe jo me arsim, ekspertizë apo përvojë të punës. Një shtet i tillë jodemokratik dhe partiak, në radhë të parë për shkak të interesave të elitave politike në pushtet, me kohë bëhet i hapur për modele të organizimit politik që është alternativë e demokracisë liberale, përkatësisht për joshjen nga ekstremizmi fetar.
Ndër këto rreziqe në Kosovë, sipas Surroit, janë: putinizmi (në veri të Kosovës), që këtu shënjon jo vetëm modelin autoritar të pushtetit, por edhe qëllimin gjeostrategjik të Rusisë me destabilizimin e rrethanave lokale të vështirësohet apo të pengohet afrimi i vendeve të caktuara te Bashkimi Evropian dhe pakti NATO; neoosmanizmi, si lidhje politike, arsimore, mediale, ekonomike, etj., i Kosovës me institucionet e Turqisë së Erdoganit dhe islamizmin radikal në formën e lëvizjes talebane dhe projektit të shtetit të ISIS-it, që viteve të kaluara ka inspiruar disa qindra të rinj nga Kosova që t’i bashkohen.
Veton Surroi nuk ka dyshim që fajtori kryesor për gjendjen ekzistuese është Hashim Thaçi dhe partitë politike, që janë formuar nga ish-liderët e UÇK-së, përkatësisht ai model i sundimit vullnetar-korruptues që është krijuar pas vitit 1999. Kritika e Surroit për Thaçin dhe elitën e re politike kosovare ka disa nivele. Në nivelin e parë, Surroi kritikon jo aq rolin që UÇK-ja kishte gjatë luftës në Kosovë më 1998/99, sa faktin që UÇK-ja pas luftës e ka mistifikuar dhe mitologjizuar rolin e vet.
Me këtë është legjitimuar shfaqja e një elite të re politike, e cila në ulëset e deputetëve dhe kolltuqet e ministrave ka hyrë nga uniformat maskuese. Për Surroin është përtej diskutimit që intervenimi i forcave të NATO-s e ka çliruar Kosovën dhe jo, sipas mendimit të tij, veprimi modest dhe jo fort i suksesshëm i UÇK-së. Por Surroi e sheh krijimin e UÇK-së si fenomen pozitiv, që ka shënuar kalimin prej fazës së rezistencës paqësore ndaj Serbisë së Milosheviqit në fazën e rezistencës së armatosur dhe vetëmbrojtjes së qytetarëve të Kosovës.
Për Surroin, UÇK-ja ka pasur rolin e katalizatorit të intervenimit të jashtëm, që do të thotë se UÇK-ja “e ka përshpejtuar çlirimin, por nuk ka marrë pjesë në të” (Këmbët e Gjarprit, 60). Nga ana tjetër, Surroi e përshkruan procesin e luftës për pushtet e cila në skenën politike kosovare është iniciuar me shfaqjen e UÇK-së, liderët e së cilës kanë treguar pretendimet për pushtet para dhe posaçërisht pas intervenimit të NATO-s.
UÇK-ja bëhet konkurrente e suksesshme e nismëtarit të rezistencës së pafrytshme paqësore, liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugovës, i cili në vitet ’90 gëzonte besimin e pakushtëzuar të shqiptarëve në Kosovë si udhëheqës nacional.
Në planin simbolik, UÇK-ja Rugovës ia nxjerrë si kundërpeshë Adem Jasharin, të cilin forcat speciale serbe e vranë në mars të vitit 1998, në shtëpinë e tij, bashkë me 56 anëtarë të familjes së tij. Me këtë, Jashari u shndërrua në simbol të rezistencës dhe sakrificës heroike për Kosovën e pavarur.
Në themelin e mitit që UÇK-ja bashkë me NATO-n e ka çliruar Kosovën dhe me mbështetje të fortë simbolike në personalitetin e “komandantit legjendar” Adem Jasharit, posteri i të cilit sot qëndron në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në qendër të Prishtinës (dikur Salla “Boro e Ramizi”), dhe sipas të cilit është emërtuar edhe aeroporti i Prishtinës, trashëgimtarët politikë të UÇK-së kanë marrë rolin qendror në skenën politike kosovare. Vetë Hashim Thaçi ishte së pari kryeministër i Qeverisë së Kosovës, më 1999-2000, e nga fillimi i vitit 2008 deri në fund të vitit 2014 kryeministër i Kosovës së pavarur, që është periudha kur Surroi nisi shkrimin e librave të tij publicistikë.
Ndërrimin e elitave shoqërore në Kosovë e ka karakterizuar revolucioni, jo evolucioni, ndërsa sundimin e elitave të reja dominimi i interesit privat dhe partiak dhe jo sundimi i ligjit, si dhe sundimi jashtë institucioneve politike, marrëveshjet e dëmshme ekonomike, dhuna dhe likuidimet politike, presionet ndaj sistemit të drejtësisë.
Surroi posaçërisht shkruan për rrëmbimin e pronës serbe dhe asaj shoqërore, dhe likuidimin e serbëve që kanë mbetur të jetojnë në Kosovë pas tërheqjes së ushtrisë, policisë dhe autoriteteve civile serbe, si dhe të shqiptarëve që ishin pjesëtarë të shërbimeve të dikurshme të sigurimit dhe kundërshtarëve politikë. Autori e përmend si më treguesin shënimin e Fondit beogradas për të Drejtën Humanitare, që thotë se pas vitit 1999 në Kosovë janë vrarë 1.149 qytetarë (“Ambasadori…”, 46).
Në atmosferë të tillë ndodhi edhe marrja e sistemeve të mëdha publike dhe ndërmarrjeve të suksesshme siç ishin “Kosovapetroli”, televizioni publik, Elektroekonomia e Kosovës, Aeroporti…, përkatësisht ndodhi realizimi i projekteve të tilla strategjike sikur që ishte autostrada Prishtinë-Tiranë, ndërtimi i pjesës kosovare të së cilës ishte kosto joracionale prej rreth një miliard dollarësh.
Po ashtu, siç shkruan Surroi, në atmosferë të tillë ishte e mundur që Bajrush Xhemajli, kryetar i Komunës së Ferizajt, që shkaktoi një aksident trafiku në të cilin u vra një i ri, të pengojë drejtësinë për pesë vjet apo që biznesmeni i larmishëm Behgjet Pacolli të bëhet president i Kosovës, zgjedhja e të cilit u anulua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Sami Lushtaku, kryetar i Komunës së Skenderajt, do të mundë të ngrejë për kravate një gjykatës që gjykoi se ish-lokali i ndërmarrjes “Beko”, të cilin Lushtaku e kishte uzurpuar me dhunë, t’u kthehet pronarëve të mëparshëm serbë, derisa Xhabir Zharku, kryetar i Komunës së Kaçanikut, do të mundë të financojë nga buxheti komunal mbjelljen e palmave rrëzë maleve të Sharrit, të cilat shumë shpejt u thanë.
Madje edhe Gjykata Kushtetuese u tregua se nuk ndjek gjithmonë parimet e paanshmërisë dhe ligjshmërisë në punën e vet. Pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2014, Gjykata Kushtetuese e zgjodhi krizën politike, ashtu që, me interpretimin e saj e relativizoi dispozitën kushtetuese, sipas së cilës Qeverinë mund ta formojnë partitë që mbledhin shumicën e deputetëve në Kuvend, dhe që në mesin e tyre patjetër duhet të jetë edhe partia që fitoi më së shumti vota. Një vendim i tillë ishte në dobi të partisë së Thaçit.
Pengesat dhe perspektivat
Veton Surroi përmend tri data në gjysmën e dytë të shekullit 20 si kyç për mëvetësinë e Kosovës: 1945, fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe rregullimin e ri të brendshëm të Jugosllavisë socialiste; 1990, shpërbërjen e RSFJ-së dhe perspektivën kosovare në Evropë pas rënies së Murit të Berlinit, dhe 1999, si vit në të cilin de facto përfundon administrimi serb i Kosovës, i vendosur më 1912, në Luftën e Parë Ballkanike.
Pranimin nga komunistët shqiptarë të Kosovës i autonomisë kosovare në kuadër të Republikës së Serbisë, Surroi e sheh si zgjedhje e së keqes më të vogël (më e madhe do të ishte ndarja e Kosovës mes Serbisë dhe Malit të Zi, si në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë).
Në situatën e atëhershme ishte i parealizueshëm përcaktimi i shumicës së komunistëve shqiptarë të Kosovës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, i shprehur në rezolutën e Konferencës së Bujanit nga dimri i vitit 1943/44 (“Këmbët e Gjarprit”, 116). Më 1990, sipas Surroit, kyç ishte angazhimi për “status të mëvetësisë, me idenë për mundësinë e krijimit të shtetit në Evropën post-socialiste” (“Këmbët e Gjarprit”, 140). Ky angazhim paraqet kontinuitet me kërkesat e mëparshme politike për atë që Kosova të bëhet njësi federative apo Republikë e re në RSFJ.
Kjo do të mbetet platforma kryesore politike e shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ‘90 pasi Milosheviqi e hoqi auonominë e Kushtetutës së vitit 1974, dhe pas përjashtimit masiv të shqiptarëve kosovarë nga puna. Si reagim ndaj ngufatjes së autonomisë kosovare nga Milosheviqi u krijua shoqëria shqiptare e institucioneve paralele, që nuk i njihte institucionet e shtetit të Serbisë, ndërsa forcat e saja të sigurisë i përjetonte si okupatore.
Për këto vite Surroi shkruan në romanin e tij “Miliarderi” (botimi në shqip 2014, në serbisht 2015). Datën e tretë Surroi e sheh si fillim i ri dhe si një shans i lëshuar, e që nuk do të thotë se është e humbur përgjithmonë. Kjo është mundësia për përmirësimin e shoqërisë në demkraci funksionale dhe hyrjen e Kosovës në BE dhe në NATO, por vetëm me kushtin që Kosova “një herë e përgjithmonë të bëjë shkëputjen nga modelet orientaliste politike, të cilave u përket edhe kultura e Gjarprit” (“Këmbët e Gjarprit”, 140).
Janë dy momente të përbashkëta për të tri datat historike: brenga për mbijetesën e Kosovës si një entitet i plotë territorial, dhe aspirata për bashkim politik në bashkësinë e popujve evropianë. Po ashtu, aspirata e vazhdueshme kosovare për mëvetësi apo shtet të pavarur tregon se pozita e Kosovës në Serbi përjetohet si e imponuar dhe, shikuar historikisht, si e përkohshme.
Edhe pavarësia kosovare, shikuar nga këndi i ndjenjës dominuese nacionale të kosovarëve, paraqet një paradoks të padëshiruar. Në mungesë të vazhdueshme të rrethanave historike për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, krijimi i Kosovës dhe zhvillimi i identitetit shtetëror kosovar u imponua si realitet i ri.
Surroi si shembullore e thekson tolerancën e realizuar shumëshekullore ndërfetare te shqiptarët, ku përcaktimi kombëtar ka primat ndaj përkatësisë fetare. Bëhet fjalë për shembulloren, sipas kutit matës evropian në kuptimin e laicizmit të shtetit modern shqiptar, që është ndërtuar jo nga pika e spastrimit etnik apo fetar të territorit shtetëror përmes imponimit të një feje si shtetërore (“Ambasadori…,” 132), por nga gjendja ku shteti dhe feja janë të ndara, ashtu që njëra-tjetrës nuk i përzihen në punë.
Në këtë kontekst, Surroi përmend edhe dilemën e intelektualëve shqiptarë nëse do të ishin më lehtë të pranuar në Evropë nëse në mesin e popullatës shqiptare islami nuk do të ishte religjioni dominues, dhe përmend shembullin e pritjes së presidentes kosovare Atifete Jahjaga në SHBA, ku ajo u përjetua si “presidente myslimane” dhe aleate amerikane (“Ambasadori…”, 126).
Këtë pritje Surroi e interpreton si nevojë të administratës amerikane për të treguar se ka partner edhe në vendet me shumicë myslimane, dhe kundërshton mendime për “prekodimin” e identitetit fetar shqiptar, duke ia nxjerrë si kundërargument qëndrimin se në kuptimin shoqëror dhe nacional, më i dobishëm është respektimi i ligjit.
Surroi përmend qëndrimin e tij në një mbrëmje letrare në Tetovë, në Maqedoni, ku ka parë që shqiptarët e Maqedonisë nuk e respektojnë ndalesën e pirjes së duhanit në themelata publike, ndërsa e përmend edhe shembullin e Lazaratit në Shqipëri, ku kultivohet dhe shitet kanabisi. Në lidhje me këto, Surroi kritikon vijën e vendosur historike të karakterit social të shqiptarëve – rezistencën ndaj shtetit, sepse ajo rrallëherë ishte shtet i pushtetit vendor, përkatësisht shtet demokratik dhe i përgjegjshëm social.
Vija tjetër e mentalitetit shqiptar që e thekson ky autor, është e ndërlidhur me orientalizmin e përmendur, tipar i të cilit është fatalizmi. Në kuptimin politik fatalizmin e tillë Surroi e ka hetuar në bindjen shqiptare, të pranishme gjatë shekullit 20, se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është i pashmangshëm si proces natyror, që do të realizohet pavarësisht prej rrethanave historike dhe pa ndonjë angazhim të ithtarëve të bashkimit.
Në kuptimin social-ekonomik, fatalizmin e njëjtë Surroi e vëren si shkaktar të emigrimit të të ashtuquajturës valë e tretë e emigrantëve nga Kosova në Evropë, pra të atyre që ishin adaptuar në sistemin në të cilin jetonin varfër, duke humbur në një moment shpresën se do të mundë të jetojnë më mirë në vendin e vet.
Surroi ia nënshtron kritikës edhe disa marrëveshje politike që janë përjetuar si hap produktiv përpara, jashtë krizës disa-dekadëshe, sikur që është Marrëveshja e Brukselit, e arritur mes Qeverisë së Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE-së.
Përgjithësisht, Surroi e konsideron të dëmshme për Kosovën që rruga drejt BE-së kalon nga negociatat me Serbinë, sepse kjo e bën shpejtësinë e euro-integrimeve kosovare të varur nga Beogradi. Kjo është vërejtja që e bëjnë edhe autoritetet në Serbi, se kapitujt e negociatave me BE-në që kanë të bëjnë me Kosovën, BE-ja i konsideron më të rëndësishme sesa të tjerat, dhe ushtron presionin më të madh te këto.
Surroi e ndan mendimin e opozitës kosovare që e kritikonte nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit, sepse ajo del superiore ndaj Kushtetutës kosovare, ndërsa, nga ana tjetër, është e papërputhshme me rendin juridiko-kushtetues kosovar, sepse e vendos kategorinë të cilën Kushtetuta nuk e ka paraparë. Ku është Asociacioni i komunave serbe, si një entitet i veçantë politiko-juridik, përmes të cilit autoritetet në Serbi mund të ndikojnë dëmshëm në proceset politike në Kosovë.
Edhe pse Surroi angazhohet për integrimin e mëtutjeshëm të pakicës serbe në shoqërinë kosovare, Marrëveshjen e Brukselit e konsideron në këtë kuptim jofunksionale, sepse ajo do të sjellë deri te forcimi i ndarjeve ekzistuese serbo-shqiptare. Injorimin që katër komunat veriore kosovare me popullatë shumicë serbe e shfaqin ndaj autoriteteve në Prishtinë, Surroi e vështron në kontekstin e Kosovës si shtet i papërfunduar në kuptimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të plotë të autoriteteve kosovare.
Në rastin e Surroit, kjo është logjikë fituese, e cila i anashkalon apo i minimizon frikët dhe synimet etnike të pakicës serbe në veri, duke miratuar në mënyrë implicite logjikën se tërësia shtetërore është po aq e rëndësishme sa edhe transformimi demokratik i vendit.
E ngjashme është baza e kritikës së Surroit për krijimin e Gjykatës Speciale në Kosovë, mandati i së cilës është të gjykojë krimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në vitet e para pas luftës. Krijimin e saj ai e interpreton si dëshmi jo vetëm të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit tek sistemi vendor i drejtësisë për t’u marrë me këto raste, por edhe si suspendim i tij. Me këtë suspendohet sovraniteti i pushtetit gjyqësor në Kosovë, sepse Statutin e Gjykatës Speciale e kanë shkruar të huajt, të cilët edhe do ta kenë fjalën kryesore në funksionimin e saj, gjë që për Surroin është edhe një konfirmim i varësisë së Kosovës.
Në nëntekstin e këtyre kritikave është bindja se Kosova duhet të marrë përgjegjësinë e plotë për funksionimin e shtetit të vet, përkatësisht të bëhet sovrane. Nga ana tjetër, kritikat e Surroit për kulturën primitive politike që e kanë vendosur ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe kritika e shembujve të tjerë të deficitit demokratik në skenën politike të Kosovës, e vënë në pikëpyetje aftësinë e elitave aktuale vendore që të realizojnë atë sovranitet. Mbi të gjitha, aty është edhe praktika e kushtëzimit e BE-së, e cila vazhdimisht e shtynë marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, gjë që, sipas Surroit, nuk kontribuon pozitivisht në proceset demokratike në Kosovë, e as në ekonominë e saj.
Intelektuali kritik në mbrojtje të shtetit
Falë përkthimeve të librave të tij publicistikë “Këmbët e Gjarprit” dhe “Ambasadori dhe shënime të tjera heretike”, Veton Surroi, para lexuesve në Serbi, sikur edhe në mjediset e tjera ku gjuha serbe është më e kuptueshme për lexuesit sesa ajo shqipe, u është paraqitur si një intelektual kritik, i cili publikisht dhe qartë flet për të ashtuquajturat tema traumatike të së kaluarës së afërt, për të cilat pothuajse ekziston ose pajtim i heshtur vlerësues, ose hiç më pak pajtim i heshtur, se nuk është e dëshiruar që ai pakti dominues i kujtimeve të vihet në pyetje, e aq më pak të kontestohet dhe rivlerësohet.
Analiza e Surroit mund të paraqesë kontribut në kuptimin e fenomenit të jetesës në vendet e demokracisë sipërfaqësore, konfliktit të pasluftës, traditës autoritare dhe vendeve që i janë eksponuar tundjeve globale dhe planeve gjeostrategjike të fuqive të mëdha. Autori, sipas profilit të tij ideologjik, është liberal politik i cili demokracinë parlamentare, sundimin e ligjit, garën në tregun e lirë dhe ekonominë e lirë, shoqërinë multietnike, orientimin politik evropian dhe kulturën perëndimore i vendos në rendin e parë, por për të cilin është po ashtu me rëndësi edhe çështja e sovranitetit shtetëror të Kosovës, me çka si analist ai e shpërfaq vijën e tij shtetformuese.
Surroin mund ta shohim edhe si analist të kulturës urbane, apo të sensibilitetit urban i cili në mënyrë satirike shkruan për tiparet dialektore dhe rurale të politikanëve ardhacakë të gjeneratës së UÇK-së, kultura politike e të cilëve karakterizohet nga grabitçarllëku, dhuna, dëgjueshmëria partiake dhe mosrespektimi i institucioneve dhe ligjeve.
Sasha Qiriq është kritik letrar, redaktor në programin e dytë të Radio Beogradit, si dhe themelues dhe redaktor shumëvjeçar i shtojcës kulturore “Beton”, që del me gazetën ditore “Danas”. Ka botuar librat e kritikave “Kënaqësitë hermeneutike” (Zrenjanin, 2009), “Kafshimi i historisë” (Ulqin, 2009), “Mos më merr në gojë - kritikë mendjes prekëse” (Zagreb, 2016) si dhe “Tri radio-drama” (Beograd, 2015) dhe “Largpërçuesi” (KPZ Beton: Beograd, 2017). Ky shkrim është shkruar në kuadër të projektit “Tejkalimi i Armiqësisë: ndërrimi i perceptimeve serbo-shqiptare”, i realizuar nga Qendra Multimedia nga Prishtina në bashkëpunim me Institutin për filozofi dhe teori shoqërore nga Beogradi, me përkrahjen e Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, dhe nga Iniciativa PERFORM për përkrahje të shkencave shoqërore në Ballkanin Perëndimor.