Nga Fritz
RADOVANI:
INGJ. LUDOVIK ZOJZI
(1910 – 1943)
RRMAJI SHKODER
“Kultura asht shpirti i
qytetnimit”
Dy çinarë shekullor mbi një stom me emnin e Zef Zorbës,
brij lumit Kir, që vazhdon rrugën e tij derisa derdhet në Drinazë brijë Kalasë
Rozafat, aty ku janë ledhet e qytetit të vjetër që pjesa ma e madhe janë nën
shtratin e këtyne lumenjve, më kanë shtye me pyetë: “Kush ishte Ai burrë, që
vuni gurët e qytetnimit mbi këtë stom me emnin Rëmaji?”
Një fushë mbi këtë stom që ma shumë ishte zallishtë me ferra e mrina kishte tërhjekë prej kohësh djelmoçat e rinj për me u argëtue, tue gjuejtë në shenj objektet e mbështetuna në trungjët e këtyne çinarëve.
Një fushë mbi këtë stom që ma shumë ishte zallishtë me ferra e mrina kishte tërhjekë prej kohësh djelmoçat e rinj për me u argëtue, tue gjuejtë në shenj objektet e mbështetuna në trungjët e këtyne çinarëve.
Këta dy trungje janë koleksionerët ma të vjetër të
predhave që janë përdorë në armët e mbajtuna në brezat e qytetarëve të
Shkodrës. Një predhë e kalueme andej Zallit të Kirit aty rreth vitin 1840, pat
plagosë një ushtar turk i cili mbas pak ditësh pat vdekë. Gjuejtësi i shenjës
nuk asht kenë djalë i fisit Ejllori ose Radovani prej Shiroke, por, kjo vrasje
padashje i mbet se asht ba prej Pjetër Pal Ejllorit dhe i kushtoi aq shumë
këtij fisi, sa prej asaj kohe pasunia, të hollat e tokët e pagueme si
damshpërblim nuk u zëvendsuen kurrma në këtë shtëpi. Kjo ngjarje u pat ba shkak
me u rrallue ky argëtim në atë vend. Në 10-vjeçarin e fundit të shekullit
XIX-të, aty nga 1895, u vendosën disa rrethime mbrenda të cilave ishte një
faltore e vogël shumë e vjetër, rreth së cilës filluen me u varrosë qytetarët
të cilët nuk kishin tokë ndër vorret e vjetra në fund të rrugës së Badrave,
emni i së cilës ka mbetë nga kjo lule që rritët ndër vorre. Hapsina e atij
vendi filloi me joshë dëshirën për vendosje të vorreve të reja që janë edhe
sot.
Mendja e një shkodrani me emnin Ludovik Zojzi, vendosi
përjetësisht mbi atë stom nën ata dy çinarë ato vepra arti që janë sot aty dhe,
që thirrën Vorret e Rrmajit. Kapela e atyne vorrezave u projektue dhe u zbatue
nga vetë ky ingjenjer. Planimetria e bame prej tij ruhet edhe sot në familjën
Zojzi.
Ludovik Zojzi ka lé në Shkodër, më 23 nandor 1910, në
familjën e vjetër të Zojzakëve. Kjo shtëpi njihet për intelektualët e
mirëfilltë që i ka dhanë qytetit.
Keli ka përfundue shkollën tregëtare dhe ishte një
kangëtar i njohtun si tenor në grupet e muzikantëve të At Martin Gjokës. Zefi,
ishte dr. avokat i lauruem në Itali.
Rroku, ishte një ndër etnografët ma të mirë të Shqipnisë,
për mos me thanë ma i miri dhe ma i zoti. Ludoviku, mbasi përfundoi Liceun
“Illyricum”, më 27 qershor 1928, dhe doli me rezultate të shkëlqyeshme spikati
me sjelljen e tij shumë të mirë dhe bani për vedi përsonelin e shkollës
Françeskane, i cili e dërgoi për studime në Padova, Itali. Atje, ai nderoi
brezninë shqiptare për zellin dhe vullnetin me studjue. Më 10 nandor 1933, u
laurue me doktoratën e ingjenjerit elektrik, pikërisht, atëherë, kur Shqipnia
po bante hapat e para me dalë nga errësina shekullore. Erdhi në Shkodër si
profesor në Liceun e Shtetit deri më 1 tetor 1937. Në dy vitet e fundit të
qëndrimit në vendlindje ishte edhe ingjenjer këshillues pranë Bashkisë së qytetit.
Në vitin 1937, emnohet Drejtor teknik i Drejtorisë së Përgjitheshme të PTT në
Tiranë, punë të cilën e vazhdoi deri më 15 shtator 1943, ditë në të cilën sapo
delte nga shtëpia me shkue në punë, u vra pabesisht nga komunistët e Tiranës.
Kuptohet thjeshtë arësyeja, një ingjenjer shkodran, katolik, i lauruem në
Padova, familje intelektuale që nuk ishte pajtue me komunizmin, indiferente
ndaj lëvizjes nacional-çlirimtare ashtu si pjesa ma e madhe e Shkodrës që
etiketohet shpejt nga grupet komuniste: “..agjent, fashist, bashkëpunëtor i
okupatorit e i klerit, spijun e trathtar ..” Këtë fat të zi pat edhe Dr. Ingj.
Ludovik Zojzi në moshën 33- vjeçare, i formuem dhe i paisun me kulturën e
shëndoshtë bashkohore. Ingj. Ndoc Naraçi, i cili e ka njohë afër Ludovikun,
mbasi ka punue me té në Tiranë, më tregonte aty nga viti 1989 se arsyeja e
vërtetë e vrasjës së tij asht kenë kërkesa e komunistëve, që ai me bashkëpunue
me ta, gja të cilën Ludoviku nuk e ka pranue. PTT e Tiranës ishte një ndër
qendrat ma aktive të grupeve komuniste, prandej ata që nuk ishin të lidhun me
këta grupe, mendoheshin të rrezikshëm për punën e tyne, duheshin “çëruar”.
Kjo dokumentohët nga gazeta “Zëri i Popullit”, datë 3
dhetor 1959, në artikullin e Qeverim Çelit, ish anëtar i grupit komunist të
PTT-së, i cili shkruan: “...Suksesi që arritën grevistët e Drejtorisë së
Përgjithëshme të PTT-së, bëri që edhe punonjësve të tjerë t’u shtohej besimi në
Partinë Komuniste dhe në udhëheqjen e drejtë të saj. Nga radhët e këtyre
grevistëve u organizuan më vonë guerilet, që përlanë spiunin dhe armikun e
popullit Ludovik Zojzi.” Ma poshtë shënohën edhe autorët e këtyne veprave të
“suksesëshme”, organizatorët dhe kriminelët gjakatarë. Ja si vazhdon artikulli:
“...Në atë kohë në Drejtorinë e Përgjithëshme të PTT-së, punonin shokët: Adil
Çarcani, Fiqrete Shehu, Nikolla Profi, Mustafa Qilimi, Ilo Panduku dhe të tjerë
organizatorë...”.
Cili nga këta kriminelë analfabetë mund të duronte mbi
kokë një ingjenjer të lauruem në Padova të Italisë? Kush nga këta fanatikë mund
të shihte me sy një ish student të gjimnazit të Fretënve, apo ish nxanësin e
shkollës së Jezuitëve të Shkodrës, kur detyra e këtyne grupe vagabondësh ishte
shkatrrimi e shqymja nga faqja e dheut e bazave të kulturës Evropiane?
Çfarë menduan për 50 vjet kokat e mykuna me idetë
marksiste-leniste e stalinjane, të edukuem antishqiptarë ndër çerdhët e
imoralitetit të komunistëve jugosllavë, që vetëm dinin me vra, dhe
përshëndetëshin çdo mëngjez me parullat “plumbin ballit Atdhetarëve Atentati
kundër Ludovik Zojzit, ishte fillimi i terrorit komunist kundër inteligjencës Shqiptare
që ishte formue në shkollat Përëndimore, ishte atentat kundër Evropës së
kulturueme, ishte zbatim detyre ndaj mësuesit jugosllav, ishte betim për
trathtinë e madhe kombëtare që po bante Partia vëllavrasëse Komuniste e
Shqipnisë, kundrejt Popullit të vet Shqiptar!
Kryqat e Vorrëve të Rëmajit ishin ngacmues për nervat e
fanatikëve antikatolikë komunistë. Shumë herë u projektuen plane e platforma
mashtruese gjoja për ndërtime të reja, vetëm si me i shkatrrue ato vepra arti
që kishte projektue dhe zbatue shkodrani Dr. Ingj. Ludovik Zojzi. Sa herë
kalonin udhëheqësit e Partisë së Punës andej pari përshpërisnin nën za: “Akoma,
këta këtu?!”...
Ishte gjoksi i atdhetarit Gjon Kamsi, ishte Gjikami,
vëllai i gjakut të Luigj Gurakuqit që nuk i tutej syni para askujt, veç,
shtërngonte nofullat e i thonte hasmit: “ JO! Nuk guxoni me prekë këtë tokë se
asht e bekueme me gjakun e Atdhetarëve që kanë punue dhe vdekë për Shqipni! Nuk
guxoni me luejtë eshtnat e lyeme me Bagmin Shenjtë të Filip Shirokës, Kol
Idromenos, Simon Rrotës, Hil Mosit, Kel Marubit, Don Ndre Zadejës, Dr. Federik
Shirokës, Dr. Gjon Saraçit, Prenkë Jakovës, të Kakarriqit, Muzhanit, Topallit,
Serreqit, Dedejve, Prelejve, Prennushve etj. që janë kenë gurët e thëmelëve të
qytetit!”.
50 VJET PERPARA...1967
50 VJET PERPARA...1967
E dogjën një natë at Kapelë vorrezash të mbetun shkret...
e dogjën një natë çatinë nën të cilën ishin Bekue sa e sa Shqiptarë qyshë në
rrethimin e Shkodrës, të vramë nga gjylet e malazezëve... me mauzerrët ruse...
e dogjën një natë bashkë me tavolinën ku dora e Bekueme e Meshtarëve freskonte
Shpirtnat e sa vetëve që nuk vdisnin, por plasnin, se mbas atij muri rrethues
të atyne vorrëve ata kishin të tretun nën pleh, pa një shenj tek koka, Loçkat e
zemrës të varruem nga plumbat e komunistëve gjaksorë!
E dogjën një natë, se, mendonin se nën atë çati, ruhën
vizaret e kulturës kombëtare!
E dogjën një natë, se, mendonin se ashtu bahët pluhun e
hi fara e qytetnimit Shqiptar!
E dogjën një natë, se, kujtuen se do të rrëzohën edhe
shtyllat, simbol i martirizimit!...
E dogjën një natë ashtu si librat e bibliotekave të Françeskanëve dhe të Jezuitëve!...
E dogjën një natë ashtu si librat e bibliotekave të Françeskanëve dhe të Jezuitëve!...
E dogjën një natë ashtu si shkollën ku mësonte Fishta,
Harapi, Zadeja, Prennushi, Kurti, Nika.... E dogjën një natë se vrasësit kanë
frikë vetëm nga vdekja!
E dogjën një natë se shumë larg u dukej se nëpër zhuri të
Zallit të Kirit, përplaseshin tingujt e një kumbone që binte në një anë edhe
nën dhé... e do të lajmëronte ringjalljen! E dogjën një natë, por, harruen se,
thëmelet e Krishtënimit nuk prishen dhe as nuk digjen!
E dogjën një natë, por, harruen se mbi ato shtylla asht ende tymi i kemit, djegë në Lavdi të Zotit! E dogjën një natë, por harruen fjalët e Meshkallës, se “ka dymijë vjetë që digjni Ungjillin!”
E dogjën një natë, por, harruen se nën atë tokë vlon gjaku i Ded Gjo’ Lulit me shokë!
E dogjën një natë, por, harruen se mbi ato shtylla asht ende tymi i kemit, djegë në Lavdi të Zotit! E dogjën një natë, por harruen fjalët e Meshkallës, se “ka dymijë vjetë që digjni Ungjillin!”
E dogjën një natë, por, harruen se nën atë tokë vlon gjaku i Ded Gjo’ Lulit me shokë!
E dogjën një natë, por, harruen “me djegë” edhe Don Simon
Jubanin!
Melbourne, 2017.