2022-11-23

Hajro HAJRA : SHKRIMTARI I MADH RUMUN ME ORIGJINË SHQIPTARE VIKTOR EFTIMIU



Busti i Viktor EftimiutNë përvjetorin e vdekjes

50 vjetë  më parë, më 27 .11. 1972, në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, një nga qendrat më të njohura të veprimtarisë atdhetare, politike, shoqërore e kulturore të shqiptarëve në të kaluarën, vdiq shkrimtari i madh rumun me origjinë shqiptare, Viktor Eftimiu, i cili prej vitit 1905, kur botoi vjershën e parë, e deri në vdekje, shkroi më shumë se 120 vepra të ndryshme letrare (poezi, tregime, novela, drama, romane, kritikë letrare e teatrore, shënime udhëtimi, publicistikë etj.), duke e pasuruar letërsinë rumune dhe atë të përbotshme me vepra të një niveli të lartë artistik.

I lindur në janar të vitit 1889, në katundin Boboshticë të Korçës, V. Eftimiu që në moshën 9-vjeçare ishte detyruar ta linte vendlindjen e të merrte rrugën e mërgimit bashkë me familjen. Qe vendosur në Rumani, ku asokohe kishin vajtur shumë bashkatdhetarë të tij, disa për të siguruar kafshatën e gojës, e një pjesë e mirë për t’u marrë me veprimtari patriotike, meqenëse atdheun e tyre të pushtuar nga turqit e kishte pllakosur vuajtja e mjerimi i madh dhe çdo nismë e atdhetarëve për të bërë ndonjë lëvizje, mbytej me dhunë e me gjak.

Shkollën fillore që e kishte filluar në vendlindje në gjuhën greke, ngase shkolla shqipe vetëm mund të ëndërrohej gjatë pushtimit të egër osman (pushtues për të cilin disa trutharë sot thonë se ka bashkëjetuar me popullin shqiptar, ndërkaq pasardhësit e atyre hordhive të egra i quajnë vëllezër), Viktori e vazhdoi në Bukuresht, në gjuhën rumune. Ai nuk pati vështirësi me gjuhën. Për një kohë fare të shkurtër arriti ta përvetësonte rumanishten aq mirë, sa të mos dallohej nga bashkëmoshatarët e tij rumunë.

Që në moshë të re u ballafaqua me vështirësitë e jetës, kështu që u detyrua të punonte dhe, njëherësh, të shkollohej. Nga mosha 16-vjeçare, kur kishte botuar vjershën e parë në revistën “Shpresa”, emri i tij kishte filluar të dukej gjithnjë e më shpesh nëpër faqet e gazetave e të revistave rumune të kohës. Krijimet e para poetike poeti ia kushtoi plagës së rëndë shoqërore të kohës, mërgimit, ngase vetë ishte mërgimtar dhe më mirë se kushdo i ndiente dhembjet e kësaj plage. Shumë prej krijimeve të tij të para i përshkon malli për vendlindjen, të cilën, megjithëse e kishte larg, e mbante vazhdimisht në mendje e në zemër.

Veprat e periudhës para Luftës së Dytë Botërore, sikundër edhe ato të mëvonshmet, përshkohen nga fryma atdhetare e humanizmi i thellë shoqëror.

Gjatë afro shtatë dekadave, sa u mor me krijimtari letrare, Viktor Eftimiu shkroi vepra gjinish të ndryshme, ndër të cilat, këtu po i zëmë ngoje vëllimet poetike Poemat e vetmisëKandilat e shuarMjellmatKënga e keqardhjesNata e nëndheshmePasqyratHimn gjuhës e të tjera, dramat Na ishte mos na ishte (kjo dramë është vënë në skenë më shumë se një mijë herë), Këndesi i ziAkimGlafiraMjeshtri ManoleDon ZhuaniThebaidaPrometheu etj., komeditë Inspektori i bretkosaveFundi i botësParada dhe Njeriu që pa vdekjen me sy (kjo komedi është vënë në skenat rumune e të huaja më shumë se dy mijë here dhe e kanë vënë në skenë edhe teatrot shqiptare në Shqipëri e në Kosovë), romanet Dy kryqeNjeriu pa emërNjë dashuri në VjenëKimoni me yje etj., vëllimet me tregime Pa shpirtDhuratë për dasmëRrëfimi i një klouniNë burgjet e Stambollit etj., vëllimet publicistike Magjia e fjalëve dhe Akademos, vëllimet për të vegjël Fëmijët e KinësNjeriu i vogëlLepuri i tortës së ëmbëlTrimi i kodrave etj.

Vepra me brumë shqiptar janë romani Dy kryqe, novelat Risto DardhaKatelinaSmail Dënusha dhe vjersha të shumta, të cilat i përshkon malli për vendlindjen dhe për bashkatdhetarët, me të cilët kishte pasur rastin të çmallej gjatë vizitës së tij të fundit që kishte bërë në Shqipëri, në maj të vitit 1972. Kjo vizitë, pritja madhështore që i kishin bërë, sidomos bashkëfshatarët e Boboshticës, i kishin lënë mbresa të pashlyeshme. S’kishin kaluar as dy muaj të plotë nga kjo vizitë e tij në Shqipërinë e atëhershme socialiste dhe unë, bashkë me shokun tim të studimeve Baki Ymerin (i cili aktualisht jeton në Bukuresht të Rumanisë, është kryeredaktor i revistës Shqiptari, krijues letrar, publicist, përkthyes dhe veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare), kishim pasur nderin ta takonim këtë personalitet të madh në shtëpinë e tij, në lulishten Çishmixhiu, me ç’rast, përpos që kishim biseduar për letërsinë e për gjendjen e rëndë të popullit shqiptar që po jetonte nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës dhe për popullin shqiptar në ish-Jugosllavi, i privuar nga të gjitha të drejtat elementare, jo vetëm kombëtare, e kishim parë gjithë udhëtimin e Eftimiut përjetësuar në qindra fotografi. Duke i parë ato fotografi që kishin fiksuar atë pritje aq të ngrohtë, aq madhështore që i ishte rezervuar Viktor Eftimiut ngado që kishte shkuar, që nga Boboshtica e tij e deri te pritja e përzemërt në Lidhjen e Shkrimtarëve e të Artistëve të Shqipërisë, na dukej sikur dhe ne kishim qenë pjesë e asaj ngjarjeje, e atyre emocioneve të paharrueshme, në kohën kur Shqipërinë nuk mund ta shihnim as në televizor.

Për ndihmesën shumë të madhe e të çmueshme që i ka dhënë letërsisë rumune, Viktor Eftimiu është nderuar me tituj të lartë, si akademik, kryetar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, ka qenë anëtar nderi i disa akademive evropiane dhe ka qenë shkrimtari i vetëm në Rumani, të cilit i është ngritur busti në të gjallë të tij.


Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...