Përderisa kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, ka folur për të ardhmen ku sipas tij, gjuha shqipe do të kthehet në gjuhën e integrimit të shqiptarëve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për mungesë të personaliteteve të gjuhës shqipe sot. “Shqiptarët në BE jo si toskë e gegë, por si një komb”, ka thënë Gjinushi në shënimin e jubileut të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka thënë se shtetet nuk kanë nevojë të bëjnë politika të mbrojtjes së gjuhës nga folësit e saj, por politika të mbrojtjes së gjuhës nga braktisja e folësve të saj
Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës kanë shënuar të enjten në Tiranë, 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, i cili mundësoi standardizimin e gjuhës shqipe. Të ftuar ishin akademikë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, pjesëmarrës të Kongresit të Drejtshkrimit para një gjysmë shekulli dhe drejtues shtetërorë, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin e këtij vendi, Bajram Begaj.
Rama: Fjalori i gjuhës shqipe në pikëpyetje të madhe
Por kryeministri Edi Rama ka folur për lëngimin që po has gjuha shqipe në kohët e sotme, ndërsa ka kujtuar veprën e atyre që mundësuan krijimin e gjuhës standarde 50 vjet më parë. Rama ka thënë se në fakt gjuha e njësuar është e rrezikuar sot edhe për shkak të mungesës së personaliteteve, që nuk kanë të krahasuar me ato të pesë dekadave më parë. Rama ka thënë se kritikat se ky Kongres është bërë në kohën e komunizmit janë qesharake. Unanimiteti për drejtshkrimin 50 vjet më parë sipas tij, qe mahnitës, “po të kesh parasysh se në ç‘konflikte të përgjakshme e procese rraskapitëse kanë ecur gjuhë të tjera për t’u njehsuar e për t’u bërë palca e skeletit të paqes sociale”.
“Historia na mëson se drejtshkrimi e gjuha e shkruar janë proces konsolidimi i frymës i germës së një kombi i qenies së një kombi. Misionarët e Kongresit të Manastirit dhanë mesazhin se kombi është një përmes një alfabeti të përbashkët. Drejtshkrimi dhe gjuha e njësuar bëri të njëjtën gjë në vazhdimësi. Është nga të paktët procese që në historinë tona në njëson për nga struktura dhe metoda me vendet e tjera evropiane. Kemi pasur fatin që ndonëse pa një shtet tonin, të kemi mendjen e ndritur të njerëzve të dalluar të këtij kombi. Burime njerëzore dhe karaktere të hatashme të këtij vendi, personalitete shumë më të mëdha se gjeografia e Shqipërisë. Kush janë të ngjashmit e Eqrem Çabejt, Mahir Domit, Aleks Budës e kështu me radhë, apo profesor Emilit(Lafe)?”, ka thënë Rama. Kryeministri Rama ka apeluar për një punë më të madhe për një fjalor të plotë të gjuhës shqipe. Ai ka thënë se shqipja nuk e ka një fjalor të tillë.
“Albanologu i famshëm, Robert Elsie, thoshte: ‘Mua më vjen shumë keq që kur lexoj në shqip dhe nuk e kuptoj një fjalë, nuk e gjej dot në një fjalor’. Fjalori i shqipes zyrtare është vetëm gjysma e shqipes së vërtetë. Unë shpresoj që ne do t’ia dalim të kemi një fjalor të ri. Edhe një histori të shqiptarëve, dhe pastaj edhe një enciklopedi që edhe për këtë ka filluar puna”, ka thënë Rama. Ai u shpreh se është i shqetësuar për shqipen e folur përditë, e cila përdoret më së shumti në rrjetet sociale”, ka thënë kryeministri Rama.
Kraja: Gjuha letrare shqipe nuk më ka zhgënjyer asnjëherë
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, në fillim të fjalës së tij, ka kujtuar se i takon asaj gjenerate, “e cila e ka njohur dhe e ka përjetuar gjuhën letrare shqipe në të gjithë përbërësit e saj: idealizmin, entuziazmin, ndonjëherë dilemat, dhe spektizimin, më pas, përpjekjet agresive për ta reviduar standardin, për ta përdorur paskajoren si ‘mea culpa’ për të gjitha dështimet”.
“Sot, duke qenë shkrimtar që i përkulet gjuhës shqipe si më të madhes vlerë që kemi, ju them pa asnjë mëdyshje se gjuha letrare shqipe nuk më ka zhgënjyer asnjëherë”, ka thënë akademik Kraja.
Gjuha sipas tij, u ka shërbyer mrekullisht të gjithë shkrimtarëve të mirë, “më pak u ka shërbyer shkrimtarëve mesatarë dhe pak ose aspak s’u ka shërbyer shkrimtarëve të pazotë, të cilët edhe sot vazhdojnë ta fajësojnë gjuhën letrare për dështimet eventuale në fushë të krijimtarisë dhe të dijes”.
“Skepticizmi i tyre nuk ka të bëjë me mundësitë e gjuhës, por me mungesat e tyre në fushën e dijes dhe të njohjes”, ka thënë ai në ato që i ka cilësuar observime personale. Sipas tij, në Kosovë gjuha letrare shqipe dhe standardi, gjatë këtyre njëzet vjetëve kanë njohur zhvillime pozitive.
“Tashmë ka ndodhur dhe po vazhdon një proces i gjatë dhe i vështirë i desllavizimit, si dhe i kthimit të gjuhës shqipe nga gjuhë e dytë në gjuhë të përdorimit të gjerë shtetëror dhe institucional”, ka thënë kryetari i ASHAK-ut, teksa ka shtuar se ka ende punë për t’u bërë. Por shtetet sipas akademik Krajës, nuk kanë nevojë të bëjë politika të mbrojtjes së gjuhës nga folësit e saj.
“Madje edhe nëse ata ndonjëherë ndodh të abuzojnë me gjuhën dhe nuk janë në të drejtën e Zotit për me e përdorë gjuhën me dinjitet dhe nder, por shteti ka nevojë të bëjë politika të mbrojtjes së gjuhës nga braktisja e folësve të saj”, ka thënë ai.
Begaj: Ngjyrimet dialektore janë pasuri, pjesë e trungut të shqipes
Edhe presidenti Bajram Begaj ka folur në Konferencën e 50-vjetorit të standardit të gjuhës shqipe. Ka theksuar rëndësinë e madhe që duhet t’i jepet gjuhës e letërsisë në shkolla dhe mbrojtjen e saj nga padija gjuhësore.
“Në një botë, ku kulturat e mëdha po ngushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirat për kombe e kultura të vogla, nevoja për pasurimin e gjuhës dhe mbrojtjen e saj nga huazimet e panevojshme është e madhe. Lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe duhet t’i jepet përparësi në shkolla, në mënyrë që brezi i ri, jo vetëm të marrë njohuri të thella të gjuhës amtare, por të edukohet me krenari për gjuhën dhe kulturën, së cilës i përket. Veçanërisht diaspora duhet mbështetur me politika e programe të posaçme. Edhe pse larg atdheut të të parëve, brezat e rinj duhet të rriten me vetëdijen se i përkasin të njëjtës botë shqiptare. Puna për pasurimin e fjalorit të shqipes dhe përpilimin e fjalorëve, që pasqyrojnë ndërveprimin e saj me gjuhë të tjera, duhet të jetë parësore për akademikët dhe gjuhëtarët. Ngjyrimet dialektore janë pasuri dhe pjesë e trungut origjinal të shqipes, të cilat i bëjnë nder gjuhës dhe e mbrojnë nga huazimet e panevojshme. Jo më pak e rëndësishme është nevoja për mbrojtjen e shqipes nga padija gjuhësore dhe mosrespektimi i rregullave të saj”, ka thënë ai. Sipas tij shqipja është bota jonë - një botë që pret ta eksplorojmë dhe pasurojmë bashkërisht, deri në kufijtë e skajshëm të saj. “Një komb një gjuhë”, ka thënë presidenti Bajram Begaj.
Këtë vit shënohet 50-vjetori i standardizimit të gjuhës shqipe, ku prej 20 deri në 25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë zhvilloi punimet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i cili shënoi dhe standardizimin e gjuhës shqipe. Në të këtë përvjetor, institucionet albanologjike në Shkup, Tiranë e Prishtinë po zhvillojnë një sërë aktivitetesh.