2022/11/11

nga Besian Beha : BQK-së ia rritën kompensimin vetes, dyshime të forta për konflikt të interesit

 Në mbledhjen e 25 marsit, Bordi i Bankës Qendrore vendosi që anëtarët e Komitetit të Auditmit nga 500 euro, të paguhen 750 sosh për periudhën 3-mujore.


Kurse për anëtarin e jashtëm, pagesa u rrit nga 1 mijë, në 1 mijë e 200 euro. Në votim morën pjesë edhe dy anëtarë të Bordit, të cilët paraprakisht sipas Ligjit e dinin se së paku njëri prej tyre, do të ishte pjesë e këtij Komiteti. Pra, votuan në mënyrë unanime që t’ia rrisnin kompensimin vetes.

Disa muaj pas artikullit të Nacionales, Banka Qendrore e Kosovës është obliguar t’i ofrojë Nacionales qasje në procesverbalin e kësaj mbledhjeje dhe përgjigje shtesë. Kjo pas dyshimeve të ngritura se në këtë votim, anëtarët e Bordit të BQK-së ishin në konflikt të interesit. Nacionale për këtë temë ishte ankuar në Agjencinë për Informim, pasi BQK-ja nuk kishte pranuar të ofronte përgjigje.

Në raportimin e Nacionales muaj më parë, ishin ofruar dokumente që në vitin 2011 paga e anëtarëve të Komitetit të Auditmit ishin 500 euro. Në këtë komitet duhet të jenë sipas ligjit dy anëtarë nga Bordi i BQK-së. E të njëjtit, votuan që ky kompensim të shtohet në 750 euro për periudhën 3-mujore të raportimit. Dy anëtarët që u bënë pjesë e Komitetit të Auditimit, dhe votuan që të rritet kompensimi ishin Bashkim Nurboja e Nora Latifi-Jashari. Të dy të zgjedhur me shumicë nga Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.

Bashkim Nurboja që më herët ka qenë ish-kandidat për deputet e ish-kandidat për kryetar të Pejës, dhe Nora Latifi-Jashari që është pjesë si bashkëpunëtore e organizatës joqeveritare, Instituti GAP.

Sqarimet e Bankës Qendrore të Kosovës

Nacionale ka siguruar edhe procesverbalin ku është diskutuar për këtë pikë, e cila është votuar në mënyrë unanime. Përfshirë edhe nga anëtarët që do të ishin subjekt i rritjes së kompensimit, të cilët votuan pro këtij propozimi.

Pasi gazeta Nacionale fitoi betejën në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, Banka Qendrore u detyrua të ofrojë përgjigjet dhe dokumentin e kërkuar. Në sqarimet e Bankës Qendrore të Kosovës, ky institucion ka treguar fillimisht për arsyen pse ky institucion ka vendosur që të shtohet kompensimi për anëtarët e Komitetit të Auditmit.

“Sa i përket caktimit të kompensimit të anëtarëve të Komitetit të Auditimit, ju informojmë se, përmes vendimit nr. 20/2011 (të datës 29.12.2011), Bordi i Bankës Qendrore e kishte përcaktuar kompensimin për anëtarin (ekspertin e jashtëm) të Komitetit të Auditimit, duke ju referuar me emër anëtarit (ekspertit të jashtëm) të Komitetit të Auditimit. Në mbledhjen e datës 25 mars 2022 është përzgjedhur anëtari i jashtëm (eksperti i jashtëm) i Komitetit të Auditimit. Si rrjedhojë, është paraqitur nevoja që Bordi i Bankës Qendrore të merr vendim të ri për përcaktimin e shumës së kompensimit për pozitën e lartcekur, pa përmendur emra specifik, por, vetëm funksione”, thuhet në përgjigjen për gazetën Nacionale.

“Meqenëse, anëtari i jashtëm i Komitetit të Auditimit ka kufizime sa i përket angazhimit të tij/sajë në institucionet financiare, është vlerësuar e nevojshme rritja e kompensimit të tij/saj. Në anën tjetër, për shkak se Komiteti i Auditimit nuk ka qenë funksional për një kohë të gjatë, është paraqitur nevoja dhe domosdoshmëria e angazhimit të anëtarëve të KA-së për mbajtjen e takimeve të shpeshta. Bordi i Bankës Qendrore ka vlerësuar se ky angazhim e shfaq nevojën e rregullimit të kompensimit të anëtarëve të KA-së”, bëhet e ditur më tutje në përgjigje.

Në pyetjen e Nacionales se a ka pasur dilema për konflikt të interesit nga anëtarët Bashkim Nurboja e Nora Latifi-Jashari, Banka Qendrore e ka mohuar një gjë të tillë. Ata janë thirrur në shumë ligje për Bankën Qendrore të Kosovës, dhe që sipas tyre, nuk ka institucion tjetër përveç Bordit që e përcakton shumën e kompensimit. Ligji thotë se “shuma e kompensimit të anëtarëve të Komitetit të Auditmit përcaktohet nga Bordi i Bankës Qendrore”

“Prandaj, bazuar në dispozitat si më lartë, është shumë e qartë se caktimi i kompensimit për Bordin e Bankës Qendrore përshirë edhe kompensimin për anëtarët e Bordit që janë pjesë e Komitetit të Auditimit, është kompetencë ligjore e pa delegueshme e Bordit të Bankës Qendrore. Si rrjedhojë, Bordi i Bankës Qendrore nuk mund të delegoj kompetencat e tij tek një organ tjetër. Në këtë kuptim, duke pasur parasysh kornizën ligjore në fuqi, përmes së cilës rregullohen kompetencat Bordit të BQK-së në lidhje me përcaktimin e kompensimit të anëtarëve të Bordit, në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me ekzistimin e konfliktit të interesit. Vlen të theksohet, se praktika e njëjtë e vendosjes nga Bordi, për caktimin e kompensimeve për anëtarët e sajë në harmoni me legjislacionin në fuqi, është një praktikë e cila zbatohet ndër vite në BQK”, theksohet në përgjigjen e BQK-së për Nacionalen.

BQK-ja madje, pretendon se tentimet për ta interpretuar ndryshe këtë rritje të kompensimit nga anëtarët e Bordit, është tentim për të shtrembërurar faktet! Banka Qendrore e Kosovës megjithatë, e ka konfirmuar që anëtarët Bashkim Nurboja e Nora Latifi-Jashari kanë qenë pjesëmarrës në këtë votim, pasi sipas tyre, ka qenë e domosdoshme.

“Siç u cek më lartë, duke pasur parasysh Ligjin për BQK, Statutin e Komitetit të Auditimit, praktikën e krijuar në BQK dhe në institucionit tjera, përcaktimi i kompensimit për Bordin apo anëtarët e tij është kompetencë të Bordit të Bankës Qendrore. Andaj, në këtë kontekst asnjëherë nuk kërkohet të deklarohet konflikti i interesit për çështje të tilla, sepse, nuk ka si të adresohet ndryshe përcaktimi i kompensimit për anëtarët e Bordit të BQK-së, përderisa është në fuqi kjo kornizë ligjore”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për gazetën Nacionale.

Duhet përsëritur se këto përgjigje, BQK-ja i ka ofruar tek pas ankesës së gazetës në Agjencinë për Informim e Privatësi.

Dyshime të forta për konflikt të interesit

Megjithatë, fakti që dy anëtarë të Bordit të BQK-së kanë votuar pro këtij vendimi për rritjen e kompensimit, ka dyshime të forta se në këtë proces ka konflikt të interesit.

Juristi Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se Banka Qendrore është thirrur në ligje të cilat nuk flasin direkt për kompensimin e anëtarëve të Komitetit. Sipas tij në rastin konkret, anëtarët Nurboja e Latifi-Jashari është dashur të tërhiqen nga votimi.

“Sa i përket konfliktit të interesit, sipas ligjit, zyrtari publik duhet të tërhiqet nga procedura e vendimmarrjes në secilin rast kur i njëjti ka apo mund të ketë ndonjë përfitim. Në këto raste, bëhet fjalë për shkelje të dispozitave të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Në rastin kur nga këto veprime manifestohet përfitimi financiar, atëherë kemi të bëjmë me vepër penale. Kështu, në rastin konkret, anëtarët në fjalë, duke e ditur se do të përfitojnë nga ky vendim, qartazi është dashur që të tërheqen nga procesi i vendimmarrjes”, ka thënë Gzim Shala për Nacionalen.

Sipas Shalës, ligjet në fuqi kanë mundësuar që votimi për këtë pikë, të bëhej edhe pa votat e dy anëtarëve që do të ishin subjekt i rritjes së kompensimit.

“Në momentin kur është marrë vendimi, BQK ka pasur 4 anëtarë. Kështu, edhe sikur 2 anëtarët të cilët kanë konflikt të interesit të abstenonin nga votimi, atëherë BQK do të kishte mundësi që me dy të tjerët të merrte vendim. Kjo pasi neni 47.7. i Ligjit për BQK përcakton se “7. Çdo anëtar i Bordit të Bankës Qendrore do të ketë një (1) votë dhe në rast votash të barabarta, vota e personit që kryeson mbledhjen e përcakton rezultatin e votimit”. Për këtë arsye, në rastin konkret, ka qenë lehtë e mundshme që të evitohet konflikti i interesit si dhe të mundësohet vendimmarrja në këtë çështje, nëse veq ky vendim ka qenë i domosdoshëm të nxjerret”, ka theksuar Shala më tutje.

Çfarë kishte deklaruar guvernatori i BQK-së?

Gazeta Nacionalen pjesën e parë të këtij hulumtimi e kishte publikuar në muajin gusht. Aty gazeta kishte ofruar dokumente se në vitin 2011 ishte vendosur që këta anëtarë të paguheshin 500 euro, kurse me vendimin e vitit 2022 ishte rritur në 750 për periudhën 3-mujore.

Pjesë e votimit ishin edhe aëntarët e votuar në Kuvendin e Kosovës me shumicë nga pozita, Bashkim Nurobja e Nora Latifi-Jashari. Së paku njëri prej tyre, e dinte paraprakisht se do të ishte pjesë e Komitetit të Auditimit, ku paraprakisht votuan për rritjen e kompensimit.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti kishte konfirmuar për Nacionalen se propozimi ishte votuar nga këta dy anëtarë.

“Nuk e kam dhënë propozimin unë. Bordi atë kohë është përbërë prej 4 vetëve. 3 kanë qenë joekzekutiv, dhe unë ex officio. Propozimi nuk ka shkuar prej meje. Kaq është. Nuk ka ndodhur propozimi nga unë. Në fund të fundit, pak ka rëndësi kush e ka propozuar. Me rëndësi është që pa votat e juve dyve si anëtarë, dhe pjesëmarrës në Komitetin, nuk kishin mundur me u rritë këto”, kishte deklaruar guvernatori Mehmeti.

“E ke votuar (rritjen), sepse mos me votu nuk kishim mujt me miratu. Pak ka rëndësi kush e propozon. Aty mos të thotë që nuk e kam ditur. Së pari, në diskutim është propozuar nga kushdo qoftë, me u rritë prej 500 në 750. Nuk mundesh me thanë nuk e di që m’u ka rritë, kur është votuar pro rritjes prej 500 në 750. Si ke ardhë në mbledhjet e para është aprovuar kjo”, theksonte Guvernatori Mehmeti.

Vendimi i BQK-së ishte marrë më datë 25 mars 2021 në mënyrë unanime.



No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.dr.Isuf Isuf Dedushaj (10 teor 1951-01 shkurt 2025)

  Akademik Prof.Dr. Isuf Dedushaj ,PHD., u lind në fshatin Vuthaj , më 10 tetor të vitit 1951.  Shkollën fillore e mbaroi në Vuthaj dhe Guci...