Rron Gjinovci drejton Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) në të cilën është bashkëthemelues. Aktualisht student i filozofisë, anëtar i kryesisë së Shoqatës së Filozofëve të Kosovës dhe aktivist i shoqërisë civile.
Ai filloi aktivitetin e tij në vitin 2010 si bashkëthemelues i organizatës studentore Studim Kritikë Veprim (SKV) e cila u angazhua për luftimin e korrupsionit në vitet 2010-2012 duke ndërmarrë një sërë aksionesh kundër menaxhmentit të kohës. Ai u bë i njohur për publikun në vitin 2011 kur hodhi ngjyrë të kuqe mbi rektorin e atëhershëm gjatë ceremonisë së shënimit të 41 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës (UP).
Deri në vitin 2012 ai ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje. Nga 2012 deri më 2016 vazhdoi aktivizmin e pavarur qytetar në çështje të ndryshme e posaqërisht në protestat që ndodhën në Universitetin e Prishtinës me çrast pati shkarkim të një rektori.
Rroni poashtu angazhohet si vullnetar në Fushë Kosovë përmes organizatës The Ideas Partnership ku punon me një grup prej 20 nxënësish romë, ashkali dhe egjiptas me qëllim të përgatitjes së tyre më të mirë në shkollimin e mesëm si dhe për universitet.
Është marrë me gazetari investigative në kuadër të Rrjetit të Gazetarisë Hulumtuese në Ballkan (BIRN). Gjatë vitit 2016 ka hulumtuar korrupsionin akademik me ç’rast janë zbuluar raste të shkeljes së parimeve të integritetit akademik nga rektori dhe drejtues të tjerë të lartë në UP.
Është autor i disa raporteve dhe i dhjetëra shkrimeve autoriale dhe hulumtimeve për gazeta të ndryshme në Kosovë dhe në rajon si Gazeta JNK në Prishtinë, Prishtina Insight, Balkan Insight, Bilten (Kroaci), Zëri dhe Koha Ditore.
Aktivistët e ORCA-s, Dibran Hoxha dhe Rron Gjinovci janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës, pas një aksioni ndaj plagjiatorëve të shpallur nga Këshilli i Etikës në Fakultetin Filozofik.
“Nuk mund të ketë normalitet në situatë jonormale. Është jonormale që një profesor i dënuar për plagjiaturë të vazhdojë të shfaqet para studentëve, prandaj ne po e normalizojmë situatën duke mos lejuar që kjo të ndodhë.
Ne u arrestuam, por do të vazhdojmë luftën kundër plagjiaturës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Njoftimi i organizatës ORCA:
ARRESTOHEN AKTIVISTËT E ORCA-S - PLAGJIATORËT DO T’I NDALIM EDHE FIZIKISHT
Sot aktivistët e ORCA-s, Dibran Hoxha dhe Rron Gjinovci, u arrestuan pas aksionit simbolik ndaj plagjiatorëve të shpallur nga Këshilli i Etikës në Fakultetin Filozofik.
Pasi procedurat për vendimin përfundimtar për rastin e plagjiaturës Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati po marrin kohë siç ndodhë rëndon në Universitetin e Prishtinës, kemi vendosur që nga tash e tutje të kalojmë në aktivizëm gueril.
Në të gjitha rastet kur institucionet tregohen të paafta për t’i jetësuar vendimet meritore ndëshkuese për kryesit e shkeljeve, ORCA do të reagojë duke iu pamundësuar kryesve aktivitetin e tyre të përditshëm normal.
Nuk mund të ketë normalitet në situatë jonormale. Është jonormale që një profesor i dënuar për plagjiaturë të vazhdojë të shfaqet para studentëve, prandaj ne po e normalizojmë situatën duke mos lejuar që kjo të ndodhë.
Ne u arrestuam, por do të vazhdojmë luftën kundër plagjiaturës!