AGU E FRESKON BALLIN NË KROJET POETIKE TË FLORI BRUQI
( Referuar tek Vepra Letrare ” Diademë Letrare” )
nga Zef PËRGEGA
DETROID
Kohë më parë një mik i imi në Tiranë, fisnik deri në thelb të shpirtit, penë e zgjuar dhe e talentuar e fjalës shqipe, më shkruante: “Të lutem falënderoje mikun tënd Flori Bruqi, për shkrimet që më dërgon. Nëpërmjet tij i them çdo ditë mirëmengjes Kosovës, i them poezisë së tij, më flladitë dhe më çelë sytë, i them përkushtimit të tij, se ku e merr këtë vullnet kaq të fortë…!” Sa më tepër kalojnë vitet mbi rrudhat e ballit të njeriut, krojet e shpirtit gurrojnë dhe e ndezin motivin për të parë gurët e trojeve të të parëve. E
mbi të gjitha, për t’i rënë në gjunjë lotit të gurit, që vajton pa britma . Kështu më ndodhi në vitin 1998, ku pashë muret e rrënuara të kalasë . “Bassania” të stërgjyshit të lisit të fshatit tim. Ishte koha kur të rinjtë e fshatit luanin me simite të bardha të demokracisë e shkullonin coca cola e mua më duhej me detyrim të dhunshëm të largohesha për në Amerikë. Lumi i fshatit nënqeshi dhe guri heshti, kur ia ktheva shpinën Kodrës “Pleshe”, ku i ka themelet kalaja e njëhershme me Lissusit e lashtë. Prej olimpit të një guri të madh me mbishkrime të quditshme u ngrit një fjalë e moçme e më lëshoj zë, kur po freskohesha në ujin e kthjellët të lumit Mat. “Në rrënojat e thella të gurëve, kërko se aty ka kroje të bardha dhe kyçen me shekujt e ndryshkur pavionet e lashta të historisë tonë!”
Flori Bruqi
Më tingëlloi kjo fjalë, sikur donte të thoshte se nuk duhej t’ua ktheja shpinën. Thonë se edhe pisha e ka shtatin e drejtë se me rrënjët e thella të saj në nëndheun e tokës kërkon burime, por Maxhun Bruqi, i cili në pëllëmbën e Shqipërisë Etnike dhe në folenë e gurëve të rëndë e shqiti dritën, që venitej nën pushtetin e territ të thundrave të shkelësit.
Ai, kur rëndi gjeografisë së vendit të tij me kalin e bardhë të zanave, mbolli kudo filiza të njomë dhe i vishte me shajakun e kostumit tonë kombëtar, që t’i mbronte nga baroti djegës.
Ata janë shenjat e tokës së vet në vend të piramidave. Poeti i lirisë së tokës martire të Kosovës, Naim Kelmendi në prag të 101 vjetorit të pavarësisë më dërgon një kartolinë. Në pasqyrën e saj janë disa njerëz që mbajnë mbiemrin e një trungu.
Të duket një legjendë e kohës së re, që dritën e të vjetrës e përcjellë mes gjetheve të gjelbërimit, e Maxhuni i ka rrethur me dejet e pemës, anëtarët e familjes Bruqi.
Në rrënjët e tyre ka një buzëqeshje familjare, por ka edhe kroje vargjesh, të cilat Flori Bruqi i ka mbledhur në kuvendin e madh të shekullit të shqiptarëve me shaminë e një ore mali, që e takoi për herë të parë në një krua të fshatit, kur vashat e tjera ishin larguar, e ajo e kishte pritur… ndaj familja e tij është e nderuar në gurin e fisit shqiptar.
Flori Bruqi vjen në letërsine tonë kombëtare me krojet e kulluara të flirtit të shpirtit të tij.
Kam vënë re se ai nuk bën kompromis me askënd që ka vënë firmën në balada, në mite, në legjenda, për t’u dukur baloz mbi detin e fjalës shqipe të valës tonë të kripur ëmbëlsisht, as me heronjtë e shpallur rrejshëm nëpër podiume, por ai si misionari i fjalës së lotit të qiririt, i pashuar dhe i patretur e ka projeksionin lart në qiellin e lirë në vlerën e të vërtetës. Aty poeti Bruqi frymëzohet, për njeriun, për nderimin, si dorë e besës së bashkimit, e në penën e tij, rrjedh krijimi me një shporte dhuratash me metafora. E lexova me ëndje , si çdo krijim tjetër, librin e ri në botim të Flori Bruqit “Diademë Letrare”,-(kritikë, gjuhësi, pikëpamje, poezi…)e shumë më shumë se kaq.
Në krojet poetike të Flori Bruqit agu i parë e freskon ballin, për t’ia gëzuar ditën njeriut. Në këtë libër autori Bruqi shfaqet si vreshtar me shumëllojshmëri drurësh frurore, që i krasit në mënyrë tradicionale, që shëndeti t’u kalojë mesazheve poetike.
Flori është një aristokrat i kulturuar në kancelarinë e tij të studimeve, të denja për referenca shkencore, në krahasime e analiza të ndryshme. Shpirti i guximit të Flori Bruqit i shtron rrugët e së resë, duke rritur krenarisht gjeneratat që vijnë pas, për t’u përfshirë pa hezitim në maratonën krijuese.
Një libër që na vjen në dorë e të mahnit me logjikën dhe argumentin shkencor, që e zbukuron kurorën e festës së letrave shqipe. Shembull pozitiv, bre bac, i lëmë për llogore mbrojtëse të kombit të tij dhe njëherësh i gatshëm dhe me zë të fortë të jetë tribun në katedrën e kulturës…e bash të afërt i ka Naimët aty ku këmba e ditës së re prek shqimet.
S’ ka më bukur, kur librin Flori ia kushton babait, kopshtarit të gjeografisë, duke na kujtuar se bota e vargut rrotullohet rreth vetes dhe kurorës së shenjtë të kombit.