Ndërmendemi sot në vdekjen e Uilliam Shekspir, për magjiken e sendërgjimit përmesa tragjikomedisë të shpirtit njerëzor. Jo vetëm Anglia që e kishte poetin e saj kombëtar, por gjithë bota përulen me respekt dhe mirënjohje të thellë për Uilliam Shekspir, për veprën e tij monumentale, gjenialitetin e asaj kreature që mbeti e përgjithmonshme si shëmbëllim në tematikë dhe karaktere, në mëtim, kumtim dhe jetësore.
Edhe pse kanë kaluar 452 vite prejkur u lind dhe plot 400 vite qyshkur u shua këso jete, ai mbetet shkreptima më dritlëshuese e dramaturgjisë, tingëllima më larushitëse e sonatave, më e qenësishmja lojë e aktrimit në skenën angleze. Ai kishte pararendës themelet e botëve antike dhe traditën, epokat e përtëritjes përmes ligjërimit. Dishepujt i kishte panumërt, doktrinar, zotër dhe shëlbyes të shpirtit dhe tempit të epokës. Letërsia britanike, dramaturgjia, krejt bota e letrave, do ta mbajnë ndërmendjen për të si kremtimin më solemnt të kumtit artistik. Gjeneratat do të përulen para këtij shërbestari të bindur se ai meriton më shumë. Magjepsja e krijimtarisë që la, guxojnë të na japin gjithnjë atë shkëlqim, që mundëson kjartësimin dhe njohjen me njeriun dhe botën e asokohshme dhe deshifrim i botëkuptimit të gjithkohjes së njerëzimit, i cili përsiat vetveten, rrapëllitet në vorbullën e kohës, sipërfaqet dhe rrok të hyjshmen e së tashmes.
Filli psikologjik
Me një gjerësi të pashoqe, në veprën e tij Shekspiri paraqet marrëzinë e shpirtit njerëzor, të pushtetit dhe dashurisë, rregullsinë e përbotshme dhe të pashmangshme që sjell pasioni njerëzor. Pikëpamja e tij gjerësisht pesimiste na ysht të besojmë se “pushteti s’është gjë tjetër veçse një mjet ndihmës për të kënaqur mizorinë, kurse dashuria e patradhtuar të çon në varr”. Kjo nxitje shpie në anën e errët të shpirtit njerëzor dhe bën që për Shekspirin ëndrra të jetë e rëndësishme. Si shkas në veprën që la është e mundimshme të dallosh realitetin nga ëndrra. Kësisoj jeta është vegim, ndërsa njeriu është ëndërr. Në të shumtën e herëve këto ëndrra janë të makthshme. Veç kësaj, ashtu siç është e vështirë të perceptojmë, në rrimë zgjuar a vigjilojmë, më kot kuturisemi të dallojmë të mirën nga e keqja, të vërtetën nga gënjeshtra.
Diçka nga jetëshkrimi për tragjikomedianin e madh
Jeta e Uilliam Shekspir është pak e njohur. Dihet se ai u lind më 23 prill 1564 në Stratford on Avon dhe vdiq më 23 prill 1616 në po të njëjtin qytet. U martua më 1582 dhe u largua nga Stratfordi më 1585. Më 1592 lë gjurmë në Londër. Është fillimisht aktor pastaj tekstshkrues i dramave. Shekspir bën pjesë në trupën mbretërore, e cila ka teatrin e saj që quajtur “Globi”. Jeta e këtij teatri daton më 1599 dhe kapaciteti i saj është tremijë shikues. Me kalimin e kohës blen një teatër privat për t’u kthyer në Stratford më 1612, ku dhe ndërron jetë më 23 prill 1616. Kjo njohje e paktë e jetës së Shekspirit u ka lënë shteg hamendjeve për t’u hedhur në trillime dhe sajesa nga më të pabesueshmet. Disa shkojnë deri në atë cak sa të vënë në dyshim ekzistencën e tij. Të tjerë thonë se nën emrin e tij fshihet Francis Bekon. Nuk duhet lënë mënjanë fakti se edhe për shumë autorë të tjerë të kësaj periudhë dihet fare pak. Enigma e Shekspirit qëndron midis jetës së tij të thjeshtë dhe veprës së tij të jashtëzakonshme dhe shumë të larmishme.
Teatri, ku lindi ky diell
Nën mbretërimin e Elizabetës, kohë kur Anglia ishte në kulmin e fuqisë së saj dhe po ndërgjegjësohej si komb, teatri ishte ai që rroku interesimin e publikut. Ky ishte “arti i madh” i kohës, ku publiku gjente vetveten. Konsumi i kësaj forme shprehëse estetike dhe artistike nuk i privohej asnjë shtrese sociale, shtresat e ulëta, fisnikëria dhe monarkët ishin të gjithë të shtruar në të njëjtën sofër.
Galeria e veprave
Duke mos llogaritur poemat, Shekspiri ka shkruar 36 pjesë teatrore. Nuk dihet se kur u shkruan ato, por një lloj kronologjie renditësh mund të ofrojë shtresimi sipas zhanreve. Në këto pjesë, tematika huazohej nga autorë të mëhershëm, anglezë apo të huaj, por të gjitha janë të ripunuara me themel.
Fillesa e krijimtarisë së Shekspirit përkon me temën historike që përbënte dhe interesimin e kohës. Më 1591 erdhi në jetë “Henriku VI” për t’u pasuar nga “Rikardi III” më 1593, “Rikardi II” , 1595, “Henriku IV” që daton në periudhën 1596-1597 dhe mbyllëse e këtij kapitulli të teatrit historik vjen më 1599 “Henriku V”
Në të njëjtën periudhë jetësohen edhe komeditë. E para e këtij vargani është “Komedia e gabimeve” më 1594, pastaj “Gjerpërushja e zbutur” shkruar nga Shekspir në të njëjtin vit. “Ëndrra e një nate vere” vjen më 1595 e pasur nga “Gratë gazmore të Uinstorit” më 1597. Tri komedi të tjera vijnë në kohështrirjen e viteve 1598-1601, ato janë “Shumë zhurmë për asgjë”, “Si t’ju pëlqejë” dhe “Nata e mbretërve”.
Dhe çelet sipari i tragjedive që nis me një pjesë shumë të dhunshme në stilin e kohës, me vrasje, përdhunime, gjymtime. Bëhet fjalë për “Titus Andronicus”, kohë në të cilën pena e jashtëzakonshme shkruan dhe “Romeo dhe Xhulieta”. Pas vitit 1600 ai hedh në letër e vë në skenë tragjeditë e mëdha me temë nga lashtësia; “Antoni dhe Kleopatra”, “Koriolani dhe Timoni i Athinës”. Kjo është koha e veprave epokale “Jul Çezar” më 1599, “Hamleti” më 1601, “Otello”, 1604, “Makbeth” më 1606 dhe “Mbreti Lir” diku rreth atij viti.
Shkëlqimtari i botës viktoriane
Shekspiri mbamendet të jetë një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Rilindjes evropiane dhe një nga viganët mendimtarë më të fuqishëm që lindi kjo epokë. Ai ka rrëmbyer skeptrin e sundimtarit në botën e dramaturgjisë dhe letërsisë të të gjithë kohëve. Krijimtaria e Shekspirit karakterizohet nga madhështia e dimensioneve të saj, me gamën e mendimeve dhe gjerësinë e pazakonshme të mesazheve. Dramat e tij dallohen për shumëllojshmërinë e tipave, situatave, personazheve, epokave, popujve, mjediseve shoqërore dhe skutave më të thella të personalitetit dhe karakterit të njeriut të sekushëm në këtë botëjetim. Kjo begati e imagjinatës, tempi i shpejtë i veprimit, forca e pasioneve të paraqitura dhe tensioni i personazheve të caktuara, janë tipike për epokën e Rilindjes.
Burimet e frymëzimeve të Shekspirit janë larushitëse në kohë dhe në perimetër, në shtresëzime dhe në shëmbëllime. E nëse ka diçka të huajtur, ai e ka përvetësuar duke rijetësuar në atë kurm krejtçka mendja dhe pasioni i tij orvateshin të përsosnin në aktin sublim të krijimit.
Artin antik grek dhe atë romak, Rilindjen italiane dhe traditën popullore të dramaturgjisë angleze përbëjnë zgafellet e thella ku ai rrëmoi ngadhënjyeshëm, për të nxjerrë së andejmi diamantet magjike të tragjikes dhe komedisë, të romancës dhe historisë. Janë këto diamante, gurët më shndritës në gjerdanin e visareve estetike të njerëzimit që shndrisin në gjoksin e krenarisë së gjeneratave.
Shekspiri është origjinal dhe i vetmi për sa i përket përdorimit të gjuhës, lloj-llojet dhe pasurimet e ligjërimit artistik. Begatia e jashtëzakonshme e leksikut të përdorur nuk qëndron vetëm në numrin tejet të madh të fjalëve dhe të shprehjeve, por edhe në llojshmërinë e nuancave kumtuese. Në veprat e tij gjejmë një shumësi shprehjesh, proverbash dhe fragmentesh të këngëve të hershme që përbëjnë traditën e asokohshme popullore. Sikundër s’mungojnë rrekje të vezëllimta të kujtesës magjike të klasikëve.
Ajo që e përshkon si një fill kreçfarë përbën veprën e Uilliam Shekspir është karakteri demokratik dhe humanist. Me një realizëm të mprehtë dhe kritik ai trajtoi idetë përparimtare të Rilindjes dhe ushtroi një ndikim të pamohueshëm në letërsinë evropiane. Dishepuj dhe shembulltarë të Shekspirit behin të shumë në dalldinë e solemnitetit, ku u përkund kjo përvojë befasuese. Krijues të vendeve të tjera, të cilët kungojnë këtë shpirt në shtatin e dramaturgjisë së vendeve të tyre, do të vënë si gurëthemelet e dramaturgjive të veta kombëtare, siç bënë Lesingu, Gëte, Shileri, Hygoi, Pushkini etj.
Keqtrajtimi dhe anatemimi
Një kapërcim kaq i hovshëm në qiejt e famës dhe sundimin e kreut nuk mund të kishte dakordësi dhe të rrokte admirim te rivalët, ashti si tek artdashësit.
Të shumta janë vragët në të vdekur të tij, por përplasja e një gjeniu mes pasaktësisë së datëlindjes dhe datëvdekjes, është një nga çorollepsjet që kanë qëlluar me gurë diellin e tij, kujtojmë saora, hamendësimet anatemuese, se ai nuk është autori autentik i veprës që la në fondin e artë të letërsisë botërore.
Informacione të ndryshme që orvaten të dritëlëshojnë një panoramim të jetës dhe veprës së Ulliam Shekspirit, ngecin në baltën e pasaktësive, pa mundur të shkojnë larg me “vërtetësitë” e tyre. Kësisoj, datëlindja e dramaturgut në burime të shumta është 26 prill 1564. Kjo datë është e pagëzimit, sipas regjistrave të kishës. Burime të tjera mbeten të ngulmëta për datën 23 prill, si datëlindja e saktë e poetit dhe dramaturgut të madh. Datëvdekja, gjithashtu, është e pasaktë. >>>
<<< Ceremonia mortore e kishës ku i’u dha lamtumira mjeshtrit të madh, është 5 prill 1616, ndërsa ne na është servirur 23 prilli si datëvdekje. Nuk duam të besojmë se janë të qëllimta, sikundër e papajtueshme mbetet ecejaket në këtë qorrsokak.
Krijimtaria në zanafillë
Është ende e turbullt deri m’tash se kur ka filluar Shekspiri të shkruaj. Ndërkohë që radhitja e veprave të shkruara njihet vetëm përafërsisht. Sa ishte gjallë mjeshtri i madh, publikoi vetëm 8 nga 37 dramat që sot njihen si testamenti i tij krijues. Po ashtu ekzistojnë ndarje të ndryshme të krijimtarisë së Shekspirit. Më e shpeshtë është ajo që klasifikon në tri periudha: faze e hershme, që njëherit është edhe faza më e frutshme e veprimtarisë së tij, e mesmja dhe e vonshmja.
Për herë të parë Sonetet e Shekspirit u publikuan më 1609, edhe pse disa prej tyre ishin shkruar shumë më herët, para vitit 1598. Kjo është një nga përmbledhjet më të mira me sonete të Rilindjes dhe përmban 154 poezi. Motivi themelor që përshkon tërë përmbledhjen është ai i kalueshmërisë së kohës, e cila fluturon pamëshirshëm dhe merr me vete shumësinë e gjërave të mira dhe të bukura, duke shkatërruar e brejtur gjithçka dhe duke sjellë pleqërinë. Shekspiri, i cili gjatë jetës së vet ishte i njohur sa si poet, aq edhe si dramaturg, famën e tij të mëvonshme e përftoi ekskluzivisht falë dramave të tij gjeniale. Askush nuk ka mundur të rrënjëzohet kaq harlisur në kujtesën e njerëzimit sa veprat monumentale të këtij kolosi, të mendimit dhe kumtimit. 37 janë veprat që përplotësojnë kolanën e tij, prej të cilave, 13 tragjedi, 10 drama dhe 14 komedi. Ai përdori rreth 20 mijë unitete gjuhësore ndërkohe qe fjalori aktiv i njeriut te epokës nuk përmbante me shume se 1500 fjalë. Kishte një gjuhë jashtëzakonisht te gjallë dhe te pasur. Përdorte neologjizmat, lojërat e fjalëve dhe fjale me shumë kuptime.
Tragjeditë e Shekspirit
Në tragjeditë e tij Shekspiri krijoi një galeri të pasur dhe të larmishme me karaktere e personazhe, komplekse, të gjalla, vepruese dhe bindëse për të gjitha shtresat e shoqërisë. Autori hyn thellë nën botën e tyre të brendshme, duke bërë analiza psikologjike të jashtëzakonshme të veprimeve, e të sjelljeve të tyre. Të gjitha këto ai i jep me një larmi të madhe mjetesh kompozicionale dhe stilistike, me një gjuhë jashtëzakonisht të pasur, me rreth njëzetë mijë fjalë, plot me proverba e shprehje popullore. Një nga emblemat e tij ne tragjedi është “Romeo dhe Zhulieta”.
Për herë të parë në një tekst dramatik paraqiten personazhe plotësisht të individualizuara dhe të gjalla, në zhvillim shpirtëror fizik. Kjo është një dramë me një përmbajtje të theksuar lirike. Subjekti i veprës është shumë i thjeshtë dhe në qendër të tij vendoset dashuria e dy të rinjve, të cilët iu takojnë familjeve Kapulet e Montag që janë në hasmëri me njëra tjetrën. Për shkak të këtij dashuria e tyre pengohet dhe ndalohet. Por është dashuria forca kryesore lëvizëse e intrigës dhe pasioni kryesor që i ndërlidh ndjenjat. Skenat kur dialogojnë dy të dashuruarit janë shprehje të fuqishme dashurie, me pasazhe të mrekullueshme lirike, të cilat e bëjnë Romeon e Zhulietën të thuhet se është himni më i madh kushtuar dashurisë rinore. Vdekjen e tyre në fund të tragjedisë është një kambanë e zëshme kundër botës së mykur mesjetare dhe alarm për mbrojtjen e dashurisë, si forcë jetëdhënëse.
Kapërthimi i epërm i gjenialitetit
Në përputhje me ndryshimet e mëdha shoqërore në kapërcyell të shekujve, rreth vitit 1600, vjen një kthesë e madhe në krijimtarinë e Shekspirit dhe ai kthehet të ashtuquajturave “drama problemore” Tragjedia e parë e kësaj periudhe, “Hamleti”, është shprehje e atmosferës së re intelektuale e shpirtërore të kohës, një lloj refleksi i dëshpërimit politik dhe i frikës nga e ardhmja e shtetit në prag të vdekjes së mbretëreshës Elisabetë.
Tragjedia “Makbethi” për shumëçka nuk është dramë e zakonshme, personazh kryesor është kriminel, ngjarja pothuaj e tëra ndodh natën, elementet mbinatyrore kanë një rol mjaft të madh, dhe është një tragjedi më e shkurtër e shkruar nga Shekspiri. Tema e saj është fitorja e së keqes mbi njerëzimin, e shprehur përmes veprimesh të motivuara nga ethja për pushtet dhe nga frika. Makbethi dhe gruaja e tij me vetëdije zgjedhin të keqen dhe kryejnë aktin që drejton gjithë rrjedhën e mëtejme të jetës së tyre. Nga dëshira për t’u ngjitur në fron, vendosin ta vrasin mbretin e ligjshëm, Dunkan. Krimi e izolon shpirtërisht Makbethin nga rrethi i tij. Mbetet i braktisur, i vetmuar dhe gjithnjë ndjen shkretëtirën në shpirt. Ai ka vrarë, por jo në fushën e betejës. Subkoshienca e tij tronditet në themel dhe ai s’mund të jetë ai që ka qenë. “Makbethi vrau gjumin e pafajshëm” Kjo është fraza që dëgjon ai nga nënvetëdija dhe që e çon atë në çmenduri. Ndërsa Ledi Makbethi, mishërohet natyra e gruas egoiste, e pamëshirshme për pasuri e lavdi dhe për fronin mbretëror. Është ajo e para që e shtyn në krim të shoqin duke e bërë vegël e ambicies së vet të sëmurë. Fillimisht shfaqet tepër gjakftohtë, por deri kur? Njëlloj si i shoqi fillon të vuajë nga vegimet e krimit, që i shfaqen në formën e njollave të gjakut. Ideja e fuqishme e kësaj tragjedie është se etja për pushtet e shtyn njeriun në shterimin e çdo virtyti dhe vlere morale, për të cilën një ditë ai merr shpagimin e merituar.
Thanë për veprën e Shekspir
-Volteri flet për Shekspirin si për një “Perlë në plehra”, ndonëse është pikërisht zelli dhe kushtimi i tij që kjo vepër t’i mëkohet edhe francezëve.
-Zbulimi i Shekspirit në kontinent ndikohet shumë në lindjen e romantizmit. Schlegel thotë për “Makbeth”-in se, “që prej “Oresti”-s së Eskilit nuk është krijuar një tragjedi më e madhe dhe më e tmerrshme se ajo e Shekspirit.
-Viktor Hygo është i afeksionuar aq sa nxit të birin që të përkthejë Shekspirin, të cilin ai e përkufizon: “Shekspiri është vëlla me Danten. Njeri plotëson tjetrin. Dante mishëron të mbinatyrshmen kurse Shekspiri gjithçka që është e natyrshme.
Gjithqysh në gjithëkohë, Uilliam Shekspir, ky ishte, është dhe do përjetëjetojë gjithmonë si më e epërmja gjendje shëmbëllimi dhe përjetimi, frymëmarrja e densitetit të lartë dhe vërshimi i limfës në realen kohore të shpirtit njerëzor, të atij ngulmi që gjithnjë nget përku e çon brendi e tij, pushteti, pasioni.(A.Vataj)
Në fundin e viteve 80’ në Tiranë vazhdonte botimi në shqip i romaneve të tjera të Komedisë Njerëzore të Honoré de Balzac (Balzak), i cili për ne, ashtu si dhe Victor Hugo, (Hygo), Emile Zola e të tjerë francezë të mëdhenj, ishte ndër autorët më të njohur. Tekstet e Balzakut studioheshin në gjimnaze e universitete. Botimi i romanit “Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve”, pas “Iluzioneve të Humbura”, “Xha Gorio”, “Evgjeni Grande” dhe “Kryeveprës së panjohur”, vazhdonin të zbulonin në përfytyrimet tona jo vetëm histori e ngjarje të asaj epoke, jo vetëm personazhe të tjerë të universit balzakian, por dhe shfaqje të tjera të universalitetit njerëzor.
Kur erdha në Paris në vitin 1991, ajo që ishte kureshtare për francezët ishte njohja që kishin shqiptarët për letërsinë franceze. Personazhet balzakianë si Rastinjak, Grande, Votren, Lysien de Rubenpre, xha Gorio, etj, ishin ngulitur mirë në kujtesën dhe imagjinatën tonë. Por kur mësova rastësisht se pikërish jo larg ambasadës shqiptare në Rue de la Pompe, pranë Trocadero-së, ndodhej ”Muzeu i Balzak-ut”, (“Maison de Balzac”), dëshira e madhe për të njohur nga pranë jetën e autorit të madh më shtyu menjëherë drejt asaj shtëpie, e cila ndodhej në 19, Rue Basse de Passy, (sot 47, rruga Raynoud), pikërisht në atë shtëpi ku Balzak u fshihej huadhënësve të tij dhe vazhdonte shkrimin e kryeveprave.
Në atë shtëpi ishin ruajtur shumë objekte të shkrimtarit, tavolina e punës dhe shandanët e tij, shishja e bojës së shkrimit, penda, dorëshkrime, piktura e fotografi. Dhe papritur, në atë mjedis balzakian ndjeva se fotografitë gjallëroheshin nga pamja e tyre statike dhe në imagjinatë, rikrijohej figura e shkrimtarit, i cili në netët e vona, në heshtjen e plotë, pranë tasit të kafesë, vazhdonte të shkruante gjer në dritën e parë të agimit.
Në 2504 personazhet e tij të Komedisë Njerëzore, Balzak krijoi një nga afreskët më të mëdhenj të kohës, me personazhe ku shpesh është dhe një pjesë e vetes së tij, apo njerëz që ai i kishte njohur realisht. Parisi me jetën dhe historinë e tij si të thuash ishte bërë laboratori i tij letrar, por njëkohësisht dhe thelbi i jetës së tij me histori dashurish, vuajtjesh, sallonesh letrare e skena dramatike, me shtëpi ku ai kaloi fëmijërinë, rininë apo vitet e famës së tij.
Në Paris ekziston si të thuash një gjeografi e tërë vendesh, një gjeografi njerëzore, apo një «arkeologji» e qytetit, ku shkrimtari i madh ka lënë gjurmë e tij, jo vetëm si njeri, por dhe si krijim. Parisi ishte bota ku do të vërtiteshin pjesa më e madhe e personazheve të tij. «Parisi është liria e inteligjencës, – shkruante ai, – atje është jeta: një jetë e çuditëshme e pjellore, një jetë komunikuese, një jetë e nxehtë, një jetë hardhuce dhe një jetë me diell, një jetë artisti dhe e këndëshme, një jetë kontrastesh.»
Vizita e fundit në shtëpinë ku kishte vdekur Balzak, kishte qenë ajo e Viktor Hygosë. Ishte data 18 gusht 1850. Gruaja e tij kishte qenë paradite te Hanska, e cila i kishte thënë se Balzaku ishte në grahmat e fundit. Po atë ditë, Hygo kishte shkruar në ditarin e tij: «I rashë ziles. Ishte një hënë e plotë me re. Rruga ishte e shkretë. Prita. Askush nuk e hapi. I rashë prapë. Porta u hap. Duke qarë, një shërbëtore me shandan në dorë pyeti: Çfarë doni zotëri? I thashë emrin. Më çuan në sallon, ku përballë oxhakut ishte një bust i madh në mermer i Balzakut. Një grua tjetër u afrua duke thënë:
“Ai po vdes. Zonja ka ikur në dhomë, po kështu dhe mjekët, ikën që dje. Ai nuk flet më. Prifti erdhi dhe i bëri shërbimin e fundit.»…Një erë kufome ishte shpërndarë në dhomë. Kërkova ta takoj Balzakun. Kaluam një korridor dhe ngjitëm shkallët. Ishte atje, me kokën e zhytur në jastëk. Kishte një fytyrë ngjyrë violet, gati të zezë, të parruar dhe me flokët gri, të prera. Ngjante me perandorin. Një erë e padurueshme kundërmonte nga krevati. Ngrita jorganin dhe mora dorën e tij. Ishte gjithë djersë. E shtrëngova. Nuk m’u përgjigj. Zbrita duke mbajtur në kujtesë atë fytyrë të zbehtë. Ishte e djelë. Duke hyrë në shtëpinë time njerëzit më prisnin. Ju thashë: «Zotërinj, Europa do të humbë një shpirt të madh!”
Balzaku vdiq pak kohë pasi u largua Hygo, i cili ishte dhe vizitori i fundit në botën e të gjallëve. Në orën 23.30, ai dha shpirt. «E pashë në profil, i ngjante Perandorit», kishte shkruar Hygo. Të nesërmen, arkivoli i tij u vendos në kishën Saint-Nicolas. Pastaj lumi i njerëzve që shoqëronte funeralin, kaloi përmes Parisit drejt varrezave të «Père Lachaise». Piklonte shi. “Ishte një nga ato ditët kur të duket se dhe qielli derdh lotë”, – shkruante Hygo. Në varreza, përballë gropës së hapur dhe turmës njerëzore që nderonte autorin e Komedisë Njerëzore, Viktor Hygo u shfaq para tyre dhe foli: “Ky puntor i jashtëzakonshëm dhe asnjëherë i lodhur, ky filozof, ky poet, ky gjeni, ka jetuar midis nesh një jetë stuhish, luftrash, zënkash, betejash. Sot më së fundi ai është në paqe: ai iku nga kundërshtitë dhe urrejtjet. Dhe në të njëjtën ditë ai hyn në lavdi dhe në varr!”…
Aventura letrare
Familja e Balzakut kishte zbarkuar në Paris një ditë të vitit 1814. Ata u vendosën në Marais, në 40, Rue du Temple, në atë lagje ku nuk kishte kanalizime dhe ujët e dimrit qëndronte nëpër rrugë një kohë të gjatë. Prandaj e quanin «Marais», që do të të thoshte «Kënetë». Adoleshent, Balzaku ishte shumë i shëmtuar: me flokë të gjata, i deformuar dhe me dhëmbë të hapura. Cvajgu e përshkruan atë të veshur si “një fshatar apo proletar”. Pas një qëndrimi në një pension fetar, ai studioi në liceun «Charlemagne» dhe më pas arriti të bëhej një lloj noteri, duke bërë punë të vogla te disa avokatë, gjersa një ditë vendosi të merrej me letërsi. Kur familja e tij u largua disa kohë nga Parisi, ai u vendos në një mansardë diku nën çati, në një rrugë afër Bastijës, në Rue Lesdiguières. Në Bastijë ende qëndronte një elefant gjigand prej druri, që të kujtonte Kalin e drunjtë të Trojës, dhe që Viktor Hygo kishte imagjinuar dhe vendosur në barkun e tij, strehën e Gavroshit gjatë kohës së Revolucionit francez.
Dhoma e Balzakut ishte e thjeshtë: një shtrat, një tavolinë, dy karrige. Dhe kjo vetëm për 3 grosh në ditë. I ftohti hynte nga të katër anët e çatisë dhe atij i duhej të mbështillte këmbët me batanije që të mund të flinte. Një moment ai ëndërroi të vendosë një piano, por s’kishte para dhe kështu vendosi vetëm një pasqyrë. Bleu letra, bojë shkrimi, lapsa, vaj për llampën dhe mendoi të shkruajë. Atëherë ekzistonin librarë që paguanin talentet e reja që të shkruanin romane për «dhomat e leximit». Ishin atelierë shkrimi dhe Balzaku fillimisht u ushtrua me këtë lloj profesioni për të fituar pak para. Botimet e para me aventura, ai i nënshkroi me pseudonime: Lord R’hoone, Horace de Saint-Aubin, etj. Por më pas mendoi për romanin e parë. Po çfarë të shkruante? Një histori dashurie?… Jo! Ai vendosi të shkruajë për historinë e heroit të Anglisë, Kromuellit. Romanet historikë ishin në modë atë kohë. «Përfundimisht mendoj të shkruaj mbi Cromwell, – shkruan ai, – pasi kjo është ngjarja më e bukur e historisë moderne».
Balzak ëndërronte të bëhej Walter Scott-i francez. Në moshën 23 vjeçare, ai do të shkruante: «Vetëm dy pasione kam në jetë: dashurinë dhe lavdinë. Deri tani asnjëra prej tyre nuk më është plotësuar.» Atë kohë kur kishte shkruar mijra faqe, ai u njoh me një fisnik dhe ra në dashuri me vajzën e tij të ve, Laure de Berny, më e madhe në moshë se ai: 10 vjet jetë pasionante. Në vitin 1823, Balzaku u vendos në Rue Tournon dhe dy vjet më vonë u njoh me dukeshën Abrantes, vejushën e gjeneralit Junot, apo ish të dashurën e mareshallit Marat, një nga femrat më të afërta të perandorit Napoleon dhe familjes së tij. Ata takoheshin shpesh në shtëpinë e saj, në Pavillon de Versailles. Abrantes shkruante kujtimet dhe kishte nevojë për penën e një shkrimtari si ai.
Rue Cassini
Në këtë rrugë Balzaku u vendos në vitin 1828, atëherë kur fillonte aventura e vërtetë e një shkrimtari të ri që kërkonte të pushtonte botën letrare të Parisit. Mjerisht, shtëpia e dikurshme është shëmbur. Ajo nuk ekziston më, por rruga duket sikur i ruan ende kujtimet balzakiane. Aty, pranë Observatorit të Parisit, në atë rrugë të vogël, ai kaloi nëntë vjet, ku veç dhomës së gjumit kishte dhe një dhomë ku punonte. Edhe pse nuk kishte para, duke menduar se shpejt do të fitonte, ai morri 60 mijë franga borxh dhe filloi të blente pajisje për shtëpinë dhe dhomën e punës. I pasionuar pas historisë, lexonte libra historikë, mbante shënime, rrëmonte nëpër biblioteka.
Lexonte Rabelais dhe shkrimtarë të kohës; vishej bukur dhe frekuentonte sallonet letrare që atëherë gëlonin në Paris, ku zakonisht ishin zonja fisnikësh që i mbanin ato të gjalla, si zonja Hamelin, zonja Ancelot, etj. Zonja De Berny, e dashura e tij, dhe më pas dukesha Abrantes, me të cilën do të dashurohej gjatë disa vjetëve rradhazi, i tregonin anekdota e histori të ndryshme, të cilat ai i regjistronte në kujtesën e tij. Meqë ai nuk e kishte dorëzuar një dorëshkrim, për të cilin ishte parapaguar 200 franga, një ditë botuesi i trokiti në portë dhe si këmbim ai i dha një dorëshkrim tjetër që sapo e ka përfunduar, Code conjugal, (Kodi bashkëshortor).
Botuesi e pranoi këtë shkëmbim se e dinte që ato para që i kishte dhënë s’kishte për ti marrë ndonjëherë. Ndërkohë Abrantes e prezantoi në sallonin e njohur letrar të zonjës Recamier, ku vinin artistët dhe shkrimtarët më në zë të asaj epoke. Aty njohu Viktor Hygonë, Lamartinin dhe të tjerë. Shkrimtari i ri ra në sy për pasionin dhe energjinë e tij, por njëkohësisht dhe për mënyrën e tij të vrazhdë dhe flokët gjithë yndyrë e të pakrehura. Po ato kohë ai botoi Fizionomia e martesës, (La phisionomie du mariage). Një letërsi që pëlqehej veçanërisht nga gratë dhe që autorit i sillnin para. Ese e tregime që zhbironin botën dhe dëshirat e gruas si Gruaja superiore, Vajza e moshuar, Bombastikja, etj. Këto vepra padyshim pagoheshin mirë, por borxhet mbeteshin gjithnjë pa paguar. Huadhënësit shpresonin se autori i ri do të ecte përpara dhe një ditë të afërt do ti shpërblente mirë.
Në vitet 1830-1831, filloi një periudhë e re në krijimtarinë e Balzakut. Ai shkruante artikuj gazete dhe ese në disa revista e gazeta, në Revue de Paris, Voleur, Silhuette, Caricature, Mode, etj. Shkruante mbi shoqërinë franceze, mbi martesën, Skena nga jeta private, e më vonë tregimin e famshëm Kryevepra e panjohur. Çdo ditë që shkonte e mbushte atë me besim. Siç i shkruante mikeshës së tij Zulma, mikeshës së vërtetë «Jeta ime është një betejë ku më duhet të ndeshem çdo çast, për të njohur talentin tim, nëse ky talent ekziston».
Balzaku shkruante vetëm natën. «Unë s’mund të shkruaj vetëm gjatë një ose dy orëve», – shënonte ai në fletoret e tij. Po, atij i duhej e gjithë nata. Punën e fillonte në mesnatë: përpara kishte lapsat, gërshërët, letrat dhe vetëm një pendë «korbi». Në orën tetë të mëngjesit, shërbyesi i tij Auguste i binte portës që ai të linte punën dhe të flinte. Jashtë qyteti kishte kohë që ishte zgjuar. «Kur punoj, harroj vuajtjet e mia, – shkruante atë kohë Balzak. – Eshtë pikërisht kjo që më shpëton.» Madje Balzaku ishte dhe superticioz. Në një nga gishtërinjtë mbante një unazë të trashë me mbishkrime orientale. Ai mendonte se ajo i sillte fat.
Për një kohë të gjatë, pavarësisht nga marrëdhëniet me dukeshën Abrantes dhe zonjën de Berny, ai dashuronte dhe zonjushën Visconti, për të cilën thuhet se pati një djalë me të. Më pas ai iu dha markezes Castries. Ishte një fytyrë e ëmbël që e dehte. «Kjo dashuri mbeti një nga dhimbjet e mia më të mëdha», do të shkruante më vonë Balzak. Por dashuritë kalimtare ishin të shumta, siç ndodhi dhe me një vajzë të quajtur Karolinë, të cilën e morri me vete si sekretare gjatë një udhëtimi në Itali, për të mbrojtur një afer të zonjës Viskonti në Torino. Por me kusht, që ajo të vishej si djalë. Dhe kështu ndodhi. Balzaku me «djaloshin e ri» u nisën drejt Torinos ku kaluan një udhëtim ekstaze gjatë 20 ditëve.
Ka një rrugë pranë Odeonit në Paris: quhet Rue Visconti. Në kohën e Balzakut, kjo rrugë quhej Rue des Marais-Saint-Germain. Për mua është një rrugë shumë e njohur, pasi shpesh kam ardhur në veprimtaritë që zhvillon jo vetëm shoqata «Albania», por dhe miku ynë, fotografi Eduard, me shoqatën e tij «Calligraphes». Sa herë që vija, do të ndeshja gjithnjë atë godinë kur dikur kishte qenë «Shtypshkronja Balzak» dhe shpesh imagjinoja shkrimtarin e madh që ato vite nxitonte në këto kalldrëme, drejt shtypshkronjës së tij. Që para se ta ngrinte shtypshkronjën, më 1824, Balzaku i kishte propozuar botuesit Urbain Cahel një roman të tij për botim, por botuesi i kishte dhënë një ide «gjeniale»: përse mos të kujdesej për disa botime lluksoze të veprave të La Fontaine, Molière, etj, çka mund të sillte fitime të mëdha. Kjo ide Balzakut i pëlqeu, por për këtë duheshin para që të mund të shtypeshin në shumë kopje. Balzaku filloi të përgatiste botimet e reja duke marrë borxhe, me shpresë se librat lluksozë do të shiteshin dhe ai do të mund të fitonte.
Por botimet e reja u shitën shumë pak. Atëherë ai mendoi se po të kishte dhe një shtypshkronjë si dhe një fonderi shkronjash nën emrin e vet dhe të ortakut, atëherë suksesi do të ishte i sigurtë. Kështu, i ndihmuar me para nga zonja De Berny, ai u vendos në këtë rrugë të ngushtë, ku në katin e parë ishte shtypshkronja dhe në të dytën zyra e tij. Balzaku punonte atje për pëgatitjen e librave dhe gjatë ditës priste mikeshat e tij, që nuk mungonin. Ai i pëlqente ato. E pëlqente seksualitetin. Shtypshkronja e Balzakut shtypte jo vetëm librat por edhe reklama, katalogë, libra shkollorë, çdo gjë që të mund të fitonte para, madje dhe një libërth të titulluar Arti i lidhjes së kravatës. E pse jo?…Dhe kravata ka artin e vet. Në mbrëmje vonë, kur kthehej në shtëpi, ai ulej në tavolinën e punës për të vazhduar romanet e tij.
Edhe pse puna e botuesit nuk eci, Balzak megjithatë nuk u tërhoq. Ai rifilloi të shkruajë akoma më me ngulm. Ai e dinte se vetëm një punë titanike mund ti sillte para dhe të shpëtonte njëherë e mirë nga mjerimi ku kishte rënë. Por ky mjerim e shtynte çdo ditë drejt krijimit të monumentit të tij letrar: Komedia Njerëzore. Ai u bë një përshkrues i hollë i personazheve, tipave sociale, mjediseve. Kudo që shkonte ai i vëzhgonte me kujdes portretet njerëzore, hotelet, pazaret, lagjet popullore, sallonet, antikuarët, huadhënësit, bankierët. Aty ishte bota e personazheve të tij, aty zbuloi kopracinë e plakut Gobsek, makiavelizmin e Rastinjak, dashurinë e jashtëzakonshme të një xha Gorio, (Père Goriot).
Në vitin 1935, ai shkruante: “Dua të jem në krye të botës intelektuale në Evropë. Edhe dy vjet dhe pastaj do të eci mbi kryet e atyre që donin të më lidhnin duart dhe ta pengonin fluturimin tim. Persekutimet dhe padrejtësitë më japin një kurajo të fortë prej bronxi”. Në arkivën e Balzakut ruhet ende dorëshkrimi i romanit Xha Gorio, ku në faqen e parë të titullit, Balzaku kishte bërë llogaritë e borxheve që i duhej të shlyente. Ai jetonte me makthin e tyre. Në vitin 1836, për të fituar para, ai drejtoi një gazetë të re, La chronique de Paris, ku do të bashkëpunonte dhe Hygo e shkrimtarë të tjerë me emër, por meqë gazeta nuk kishte shumë abonentë, pas shumë numrash ai u detyrua ta mbyllë atë, edhe pse faqet e gazetës i mbushte pothuajse vetëm ai. I vetmuar dhe me shëndet të keq, ai i shkruante mikeshës së tij të re, Eveline Hanska: “Jeta për mua paska qenë shakaja më e dhimbëshme. Natyra kishte krijuar te unë një qënie dashurie e të ngrohtë, por rastësia më detyroi vetëm t’i shkruaj dëshirat e mia dhe jo t’i përjetoj ato.”
Sidoqoftë, herë pas here, në errësirën ku jetonte, shkëlqenin drita shprese e gëzimi. Romanet Louis Lambert dhe Medecin du village, (Mjeku i fshatit), u mirëpritën nga kritika. Më pas në duart e lexuesit do të jenë dhe romanet Kolonel Chaubert dhe Eugenie Grandet. Pikërisht në këtë kohë ai fshihej nga huadhënësit: në fillim ishte vendosur në apartamentin e një të dashure, në Champs Elysées, ku policia e kapi dhe e mbylli në «Hotel des Haricots», («Hoteli i Fasuleve»), që ishte një lloj burgu. Por kolegët e gazetës arritën që pas disa ditësh ai të lirohet. Madje në burg, një adhuruese e romaneve të tij i kishte dërguar dhe trëndafilë.
I përndjekuri Balzak
Që tu fshihej huadhënësve, të cilët pothuaj i trokisnin çdo ditë në portë, Balzaku ishte vendosur tashmë në një shtëpizë të vogël jo larg kullës Eiffel, një strehëz nën emrin e sajuar të «vejushës Durand», në 13 Rue des Batailles. Jeta po i bëhej një kalvar i vërtetë dhe me këtë ankth të përditshëm nuk mund të shkruante. Por tashmë askush s’mund ta gjente atë, vetëm ata pak miq të cilët dinin kodin apo parrullën e tij: «Kam sjell dantella nga Belgjika» apo «Koha e patateve ka ardhur»… E megjithatë përsëri duhej ikur.
Në vitin 1838, emri i tij po përmendej kudo në sallonet letrare dhe në kritikën e kohës dhe Balzaku mendoi se mund të bëheshin para edhe në mënyra të tjera. Iluzione të çuditëshme iu ngjallën: të blejë toka në periferi të Parisit, në Sevres, të kultivojë ananase e ti shesë; të bëjë afere imobiliare…Balzaku donte kështu që të bëhej një lloj sipërmarrësi. Shumë shpejt e imagjinoi veten milioner. Madje pak kohë më parë ai kishte qenë në Itali dhe kishte zbuluar se dhe atje mund të bënte një afer të mirë: të shfrytëzonte ca miniera të vjetra ari.
Tashmë kostumi i tij ishte lluksoz dhe me kopsa ari. Në opera, një lozhë e veçantë ishte e abonuar në emër të tij. Atij i pëlqente të dëgjonte Bethoven. Mrekullohej me të, pasi e ndjente se ishin të ngjashëm: Bethoven në muzikë dhe ai në letërsi. A nuk thoshte ai se të barabartët e tij quheshin Molière, Walter Scot, Voltaire…. Shpesh ai rrëmonte nëpër antikuarë dhe një ditë bleu një shkop plot gurë të çmuar, për 700 franga, me të cilin shëtiste nëpër Paris. Një çmim faraonik! Por jo vetëm kaq: baronit Senagon i bleu një kalë dhe gruas së tij një një karrocë «cabriolet».
Që nga romani “Lëkura e Shagrenit”, ai tashmë i nënshkruante romanet me emrin Honoré de Balzac, duke i shtuar emrit të tij pjesëzën “de”, që ishte shprehje se rridhte nga një familje aristokratike. Ai mendonte se kështu do të bëhej më tërheqës në shoqërinë e lartë të Saint-Germain-des-Près. Po, Balzaku donte ti jepte fund njëherë e mirë varfërisë dhe të shlyente borxhet që u kishte shumë huadhënësve, të cilët orë e çast i kërkonin paratë. Ndërkohë të tjerë huadhënës i dhanë para për aventurat e reja të tij. Në gjithë Parisin flitej për “çmendurinë” e re të Balzakut. Por pak kohë më vonë Balzaku e kuptoi se gjithçka ishte e kotë. Aferi i tij kishte qenë rrënues për të. Ndërkohë që ditën merrte e jepte me huadhënësit që i kërkonin paratë, natën ai kthehej fshehurazi në shtëpi dhe vazhdonte shkrimin e romaneve të tij. “Isha pa para, – shkruante ai në shënimet e tij. – Binte shi me rrebesh dhe unë shkoja në këmbë gjer në Passy. Natën shkruaja. Nuk u çmenda por u sëmura”.
Këtë periudhë të jetës së Balzakut e kujton edhe miku i tij i afërt, shkrimtari Théophile Gautier: “Balzaku mbyllej në shtëpi si një murg. Zhdukej plotësisht dhe miqtë i humbnin gjurmët e tij. Kur ai shfaqej mbi tokë, duke tundur sipër kokës së tij një kryevepër, vinte duke qeshur si zakonisht me të qeshurën e tij të madhe, duke duartrokitur vetveten dhe duke bërë lavde me një naivitet të jashtëzakonshëm. Asnjë autor nuk ishte aq indiferent për artikujt që shkruheshin për veprat e tij. Ai e linte romanin që ta bënte vetë famën tek lexuesit. Kurrë ai nuk u bë kurtizan i gazetarëve. Balzaku e jepte dorëshkrimin, merrte paratë dhe ia mbathte për tu dhënë borxhet huadhënësve që shpesh e prisnin në oborrin e gazetës…»
Por Gautier tregon me humor edhe një detaj tjetër nga jeta e Balzakut: «Nganjëherë në mëngjes, ai vinte i dërmuar, me frymën që i merrej dhe i trallosur nga ajri i freskët i mëngjesit, ashtu si llava që dilte nga krateri i vullkanit, ai hidhej mbi divan… Pasi hante, ai na lutej që ta zgjonim pas një ore. Por pa e zbatuar porosinë e tij, ne e linim duke mos bërë zhurmë përreth. Kur zgjohej dhe shikonte se ishte bërë muzg, ai hidhej përpjetë dhe na mbyste me të shara, duke na quajtur tradhëtarë, hajdutë, vrasësa. Sipas tij, ne kishim bërë që ai të humbte 10.000 franga, sepse po të ishte zgjuar, ai do të kishte gjetur ndonjë ide romani. Ne ishim shkaktarët e katastrofave të tij të mëdha. Ne ishim shkaku që ai të mos shkonte në takimet me huadhënësit, bankierët, botuesit, dukeshat…ai gjumë fatal do të kushtonte miliona.»
Në lagjen e Passy, ai ishte strehuar fshehurazi. Ishte një shtëpi me një shkallare të fshehtë, nga ku mund të largohej pa u pikasur nga të tjerët, në rast se i vinte policia. Ai shkruante në po atë tavolinë si dhe më parë. “Kjo tavolinë i di të gjitha hallet e mia. Ajo i ka njohur të gjitha projektet, i ka dëgjuar të gjitha mendimet e mia. Krahu im pothuaj e ka dërmuar nga që kur shkruaj, ai më vërtitet sa andej-këndej”. Në të majtë të tavolinës mbante një tufë letrash të bardha, një shishe boje e trashëguar që nga koha studentore, ndërsa në të djathtë fletoret ku kishte hedhur shënimet e romaneve të ardhshme të tij.
Pranë tij, si gjithnjë dhe një tas i madh porcelani, një “cafetière”, ku ai bënte një lloj përzjerje të çuditshme me tre lloj kafesh: kafe «Bourbon», kafe «Martinique» dhe «Moka». Kafen «Bourbon» dhe «Martinique» ai e blente në “Rue des Vielles-Haudriettes”, ndërsa «Moka»-n në Rue du Mont-Blanc. «Kafeja të zbret në stomak, – shkruante Balzak, – dhe që nga ai moment gjithçka gjallërohet: idetë shkunden dhe marshojnë si batalionet e ushtrisë «La Grande Armée».
Në orën 8 të mëngjesit Parisi zgjohej. Pas 3-4 orë gjumë, ai merrte një banjo me ujë të ngrohtë dhe priste puntorët e shtypshkronjës që i sillnin faqet e shtypura për të bërë korrekturat e fundit. Ai u kërkoi shtypshkronjësve ti hidhnin «provat» në faqe të mëdha që të mund të bënte korigjime të shumta, pasi ai i rishkruante përsëri faqet që i sillnin, aq sa ata nervozoheshin me të. Tipografët nxeheshin me hieroglifet e tij që mezi i deshifronin. Nganjëherë një faqe ai e kthente shumë herë derisa më së fundi të ishte i kënaqur. Dhe kjo punë e përditëshme zgjaste 3-4 orë. Ishte «një lloj guzhine letrare» do të shkruante Cvajgu për dorëshkrimet e Balzakut. Ndërsa vetë shkrimtari shkruante: «Kur nuk shkruaj romanet që kam nëpër duar, mendoj për ato që do të shkruaj dhe kur nuk mendoj për planet e ardhëshme, atëherë merrem me korigjimet. Kjo është jeta ime.”
«Forçat littéraire»
Honoré de Balzak ishte një «forçat littéraire», pra «një i dënuar me punë të detyruar letrare». Ndërsa «forçats», ishin të dënuar që bënin punët më të rënda nëpër kampe të burgosurish, Balzaku ishte po një lloj i dënuari për të shkruar që të mund të shlyente borxhet.
Në historinë e letërsisë të pakët duhet të kenë qenë ata që kanë qenë «forçats» të tillë, por Balzaku ishte padyshim i dënuari më i jashtëzakonshëm në gjithë historinë e letërsisë botërore. Për të shlyer borxhet, atij i duhej të punonte, natën dhe ditën. Madje njëherë, gjatë 10 ditëve ai arriti të shkruante rreth 6 mijë rreshta. Pikërisht në këtë periudhë ai firmosi kontrata për 32 libra të ardhshëm. «Nëse do të punoj siç kam punuar këto tre vjet, jam i sigurt se do t’i shlyej të gjitha borxhet e mia. Dhe kjo do të jetë fitorja më e bukur që një njeri do të arrijë!» Dhe më pas ai shtonte në ditarin e tij: «Dje kam punuar 19 orë ndërsa sot duhet të punoj 20 ose 22 orë. Por ajo që më lodh janë korrigjimet».
Kjo punë ishte një luftë e tmerrshme, e përditëshme. Dhe që ta përballonte këtë stërlodhje ai filloi të hante në mënyrë të jashtëzakonshme, të pinte verë me shumicë, çka e rëndoi dhe e dhjamosi trupin e tij. Hemorragji, inflamacion cerebral, verdhëz, humbje e kujtesës… sëmundjet e trupit të tij filluan të ndiqnin njëra tjetrën.
Hanska, dashuria e vërtetë
Historia e Hanska-s, e cila më vonë do të bëhej gruaja e Balzakut, është një histori e rrallë në botën e dashurive më të njohura të shkrimtarëve të botës, diçka jo e zakontë. Balzaku atëherë ishte në kulmin e krijimtarisë së tij dhe kishte përjetuar shumë aventura dashurie në botën e salloneve letrare. Dashuri efemere, por dhe të gjata që zgjasnin në vite. Dashuri që rizgjoheshin dhe binin përsëri në gjumë. Atë kohë ai merrte letra të shumta nga adhurueset e tij dhe një ditë, një adhuruese me pseudonimin “E huaja” i shkruante me një devocion të veçantë: “Gjenia juaj më duket sublime, por duhet që ajo të bëhet hyjnore”…Kush vallë ishte kjo?… ”
I bëj homazh shpirtit tënd dhe do të doja të isha motra juaj…për ju unë jam e «huaja» dhe do të jem kështu gjithë jetën. Ju s’do të më njihni kurrë!” I habitur dhe i intriguar nga kjo letër e këndëshme dhe dëshira për ta zbuluar, Balzak iu përgjegj përmes një letre, të cilën e botoi në një nga gazetat pariziane, pasi nuk kishte asnjë adresë ku mund ta dërgonte atë. “Ju dua, o e Panjohur! Kjo gjë e çuditëshme është diçka e natyrshme për një jetë boshe e të mjerë. Nëse kjo aventurë duhej ti ndodhte dikujt, ai duhej të isha unë!”
Dhe përgjigja e së “huajës” nuk do të vononte. Një histori dashurie fillonte përmes letrash që do të vazhdojnë një periudhë të gjatë. Madje Balzak përgjërohej: “Nëse m’a kërkoni, që nesër e thyej penën time për ju. Asnjë femër tjetër s’do ta dëgjoj më zërin tim!”
Balzaku jetonte atëherë në një lloj ekstaze. Përbetohej edhe pse vazhdonte historitë me ish të dashurat e tij si dukeshën Abrantes, apo një tjetër adhuruese, Maria Fresnay, e cila një ditë i kishte shkruar: «Duam vetëm një vit dhe unë do të dua gjithë jetën». Po, Balzak do t’i përgjigjej. Ai e deshi për pak kohë. Meqë zonja Hanska ishte larg, ai iu dha dëshirës së zonjushës Fresnay. Një vit më vonë u lindi një fëmijë: Marie. Askush nuk e dinte këtë ngjarje. Balzaku mundohej që këtë ta mbante të fshehtë, gjer në ditën e testamentit të tij, kur vajzës së tij, Marie, i la trashëgimi një pjesë të pasurisë.
Fill pas kësaj aventure, Balzaku u nis në Neufchatel të Zvicrës për të takuar Hanskan. Ishte takimi i tyre i parë. Cila ishte vërtetë kjo grua e hijshme e martuar me një princ polonez dhe që shkruante me kaq zjarr?
Vite më vonë, princ Hanski ra në gjurmë të letrave të shkrimtarit që adhuronte, të cilat i drejtoheshin Hanskas me një përgjërim të përcëlluar. Fisnik siç ishte, ai e mori thjesht si diçka idilike, por letërkëmbimi mes tyre do të vazhdonte. Më vonë Hanska do të vinte në Paris dhe sëbashku do të bridhnin nëpër Francë dhe në Europë. Çifti i dashuruar udhëtonte: Drezden, Bruksel, Roterdam, Berne, Gjenova… Ishte kohë ëndrrash dhe përjetimesh. Megjithatë, kur Hanska u kthye në Poloni, ajo e kuptoi se nuk mund të martohej me Balzakun për sa kohë ishte e martuar. Kështu për disa kohë ajo u largua nga i dashuri i saj, edhe pse letrat ishin gjithnjë të përgjëruara “Çdo letër tëndja më çmend nga gëzimi, – i shkruante ajo. Ndërsa ai i përgjigjej: ”Ju jeni jeta ime, forca dhe drita ime”. Dhe vazhdimisht Balzaku e informonte për veprat e tij: «Xha Gorio është një vepër e bukur, por tmerrësisht e trishtë».
Por Hanska nuk ishte ende e vendosur për tu hedhur përfundimisht në krahët e Balzakut. Në vitin 1848, përmes një letre, ajo i kërkoi që ai ta digjte dhe shkatërronte gjithë korrespondencën e saj me të. Në 3 shtator të atij viti, para se të ikte ta takonte larg Francës, ai i dogji të gjitha letrat dhe më pas i shkruajti : «Sapo bëra sakrificën më të madhe që mund të bëja. U ndava nga thesari im më i çmuar. Gjithçka u shkatërrua. Jam në ethe. Përgjatë një ore përjetova 15 vitet tona të përbashkëta. I hidhja letrat në zjarr duke vështruar datat e tyre”…
Hanska ishte në Ukrainë. Aty familja e saj kishte një kështjellë. Më së fundi ajo pranoi që Bazaku të shkonte ta takonte. Tashmë ajo ishte e lirë. Burri i saj, konti Hanski kishte vdekur.
Ishte shkurt, koha e Revolucionit. Turmat e revoltuara kishin pushtuar sheshin e Concorde-s dhe vërshonin në Champs Elysées, në Place de la Madeleine. Balzaku zbriste në sheshet e revoltës popullore. Në rrugën Richelieu, disa që e njohën filluan të thërrasin në rrugë: “Rroftë Monsieur Balzac!» Një ditë më vonë, monarku Louis Philippe abdikoi. Dinastia e Orleanëve kishte marrë fund. Franca u bë sërrish me Republikë. «Kopshtet e Tuilleries u pushtuan, – shkruante Balzak. – Pashë bastisjet. Ç’spektakël? Të gjitha gjërat e bukura të Tuilleries dhe të Palais Royale u bastisën, u thyen, u shkatërruan. Dhe ja rezultati: anarki ! S’ka më gazeta, botime, s’ka më të ardhura, letërsi, s’ka më librari.»
Në këtë periudhë të stuhishme të historisë së Francës, një çast, ai mendoi të vendosë kandidaturën për deputet, por pastaj ndryshoi mendje. Atë kohë vdiq dhe shkrimtari Chateaubriand. Balzak mendoi se mund të zinte vendin e tij në Akademinë Franceze. Pse jo? Atëherë shkoi dhe takoi Hygonë, i cili i tha: «Unë do të votoj për ty!»…
Duke kujtuar Balzakun e kohës së Revolucionit dhe duke iu referuar atij, Hygo ka shkruar: «Ç’është Franca e vitit 1848 ? – pyet Balzaku me përbuzje. Një vend që interesohet vetëm për interesa materiale, pa patriotizëm, pa ndërgjegje, ku pushteti është pa forcë, ku zgjedhjet, frut i arbitrazhit të lirë, dhe liria politike janë veçse mediokritete, ku forca brutale u bë e nevojshme kundër dhunës popullore, ku paraja dominon të gjitha çështjet, dhe ku individualizmi, produkt i urryer i ndarjes së trashëgimisë që zhduk familjen do të shqyejë gjithçka, madje dhe kombin…» Dhe në fund Hygo përfundonte: «Do apo s’do ky autor i një vepre gjigande, ai i përket asaj race të fortë të shkrimtarëve revolucionarë.»
Por Hanska tashmë i shkruan të niset shpejt. Duhej të takoheshin. Në pranverë të vitit 1848, ai u nis drejt Rusisë. Më 2 mars, në një kishë katolike të Berditcheff, Balzaku u martua me vejushën 46 vjeçare Evelyne Hanska. Ai ishte 50 vjeç, por tashmë mjaft i lodhur. «U martova me gruan që desha në këtë jetë», – do të shkruante i gëzuar ai.
Komedia Njerëzore
Për një kohë të gjatë, ideja e krijimit të një afresku gjigand, të një korpusi letrar si “Komedia Hyjnore” e Dantes, e kishte joshur shumë imagjinatën e tij. Unë do të bëj “Komedinë Njerëzore”, kishte vendosur më së fundi kur pena e tij kishte filluar të bëhej e njohur në botën letrare pariziane. Dhe kështu ai filloi projektimin e katedrales romaneske të tij dhe të vendoste gurët themeltarë të kësaj katedraleje me romanet e ardhëshme të tij: lista titujsh me personazhe dhe histori përkatëse, por që shtoheshin vazhdimisht në fletoret e shënimeve të tij. Skena nga jeta pariziane, Skena nga jeta private, etj.
Në themel të kësaj vepre madhore do të ishin gjithë ata personazhe që kishte vëzhguar syri i tij, bota njerëzore në kompleksitetin e vet, monarkia dhe feja, edhe pse ai nuk ishte as legjitimist, as revolucionar dhe as një borgjez i vërtetë. Por mbi të gjitha, në këtë vepër do të ishte paraja, ku Balzaku shikonte “Zotin modern” të kësaj bote. “Ari përfaqëson gjithë forcat njerëzore”, – thoshte Gobsek. Dhe Gobseku e donte paranë në gjëndjen e tij të pastërt, në metal! Siç kujtonte në Kujtimet e tij Paul Lafarge, dhëndri i Karl Marksit, «Marksi sapo të mbaronte veprën e tij ekonomike kishte ndërmend të shkruante një ese mbi romanet e Komedisë Njerëzore». Por këtë ese ai nuk arriti ta shkruante.
Romanet e Balzakut janë një përshkrim i gjallë i jetës dhe personazheve të rrugës, i ambienteve dhe atmosferës së kohës. Në cilindo roman të tij, përshkrimet e gjalla të fusin në botën e ngjarjeve dhe të historive. Në romanin “Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve” (“Splendeurs et misères des courtisanes”), duke përshkruar një nga personazhet e tij në burgun e Konsierzhërisë në Paris, Zhak Kolenin, aty ku më vonë do të dënohej me vdekje dhe mbretëresha Marie Antoinette, ai shkruante: “Pamja e këtij oborri të ngrin gjakun, më keq se pamja e gijotinës. Gijotina mund të shndërrohet në piedestal për të shkuar në qiell; por oborri i burgut është sinteza e tërë poshtërsive dhe ndyrësive të botës, pa asnjë rrugëdalje!…
Tani ju mund të kuptoni se ç’është oborri i burgut të Konsierzhërisë; ai është kopshti i tyre, po një kopsht pa pemë, pa tokë, pa lule – shkurt, një oborr burgu… Asnjë gëzim! Gjithçka aty është e errët dhe e zymtë – vendet dhe njerëzit! Gjithçka është memece – muret dhe ndërgjegjet!… Krimi dhe çmenduria kanë njëfarë ngjashmërie. Të shohësh të burgosurit në oborrin e burgut apo të shohësh të çmendurit në kopshtin e një çmendine, është pothuajse e njëjta gjë, e njëjta tablo. Si të parët, ashtu dhe të dytët, shëtisin, duke iu shmangur njëri-tjetrit dhe duke hedhur vështrime të çuditshme ose mizore…”
“Nuk mund të shkruaj më…”
Romanet e Komedisë njerëzore vazhdonin të botoheshin njëri pas tjetrit, por pagjumësia dhe puna e stërmundimshme, do ta drobisnin tmerrësisht trupin e tij. Vetëm shpresa se do të shlyente përfundimisht borxhet e mbante akoma më këmbë. Në vitin 1846, katër vjet para vdekjes së tij, ai i shkruante Hanska-s së dashur: “Nuk mund të shkruaj më. Tani ngushëllohem vetëm me kujtimet.
Gjithçka më është e mërzitshme dhe s’më pëlqen asgjë…” Megjithatë, herë-herë shkrimtari zgjohej nga kjo kapitje e madhe dhe rifillonte të shkruante. Përsëri natën. Përsëri me tasin e tij të kafesë që ta mbajë zgjuar deri në agim. “Do ti vihem punës të shkruaj romanin Kushërira Betty, – i shkruante ai dhe nisi të punojë si i çmendur. “Mjeku më thotë se po punova kështu shëndeti im do përfundojë keq. Diçka fatale do të më ndodhë”.
Edhe më vonë, kur kthehet nga udhëtimi me Hanska-n dhe martesa me të në Ukrainë, ai përsëri e ndjen se jeta e tij është në fundin e vet. Ideja e vdekjes së shpejtë nuk i ndahet. Ai mendon të shkruajë akoma dhe pesëdhjetë romane që të përfundojë gjithë skemën e romaneve që do të përbënin “Komedinë Njerëzore”, por kjo tashmë i dukej e pamundur. Të gjitha ishin në mendjen e tij. Por tani as mund të lexonte, as mund të shkruante. Sytë i digjnin. Vizitat u rralluan në shtëpinë e tij.
Në Paris tashmë kishte ardhur dhe Hanska. Ata banonin së bashku. Dhjetra vjet i kishin ëndërruar këto çaste të një jete familjare, të përbashkët. Ai dhe ajo, vetëm ata të dy. Ajo shpresonte se ndoshta Balzaku do të përmirësohej dhe se ata do ti përjetonin gjithë ëndrrat e tyre. Ndoshta…Madje Hanska mbeti shtatzënë, por mjerisht dështoi. “Nuk e besoja se do të doja kaq shumë një rifillim të ri të qënies, – shkruante ai. – Por ishe ti… Po të gjej mundësinë për të krijuar, përsëri do ti vihesha punës gjer në vdekje”… Mjekët i kërkuan Balzakut të bënte pushim të plotë.
Ai e imagjinonte veten në varreza, sikur kishte rënë në humbëtirën e vdekjes, të së panjohurës. “Jo, – shkruante ai, – nuk është nata, por drita, nuk është fundi, por fillimi. Nuk është hiçi por përjetësia. A nuk është e vërtetë se këta qivurë dëshmojnë pavdekësinë?”
Ai tashmë nuk dilte më nga shtëpia. Madje filloi të shlyejë një pjesë të borxheve që i kishin mbetur. Pjesën më të madhe të kohës e kalonte në një kolltuk dhe ëndërronte. “Unë nuk përjetova as një rini të lumtur, as një pranverë të lulëzuar, por do të kem përpara një verë të shkëlqyer dhe vjeshtën më të ëmbël të të gjitha vjeshtave”. Shpresonte… por kjo do të ishte thjesht një iluzion, pasi sëmundja e zhyste përsëri në një trisht të madh. “E pamundur të zgjoj trurin tim dhe të mendoj për ndonjë roman, të hedh dhjetë rreshta, apo një ide…” – shkruante me dhimbje ai. Doktori i zbuloi një peritonit, por inxheksionet që i bënë nuk sollën asnjë përmirësim. Mjeku e kuptoi se ishte fundi…Tashmë ai villte dhe gjak. Ethet e tij ishin të vazhdueshme.
Në fillim të korrikut të vitit 1850, Hygo, i cili interesohej për shëndetin e mikut të tij, e pyeti mjekun për gjëndjen Balzakut. Por fjalët e mjekut ishin të rënda: “Ndoshta mund të zgjasë dhe gjashtë javë!” Më 18 korrik, Hygo i shkoi ta takojë përsëri në shtëpi. Balzaku ishte i qeshur dhe me shpresa. “Madje Balzaku më shoqëroi deri te porta”, – shkruan Hygo. Hygo dhe Eve Hanska zbritën shkallët drejt daljes, ndërkohë që nga pas dëgjohej zëri i Balzakut: “Mos harro që t’i tregosh Hygosë tablotë e mia”. Kjo ndodhte në “Rue la Fortune”, që do të thotë “Rruga e Fatit”, por siç thoshte Eve , ajo ishte thjeshtë “infortuné”, pra një “rrugë pa fat”.
Kështu ecte Balzak, ngadalë drejt vdekjes, pa e mbaruar gjithë kryeveprën që kishte menduar, “Komedinë Njerëzore”. Ai vetë ishte tashmë personazhi i 2055 i kryeveprës së tij: Honoré de Balzak. Në delir e sipër, një ditë më parë, ai kishte thirrur një nga personazhet e tij imagjinarë, doktor Bianchon: “Vetëm doktor Bianchon mund të më shpëtojë”. Donte të mbaronte kryeveprën e tij… por sytë e tij nuk do ta shikonin më dritën e jetës.
Varrezat e «Père Lachaise» në periferi të Parisit janë gjigante. Ato i ngjajnë një qyteti të vdekurisht, dhe mes tyre, të shumtë janë artistët, shkrimtarët dhe filozofët e Francës që flenë aty në gjumin e përjetshëm: Molière, Beaudelaire, La Fontaine, Proust, Apollinaire… Aty është dhe varri i Balzakut, vdekur në 18 gusht të vitit 1850.