LUIGJ GURAKUQI
Mendime e kujtime
KUVENDI Romë, 30 Nânduer
1919 (Paris më 20 Nânduer 1919)
Në
nji ditë t’errtë e të trishtueshme të Kallëndorit, i lodhun nga vjetët, e, mâ
fort, nga mundimet e të vështirat e nji jete të kalueme, pa ndalim, mbi brigje
e nën shatorre në mest të fushavet të luftës luâni i Krues, Skandërbeu, ulte
kryet madhështuer, e dirgjej e rënkonte në shtrat të vdekës atje në Lesh. Rriba
e murrânit i sillte në vesh ushtimën e tmershme të luftës s’ashpër që ziente në
breg të Kirit, pranë Drishtit ndërmjet turqvet e të Shqiptarvet. Gjaku i ndezun
i valonte ndëpër dejt e çeliktë, e zemra trimoshe i dridhte parzmën tue rrahun
me rrëmbim, e i pëlciste nga dëshiri për të fluturuem si rrufeë në ndihmë të vllazënvet
të vet. Por trupi i Tij i rândë nuk tundej dot nga vendi. I mundun nga
sëmundja, por jo nga luftat e rrebta e të parreshtuna nga të cilat kishte dalë
gjithmonë Burri i famshëm mbyllte syt, e me tê errej e shuhej edhe fati i
Atdheut !
Trimat,
shokët e Tij, qi bashkë me Tê kishin ndamun, për sa e sa vjet gëzim e rreziqe,
e luftarët e Tij mâ të përmendunit merrshin udhën e mërgimit e përndaheshin në
të katër anët. Qytetet e Tija mâ të fortat, fole sokolash e sqifterësh, bijshin
njena mbas tjetrës nën sulmin e anmiqvet. Shqipja rregjineshë, qi kishte
fluturuem gjithnji ngadhnjyese mbi ajrin e lirë të Shqipniës, përmblidhte
kthetrat, varte krahët e strukej në shpellat e maleve të larta ; e flamuri kuq
e zi, shenj lirie e ngadhnjimi, përmbysej e zhdukej, e mbyllej i palosun në
zemrat e Shqiptarvet të veshun në të zeza.
Në
atë ditë të vajtueshme e fatkeqe, robnia mâ e ashpër e dhunore nisi të rândonte
mbi kryet e kurrusun të Shqiptarvet të mjerë. I ndrydhun e i shtypun nga
pushtuesi barbar, komi i ynë ra në shkretnim e në vobeksië. Të harruem prej të
gjithve, edhe prej atyne të cilvet u kishin dhânë pa kursim ndihmën e vet në
ditën e rrezikut, e të mbetun pa mbështetije e pa shpresë, Shqiptarët u
shtrenguen, mâ në fund, t’i shtroheshin fatit e të hyjshin në marrëveshje me
pushtuesin. Por edhe në qoftë se gjyshat t’anë e harruen, pak nga pak, mëniën
kundër anmikut qi të parët u kishin lânë trashigim, me gjithë këtê nuk e buerën
kurrë ndiesiën e liriës. Sado herë qi u erdhi rasa e qi i a pan gjasën,
Shqiptarët nuk e kursyen kurrë jetën e vet e nuk prituen kurrë me ngritun krye
kundër turqvet qi kërkojshin me u rrëmbyem edhe gjurmat mâ të mbrâme të të
drejtavet kombtare.
Po
nga nji tok shkajqesh, qi nuk âsht nevoja t’i përmendim këtu, Shqiptarët, që
lypsej t’ishin mâ të parët me shpëtuem nga sgjedha e Turqiës, nuk e patën fatin
e mirë të fqinjve të vet. Këta, jo vetëm qi u liruen mâ parë se na nga robnia e
përbashkme, po mbasandaj, tue harruem gjakun e derdhun prej burravet t’anë për
liriën e tyne, nisën të ndêjnë dëshiret e veta lakmuese mbi tokët e Shqipniës.
Gâdi gjithmonë të duruem, e shumë herë edhe të mbështetun e të përkrahun nga qeveria
turke qi nuk donte t’a shihte varrin qi ditë për ditë po i hapej përpara,
fqinjt t’anë, në vend qi të na tregojshin mirënjohsiën e vet e të na
shpërbleshin me të mirë ndihmën qi u kishim dhânë, rrokën propagandën e
shkomsimit ndë mest të popullit t’ënë të padishëm tue përdorun ç’farë do mjeti
e dhelpnie e tue bâmun vegël edhe feën e shkollat për të na helmuem gjakun, për
të na prishun zemrat, për të na rrëmbyem trashigimet Kombtare mâ të shtrenjtat.
Mjerimet
e salvimet qi ka hekun Komi Shqiptar, sidomos në pesdhjetë vjetët e mbráme të
robniës së vet, janë të panjehuna.
Ndonse
Kom më vete e të ndamun prej turqvet për nga gjuha e nga zakonet, Shqiptarët
qén dënuem të bâheshin flîja e lajthimevet dhe e fajevet të Turqiës me të cilën
vetëm fati i zi i kishte pjekun. Kështu ndodhi kohën e Traktatit të Berlinit e
kështu do të ngjante edhe mbas luftës Balkanike, kur Europa, tue mohuem të
drejtat e Shqiptarvet, mendohej me shpërblyem, me copa t’ Atdheut t’ënë,
fitimin e beslidhunvet të Balkanit mbi Turqiën, atë fitim të cilin Shqiptarët e
kishin pregatitun me kryengritjet e veta të fundit.