Shkruan :Flori Bruqi,PHD
Për adhuruesit e fjalës së shkruar shqipe kemi një lajm të mirë. Ka ende shkrimtarë të rinj që punojnë pa ndal që letërsia shqipe, por jo vetëm, të shkojë përpara.
Kadare, Agolli, Koliqi janë disa nga emrat me librat e të cilëve jemi rritur. Por në ketë artikull ne ju prezantojmë tre shkrimtarë të rinjë emrat e të cilëve do t’i dëgjoni shpesh në të ardhmen!
Pajtim Statovci, Ervina Halili dhe Arben Idrizi u përkasin stileve të ndryshme. Ata i qasen shkrimit në mënyra të ndryshme. Vetëm duke i shfletuar ju mund të mësoni se cili i përshtatet me tepër shijes suaj të leximit.
Pajtim Statovci (Finlandë) ka lindur në Kosovë në vitin 1990. Familja e tij kishte emigruar në Finlandë në kohën kur kishte nisur gjenocidi në Bosnje dhe më vonë edhe në Kosovë. Autori kosovar ka rrëmbyer çmimin më të lartë të Finlandës për trillime. Çmimet më prestigjioze të librave në Finlandë për letërsinë fiktive, jofiktive dhe për letërsinë për të rinj u dhanë nga Fondacioni i Librit Finlandez (Suomen Kirjasäätiö) në Helsinki. Çmimi për fiksion shkoi për veprën Bolla (Otava), të cilën juria e quajti “një roman tronditës dhe prekës, që magjeps me fuqinë e tij të shprehjes”. Libri është vendosur pjesërisht në Kosovë, vendi i lindjes së Statovcit.
Autori u zhvendos në Finlandë kur ishte vetëm dy vjeç. Romani i tij i dytë, Zemra e Tiranës është botuar në vitin 2016, e rëndit atë sërish të pestin për çmimin shkrimtari i vitit. Përzgjedhja është bërë nga një grup shkrimtarësh në Helsinki. Për Statovcin kanë shkruar edhe mediat e njohura në botë kohë më parë. Ai u vlerësua si shkrimtar që premton shumë. Pajtimi shkruan në finlandisht. Librat e tij janë përkthyer në gjuhën angleze dhe pritet të vijnë edhe në gjuhën shqipe.
Ervina Halili (Prishtinë) është poete, eseiste dhe hulumtuese e rrymave kulturore. Ka vazhduar studimet për Letërsi Krahasimtare në Universitetin e Vilniusit për ta përfunduar hulumtimin e saj me temen Surrealizmi Automatizmi në letërsi/Martin Camaj, në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 2012 ajo është në kërkim të hapjes së letërsisë ndaj mediumeve dhe arteve tjera. Në vitin 2012 ajo ishte shkrimtare rezidente në Vjenë dhe performoi në Teatrin Popullor të Vjenës.
Ndërsa në vitin 2014 ajo ishte shkrimtare mysafire e Pen Qendrës në Sarajevë, Krokodilit në Beograd dhe në 2016 në shtëpinë internacionale të shkrimtarit në Grac.Është aktive ne diskutimet socio-kulturore në Europe dhe Ballkan dhe pjesë e rrjetit të shkrimtarëve eksperimentalë evropianë. Është laureuar me çmimin vjetor Ali Podrimja për librin më të mirë në poezi me librin Amuletë të botuar në vitin 2015. Në vitin 2016 libri i saj Gjumi i Oktopodit është botuar në Vjenë në gjuhën Gjermane nga Edition Korrespodencen.
Arben Idrizi (Prishtinë) ka lindur më 1974 në Kosovë, Vushtrri. Në vitin 2003 ai botoi koleksionin e tij të parë poetik Heqakeq (MM, 2003) dhe e dyta e tij Libri i të qenit në 2010. Ai ka përkthyer dhe botuar poezitë e Valerio Magrelli në një koleksion të titulluar Hiçi që është nën. Arbeni ka punuar për pesë vjet për revistën javore Zëri dhe nga viti 2005 shkruan për gazetën ditore Gazeta Express. Ishtë kontribues i rregullt i revistës letrare MM. Arbeni ka përkthyer edhe nga vepra italiane të poetëve të shquar si S. Quasimodo, E. Montale, Cesare Pavese, Pier Paolo Pasolini, Mario Luzi, Alda Merini, F. Santi, të cilat më pas u botuan në revista të ndryshme letrare në Kosovë dhe Shqipëri. Në 2013 koleksioni i tij me poezi Kafshët e duan atdheun u botua në gjuhën serbe të mbështetur nga edicioni vjetor 2012 i festivalit të letërsisë në Polip.