NGA: MR. ADEM LUSHAJ
Komuna e Deçanit apo Ulëza e dikurshme, shtrihet në perëndim të Kosovës, rrëzë Bjeshkëve të Nemuna, e që ishte vend i banuar që nga kohërat e lashta nga fiset Ilire, gjegjësisht fisi Dardan. Kjo komunë, pos që ka objekte të vjetra të trashëgimisë, dyshohet të ketë edhe vende të mbuluara arkeologjike të cilat do dëshmojnë për lashtësinë e banimit në këto treva. Gjurmët e autoktonisë dhe pranisë së dardanëve në trevën e Komunës së Deçanit, sikurse edhe në trevat e tjera të Kosovës, janë etnografike, kulturore, historike, toponimike, topografike, arkeologjike dhe antropologjike.
Në shënimet e para të shkruara (krisobula), Deçani dhe disa fshatra të tij, janë mjaft të vjetra, datojnë që nga gjysma e parë e shek. XIV. Manastiri i Deçanit është vepra më e madhe, që ruan elemente nga ndërtimtaria Shqiptaro-Dalmate, e ardhur nga bregdeti. Mirëpo, këtyre gjurmëve të lashtësisë, shumë pak arkeologet i kanë kushtuar rendësi për hulumtime të mirëfillta shkencore.
Edhe sipas njohësve të kësaj fushe, Avdyl Hoxha dhe Rexhep Maksutaj, Deçani konsiderohet të jetë i pasur me vende të shumta arkeologjike, si: fshati Belle, Shpella e madhe, Kulla e Qelisë, Razhga, Gradina dhe vendet tjera, të cilat mund të jenë thesar për gjithë vendin tonë. Gjithnjë sipas tyre, kësaj pasurie kulturore, shumë pak iu wshtw kushtuar vëmendje institucionale, ndaj edhe dita ditës këto pasuri kulturore dhe lashtësie, po humbin çdo gjurmë.
Sipas një hulumtimi të bërë nga “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” (SHIP) dhe “Trashëgimia Kulturore pa Kufi” (ChWB), është bërë evidentimi i disa nga vendet e mundshme arkeologjike në Komunat Deçan dhe Junik, të cilat prezantohen qoftë si toponime, objekte kulti, shpella apo edhe vende të banuara, të cilat kërkojnë një qasje profesionale dhe institucionale. Në pamundësi të evidentimit dhe përshkrimit për të gjitha vendet e mundshme, po përmendim vetëm disa sosh:
- “Gradina” (Strellc i Epërm) është një toponim në perëndim të fshatit, disa dhjetëra metra mbi fshat. Më herët në ketë vend kanë qenë të dukshme, gjurmët e mureve të gjera, por me kohën, ato janë zhdukur. Një pjesë e atyre mureve, thuhet se janë shkatërruar me ndërtimin e pendëve, mirëpo edhe gurët e gdhendur, janë shfrytëzuar nga fshataret, për ndërtimin e shtëpive. Pos tjerash, brenda këtyre mureve ka qenë edhe shpella e Gradinës.
Për ketë shpellë thuhet se, kur kaçaket kanë hyrë brenda në të, ndjekësit i kanë ruajtur të hyrja, duke menduar se përsëri do dalin nga kanë hyrë, por kanë pritur kot, sepse ata kanë pasur një dalje tjetër. Anekdota thotë se kjo shpellë ka dalje te Peja. Kjo lë të kuptohet se banorët, në rast rreziku, kanë pasur edhe një dalje tjetër ilegale. Nga gradina thuhet se janë shpërngulur Strellci I ultë.
- “Rrazhga” gjendet në perëndim të Isniqit, përball Lumëbardhi. Ky vend, tash është pyllëzuar me gështenja. Me ketë toponim është “Pusi i Rrazhgës” i cili, kur fillojnë thatësira shteret. Tridhjetë vjet më parë, këtu është gjetur gjysma e gurit të mullirit, por nga pakujdesia, nuk është ruajtur, por as nuk është evidentuar vendi, ku është gjetur. Në ketë vend, edhe sot mund të gjenden turma të gurëve të latuar, çka tregon se ka pasur ndërtime. Afër kësaj ekzistojnë edhe dy toponime që tërheqin vëmendjen si, ”Ara e Gjylit” dhe “Ara e Nekit”. Prej këtij vendi deri ku fillon masivi i “Kërshi i Qelisë”, kur është hap kanali I ujësjellësit, janë gjetur copa tullash dhe gur vatrash.
- Qelia shtrihet në anën e majtë të rrjedhës së Lumëbardhit të Deçanit, mu aty ku fillon masivi shkëmbor. Në ketë pjesë, ekzistojnë, ende themelet, që tregojnë se afro tetë hektar kanë qenë të rrethuara më mure. Pjesa lindore është e përforcuar nga shkëmbinjtë e lartë dhe ka tri hyrje. Hyrja kryesore është në mes, në një lartësi mbidetare prej 820m. Rruga duhet të kishte qenë rrethe 3m e gjerë dhe e murosur nga ana e poshtme. Për skaj, gjendet kulla e ngjitur për shkëmb, vetëm faqja ballore është e murosur. Kulla është e lartë, ndërsa në brendësi e ngushtë. Nuk të bindë, se ka mundur të përdoret për banim. Brenda, ka pasur trarët lidhës, siç duket për shkallë.
Në mes, ka pasur një dritare të gjatë, e cila sipas shenjave në gur, ka pasur edhe kapak. Afër saj, mu në hyrje, është edhe një pjesë e mbuluar me gur gjysme harku. Në anën e djathtë, është një themel, ku ka shenja ngjyrash qe tash janë dëmtuar. Në të ka pasur rrathë të stilizuar, më gjysme rrathë tjerë për brenda. Dalloheshin njëanëset nga e njëjta ngjyrë. Në popull njihet si “Shtegu I poshtëm” i Qelisë. ”Armiket, sipas apetiteve të tyre, kanë tentuar, t’ia ndërrojnë emrin, më se shumti e quajnë “Veku i Kralicës”. Hyrja tjetër është 200-300 metra më lartë, siç duket ka qenë hyrje e fshehtë. Kjo hyrje është sa një rrugë që mund të kalon një kali i ngarkuar. Aty është një i thyer, diku 10-15m, me qëllim të hapjes së rrugës. Ketë rrugë deri vonë e kanë përdor banoret e Belles, që ndryshe njihet si “Shtegu I epërm I Qelisë”. Identik me shtegun e epërm, buzë lumit, është edhe një shteg tjetër, po ashtu me shkëmb të thyer, vetëm që, është më I ngushtë. Përgjatë lumit, ekzistojnë shenja të murit rrethues. Edhe në perëndim, duke prerë izohipsat, është themeli i murit tjetër rrethues. Muret janë të punuara me llaç gëlqereje dhe gur, por në murin perëndimor, gjejmë edhe tulla me dimensione 5 x 30 x 30, çka pjesën më të madhe, ka shkatërruar erozioni. Sipas fjalëve të moshuarve, thuhet se ka pasur edhe tunele nëntokësore të mbuluar me gur në formë harqeve.
Sadik R. Tahirsylaj, thoshte se para luftës së dytë botërore, si fëmijë, luanim “shefa qok” nëpër tunele. Thuhet se barinjtë dhe maltarët, kanë gjetur poqe të dheut, gypa të ujësjellësit, armë (shpata), bile, thuhet se është gjetur edhe një lëkur e shkruar. Të gjitha këto i janë dorëzuar manastirit dhe nuk dihet gjë për to. Një rast thuhet, kur njëri i ka dorëzuar këto eksponate, peshkopi, ia ka paguar 5 qese ose vlerën e 10 pendë qeve. Populli, ka kërkuar dhe ka gjetur, edhe monedha, të cilat I kanë përdor për “Nuska”ose hajmali. Në monedha thuhet se ka qenë simboli i gjarprit. Ndër gjetjet më me rendësi të këtij lokaliteti, pa dyshim është “Sëpata e gurit Pavrim”, e cila është gjetur në lum afro 2 km, në vendin e quajtur ”Ura e Haxhive”, të cilën e posedon Miftar Januzaj, I cili edhe sot e kësaj dite e ruan. Lokaliteti është I pasur më shpella të cilat sot është vështirë të gjenden nga se I ka mbuluar erozioni. Njëra qe edhe sot shihet është në “Kërshi i Mark Gegës”. Shpella ka një hyrje të vogël dhe është pjesërisht e murosur nga pjesa e përparme. Shpella është rreth 30 metra e lartë dhe ka hyrje te është e vështirë.
- Kodra e Loshit është mbi Carrabregun e Epërm. Shumë vendas, mundohen që toponimin Carrabreg, ta gjejnë mu në ketë kodër. Fjalës “Çarri në breg”, thonë se gjatë periudhave të kohës, kanë zëvendësuar shkronjën “Ç”, me shkronjën “C”, kjo është bërë më së shumti nga okupuesit, posaçërisht Sllavet Janë munduar po nga ky vend Ta emërtojnë ketë fshat, vetëm me një ndryshim, jo “Çarri në breg”, por ”Car u bregu” (mbreti në breg). Në fund të kësaj kodre, duke hapur themele për ndërtim, në vitin 2000, kanë hasur në një gyp të qeramikës, i cili është i gjatë 30 cm, (fi) 70 ose 80 mm, që lidhej me lidhëse, po ashtu të qeramikës. Gypi, iu është dërguar institutit arkeologjik në Prishtinë, ndërsa vendasit, ende nuk kanë marr ndonjë përgjigje. Nga gypi, sipas fjalëve të Jashar Dobraj, I cili ka qenë prezent, kur është gjetur gypi, ka thënë se ekziston edhe vazhdimësia e tij, që nga ai, kullon pak ujë. Bile, ndërtuesit e kanë lidhur vazhdimësinë e gypit me drenazh, ndërsa, eksponati në fjalë, rastësisht është nxjerr me “bager”.
- Belleja, është vendbanim i vjetër, i cili, deri vonë, ishte I banuar. Çdo luftë e zhvilluar në regjion, Belleja, e ka pësuar, duke u djegur dhe shkatërruar. Në Belle, pos shumë vendeve tjera, thuhet se është një guri, me një shkrim, të cilin nuk kanë mundur ta deshifrojnë ata, që e kanë parë. Mirëpo, ka qenë e pamundur, ta gjejmë në ketë kohë, për shkak se është mbuluar nga fieri. Koha më e mire, për të kërkuar këtë, është pranvera e hershme.
- “Kozhnjerri” apo në pjesa sipër hidrocentralit “Lumëbardhi”, kanë qenë shtëpitë e punëtorëve të punonin në hidrocentral, mirëpo më vonë, në këtë lokalitet është ndërtuar karakolli i ushtrisë jugosllave. Për ketë lokalitet, sipas deklarimeve të personave që ishin punëtor të hidrocentralit, thuhet se ka shenja të ndërtimeve të më hershme.
- “Kodra e Variqit” e cila gjendet mbi fshatin Pobergj është e zhveshur e në fillim, por një gjë që e karakterizon ketë kodër është bunari, i cili është në rrafshinën, në maje të kodrës. Njerëzit më të moshuar e mbajnë mend, se në “Kodrën e Variqit” deri vonë ka pasur hardhi rrushi, e në anën e hijes gjenden themelet e murit të cilat janë të mbuluara nga drunjtë. Dyshohet se personeli i manastiri i Deçanit kanë gërmuar në këtë pjesë, sepse në kohën e mbretërisë serbo-kroate-sllovene, e kanë blerë për prerje “Osojen e Shabanhaxhive” dhe shumë pak, kanë prerë drunjtë në të. Edhe në shkallën e Hulës, në të njëjtën periudhë, njerëz të panjohur, kanë gërmuar, duke mos i lënë vendasit që të ofrohen, por më sa dihet është gjetur një gurë me kryq të skalitur në të. Në gështenjtë e Spasit, të cilat iu takojnë familjes së Hadërgjonajve, thuhet se në ish Jugosllavi, një ekspeditë ka gërmuar dhe kanë marr një këmborë shumë të madhe, çka prej asaj kohe nuk dihet gjë për të. Pas luftës së fundit Agim Tolaj, duke hap themele të shtëpisë, ka gjetur një gyp të ujësjellësit nga qeramika.
- “Thera e Kishës” në Junik dyshohet të ketë qenë shumë e vjetër e vend ndodhja e saj, gjendet afër xhamisë së Çokut në Junik.
- Shpella e madhe siç e quajnë populli ose shpella e zezë gjendet në kilometrin e gjashtë në anën e majtë të rrjedhës së lumit,ose nga ana e Bellesë. Shpella është 30-50 mbi lum dhe është bukur e vështirë hyrja në te. Shpella është e përberë prej dy hapësirave dhe ka afreske të pikturuara.
- Në fshatin Gramaqel, gjegjësisht pronën e Asllan Cufaj, sa herë lëvrohet gjenden eksponate me vlerë të arkitekturës së vjetër. Sipas fjalëve në arën e quajtur Pogjoket, sa herë lëvrohet gjenden tjegulla dhe copa tullash, llaç, por edhe copa të poçeve. Në atë vend, në vitin 2000 është gjetur dhe ruajtur, një gurë i gdhendur në të katër faqet dhe një më i vogël, janë gjetur para luftës së fundit. Guri është i thyer, është duke u ruajtur në shtëpinë e pronarët të tokës.
Këto janë vetëm disa nga shumë vende të dyshuara që tregojnë trashëgiminë tonë të lashtë, e të cilat janë para shkatërrimit të tyre, gjë që do humbin në masë të madhe edhe gjurmët për ndonjë hulumtim të ardhshëm, nga njerëz të profesionit dhe vullnetit.