Kryetari i kërcënuar i OSHP-së, Blerim Dina, thotë se është i vendosur të mos bie pre e kërcënimeve dhe shantazheve, dhe se nuk i frikohet askujt nga politika, raporton KTV.
Gjykimi i tenderit 21-milionësh, për të cilin u kërcënua ai, është shtyrë për javën tjetër. Kompania “Sallahu”, që u përfshi në këtë skandal, tash kërkon të jetë pjesëmarrëse në gjykimin e LOT-it të 5-të, në të cilin edhe ishte shpallur fitues, pavarësisht se ishte e 13-a kompani në listë për nga çmimi.
Organi Shqyrtues i Prokurimit, do të duhej të mblidhej nesër, për të shqyrtuar njërën nga 12 ankesat për Autostradën A7, Prishtinë- Gjilan.
Në mesin e ankesave ishte edhe ajo për Lotit- 5, ku Autoriteti Kontraktues i Ministrisë së Infrastrukturës kishte përzgjedhur si fituese kompaninë “Sallahu”, e cila kishte ofertuar me çmimin prej 21 milionë eurosh, apo 10 milionë euro më shumë se sa çmimi më i lirë.
Ankesë në OSHP, për këtë Lot ushtroi edhe “Riviera dhe MANE TCI”, oferta e së cilës ishte 16 milionë euro.
Blerim Dina, kryetari i OSHP-së, ka shtyrë të gjitha seancat që lidhen me Autostradën, pasi të hënën u kërcënua me jetë.
Dina po kthehej në shtëpi, kur në këtë rrugicë, dy burra ia zunë pritën. Njëri nga ta, sipas Dinës, ishte Naim Sallahu. Ata i dhanë një ultimatum që brenda 30 minutave të takonte Sami Lushtakun, në një lokal në periferi të qytetit.
I bënë me dije se në lojë ishin hiç më pak se 21 milionë euro, dhe ky do të duhej të nënshkruante në favor të tyre, ose do t’i shkonte koka.
Kur Dina, nuk shkoi në Grand Store, te banesa e tij erdhi, Shaban Lushtaku.
Mbrëmjen e së hënës, ai shkoi në Polici.
Dina rrëfen për KTV-në, se kërcënime e shantazhe ka pasur që kur erdhi në krye të Gjykatës së Tenderëve, por që të gjitha i ka tejkaluar dhe në asnjërën prej tyre nuk ishte ndier kaq i rrezikuar.
Policia e Kosovës tashmë ka arrestuar njërin nga të dyshuarit, Shaban Lushtaku, të cilit i është caktuar masa prej 48 orë ndalimi.
Policia bën të ditur se i ka ofruar siguri kreut të OSHP-së.
Por, Dina thotë se ata erdhën 24 orë pasi e raportoi rastin.
Kohavisioni ka tentuar të thërrasë zyrtarët e kompanisë Sallahu, por nuk janë përgjigjur në telefon, njëjtë siç nuk është përgjigjur as Sami Lushtaku.
Sidoqoftë, kompania “Sallahu” ka dorëzuar një kërkesë në zyrat e OSHP-së, për lejimin e pjesëmarrjes në seancën e ankesave meqë një gjë e tillë iu mundësohet me ligj.