Një muaj arrest shtëpiak për deputetin Zeka
Gjykata Themelore ka marr vendim që deputeti Milaim Zeka të lirohet nga paraburgimi dhe ta vuajë masën e arrestit shtëpiak për 30 ditë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale "Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal".
Lajmin e ka konfirmuar për Kp avokati i deputetit Zeka, Gazmend Halilaj i cili ka e kundërshtuar vendimin e kryetarit të Trupit Gjykues Isuf Makolli duke thëne se edhe kjo masë është kundër klientit të tij dhe se ai është i pafajshëm.
Ai tha se do të bëjë ankesë në Gjykatë të Apelit.
Porkurori kishte kërkuar 30 ditë paraburgim për deputetin Zeka. Ai është arrestuar dje nën dyshimin për mashtrim dhe shmangie nga tatimi.
Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për Milaim Zekën
Prokuroria Speciale, në seancën e cila është mbajtur sot për gjykimin e deputetit Milaim Zeka, ka kërkuar 30 ditë paraburgim. Lajmin e ka bërë të ditur pala mbrojtëse e deputetit Zeka, avokati Gazmend Halilaj
Në seancën e cila u mbajt sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, prokurorja e rastit po kërkon shqiptimin e masës prej 30 ditësh paraburgim për Milaim Zekën.
Prokuroria Speciale po kërkon që deputeti Milaim Zeka të dërgohet në paraburgim nën dyshimin për kryerjen e veprës penale "pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal".
Seanca ka përfunduar, ndërsa Gjykata pritet shpejt ta marrë vendim rreth rastit të deputetit Zeka.
Zeka u ndalua dje nga Policia si i dyshuar për veprën penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, pra si i përfshirë në mashtrimin e qytetarëve që kanë aplikuar për viza pune në Gjermani.
Partneri i tij i biznesit, Ilir Krasniqi, me të cilin dyshohet se mashtruan kosovarët për viza pune në Gjermani, tashmë është në paraburgim
“Milaim Zeka të jap dorëheqje, mos të vazhdojë
abuzimin me shtetin”
Prokuroria e Shtetit ka filluar hetimet ndaj deputetit të Nismës për Kosovën në Kuvendin e Kosovës, Milaim Zeka për mashtrimin e 920 qytetarëve të Kosovës përmes një agjencie punësimi për në Gjermani. Ai akuzohet për krim të organizuar, mashtrim dhe shmangie nga tatimi. Partneri i tij ndodhet në paraburgim.
Pas kësaj akuze nga Prokuroria po kërkohet dorëheqja e Zekës nga postimi i deputetit të Kuvendit të Kosovës.
Duke komentuar në lidhje me këtë, analisti politik Faik Krasniqi, ka thënë se politika në Kosovë ka qenë strehë për politikanët e korruptuar, të cilët e kanë përdorur për t`u pasuruar.
“Në Kosovë politika gjithmonë ka qenë ''strehë'' për politikanët e korruptuar. Politika nga politikanët tek ne përdoret për t'u pasuruar dhe për ta vjedhur shtetin, dhe jo që ata politikanë të jenë në shërbim të qytetarëve”, ka thënë ai.
Po ashtu, Krasniqi ka thënë se drejtësia në vend është bërë pronë e politikës dhe se në vend të drejtësisë politikanët e kanë shndërruar shtetin në pronë private.
“Gjithmonë po duhet të përmendim organet e drejtësisë, një drejtësi e kalbur dhe skajshmërisht e korruptuar. Një drejtësi që është bërë pronë e politikës dhe parapolitikës. Dhe në mungesë të kësaj drejtësie, këta politikanë këtë shtet e kanë shndërruar në pronë të tyre private”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndërsa, sa i përket rastit të deputetit Zeka, ai ka thënë se do të duhet të jepte dorëheqje dhe se nuk ka ndodhur ende që një politikan të dënohet për korrupsion.
“Padyshim që deputeti Zeka do të duhej të jepte dorëheqje, edhe pse asnjë politikan deri më tash nuk e ka bërë një gjë të tillë, apo s'kemi asnjë rast deri më tash që një politikan apo zyrtar shteti të jetë dënuar për ndonjë rast korruptiv. Mos veprimi i organeve të drejtësisë edhe në këtë rast me deputetin Zeka, u jep hapësirë politikanëve që të vazhdojnë abuzimin me shtetin, sepse e dinë që janë të paprekshëm nga organet e drejtësisë”, ka thënë Krasniqi.