Nga Fritz RADOVANI:
23 TETOR
1871 ASHT LE
AT GJERGJ FISHTA
FERRAT TREGOJNË SE KËTU ASHT LE I MADHI POET...
HISTORINË E VERTETË TË VERIUT
KERKONJE NDER FERRA!..
Asht kenë një thanje e moçme: “Asht e vështirë me gjetë me mend shka bahet
pa mend!”
Livadhet e kodrat e Zadrimës apo të Bregut të
Bunës, aty – këtu të ndame nga lumej aq të rrembyeshëm e t’ egjer si gjarpij
që, pa pikë dhimbje të marrin gjak në vetull, janë të pafund derisa në mbramje
dielli u thotë me shumë dashni: “Ma bafshi atë natë të mirë!”
Tokat e bukës të duket se prodhojnë bereqet e
shka i lypë sofra rrumullake stajanicave që pa lindë dielli, kanë vue nder
çarranikë sahanat e qumshtit të mjelun pa dalë drita.
Aty kur dielli ka perfshi rruzullin të sheh
syni ndonjë portare që hapet e çobajtë, kah ju prijnë bagtive aq të dashtuna me
zagart ase rojet e natës t’ atyne krahinave...
Vetem pemët me degët e varuna prej frutash
ishin kufijt e tokave të tyne, ku dora e njomë e ndonjë fëmije ua lagte gojen e
thame nga rrugët e largëta ndonjë udhtari, që me aq andje vrojtonte se me sa
kujdes gjithshka dukej se asht vue nga dora e njeriut.
Shpesh ngjante që Burrat e atyne krahinave të
ulun nder hijet e atyne frutave, harronin shka kishin mbi kokat e veta tue
ndrrue kutijat e duhanit e tue dredhë cigare. Mështetë per trungun e pemës që
bante hijen ma të madhe ishte ma plaku me llullen e vet, që ia kishte lanë
gjyshi kushedi sa vite perpara, kur bisedonin per ligjët e kanunit të Maleve.
Shpesh ka ngja që shishja e rakisë së rrushit
besa, ka zevendsue edhe ujin e prronit...
Pranvera ua shpervjelte mangët e këmishave
dhe kamcat e brakeshave. Shamija e kokës ua pritte rrezet djegëse të diellit,
kur i grahnin pendës së qeve me livrue arat pjellore.
Vetem kësulat e bardha kujdesëshin per trunin
e atyne brezave që bulonin nder ata kodra e fusha të bukra, ku asnjëherë nuk
mungonin lulet e freskëta si t’ ishte pranverë. Ishte fyelli dhe brisku i
çobanit që zbuste edhe gjarpijtë e pabesë t’ atyne kaçubave, ku shpesh
mëshefeshin trishtilat e bukur e mullizezat e dimnit, me të cilat argëtoheshin
fëmijët e atyne krahinave, tue gjuejtë me lastika gushakuqat e shkretë...
Dikund, pak ma larg, një fëmijë thërriste: “O Nanë, eja se më ka hy një ferrë
tek kamba!..” E ajo, ulte buljeren e ujit e vraponte, me i hjekë ferren me
gjylpanen që kishte në xhamadan...
Në mengjes, drekë e darkë mbasi camerdhokët e
vegjel rreshtoheshin tek sofra e tyne e rrumullakët, ku i priste psheshatamli
dhe luga e vogel e tyne, banin Kryq dhe fillonin me ngranë, “shka u kishte dhanë
e falë i Madhi Zot !”... Papritmas shpesh kriste e qeshuna, mbasi ma i madhi
nder ta, kishte mendue edhe gzimin që sjellë sofra e perditshme...
Sa e bukur dukej ajo dhomë me atë sofer ku
fëmijët shtoheshin perditë! Pak ma andej, ishte edhe vatra me zjarrin e ndezun
ku ma plaku e rrëmonte me mashë prushin që nuk i mungonte kurr atyne dhomave të
pritjes, që sa hynte një mik, mbi zjarr shtohej një cung, e karrshi t’ zot të
shtëpisë shtohej një stol dhe një gotë, që mbushej plot me raki, tue ia vue
Mikut perpara dhe tue i urue: “Mir’ se pruni Zoti e, mirëse erdhe...!”
***
1871 “Mir’ se të pruni Zoti, e mirë se erdhe o
Zefi i vogel... E kjofsh me jetë!” – Ishin fjalët që Zefit foshnje, i uruene
mërritjen në Prakun e shtëpisë, në Fishten e Zadrimës bash atë ditë me 23 Tetor
1871...tek Ndok Simon Ndoci dhe
Prenda e Lazër Kaçit.
Zefi i vogel tue u rritë, e kaçubat e ferrave
tue u rritë edhe ma fort se Zefi.
Besa, Zefi, as nuk ua pat friken ferrave,
madje, edhe kambët gjithmonë i mbajti zdathë, veshi edhe zhgunin e Shën
Françeskut, e ku ishin kaçubat ma të mëdha me ferrkuqe, aty shkonte e vente
kambën... Ata there, Ky bjeri Lahutës, ata there, Ky bjeri Fyellit, ata there,
ky ban vjerrsha... Ata there, ky ço peshë Male e fusha... Ata there, Ky shkeli
me Sandalet e Fratit, ata there, Ky rrahi në Konop të belit, ata there, Ky hypi
në “gomarin e Babatasit, e shetiti nder parlamente t’ Europës... Ata there e
shembi shtëpijat jo vetem Gjergjit, po edhe Atij Luigjit Gurakuqve e Prekë
Calit në maje të Vermoshit, e Ky shiko me habi ku ka vojtë Shqipnia nga
shegertat e “Ballkanit Perëndimor” që i patne dhunue edhe Flamurin, me “yllin e
kuq” të serbit gjakbasë, kur i pat hy pabesisht mbas shpine.
Ata there, e Ky Lut Zotin per Shqipni!
Ata there, e Ky rritu me Lisat e Alpeve
Tona...
Ata there, e mbuloje edhe me Ferrat e
Rrëmajit...
E Ky, i mështetun per Dy Çinarët... I
drejtohet Gjergjit Kastriotve që i pat falë Emnin:
Bash atë ditë të bukur Qershori të së 13 vjet
të Shekullit shkuem, kur mbi kompanjel të Kishës së Vet, së ciles, Ai i kushtoi
gjithë jeten, në Gjuhadolin e Shkodres plakë i Këndoi... “Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit
Po rrehë Flamuri i Shqypnis,
E thrret t’ bijt e Kastrijotit
Me u mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.
Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy
rrfé, qi shkojn tue djegë!
A ngadhnjyes’ a t’ gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!
Per mbas Flamrit t’ vet
Shqyptari,
Kur rrokë armët per t’
drejta t’ veta,
Atje lufta ndezet zhari,
Atje anmiku vehet m’ t’
leta.
Bini, Toskë!...
Mbi njatë Flamur Perendija
Me dorë t’ vet Ai e ka
shkrue:
“Per Shqyptarë do t’ jét
Shqypnija;
Kush u a prekë, ai kjoftë
mallkue!”
Bini, Toskë!... “Hymni
i Flamurit” vazhdon…
Në 1946, Kuvendi u kthye në burg, Në 1967 Kisha u shkatrrue e Kompanjeli u
shem!
Varri At Gjergjit
u boshatis... Pritet tashti edhe shemja e shtëpisë së Tij …
Melbourne, Tetor 2017.