Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pati udhëtuar ditë më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ishte takuar me zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence, në Shtëpinë e Bardhë. Thaçi tregoi se cilat ishin kërkesat konkrete të tij për administratën amerikane dhe çfarë përgjigje mori nga Pence
“Raportet e Kosovës me SHBA-në do të mbesin përgjithmonë speciale. Raporte të respektit reciprok, por edhe falënderuese të shqiptarëve për SHBA”, tha presidenti Thaçi, në Zona e Debatit në Klan Kosova.
“Jam takuar edhe me ish-zëvendëspresidentin Joe Biden, por natyrisht se vizita ime ka qenë zyrtare tek zëvendëspresidenti Mike Pence”.
“Administrata e SHBA-ve është e fokusuar për Kosovën dhe paqen e stabilitetin në rajonin tonë, por edhe fuqizimin e pavarësisë dhe sovranitetin e Kosovës”, tha ai.
“Fokusimi i administratës së re Trump është i tillë dhe këtë ma konfirmoi edhe Pence në takimin tonë në Shtëpinë e Bardhë. SHBA do të ketë një përfshirje më dinamike dhe të drejtpërdrejtë në dialogun në Bruksel. Pence konfirmoi angazhim më aktiv, më konkret dhe pjesëmarrje të administratës së re dhe angazhimin e tij personal dhe natyrisht edhe mekanizmave të tjerë”.
“Tani kemi siguri më të madhe për dialog, sepse kur SHBA-të janë prezente atëherë ne kemi sukses, prandaj nuk kanë qenë të rastësishme kërkesat e mia për pjesëmarrje konkrete në dialog”. “Kjo pjesëmarrje e fuqizon dialogun dhe implementimin e marrëveshjeve. Tema e dytë ka qenë themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, diçka që e theksoi edhe Pence”, tha presidenti, raporton Klan Kosova.