2017-10-30

Shkrimtarja gjermane Herta Müller , trondit Beogradin pas deklaratës për historinë


Nga Flori Bruqi 


Kush është Herta Muller, minoritarja gjermane që fitoi çmimin Nobel për letërsi

Kush është Herta Muller, minoritarja gjermane që fitoi çmimin Nobel për letërsi




Vitin e kaluar Çmimin Nobel në letërsi e mori autori francez Jean-Marie Gustave Le Clézio. Shpalljen e fituesit sot në Stokholm e bëri Peter Englund nga Akademia Suedeze. Çmimi Nobel për letërsi për vitin 2009 i jepet shkrimtares gjermane, Herta Muller, e cila me përqendrimin poetik dhe sinqeritetin e prozës, i përshkruan pamjet e të shpronësuarve, - tha Peter Englund.

Aktualisht 56 vjeçare, shkrimtarja Muller, në arsyetimin e dhënies së çmimit Nobel, shkruan se librat e saj paraqesin detaje të jetës së përditshme në një diktaturë stanjuese. Juria vlerësoi gjuhën fantastike dhe plot shprehje të autores. Herta Myller ka vërtet një histori për të treguar. Kurse evidentoi se shkrimtarja është rritur mes pakicës gjermane në Rumaninë diktatoriale.

Muller është lindur më 17 gusht 1953 në Nitzkydorf, të Banatit gjermanofolës dhe ka mësuar rumanisht vetëm kur ishte 15 vjeç. Në vitin 1987 ajo erdhi në Gjermaninë Perëndimore, dhe sot jeton në Berlin. Libri i saj i parë "Ultësira" u botua në Rumani në vitin 1982 në version të censuruar. Në librin "Lëkundje frymëmarrje" ajo përshkruan jetën e përditshme në kooperativat sovjetike, gulag.



Herta Müller, shkrimtarja nobeliste gjermane me origjinë nga pakica gjermane e Rumanisë ishte e ftuar nderi në panairin e librit në Beograd.

Ajo ka ndezur një debat me vlerësimin e saj për mentalitetin serb ndaj historisë. “Die Welt” shkruan se Herta Müller e quajti bombardimin e NATO-s si rrjedhojë logjike të luftërave të shumta të Millosheviçit. Herta Müller i rekomandon madje shoqërisë serbe të ballafaqohet me fajin.




“Shumë spektatorë reaguan të indinjuar, shtypi i afërt me qeverinë shkumëzoi, një gazetë bulevardeske madje e shfytyroi emrin e Müller – në Müll- (që në gjermanisht do të thotë plehrë. shën red.) Si përshtatet kjo me orientimin ‘proeuropian’ të Serbisë? ”

Gazeta gjermane “Die Welt” i kushton vëmendje problemeve të shoqërisë serbe sot, ku jeta “party” e maskilizmi pompoz nuk e fshehin dot korrupsionin e thellë brenda saj.

Në artikullin “Beogradi zien” nënvizohet se “ironia e historisë është se pikërisht në Beograd, ku propagandistët e Millosheviçit, (përfshirë ish-ministrin e informacionit, presidentin e sotëm Vuçiç) pretendojnë se nga këtu mbrohet perëndimi i krishterë, pikërisht në këtë Beograd, me ndihmën e fondeve të shtetit po ngrihet një projekt gjigand i financuar nga Abu Dhabi.”


Shkrimtarja Herta Muller ju kundërvu edhe Emir Kusturices për Kosovën


Si mysafire e nderit e Panairit të Librit në Beograd Herta Müller mbrojti bombardimin e Jugosllavisë dhe nxiti një valë proteste, shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung»



«Sepse unë besoj se shumë gjëra patën ndodhur, Kosovës dhe Bosnjës iu patën shkaktuar shumë vuajtje, ishte ky nacionalizëm i pështirë, në të cilin, siç besoj unë, edhe kisha ortodokse është përzier fuqishëm»: Herta Müller. Kryeqytetin e Serbisë e ka zaptuar një përbindësh. Këtë përshtypje së paku mund ta fitonin konsumuesit e mediave serbe. Rrjedhimisht përbindëshi quhej Herta Müller, është rritur në Rumaninë fqinje dhe është laureate e çmimit Nobel për Letërsi. Herta Müller është mysafire nderi e Panairit të Librit në Beograd, i cili përfundon këtë të diele. Është traditë që mysafirët e tillë t’i prezantohen publikut në një mbrëmje në Teatrin Dramatik të Jugosllavisë, skenës më të njohur të vendit. Edhe Jozef Brodski, Çesllav Milloshi dhe të tjerë dikur ishin prezantuar kështu para beogradasve. Aktivitetet e tilla kulturore janë ngjarjet më të rëndësishme të jetës kulturore të kryeqytetit dhe qindra vende të teatrit qenë të zëna deri në fund, madje edhe kapaciteti i dyfishtë do të mund të mbushej.

Por, prezantimi i Müllerit dështoi plotësisht, nëse duam t’i besojmë shumicës së raporteve të mediave. «Politika», që nga viti 1904 gazeta e obligueshme e serbizimit, për të cilën që më 1913 shkroi Lev Trocki, gjë që vlen edhe sot, pra kjo gazetë paguhet nga qeveria, domethënë «Politika» shkroi: «Laureatja e çmimit Nobel keqpërdorë mikpritjen në Beograd». Ky ishte reagimi më i moderuar. Në ballinat e tjera Müller ishte «bërllok» («Srpski Telegraf») ose një grua që serbët «i fyen si kriminelë» («Informer»). «Herta njollos popullin serb» shkroi «Veçernje novosti» dhe kryegazeta e revolverizimit në pazarin e bulevardit serb, «Kurir», një faqeje të tërë ia vendosi këtë titull: «E bija e një oficeri nazist pështyn mbi Kishën Ortodokse Serbe dhe mbi serbët». Nën të një foto e Hitlerit me shënimin mbi babanë e Müllerit, i cili ishte pjesëtar i njësive naziste. Titulli: «Babi vrau për Hitlerin».

Pastaj e morën fjalën edhe poetët dhe mendimtarët patriotikë serbë. Emir Kusturica, për shembull, fitues i palmave, luanëve, globeve, cezarëve dhe çmimeve të tjera të arta, të argjendta dhe të tjera, post festum propozoi që do të kishte qenë më mirë që Herta Müller të ishte ftuar në një panair të veturave apo në një paradë ushtarake se sa në një festival letërsie. Kusturica, një shovinist serb me dashje, i lindur në Sarajevë, i cili e ndjen si njollë origjinën e tij myslimane dhe përpiqet ta kompensojë atë prej vitesh përmes serbizimit të vrazhdë dhe respektit të inskenuar publikisht për liderin e serbëve të Bosnjës Radovan Karagjiq, të dënuar nga Tribunali i OKB-së për krime të luftës, pra Kusturica supozoi se Alfred Nobeli do të rrotullohej në varr pas fjalëve të Müllerit.

Me këto gjëra do të mund të mbusheshin faqe të tëra, por çfarë tha në të vërtetë ofenduesja e publikut? Në vitet ’90 Müller disa herë në esetë e saj mbi luftën në Jugosllavi kishte mbajtur qëndrim dhe që më 1992 kërkoi ndërhyrje ushtarake: «Kujt i duhet pacifizmi, i cili thekson se është kundër çdo lufte kur lufta bën kërdi?» Rrjedhimisht, më 1999 ajo përkrahu luftën e Kosovës, pra sulmet e NATO-s kundër Jugosllavisë së Slobodan Millosheviqit: ajo tha se nuk e kuptonte qëndrimin arrogant të shumë intelektualëve kundër NATO-s: «Kush i zhvillon katër luftëra brenda nëntë vitesh, kush hap varre në mënyrë kaq pragmatike ashtu si të tjerët që ndërtojnë rrugë, kujt i duket vrasja si pirja e një gote me ujë, ai s’mund të ndalet me fjalë».

Në Teatrin e Beogradit ajo tani nga njëri prej moderatorëve të mbrëmjes (nga autori i këtij teksti) u pyet nëse edhe më tutje qëndron pas fjalëve të saj. Në raste të tilla të tjerët mbase duke kujtuar vitet e shumta që kanë kaluar do të thoshin se më shumë duan të flasin për librat e tyre dhe për të tashmen, por Herta Müller është një grua e fortë nga Banati dhe nuk dorëzohet lehtë. «Sa i përket kësaj çështjes së luftës, jam e të njëjtit mendim, po», tha Müller dhe foli guximshëm kundër fishkëllimave, britmave dhe ftohjes që ndihej në trup në sallë.

Kur ajo tha: «Ky vend i ka shkaktuar vuajtje vetes, edhe serbët i kanë shkaktuar vuajtje vetes dhe me ketë duhet të jetojnë. Kur i sheh gratë e Srebrenicës, zemra më këputet edhe sot», shikuesi e parë braktisën sallën. Por, Müller nuk pranoi që për këtë shkak të flasë sipas qejfit të shumicës: «Sepse unë besoj se shumë gjëra patën ndodhur, Kosovës dhe Bosnjës iu patën shkaktuar shumë vuajtje, ishte ky nacionalizëm i pështirë, në të cilin, siç besoj unë, edhe kisha ortodokse është përzier fuqishëm». Thua se po lexonte një listë me thyerje të tabuve ajo kritikoi edhe Vladimir Putinin, shenjtorin e serbëve patriotikë, si nxitës të luftës dhe bandit, pastaj rrëfeu për frikën e europianëve lindorë nga Rusia. Kjo frikë në Serbi është më pak e theksuar, sepse serbët, ndryshe nga polakët, hungarezët, çekët apo sllovakët, kurrë nuk e shijuan sundimin nga Moska.

«E kam thënë këtë atëherë dhe deri më sot besoj se ka qenë e drejtë», tha Müller duke përmbledhur bindjen e saj se dëbimi ushtarak i soldateskës serbe nga Kosova më 1999 ka qenë veprim i duhur. «Përse ekziston NATO? Dikush duhet të thotë: njerëz, jemi në anën tuaj». Edhe në qarqet liberale jo gjithçka që tha Müller hasi në mirëkuptim, aq më tepër që u bë e dukshme se ajo nuk e njeh Jugosllavinë aq mirë sa Rumaninë. Por, nuk ekziston vetëm Serbia e rënë në kllapinë e dhimbjes për vetveten, pra Serbia e Kusturicës dhe e gazetarëve rrëmujaxhi që qesin shkumë për goje. Publicisti liberal Dejan Iliq shpotiti në një kolumne mbi tronditjen e përgjithshme: sapo jemi rehatuar në qoshen e viktimës së historisë, sipas të cilës shekulli i ’20 na paskësh qenë një epokë e vuajtjes serbe «dhe pastaj vjen kjo gjermania, madje nobeliste, dhe thotë: serbët janë fajtor për gjithçka që u ndodhi në fund të shekullit të ’20 dhe mes serbëve sidomos Kisha Ortodokse Serbe».

Sonja Biserko, kryetare e Komitetit serb të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe prej shumë dekadash një aktiviste e guximshme për një Serbi liberale, e cila ishte e pranishme në paraqitjen e Müllerit, tha se është «e pashmangshme» që shoqëria në Serbi të dëgjojë se çka mendojnë të tjerët për të. Në vend të kësaj «u krijua një atmosferë, e cila është kundër çdo dialogu dhe çdo debati mbi përgjegjësinë e regjimit të Millosheviqit. Në vend se të distancohen nga regjimi i tij, Millosheviqi po rehabilitohet dhe po kremtohet si politikani më i madh serb. Shoqëria nuk është e gatshme të pajtohet me faktet e gjalla», tha ajo dhe kujtoi se në Akademinë Ushtarake serbe sërish po madhërohen kriminelët e luftës dhe dinjitarët e kishës ortodokse dikur bekonin paramilitarët serbë para se këta të niseshin të vrisnin myslimanë.

Epilogu: vajza e një ushtari nazist ia mbajti pasqyrën shoqërisë serbe. Shumë prej tyre që shikuan në të, dalluan vetëm një surrat të urryer – dhe e ngatërruan atë me fytyrën e Herta Müllerit.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...