2017-10-30

Rrëfim nëpër kullat e Dukagjinit



Nga Nga Dafina Kabashi


Sa herë shkrimtarë të shumtë shqiptarë e kanë përdorur “kullën” për të folur për rezistencën e pse jo edhe për identitetin e popullit të vet. Shtëpi tradicionale të familjeve kosovare, kryesisht këto në rajonin e Dukagjinit, sot janë rrëfimi për të kaluarën. Nevojat sociale dhe ato jetësore të njerëzve që i kanë banuar, kanë çuar deri të një dizajn krejtësisht unik të arkitekturës së tyre. Shtëpia e gurit, kulla apo edhe kështjella, siç do të mund të quhej, janë rrëfimi i një historie gjeneratash të një familjeje. Secili prej familjarëve mundohej që me saktësinë më të madhe, të rrëfejë historinë e kullës ashtu siç u kanë thënë paraardhësit. Ata tregojnë se shfrytëzimi i tyre është ndikuar pikërisht nga nevojat sociale, kati i parë përdorej për bagëti, në të dytin vendoseshin gratë dhe fëmijët, ndërsa kati i tretë që kishte hyrje të veçantë nga ajo e grave, ishte i rezervuar për burrat. Kullat janë mbi 200 vjet të vjetra. Ndërtimi i tyre ka nisur diku në fund të shekullit 18 dhe besohet të ketë përfunduar në dekadat e para të shekullit 20. Por viti 1999 dhe koha e luftës në Kosovë, ka shkatërruar një numër të madh të tyre. Ato që kanë mbetur pa u rrënuar ndërkaq, sot e kanë të vështirë qëndrimin “në këmbë”, duke u rrezikuar kështu nga shkatërrimi i tërësishëm.
Mosintervenimi i institucioneve shtetërore ka bërë që disa nga kullat e shkatërruara në luftë, apo të shkatërruara nga vitet të rrënohen nga vetë pronarët. Edhe ditëve të sotme, ka pronarë që thonë se nuk do t’i kursejnë nëse organet kompetente nuk i marrin masat e duhura. Disa nga shtëpitë e gurit të familjeve kosovare kanë shpëtuar nga intervenimi e restaurimi i vetë pronarëve, ndërkaq restaurimi i kullave të tjera është bërë nga organizata suedeze, Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB).
Kullat e kthyera në barishte/Në vendin ku do të duhej të ishte kulla, tani ka vetëm barishte, duke i zhdukur kështu pothuajse të gjitha gjurmët e kullës së vjetër rreth 200 vjet. Ramë Haklaj thotë se kanë qenë të detyruar ta rrënonin kullën, se përndryshe ata vetë rrezikoheshin prej saj. Ai ka treguar se megjithëse kishin bërë kërkesë për riparim, asgjë nuk është ndërmarrë. “E kemi rrënuar kullën sepse ka qenë në shkatërrim e sipër dhe të gjithë jemi rrezikuar prej saj. Gurët binin çdo ditë. Kemi shkuar në Pejë kemi bërë kërkesë për riparim, por nuk kanë ardhur as ta vizitojnë”, ka thënë Haklaj, duke shtuar se edhe si pronë, kulla ishte pronë e përzierë, e nuk i takonte vetëm atij. Në mungesë të ndërhyrjeve emergjente, dita e ditës, edhe shumë të tjera do të shkatërrohen, kjo pasi gjendja e tyre është e kritike dhe nevoja për ndërhyrje, është emergjente. “Kulla e Bajram Nezir Pepshit” në Junik, është e kërcënuar nga një rrezik i tillë. Familja Pepshi 11-anëtarëshe, ku të gjithë janë të papunë dhe jetojnë në kushte të mjerueshme, thonë se aq më pak mund të investojnë në kullë. “Kulla ka 200 vite që është ndërtuar, ndërsa janë bërë 40 vite që nuk jeton askush aty. Ne e ruajmë kullën sepse kanë thënë se do të vijnë ta ndërtojnë, kemi marrë premtime por asgjë konkrete nuk është bërë. Nuk kemi para të investojmë dhe është në prag të rrënimit. Kemi bërë kërkesë në komunën e Junikut, kanë thënë se po të investojnë por nuk kanë bërë asgjë. Me dëshirë do e mbanin kullën, por nuk kemi para të investojmë, po nuk intervenuan, na duhet ta rrëzojmë”, ka thënë Mërgim Pepshi, më i riu i gjenerata që e kanë banuar Kullën e Pepshit në Junik.
Në të njëjtën situatë është edhe familja Gërvalla, të cilët kanë thënë se nuk kanë mundësi ta restaurojnë kullën e vet. Ata kanë jetuar në kullë deri para 7 viteve, ndërsa kulla tash është në gjendje të keqe. “Kulla e Brahim Sadrisë” siç njihet për të gjithë, shpejt mund të kthehet në rrënoja. “Ka 7 vite që nuk jetojmë në kullë, ajo tani është në gjendje të mjerueshme, është dëmtuar shumë. Kemi bërë kërkesë në organet kompetente disa herë, por nuk kemi gjetur mbështetje. Nëse edhe më tej nuk gjejmë përkrahje do ta rrënojmë”, ka thënë Jakup Gërvalla.
Restaurimi i “trashëgimisë kulturore” nga vetë familjarët/Duke parë që nuk marrin mbështetjen e duhur nga institucionet vendase, dhe rrezikun e vazhdueshëm që u kanoset kullave, disa familje me vetiniciativë i kanë ndërtuar shtëpitë e gurit të paraardhësve. Zyber Krasniqi ka treguar më shumë për kullën e familjes së tij. “Konaku i Ramiz Zyberit” në Junik, ashtu siç është emërtuar kulla pas restaurimit, familjes Krasniqi i ka kushtuar rreth 70 mijë euro. Para se të intervenohej, një pjesë e kullës ishte tërësisht e shkatërruar, për shkak të vjetërsisë, por edhe të luftës së fundit. “Kulla është ndërtuar në vitit 1860. Atë e ka restauruar familja. Gjithë çfarë është investuar ka qenë nga xhepi ynë. Kulla i ka tri kate, odën e burrave, në katin e dytë ka dhoma të fjetjes, dhe katin e parë e kemi bërë një lloj muzeu për vizitorë, që përbëhet nga gjëra të vjetra që janë përdorur në të kaluarën, por mysafirët mund të shërbehen edhe me kafe. Me 70 mijë eurot e investuara, përveç punëtorëve që i kam paguar, kam punuar edhe vetë në restaurimin e saj”, ka treguar Zyber Krasniqi. Ndryshe nga kullat e tjera duket kulla e “Mustafë Binakaj” në fshatin Dranoc. Ajo është “kullë-shtëpi”, në muret e kullës së vjetër, është interieri modern, kështu është ruajtur kulla si trashëgimi, por që njëkohësisht shfrytëzohet si ambient modern banimi. Babai i Rrustem Binakajt, pesë herë e kishe blerë kullën nga të tjerët që kanë pasur hise në kullë. Ndërsa ka treguar se nga paslufta dy herë e ka rinovuar. “Është kulla e dytë që ka ndërtuar Mustafë Binakaj, kullën e parë e ka ndërtuar rreth vitit 1800, ndërsa kullën e dytë e ka ndërtuar më vonë se kjo. Mjeshtër i të dy kullave ka qenë usta Alija i Dibrës, që i ka kontrolluar dy grupe të mjeshtërve”, është shprehur Binakaj. “Jemi katër breza me djemtë e mi që jetojmë në këtë kullë. Në këtë kullë ka ardhur nuse nëna ime, kam lindur unë dhe fëmijët e mi. Po të kishte gojë të fliste kjo kullë e të tregonte sa aktivitetet historike janë zhvilluar në të”, ka vazhduar më tej rrëfimin Rrustem Binakaj.
Jeta e rrezikuar përbrenda kullave/Braktisja e tërësishme e kullave ndihmon në shkatërrimin e tyre. Pasi janë larguar banorët shumë prej kullave janë shkatërruar edhe më shumë, por po të jetonin aty rrezikohej jeta e tyre. Familja Hebibi nga Juniku, ende jetojnë në kullën “Kulla e Jah Hebibit”, e ndërtuar në shekullin XVIII. Menjëherë pas luftës së fundit, ata kanë intervenuar në kullë, ndërkaq tani jetojnë vetëm në katin e parë. “Kulla është ndërtuar në shekullin e XVIII, dhe ende banojmë në të. Lufta nuk e ka dëmtuar kullën. Pas luftës së fundit kemi investuar pak, më asnjëherë. Kulla ka tre kate dhe vetëm kati i parë është i banueshëm. Dy katet e tjera janë të dëmtuara. Ne do e mbajmë kullën derisa të investojë dikush, sepse ne nuk kemi mundësi”, ka thënë Pajtim Hebibi. Në fshatin Isniq është kulla katërkatëshe “Kulla e Osdautajve”, edhe kjo e rrezikuar nga rrënimi i plotë. Ishte krijuar distancë në mes të mureve, ndërsa njëra qoshe e kullës në katin e epërm kishte rënë në tokë. “Riparimi i kullës është bërë në vitin 2002 dhe tani është në gjendje të rregullt. Kulla është financuar nga CHëB-ja ndërsa nga Ministria e Kulturës nuk kemi marrë asnjëherë asgjë. Para se të riparohej kulla ka qenë në gjendje të tmerrshme, kati ku është oda e burrave muret kanë qenë të larguara nga njëri tjetri për 40 centimetra”, ka thënë Halim Osdautaj. Në kullën në të cilën banon familja 6-anëtarëshe, kati i parë është i shndërruar në muze, aty ka gjëra të vjetra që kanë përdorur paraardhësit. Ndërsa në kullë është i vendosur mbishkrimi. “Në këtë kullë në prill të vitit 1910 nën udhëheqjen e Isa Boletinit, u mbajt “Kuvendi i Parive” në të cilin u vendos për fillimin e kryengritjes kundër Perandorisë Osmane, dhe për “Lidhjen e Besës” te Verrat e Llukës”, Këshilli Organizativ, Isniq 3 prill 2010”. “Kulla e Kuklecëve” është në fshatin Isniq. Aty jeton Burbuqe Kukleci me të ëmën. Kulla është në gjendje të mirë pas intervenimeve që i janë bërë nga CHëB-ja. Kukleci ka folur më shumë për kullën dhe veçantitë e saj. “Para lufte kulla ishte në gjendje të mirë, ndërsa gjatë luftës është sulmuar nga granata dhe është dëmtuar shumë. Karakteristikë e veçantë e kullës është dyshekllaku i saj. Katin e parë të kullës e lëshojmë me qira për artizanate, në katin e dytë banojmë, ndërsa në katin e tretë është oda dhe divahonja”, ka treguar Burbuqe Kukleci.
Lagjja e Mazrekajve, turizmi rural/Në fshatin Dranoc, është ndërtuar “Lagja e Mazrekajve”. Lagja fillon me “Kullën e Mazrekajve” për të vazhduar pastaj me kulla të tjera, numri i të cilave nuk është i vogël. Kullat, muret e rrugët janë të ndërtuara me gurë. “Kulla e Mazrekajve”, është shndërruar në bujtinë, por para se të marrë formën që e ka sot, është investuar shumë, kjo pasi në luftën e fundit qe djegur pothuajse tërësisht. Nga viti 2004 për kullën kujdeset Safete Gacaferi drejtoreshë e OJQ-së “Jeta”. “Para luftës së fundit të Kosovës kulla ka qenë e banuar nga familja Mazrekaj. Pastaj, në luftë është dëmtuar dhe djegur pothuajse në tërësi për pos disa pjesëve që edhe sot janë ruajtur ashtu siç kanë qenë. Në vitin 2004 është rinovuar duke e ruajtur sa me shumë origjinalitetin saj”, ka treguar Gacaferi. “Funksioni i kullës sot është mundësimi i zhvillimit të turizmit rural. Që nga restaurimi i kullës fshati Drenoc ka pas një hov të madh të zhvillimit të turizmit. Shumë gra të fshatit Drenoc përfitojnë nga kulla duke përgatitur ushqimin tradicional për turistët”, ka thënë Safete Gacaferi, duke vazhduar të tregojë se “Kulla e Mazrekajve” që fillimisht ka qenë nën menaxhimin e CHëB-së, e pastaj të OJQ-së “Jeta” pas 10 viteve, këtë vit do t’i kthehet pronarit të saj. Kulla është e shndërruar në bujtinë vizitohet më së shumti nga të huajt. “Turistët që vijnë për të fjetur janë zakonisht amerikanë, anglezë, francezë, norvegjezë, japonezë e shumë e shumë të tjerë”. “Kulla e Isuf Mazrekajt” bashkë me atë të “Kulla e Rexhë Brahim Binakaj”, pas restaurimit të tërësishëm do të shndërrohen në bujtinë. Bashkim Binakaj ka treguar për dëmet që i ka pësuar nëpër kohë. “Kulla është e vjetër rreth 200 vite, qe ndërtuar në shekullin e XIX. Është kullë autoktone shqiptare, e ndërtuara nga dibranët. U shkatërrua vetiu, pasi prej vitit 2001 më nuk kemi banuar në aty, por reshjet atmosferike e shkatërruan”, ka thënë Binakaj. Njëra ndër kullat në të cilat ka investuar institucioni më i lartë i kulturës në vend, është kulla e Jusuf Gërvallës, aty ku ai e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij, madje për nder të tij, MKRS, është duke ndërtuar një kullë që do të inaugurohet për ditëlindjen e Gërvallës. “Ndërtimin e “Kullës së Jusuf Gërvallës” është duke e financuar Ministria e Kulturës, flitet se më një tetor do të inaugurohet pasi është ditëlindja Jusufit”, ka thënë Ajmon Gërvalla. “Ministria do të investojë deri në 70 mijë euro. Me këto të holla po ndërtohet kulla, do të rinovohet ajo ku ka jetuar Jusufi dhe do të rregullohet oborri”, ka shtuar ajo. Kulla që është duke u financuar nga Ministria e Kulturës, do të shndërrohet në muze ku do të vendosen gjerat personale të Jusuf Gërvallës. Kulla ku ka jetuar ky personalitet, ndonëse është e vjetër, është në gjendje të mirë. Ajo është ndërtuar 60 vite më parë. Gjërat ende sot janë ashtu siç i ka lënë ai.
Por, komuna e Junikut dhe ajo e Deçanit, si komuna tejet të pasura me trashëgimi kulturore, kryetarët e tyre thonë se buxheti që ndahet është i vogël dhe nuk mund të investojnë shumë në këtë drejtim, mirëpo ata mundohen që t’i bëjnë ndërhyrjet emergjente aty ku është e nevojshme. Agron Kuçi, kryetar i Komunës së Junikut, ka thënë se kanë investuar në disa kulla, por në disa të tjera për shkak të bashkëpronësisë nuk mund të intervenojnë. Ai tregon se komuna ka ndarë nga 20 mijë euro, për bibliotekën që është në kullë, dhe për muzeun që së shpejti do të inaugurohet. Ndërsa, Rasim Selmanaj kryetari i Komunës së Deçanit, ka thënë se edhe pse kanë bërë intervenime emergjente, kjo nuk mjafton. “Disa kulla i kemi rinovuar, ka edhe kulla të reja që janë ndërtuar. Për kundër faktit që ka pasur investime nuk janë të mjaftueshme”, ka thënë Selmanaj për gazetën. Ndërtimi i kullave në të shkuarën nuk ka qenë aspak i lehtë. Thuhet se për ndërtimin e një kulle, është dashur një ekip i madh. Ndërtimet e tyre, si? tregojnë njohës të tyre, zakonisht janë bërë në sezonin e dimrit, me qëllim të bartjes me saja të gurëve të rëndë. Thuhet se katet e tyre janë ndërtuar nga një në vit, derisa janë dashur disa muaj për t’i vënë pikën.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...