2017-10-30

Përpëlitja mediatike e Edi Ramës





Nga Desada Metaj

Edi Rama, kryeministri që e shihnim më shumë se njëherë në ditë në ekranet e televizioneve për më shumë se 10 ditë u “zhduk” nga ekranet. Që kur Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi denoncuan live në emisionin “Opinion” lidhjet e disa politikanëve me persona me precedentë penalë, që kur prokuroria e krimeve të rënda nisi kërkesën për ndalimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kryeministri vetëm ka heshtur.

Njeriu që shfrytëzonte çdo hapësirë televizive për të reklamuar punën e qeverisë së tij, është mjaftuar me 2 apo 3 fjali në Facebook për të “shitur” apo dhe “riblerë” sipas rastit bashkëpunëtorët e tij të hetuar nga drejtësia.

Edi Rama hesht atëherë kur duhet të flasë dhe të mbajë përgjegjësi për këto që po ndodhin në një vend ku ish bashkëpunëtori i tij më i afërt akuzohet për bashkëpunim me organizatat kriminale. Gjyqi apo batutat që ai bën për prokurorët apo shkëmbimi në distancë i deklaratave me opozitën janë shfaqje e qartë e dobësisë dhe mungesës së seriozitetit për një kryeministër që është rikonfirmuar në këtë detyrë vetëm pak muaj më parë.

Askush më shumë se Edi Rama nuk ka përgjegjësi për zhvillimet e ditëve të fundit. Bashkëpunëtorët e tij në qeveri apo në kabinetin e ngushtë e kanë të qartë po aq sa gjithë shqiptarët se asnjë vendim i rëndësishëm nuk është marrë pa bekimin e kryeministrit. Ndaj “zhdukja” e tij nga ekranet dhe urimi i “mirëmëngjesit” në Facebook është një strategji PR që në mos keqkëshillim është tallje e hapur me ata që e votuan por dhe me ata që janë kritikë me të.

Edhe ata që brohorisnin pardje dhe dje në mbështetje të Saimir Tahirit e kanë po aq të qartë se më shumë se pyetjet e gazetares, ish ministrin e shqetësonte akuza dhe qëndrimi pa bosht i kryeministrit. Aq pa bosht, sa dhe rishfaqja e tij pas 10 ditësh duke u mburrur me aksionin në Lazarat nuk arrin të bindë as militantët socialistë të njësisë 5 në Tiranë. Në vitin e pestë të qeverisjes Edi Rama nuk mund t’i mbushë mendjen as “medias së kazanit” dhe as asaj të oborrit kryeministror se policia ka luftuar kanabizimin e Shqipërisë.

Lazarati, një aksion i suksesshëm në një zonë të izoluar të Shqipërisë nuk mund të fshehë qindra tonelata drogë që janë kapur gjatë trafikimit nga ndërkombëtarët.

Në vitin e pestë të qeverisjes është amorale të krahasohesh me qeverisjen e Berishës, të anatemosh median dhe opozitën se po të prishin punë dhe aq më pak të luash rolin e viktimës se nuk të kanë lejuar të bësh punën. Madje dhe ti thuash shqiptarëve “që nuk janë budallenj edhe kur s’janë të shkolluar” nuk është shprehje që një kryeministër mund ta përdorë.

Sepse janë po këta shqiptarë që panë qartë se si policia që sot Edi Rama po e vlerëson dhe mbështet është ajo që falimentoi para bandave në Elbasan. Dhe asnjë akuzë ndaj prokurorisë apo gjykatave nuk e shmang dot nga përgjegjësia direkte për korrupsionin dhe lidhjen e segmentëve të policisë me krimin.

Sepse janë po këta shqiptarë që sot dëgjojnë nga kryeministri që ka nevojë për masa drastike në polici, ndërsa vetëm pak ditë më parë në çdo ekran shiheshin tabelat “policia që duam”. Dhe meqë populizmi është ndoshta arma e fundit që i ka mbetur në dorë një kryeministri që pas 10 ditësh del në publik për t’u justifikuar, ndoshta dikush më afër mund t’i ofrojë një botim me përmbledhje të fjalëve të urta të popullit shqiptar, që edhe pse nuk shquhet për detari ka mesazhe të koduara për peshqit, si: “peshku qelbet nga koka” apo “peshku i madh e ha të voglin”.


Lufta e dosjeve “familjare” në PS


Publikimi i dosjes së plotë të përgjimit të vëllezërve Habilaj ka shtuar dhe njëherë dyshimet se lufta e klaneve brenda PS-së është më e fortë se asnjëherë dhe se lidhjet me botën e krimit, në mos qofshin të vërteta të paktën do të shërbejnë si ndarje pa kthim mes grupeve rivale. Gjatë ditës së djeshme në disa media qarkulluan lajme sipas të cilave publikimi i dosjes së përgjimit ku përmendej emri i ish ministrit Tahiri, është publikuar me “bekimin” e ministrit aktual Fatmir Xhafa. Ky i fundit, në përpjekje për të rrëzuar mitin e paraardhësit dhe ndoshta për të çuar në vend porosinë e shefave, përmendej në disa media si personi që “furnizoi” me materiale median dhe PD-në. Nuk ka asnjë burim që ta konfirmojë me siguri këtë lajm, por fakti që askush në PS, përveç Elisa Spiropalit nuk i doli në mbrojtje ish- ministrit më të suksesshëm të qeverisë Rama, të bën të mendosh se “braktisja”e Saimir Tahirit nuk është e rastësishme dhe e pakoordinuar.

Por ministri aktual i rendit ndodhet edhe përpara rrezikut të publikimit të lidhjeve të tij familjare me krimin e organizuar. Nëse Saimir Tahiri përflitet për lidhje me kushërinj të largët që janë pjesë e botës së krimit, vëllai i Fatmir Xhafës është duke u gjykuar si anëtar i nje grupi të strukturuar kriminal në Itali. Dosja e vëllait të ministrit Xhafa është në duart e disa ish- drejtuesve të ministrisë së brendshme dhe burime pohojnë, se në të janë të paraqitura me detaje përfshirja, aktiviteti kriminal dhe roli i Agron Xhafës në hetimet e bëra nga antimafia italiane. Edhe pse ministri i brendshëm ka deklaruar se nuk është përgjegjës për veprimet e vëllait të tij, kryqëzimi që po i bëhet paraardhësit për lidhjet me kushërinjtë nuk e lë atë kaq jashtë vorbullës.

Fatmir Xhafa si një nga hartuesit e reformës në drejtësi ka shkruar të zezë mbi të bardhë që nuk i shpëtojnë drejtësisë prokurorë apo gjykatës, që kanë kushërinj të katërt me precedentë penalë. Dhe mbase ka patur të drejtë duke patur parasysh dhe plagën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Por morali me dy standarde duket se nuk do e ndihmojë ministrin e brendshëm, nëse në ditët në vazhdim “armiqtë” e tij brenda partisë do t’i servirin medias dosjen e plotë të drejtësisë italiane të Agron Xhafës. Çka dhe njëherë dëshmon se pakujdesia me të cilët Edi Rama zgjedh bashkëpunëtorët dhe lehtësia me të cilën i flak nuk është mënyra më e mirë për te qeverisur një vend, kryefjala e të cilit për muaj me radhë vazhdon të mbetet kriminalizimi i politikës dhe i qeverisjes.

Gara e fotove me banditë




Foto të një personi me precedentë të fortë penalë dhe të kërkuar nga interpoli, në shoqërinë e drejtuesve socialistë janë denoncuar mbrëmë në emisionin “Opinion” nga kryetari demokrat Basha dhe Monika Kryemadhi. Në këto foto, Durim Keci, i njohur dhe si “forti” i Shijakut duket qartë i afërt me drejtues të strukturave të PS-së, edhe pse në fakt duhej të ishte pas hekurave të ndonjë burgu të sigurisë së lartë. Por si gjithmonë kur krimi përfshihet me politikën, ata që duhet të mbajnë përgjegjesi ose heshtin ose përgjigjen me foto të ngjashme.

Kështu ndodhi sot edhe me kryeministrin, që publikoi një tjetër foto, ku personi në fjalë kishte dalë në çadrën e protestës së demokratëve. Me ndryshimin e madh që në cadrën e ngritur në një ambjent publik sic është sheshi përballë kryeministrisë, Durim Keci ishte në shoqërinë e disa militantëve dhe jo të ndonjë deputeti apo drejtuesi të PD-së.

Ky në fakt do të ishte dhe problemi më i vogël i një debati politik, që tashmë ka në qendër të tij kriminalizmin e partive politike. Sepse problemi më i madh mbetet tek mbështetja që këta persona të inkriminuar kërkojnë tek politika. Çfarë e shtyn një person që kërkohet nga policia e shtetit fqinj, që duhet të vuajë dënimin me dhjetëra vite burg të afrohet me partitë politike? Për ç’arsye një person që i ka shpëtuar drejtësisë kërkon të jetë prezent në mbledhjet dhe tavolinat e fushatave elektorale?

Përgjigja është shumë e thjeshtë dhe nuk gjendet në asnjë nga rreshtat e fjalimit të gjatë të kryeministrit. Këta kriminelë kërkojnë mbështetjen e pushtetit për t’i shpëtuar drejtësisë. Dhe këtë mbështetje sigurisht që nuk e sigurojnë falas. Durimi dhe shokët e tij që sot enden të lirë dhe të rrezikshëm rrugëve të Shqipërisë janë kontigjenti që përdoren lirisht për të blerë apo kërcënuar shqiptarët ditën e zgjedhjeve. Është ky kontigjent që në këmbim të fshehjes së letrave të ekstradimit, shkatërrimit të provave apo të ndonjë pazari tjetër, sigurojnë votat dhe “prodhojnë” deputetët që sot qetësisht nuk e prishin terezinë kur kryetari i qeverisë apo ndonjë ministër shfaqet në shoqërinë e banditëve me pushtet.

Janë këta banditë që me sigurinë e “punës” dhe votave që kanë sjellë në zgjedhjet e qershorit, sot vrasin dhe terrorizojnë qytetarët në mes të ditës. Është lehtësia me të cilën politika, por edhe ne vetë e trajtojmë këtë problem që po i rikthen qendrat e qyteteve shqiptare në skena ku bandat lajnë hesapet duke plagosur dhe rrezikuar jetën e kalimtarëve. Banditë dhe të “fortë” Shqiperia ka patur që në fillimvitet ‘90. Madje dhe legjenda urbane që qarkullonin për forcën e tyre ka patur pa fund. Por vetëm vitet e fundit, për ta kemi dëgjuar dhe parë afërsinë me pushtetin.

Aq sa disa prej tyre i kemi patur edhe deputetë një vit më parë. Bandat dhe kapobandat kanë qenë gjithmonë një punë e vështirë për forcat e rendit dhe drejtësinë, për shkak të potencialit të tyre ekonomik. Por të fuqizuar edhe me pushtetin politik, tashmë ata janë më të rrezikshëm dhe të imunizuar edhe nga ajo pjesë e policisë dhe e drejtësisë që realisht do të bejë detyrën e saj. Për fat të keq askush, as kryeministri dhe as personat e përfshirë në foton me një person të kërkuar nga Interpoli nuk kërkuan sot të paktën formalisht ndjesë për faktin, që u ndodhën në një tavolinë me një bandit. Askush nuk mbajti asnjë fije përgjegjësi për lënien të lirë të një personi mbi të cilin rëndojnë akuza të rënda.

Publikimi i një tjetër fotoje me kontekst krejt të ndryshëm ishte i vetmi argument i Edi Ramës, që nuk sqaroi aspak dhe me asnjë fjali të vërtetën e përfshirjes së kriminelëve në fushatë. Dhe vështirë se do ta bëjë, për sa kohë ende nuk i ka kërkuar ndjesë shqiptarëve që vetëm një vit më parë kishte në grup parlamentar apo kryetarë bashkie, persona që dhe vetë e kishin harruar me çfarë emri ishin regjistruar në gjendjen civile.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...