Shqiponjat në rrezik zhdukjeje në Shqipëri( Shpendët e egër që rrezikojnë të zhduken)




Shqipëria ka një listë të posaçme të shpendëve më të rrezikuar dhe për të cilët do të kërkohet mbrojtje e veçantë.

Ministria e Mjedisit dhe Pyjeve ka hartuar një listë, e cila është botuar këtë të hënë në faqen e Fletores Zyrtare.

Vendimi ka hyrë në fuqi sot. Kujtojmë se Ministria e Mjedisit ka zgjatur moratoriumin për mbrojtjen e shpendëve, shumë prej të cilëve ishin drejt zhdukjes në vendin tonë.

Janë rreth 170 lloje shpendësh, të cilët do të kenë mbrojtje të veçantë.

Zakonisht është folur në përgjithësi për moratoriumin e gjuetisë, por së fundi kemi një listë konkrete me shpendët e rrezikuar dhe që mbrohen posaçërisht.

Pas pelikanit kaçurrel, në listë janë përfshirë edhe një sërë shpendësh, përfshirë Shqiponjat peshkngrënëse, Shqiponja e detit, Shqiponja gjarpërngrënëse, Shqiponja perandorake.


Ministria e Mjedisit ka publikuar  në fletoren zyrtare një listë me llojet e shpendëve të egër që rrezikojnë të zhduken dhe për të cilët kërkohet një kujdesje e veçantë nga ana e institucioneve përgjegjëse të mjedisit. 


Në listën e publikuar në Fletoren Zyrtare janë rreth 300 lloje shpendësh të egër, një pjesë e të cilëve tashmë janë zhdukur nga fauna e egër në Shqipëri. Mes shpendëve që kërkojnë një kujdesje të veçantë janë disa lloje shqiponjash, si Shqiponja Peshkngrënëse, Shqiponja e detit, Shqiponja Gjarpërngrënëse e Shqiponja e Maleve. Shqiponja perandorake, Shqiponja bisht bardhë, Shqiponja e artë, etj.


Kjo shihet në listën e kafshëve të egra në rrezik, ku gjithsej janë 170 lloje shpendësh, që do të kenë mbrojtje të veçantë.
Listë kjo e ministrisë së Mjedisit, që është publikuar sot në Fletoren zyrtare.
Më herët, MM ka zgjatur moratoriumin për mbrojtjen e shpendëve, shumë prej të cilëve ishin drejt zhdukjes në vendin tonë.



Shqiponja, një simbol i vjetër i përdorur në flamuj, stema e zbukurime, është shpendi që po njerëzit i kanë veshur shumë virtyte.

Grekët dhe persianët e shenjtëruan atë me diellin, si simbol i lartësimit. Kombe të tjera të lashta personifikonin me të, shpendin që udhëheq shpirtrat. Ndërsa, për shqiptarët, përveçse simbol i kombit, shqiponja përfaqëson identitetin e trojeve të banuar prej tyre ndër shekuj.

Triumfator mbi tokë dhe mbret mes qiejve, specia më e lartësuar nga të gjitha krijesat shpezore, gjendet sot nën kërcënimin e madh të zhdukjes së saj. Të paktën në Shqipëri. Specialistët vërejnë të alarmuar situatën e shpendit që nderohet në flamur, por që përndiqet në realitet.
“Në trevat shqiptare gjendja e shqiponjës është në pakësim, sepse vendet e strehimit të saj, zhdukja e pyjeve janë pakësuar. Kur s’ka shtëpi një shpend nuk ka si të rrojë. Pastaj po zhduken gjithashtu edhe të gjitha llojet e gjahut që ushqehet shqiponja”, shprehet specialisti Jorgo Lako.

Ornitologu Taulant Bino dëshmon se sipas studimeve të fundit në vend, shqiponja konsiderohet ndër speciet e kërcënuara me zhdukje. Mes tyre rrezikon shfarosjen edhe Shqiponja e Malit apo Golden Eagle, ajo që përbën edhe simbolin e shtetit shqiptar.

“Janë afro 9 lloje shqiponjash dhe ne si komb kemi simbol shqiponjën e maleve. Tek shpendët grabiqarë hyjnë disa. Statusi i tyre është i kërcënuar dhe shqiponjat hyjnë në llojet e rrezikuara”, thotë Bino.

Ndryshimet e skajshme të ekositemit, kanë tkurrur hapësirën ku ky shpend me veti të rralla zhvillon jetën. Për pasojë edhe racën e tyre.

“Shqiponja e maleve para disa vitesh është vlerësuar se në të gjithë vendin gjendet 50-100 çifte. Në vitet e fundit ka një përkeqësim të situatës së saj, për shkak të ndryshimit të raportit njeri-natyrë”, shprehet Bino.

Mes shumë kërcënimesh, shpendi i egër i ditës, është bërë ndërkaq viktimë e njeriut, i cili sot është shndërruar në një grabiqar i papërgjegjshëm për të.

“Ato tregëtohen të balsamosura në rrugë, restorantet i ekspozojnë si vlera, por që nuk përbëjnë aspak vlerë kombëtare. Pastaj është edhe trafiku i tyre”, pohon Bino.

“Po s’u morën masa është në rrezik zhdukjeje, jo vetëm shqiponja, por gjithë llojet e tjera. Është katastrofike gjendja e tyre vitet e fundit”, shton Jorgo.

Situata është përtej kufijve të alarmit, megjithatë ekspertët vazhdojnë të besojnë se ka ende shpresë.
“Është në fazë të përparuar të rrezikut, por nuk besoj se do të zhduket. Mjafton të merren masa mbrojtëse dhe situata do të jetë më e mire”, shprehet Bino.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Gjuetarëve dhe Peshkatarëve, Jorgo Lako, është mjaft skeptik për masat mbrojtëse të shpendit tonë simbol.

“Shqipëria është në 10% e vendeve me të lulëzuara të botës. E merr veten, por duhen marrë masa drastike”, thotë Lako.

“Masat përfshijnë organet pyjore, ato vendore, por kryesisht duhet t’i mëshohet edukimit mjedisor. Një fëmijë me llastiqe sot vret një shpend të vogël, nesër një shqiponjë”, shton ai.
Studimet tregojnë se në rang botëror shqiponja, rrezikon zhdukjen. Por, pas species, kërcënohen së paku simbolet shtetërore të 25 shteteve, të cilat përfaqësohen me këtë shpend. Mes tyre dhe Shqipëria që mban shpendin vigjilent, si symbol të identitetit të saj zyrtar. Por, nëse shpendi që simbolizon dritën e fitores, shpirtin luftarak dhe forcën e arsyes, simboli kaq i lakmuar në histori e ndër shtete, sot është përballë kërcënimit të zhdukjes, përfaqësimi përmes saj do të mbetet vetëm një gojëdhënë.

*****

shqip-655x356


*****



Ekspertët theksojnë se në vendet ku jetojnë shkabat, cilësia e mjedisit në tërësi është shumë e mirë, ndërsa në ato pjesë ku është zhdukur, do të thotë se cilësia e tij është përkeqësuar.

Dikur në qiejt shqiptarë ishte e zakonshme të shikoje shkaba duke qenë se ato ishin të përhapura në të gjithe territorin, ndryshe nga sot kur numri ka rënë ndjeshëm, ose më mirë kur tre specie nga ekspertët konsiderohen të humbura. I fundit i njërit lloj të shkabave është gjetur në Veri të vendit…i ngordhur.

Sot nga katër specie ka mbetur vetëm Kali i Qyqes, edhe ai sipas shifrave të monitorimeve më të fundit ka vetëm 6 çifte. Kjo situatë alarmante lidhet pashmangshmërisht edhe me përkeqësimin e situatës mjedisore në këto 25 vite .

Pikërisht se është një specie në rrezik, udhëtimin tonë në kërkim të Kalit të Qyqes, shkabës së fundit nuk do ta pasqyrojmë me saktësime gjeografike, si një mënyrë për t‘i ruajtur nga abuzuesit, që edhe në rastin e shpendëve të tillë kanë qenë të shumtë. Me ne do të jetë Mirjani, një ambientalist i ri që prej vitesh merret me studimin e shkabave.

“Në disa raste duhet të shpenzojmë orë të tëra që të mund ta shohim, në disa raste, ne të njëjtin territor sapo mbërrijmë në territor, 5 apo 10 minutat e para shfaqet“, thotë Mirjani.

Ndalesa e parë është në një zonë të thellë që prihet nga ujrat e një lumi. Shkabat i parapëlqejnë zona të tilla malore. Foletë i ngrenë në zgavra të mbrojtura mirë e në lartësi të konsiderueshme. Na duhet të kontrollojmë kudo, edhe pse gjithçka duket më shume se e vështirë.

Pas disa orësh nuk kemi mundur të prekim asgjë konkrete. Jo shumë kohë më parë në këtë vend jetonte, sipas monitorimeve një çift i Kalit të Qyqes, por sot asnjë prej tyre nuk duket. Mos vallë edhe ata janë larguar, apo siç ndodh rëndom në Shqipëri janë vrarë pavarësisht moratoriumit nga gjuetarë abuzive? Deri tani asgjë, përveç disa llojeve të tjera të shpendëve jo aq të rralla sa ai që kërkojmë.

“Deri tani kemi parë disa lloje të tjerë shpendësh të cilët janë po ashtu të rrallë ndonëse jo aq të rrallë sa Kali i Qyqes, i cili mbart statusin e llojit të kërcënuar në mënyrë kritike për zhdukje. Deri tani kemi parë Shqiponjën Gjarpërngrënëse, kemi parë Skifterin Kthetraverdhë, kemi parë disa çifte hutash gjithashtu“, thotë Mirjan Topi.

Na duhet të lëvizim sërish, kjo për të provuar fatin në një tjetër zonë, sigurisht edhe ajo e thyer.

Në këtë tjetër pikë, gjurmët janë të qarta. Tutje, për së largëti është një fole që sigurisht mund të dallohet vetëm nga ata që janë marrë me këtë shpend. Por veç saj, sërish asgjë. Në horizont një grup hutash ikin e vijnë, por Kali i Qyqes s‘është askund.

Diçka më sipër një Skifter Kthetrazi ushqehet majë një peme. Në fakt për skifterët kjo është një periudhë shtegtimi, e cila i bën lehtësisht të dallueshëm edhe në zonat urbane. Sërish na duhet të lëvizim. Për të dytën herë s‘kemi mundur të gjejmë shpendin tonë.

“Kali i Qyqes është një shpend shumë i zgjuar, në shumicën e rasteve e vëren praninë e njerëzve të huaj që nuk janë të zakonshëm në territor dhe e shmang praninë. Pra Kali i Qyqes mund të na ketë parë dhe mund të jetë larguar“, sqaron Mirjani.

Këtë herë na duhet të udhëtojmë në këmbë me shpresën se do të mund, më në fund, të gjejmë atë që kërkojmë. Në zona të tilla të thella banorët e njohin Kalin e Qyqes, ndoshta sepse ai për ta ka një simbol të veçantë.

“S’diskutohet, Kalin e Qyqes ta thashe dhe më parë që e kemi patur kështu që kur vjen pranvera , themi që na kapi behari sa vijnë zogjtë e parë“, thotë një banor i zonës.

Kërkimet tona përkojnë me javët e fundit të qëndrimit të Kalit të Qyqes në Shqipëri, ai me pas fluturon mijëra kilometra larg, në zona më të ngrohta.

“Popullata e Kalit të Qyqes në Ballkan është vërtetuar që dimëron në Çad, Etiopi dhe Xhibuti“, thotë Mirjani.

A mundet që të gjitha udhëtimet tona të mos të na ofrojnë asgjë? Rreziku duket shumë i afërt. Megjithatë, siç thotë edhe Mirjani, kemi edhe një mundësi të fundit, në një tjetër zonë.

„Sado lart, për shkak të formës së tij të veçantë të krahëve, krahë të gjerë, bishti është i shkurtër dhe në formë pyke, por edhe diferencat me ngjyra mund të dallohen pasi Kali i Qyqes në fluturim duket një shpend bardh e zi. Mund të ngjasojë me lejlekun, lejlekun e bardhë, por lejleku ka tipare të tjera si qafa e gjatë, këmbët e gjata të cilat e bëjnë të dallueshëm nga Kali i Qyqes. Pra, përgjithësisht është i pangatërrueshëm kur shikohet në terren“, shpjegon Mirjani.

Kali i Qyqes llogaritet si një ndër shpendet më të mëdhenj në Ballkan me një gjatësi në hapje krahësh që shkon rreth 2 metra.

Më në fund pas disa orësh pritje, tutje shumë larg në horizont, dallohet Kali i Qyqes. Për kamerën është shumë e vështirë të tregojë apo të sjellë nga afër shpendin, megjithatë, përmes teleskopit ai është lehtësisht i dallueshëm. E pak më tej edhe foleja. Edhe aty duket një zog. Këtë herë kemi fat, edhe pse largësia bën të sajën.

“Ky është një nga ato momentet e lumtura për mua, kur në qiell shoh siluetën e Kalit të Qyqes, pasi sa herë vijmë në terren për të monitoruar territoret , kemi ankthin nëse Kali i Qyqes është kthyer këtë vit apo territori është braktisur”, thotë i emocionuar Mirjani.

Për ata që nuk e kuptojnë çfarë do të thotë zhdukja e shkabave, mjafton të rikujtosh edhe njëherë se ata janë pastruesit apo ruajtesit më të mirë të cilësisë së mjedisit. Një mjedis që Shqipëria në këto 25 vite e ka kthyer në një tokë të djegur, duke zhdukur nga territori jo thjesht shpendët që konsumohen restoranteve nëpër menu apo varur mureve, por edhe këto specie të tjera shumë të rëndësishme…fundja në Shqipëri ka funksionuar gjithmonë një teori e çuditshme se gjithçka që fluturon edhe hahet.


Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)