Sllobodan Millosheviqi, vdiq më 11 mars 2006 në Tribunalin e Hagës, i akuzuar, por i pa dënuar, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë.
Medie në Beograd sot e kanë përkujtuar atë si një hero serb: Në Hagë ka mbrojtur Serbinë, veten dhe gjithë planetin e ka folur edhe për “shpërthimin e terrorizmit të ndezur në Kosovë” ,ka shkruar për të gazeta e Beogradit “Veçernje novosti” e cila për ndihmë në shënimin e këtij përvjetori e ka ftuar edhe eksperten ruse për Ballkanin, Jelena Guskovën.
“Nuk është dënuar për krim e gjenocid. Popullit dhe atdheut të vet nuk ia la vulën e fajësisë.
Pas vdekjes së Millosheviqit asgjë nuk ka ndryshuar. Ata që kanë bërë faturat janë po në ato adresa, interesat e tyre janë të njëjta, pas vdekjes së Milloshevoqit vetëm sa është shtyrë copëtimi i territoreve serbe, por nuk jam e sigurt se a do të ketë kërkesa të reja pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të cilën e ka ndihmuar e ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare “ , ka thënë Guskova për këtë gazetë.
“Me atë që është ballafaquar Millosheviqi, po ballafaqohen edhe sot liderët e Serbisë. Me rëndësi është që të ndalet erozioni.
Por pyetem se a është e mundur kjo”, ka shtuar Guskova duke theksuar se çfarë ka ndryshuar tash pasi Serbia sërish kërcënohet me luftë për shkak të Kosovës.
Duke e shënuar ditën e kësaj vdekjeje, janë përkujtuar edhe zërat që përpiqen që Sllobodan Millosheviqit t’i ngrihet përmendorja në Beograd sepse “ai,me punën e vet, për së gjalli ia ka ngritur përmendoren vetes”, kanë thënë ata.
****
Publicisti serb Miroslav Lazanski ka bërë një postim “shokues” përmes të cilit thotë se ish-kryetari i Serbisë dhe i akuzuari i Hagës për krime lufte në Kosovë, Sllobodan Millosheviq, i është shitur Tribunalit të Hagës për 10 milionë dollarë!
Këto deklarime janë bërë në rts, përcjell portali “kurir”. Këtë informatë, po në këtë televizion e ka konfirmuar edhe avokati i njohur Toma Fila, i cili ka theksuar se njerëz nga kreu i shtetit shumë herë i kanë thënë se më 28 qershor 2001 është shitur dhe nuk është dorëzuar.
Lazanski në duelin televiziv me liderin e Partisë Liberale Demokratike të Serbisë Çedomir Jovanoviqin ka thënë se “është krejtësisht e qartë se dikush ka marrë para për kokën e Millosheviqit.
“E kanë shitur kryetarin Millosheviq! Ka ekzistuar çmimi 10 milionë dollarë. Kush i ka marrë ato para s’e di, por është e qartë se dikush i ka marrë, sepse po të mos i merrte do të bëhej i marrë. Milosheviqi është shitur kur e arriti çmimin më të lartë.
Mu sikur është shitur Mlladiqi, mu sikur është shitur Karaxhiqi”, ka theksuar Lazanski pa përmendur se në kë dyshon nga ish-kreu i shtetit për shitje.
Këto pohime i ka bërë edhe avokati Toma Fila, duke theksuar se Millosheviqen “me shpejtës e paketuan dhe shitën“.
“Kam qenë me Millosheviqin në natën e arrestimit. Jam përpjekur t’ia shpëtoj kokën.
Tre kryetarët, Millutinoviq, Gjingjiq dhe Koshtunica kanë nënshkruar se kurrë nuk ta dorëzojnë për shkak të Hagës. Kjo nuk të vlen për sonte, këta njerëz po të rrejnë i thashë …
Nuk di nëse dikush ka marrë para, por kam dëgjuar nga rusët që Millosheviqi është shitur. Disa herë më kanë thënë: Kryetari juaj është shitur, nuk është dorëzuar”, ka thënë Fila.
Miroslav Lazanski, siç përcjell ky portal, ka përkujtuar se Departamenti amerikan i Shtetit, kishte shpallur shpërblim milionësh për kokën e Millosheviqit.
Nuk shtrohet pyetja nëse e ka marrë dikush, por kush i ka marrë paratë.
Pos kësaj, Millosheviqi është dorëzuar 24 orë para se Kongresi amerikan të vendoste për ndihmë financiare ish – Jugosllavisë. Kusht për këtë ndihmë ka qenë që të dorëzohet Milloshqeviqi.
Kjo ndihmë nuk ka lidhje me shpërblimin i cili ishte për disa individë në krye të pushtetit. 10 milionë dollarë janë ndarë ndërmjet disa vetave nga kreu i atëhershëm i DOS-it (Demokratska opozicija Srbije).
Çedomir Jovanoviq i ka përgënjeshtruar të gjitha këto:
“Millosheviqi i ka ditur të gjitha. Askush s’e ka mashtruar dhe nuk ka mundur ta mashtrojë kështu”, ka thënë Jovanoviq.
“Trupi i është dorëzuar familjes, por truri është i mbyllur në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Holandës në Hagë”, thuhet në shkrim.
Pas vdekjes truri i Milllosheviqit i ishte nënshtruar autopsisë si pjesë e hetimit që ishte kryer nga autoritetet holandeze të Tribunalit të Hagës.
Megjithatë për një analizë më të thellë që patologët holandez dëshironin të kryenin, thuhet se e kishin ndalur trurin e Sllobodan Millosheviqit në Institut.
“Mbaj mend se trupi i Millosheviqit në mars të vitit 2006 u kthye në Serbi pa tru”, ka thënë Crhstian Chartier për BBC, që në atë kohë ishte zëdhënës për gjykatën.
“Unë nuk e di se çfarë ka ndodhur më pas, nëse truri ose një pjesë e tij i janë kthyer familjes apo kanë mbetur në Institut, apo ndoshta është shkatërruar”, ka shtuar ndër të tjera Chartier.
Edhe Florans Artman i cili ishte zëdhënëse e kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Karala Del Ponte, pohon përafërsisht të njejtën gjë.
“Për shkak të ligjeve strikte holandeze për pvrivatësinë, ne nuk kemi qenë në gjendje për të verifikuar nëse kanë mbetur në Hagë vetëm truri apo edhe disa pjesë të tjera të trupit.
Një informacion i tillë mund të merret vetëm tek autoritetet holandeze ose ato shtetërore serbe, apo anëtarët e familjes”, ka thënë ajo.
Lidhur me këtë çështje, zëdhënësja e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Holandë thotë se
“Për fat të keq ne nuk jemi të lejuar të japin informacione për raste të veçanta, përveç me kërkesë të personave juridik të autorizuar”, ka thënë ajo për BBC.
“Në përgjithësi, megjithatë, Instituti ka të drejtë të mbajë disa pjesë për hulumtime të mëtejshme, për shembull, për analiza toksikologjike,” ka shtuar tutje Jansen.
Sllobodan Millosheviq kishte vdekur nga një sulm në zemër në mëngjesin e 11 marsit të vitit 2006 në Tribunalin e Hagës në Holandë.
Ai po gjykohej për krimet makabre të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë
******
Shumë persona që në kohën e vdekjes së Millosheviqit që kanë punuar në Tribunalin ndërkombëtar të Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, kanë konfirmuar për BBC në gjuhën serbe rrëfimin që qarkullonte dhe përflitej nëpër korridoret e Tribunalit: që trupi i është dorëzuar familjarëve të tij, por jo edhe truri që ka mbetur në institutin e forenzikës holandeze në Hagë.
Trupi i Millosheviqit në kuadër të hetimeve të udhëhequr nga autoritet holandeze dhe ato të Tribunalit, i është nënshtruar autopsisë.
Më pas trupi është mbyllur në arkivol dhe i është dorëzuar birit të tij Markut, i cili kishte udhëtuar nga Moska për ta marrë.
Megjithatë për të kryer analiza më të thella toksikologjike të trurit që patologët holandezë dëshironin t’i kryenin, atyre u është dashur më shumë kohë, dhe për këtë arsye truri thuhet se ka mbetur në institut.
“Më kujtohet që në mars të vitit 2006 trupi i Millosheviqit është kthyer në Serbi, por pa trurin”, ka deklaruar për BBC, Christian Chartier, i cili asokohe ishte zëdhënës i Tribunalit.
“Nuk e di çfarë ka ndodhur më pas – nëse truri i është kthyer familjes i plotë apo më copëza, apo ka mbetur në institut, apo është shkatërruar”, ka shtuar ai.
Edhe Floranse Artman, që në vitin 2006 ishte zëdhënësja e kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, ka pohuar diçka të ngjashme.
“Për shkak të rregullave strikte holandeze të privatësisë nuk kemi mundur ta kontrollojmë nëse në Hagë ka mbetur vetëm truri, apo disa copëza.
Një informacion të tillë mund ta kenë holandezët apo edhe organet shtetërore serbe, por edhe anëtarët e familjes”, ka shtuar ajo.
Ndërkaq në pyetjen e gazetarit të BBC në gjuhën serbe, Nikki Jenssen, zëdhënësja e institutit holandez të forenzikës është përgjigjur: “Për fat të keq, nuk na lejohet të japim informacione për raste të veçanta, përveç me kërkesë të personave të autorizuar juridik”.
“Megjithatë, në përgjithësi, instituti ka të drejtë të mbajë disa pjesë për hetime të mëtutjeshme, për shembull, për analiza toksikologjike”, ka shtuar Jennsen.
*****
Kështu ka deklaruar Florence Hartmann, ish-zëdhënësja e ish-kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, Carla del Ponte, gjatë vizitës së Lidhjes së ish-të burgosurve në kampe në Bosnjë e Hercegovinë.
“Me rëndësi është që sërish të mblidhemi kur të shqiptohet dënimi për Ratko Mladiqin, që të pengojmë të ndodhë transferimi i tij në Rusi ose ndonjë marrëzi tjetër. Do të jemi vëzhgues këmbëngulës dhe nuk do të lejojmë që të përsëriten disa gjëra”, porositi Hartmann nga Sarajeva.
Deri te konstatimi për Mladiqin, lënia e mundësisë që Milosheviqi të jetë i gjallë merreshin si teori të konspiracionit dhe argëtim për publikun. Por, tregimi për Slobodan Milosheviqin bëhet gjithnjë e më pak argëtues… shkruan Croative.net.
Faktet flasin se më 11 mars 2006, sipas informatave të Tribunalit të Hagës, në njësinë e paraburgimit të burgut në Sheveningen ka vdekur ish-presidenti i Serbisë dhe RF të Jugosllavisë Slobodan Milosheviq.
Pas këtij lajmi funksionarët më të lartë ndërkombëtarë, por edhe zyrtarët e Gjykatës së Hagës, reaguan në mënyrë tejet të painteresuar ndaj këtij fakti.
Realisht, një përfundim i tillë i përgjigjej shumëkujt, sepse ndërprerja e procesit në Hagë përveç Serbisë – e cila gjendej para akuzës për gjenocid, u shkonte për shtati edhe shumë qendrave të tjera botërore të fuqisë, të cilat ishin të përfshira në konfliktin në ish-Jugosllavi, e të cilave u kërcënohej zbulimi, sepse po dilnin në dritë sekretet e arkivave jugosllave.
Natyrisht, të gjitha këto me kohë i dhanë krahë tregimit se Milosheviqi s’ka vdekur në qelinë e burgut në Sheveningen, porse vdekja e tij është kurdisur, për çka jepeshin prova të shumta.
Askush s’e ka parë kufomën e Milosheviqit
Pasi që Milosheviqi u varros në një vend mjaft të pa rëndësishëm, në vendlindjen e tij në Pozharevac, dhe meqë askush s’e kishte parë trupin e tij të vdekur (përveç patologëve zyrtarë) dhe duke marrë parasysh se varrin e tij sot askush nga familja apo nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt nuk e viziton, nuk është e pamundur që edhe Milosheviqi, si dhe tërë familja e tij (gruaja, vajza, djali dhe vëllai), të jetojënë në Rusi.
Në fakt, si shkaktar i vdekjes së tij llogaritej infarkti, i cili u zbulua një ditë pas vdekjes, pas obduksionit në të cilin, krahas mjekëve holandezë, morën pjesë edhe patologë rusë, si dhe nga Akademia ushtarake-mjekësore në Beograd, kolonelët Sërbislav Iliq dhe Ivica Milosavleviq. Me rezultatet e tyre të obduksionit menjëherë u pajtuan autoritetet shtetërore në Serbi, u organizua transport urgjent dhe varrim i shpejtuar.
Raporti zyrtar i patologëve kurrë s’u publikua, ndërsa është i pabesueshëm fakti se emrat dhe adresat e patologëve nga Beogradi, kolonelëve Iliq dhe Milosavleviq, nuk gjenden në asnjë regjistër emrash apo adresash në Serbi. Katër muaj para vdekjes së befasishme Milosheviqin në Hagë e vizitoi një ekip prej tre mjekëve – kardiolog nga Franca, specialist për damarët e gjakut nga Rusia dhe otorinolaringolog nga Beogradi, i cili në seancën gjyqësore ishte dëshmitar i mbrojtjes së Milosheviqit.
Ata propozuan që Milosheviqi të shkojë për kontroll në Rusi në Institutin e njohur Bakulev, por këshilli gjyqësor në fund të shkurtit këtë e refuzoi. Pak ditë më vonë u shpall se Milosheviqi ka vdekur, ndërsa indikativë është se Borislav Milosheviqi vetim disa ditë pas vdekjes së vëllait të tij shkoi në Moskë në Institutin Bakulev.
Mjeku holandez i burgut dy javë para vdekjes në gjakun e Milosheviqit gjeti gjurmë të ilaçit rifampicin, i cili e ul efektin e barnave kundër shtypjes së lartë të cilat i përdorte Milosheviqi. Super-ekzaminimi toksikologjik i Institutit për mjekësi ligjore të Universitetit në Bon ka zbuluar praninë edhe të një bari, droperidol, i cili sipas farmacistëve hyn në grupin e anti-psikotikëve, të cilët organizmin e njeriut e çojnë në një gjendje të mpirjes, një lloj të gjumit të thellë – ngjashëm me vdekjen!
Droperidoli prodhohet në Francë, ndërsa njëri nga mjekët që e kontrolloi Milosheviqin ishte pikërisht nga Franca. Kësaj duhet shtuar edhe faktin se kamerat e burgut, sipas interpretimit zyrtar, kanë qenë të shkyçura në kohën kur Milosheviqi gjoja ka vdekur.
Dhe mjaft indikativë, askush asnjëherë s’ka kërkuar zhvarrosjen e tij, në mënyrë që këto teori njëherë e përgjithmonë – të rrëzohen ose të konfirmohen...
****
****
Radmilo Bogdanovic, ish zyrtar i Republikës Federale Jugosllave ka zbuluar dokumente që vërtetojnë sëmundjen e ish presidentit Sllobodan Millosheviq.
Në raportin shëndetësor thuhet se Sllobodan Millosheviq vuante nga shizofrenia dhe Diabeti.
Raporti mjekësor ishte lëshuar dy vite pasi ish krimineli serb ishte shpallur president ndërsa raporti mbahej konfidencial nga pushteti i atëhershëm.
****
Regjimi i Sllobodan Millosheviqit, edhe pas komplotit kundër autonomisë së Kosovës, vazhdoi me burgosjen e udhëheqësve, intelektualëve, mësuesve, si dhe mbarë popullsisë shqiptare.
Duke mos u mjaftuar me kaq, ky regjim më 23 mars të vitit 1989, më ndihmën e forcave policore dhe ushtarake, duke ia imponuar votën deputetëve shqiptarë, si dhe me një numërim të votave në mënyrë jodemokratike dhe jotransparente, Kosovës ia hoqi autonominë, e cila ia garantonte popullsisë së Kosovës disa të drejta, duke e kthyer kështu Kosovën në pjesë përbërëse të Serbisë. Shuarja e autonomisë shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët, të cilët po trajtoheshin jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb.
Po në ketë vit forcat e armatosura serbe hynë në Kosovë, duke e mbajtur atë të pushtuar për dhjetë vjet më radhë.
Në kushtet e okupimit serb, më 2 korrik 1990, deputetët e KSA të Kosovës, të ndaluar të hyjnë në godinën zyrtare, e lexuan Deklaratën e Pavarësisë, duke e shpallur kështu Kosovën Republikë, anëtare të federatës jugosllave.
Shpallja e pavarësisë u pasua edhe me miratimin e Kushtetutës më 7 shtator të po atij viti. Ishte kjo koha kur në horizont tashmë dukej shpërbërja e qartë e ish RSFJ-së, krijesë kjo artificiale dhe krejtësisht antishqiptare, e dominuar nga ambiciet dhe politika hegjemoniste serbe.
Në këto procese rol kyç luajtën forcat politike të Kosovës, që sapo ishin themeluar, në veçanti Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova. Në tetor të vitit 1991 u zhvillua referendumi mbarëpopullor, që zyrtarisht e shpalli Kosovën shtetet të pavarur dhe sovran, ndërsa president i parë i Republikës së Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova. Ndërkaq qeveria ishte në mërgim në krye me kryeministrin Bujar Bukoshi.
Më 24 Maj 1992 u zhvilluan zgjedhjet presidenciale, ku president u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova, që ishte edhe kryetar i LDK-së. Rugova zgjodhi rrugën e rezistencës paqësore për të arritur deri te pavarësia e shtetit të Kosovës.
Prej shpalljes së pavarësisë e deri në fillimin e luftës së viteve 1997-1999 në gjithë Kosovën u organizuan demonstrata popullore. Kjo kohë për popullsinë shqiptare ishte shumë e vështirë, për arsye se çdo ditë u arrestuan, torturuan, burgosën dhe u vranë, në mënyrën më çnjerëzore, me dhjetëra civilë të pafajshëm shqiptarë. Në këtë kohë u mbyllen shkollat, u larguan punëtorët shqiptarë nga administrata shtetërore dhe publike, si dhe nga fabrikat, duke e vështirësuar tejmase jetën e popullsisë shqiptare.
Kjo ishte një politikë që shqiptarët të largoheshin nga Kosova.
Në gusht të vitit 1997, UÇK-ja merr mbi vete përgjegjësinë kundër sulmeve serbe dhe bashkëpunëtorëve të tyre, ndërsa më 28 nëntor të po këtij viti në fshatin Llaush të Skënderajt për herë të parë UÇK-ja del publikisht.
Më 28 shkurt të vitit 1998, ushtria dhe paramilitaret serbë organizuan sulmin në fshatrat Likoshan dhe Qirez të Drenicës. Kjo datë njihet edhe si fillimi i luftës në Kosovë.
Në vitet 1998-1999 ushtria serbe kreu gjenocid të tmerrshëm, duke vrarë dhe masakruar rreth 15 mijë civilë shqiptarë, shumica gra e fëmijë, duke dëbuar me dhunë edhe rreth 1 milion civilë. Gjatë kësaj kohe janë zhdukur edhe rreth 5,000 njerëz.
Fati i shumicës së tyre është zbardhur, mirëpo edhe shumë të tjerë nuk dihen. Për ta ndaluar këtë luftë të përgjakshme e jo të drejtë, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë, afër kryeqendrës franceze Parisit.
Pasi që këto bisedime përfunduan pa sukses, pas refuzimit të presidentit të RSFJ-së, Sllobodan Millosheviq, që ta pranonte marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare, më 24 mars të vitit 1999 forcat e NATO-s fillojnë bombardimet kundër trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë.
Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.
Po në këtë vit Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, që juridikisht Kosovën e mban si pjesë të Jugosllavisë, mirëpo nën protektorat ndërkombëtar.
Sipas kësaj rezolute, OKB-ja ka përgjegjësinë për administratën civile, kurse NATO-ja për sigurinë në Kosovë.
Që prej vitit 1999 e dreri më 2008 Kosova u drejtua nga qeveria vetëqeverisëse e Kosovës, mirëpo nën protektoratin ndërkombëtar UNMIK (Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë).
Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës në Prishtinë dhe Beograd.
Më 17 shkurt 2018 Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia.
Një ditë pas shpalljes filluan edhe njohjet e para nga shtetet e ndryshme, të botës të cilat janë anëtare në OKB-së.
Shteti i parë që e ka njohur është Afganistani, i pasuar nga Shqipëria, Turqia, SHBA-të, Gjermania etj.
Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova është bërë anëtare në shumë organizata ndërkombëtare, siç janë Banka Botërore, FIFA, UEFA etj.
Procesi i njohjeve dhe anëtarësimi nëpër organizata ende vazhdon, pra edhe pas 11 vjetëve të shpalljes së pavarësisë Kosova nuk është pranuar në OKB dhe "Interpol" dhe "Europol".
Prishtinë, 14.3.2019