STOP PRODHIME SERBO-BOSHNJAKE
Blerimi është kuzhinier me profesion. Ai thotë se në dyqane nuk ka vërejtur mungesë të produkteve nga Serbia apo edhe nga Bosnja.
“Ka produkte të Serbisë…, ato nuk janë zhdukur. Është e pakuptueshme, pasi që ose në tregun e Kosovës ka pasur mall të Serbisë, si rezerva për një vit. Kjo është e çuditshme, këtu ka diçka të dyshimtë, deri më tani është dashur të ketë ndonjë mungesë”, thotë Blerimi.
Ndërkaq një qytetare tjetër nga Prishtina, Kimete Gashi, thotë se në disa dyqane të vogla ka mungesë të produkteve serbe, por, sipas saj, këto produkte nuk mungojnë kur bëhet fjalë për dyqanet e mëdha tregtare.
“Mendoj se ka mungesë të disa produkteve nga Serbia në markete të vogla, por jo në markete të mëdha. Megjithatë mendoj se këto prodhimet nga Serbia nuk po kërkohen aq shumë si më parë”, thekson ajo.
Kurse më 28 dhjetor 2018 , Qeveria e Kosovës mori vendim që të vendosë taksë doganore 100 për qind edhe për produktet e importuara nga brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Që nga ajo periudhë, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, importet nga Serbia kanë rënë dukshëm. Ndërkaq prania e mallrave në tregun e Kosovës, sipas ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, është evidente për shkak se qytetarët më nuk po i blejnë këto produkte.
Në anën tjetër, ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq, më herët ka thënë se mallrat nga Serbia mund të hasen në të gjithë Kosovën dhe se ato po arrijnë atje përmes rrugëve alternative, kryesisht përmes Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Zyrtarë të Doganës së Kosovës në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se që nga vendosja e masës mbrojtëse, Dogana ka alokuar resurset e saj, në mënyrë që t’i përgjigjet rritjes eventuale të kontrabandës.
Ndryshe, gruri ka qenë ndër produktet që është importuar në sasi më të mëdha nga shteti i Serbisë. Ai më pas është përpunuar në tregun e Kosovës. Aktualisht në treg nuk ka mungesë të grurit dhe produkteve të tij, por që, sipas shoqatës se mullisëve, rezervat janë duke u harxhuar.
Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës se Mullisëve të Kosovës në një prononcim , thotë se çmimi i produkteve të grurit, nuk është rritur në tregun e Kosovës, kurse për sigurimin e grurit dhe miellit nga shtetet e rajonit dhe të Evropës është rritur dukshëm kostoja, çka vështirëson zhvillimin e veprimtarisë. Ai thotë se gruri i Serbisë përpunohet në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë hynë si produkt maqedonas.
Ai thotë se vendosja e taksës në aspektin politik mund të jetë e arsyeshme, por në aspektin afarist, nënvizon ai, kjo taksë ka krijuar problem.
“Probleme nuk ka me furnizim, por është rritur shumë çmimi. Nuk besoj se taksa do të reflektojë në çmim, por industria komplet pritet të falimentojë. Sepse nuk kemi mundësi ne të paguajmë 30-40 euro tonin e grurit më shtrenjtë nëse vijnë nga shtet tjera si Kroacia, Hungaria apo edhe nga tregu rus që aktualisht është duke ardhur. Ne jemi më të shtrenjtë se sa janë prodhuesit në Maqedoni dhe ata nuk na lejojnë, ata nuk krijojnë mundësi më ngit çmimin, por nuk jemi duke punuar”, tha Zejnullahu.
Sipas shifrave zyrtare, thuhet se gjatë vitit 2016, në Kosovë janë importuar 37 milionë kilogramë miell në vlerë prej 8 milionë euro, kurse gjatë këtij viti nga shteti i Serbisë në Kosovë, kanë hyrë 22 milionë kilogramë miell, që kalon shifrën prej 4 milionë euro.
Në anën tjetër, sektori i ndërtimtarisë që konsiderohet një nga sektorët më të mëdhenj në Kosovë, thuhet se nuk kanë ndonjë problem me sigurimin e materialit të nevojshëm.
Faton Hoxha, kryetar i Shoqatës se Ndërtimtarëve në Kosovë, thotë se taksa nuk ka ndikuar te sigurimi i materialit ndërtimor, disa problem ka pasur me sigurimin e drurit, por kjo shpejtë është mbuluar nga Mali i Zi.
“Deri më tani nuk ka ndonjë shqetësim eventual nga kompanitë në Kosovë, lidhur më mungesën e ndonjë produkti”, tha Hoxha
BIZNISMENI DHE DEPUTETI KOSOVAR NGA PEJA RAMIZ KELMENDI KUNDËR EMBARGOS SERBO-BOSHNJAKE
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do të marrë pjesë në dialog, pa u hequr taksa.
Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.
FLORI BRUQI