2020-05-26

Hajredin Fratari dhe Ismail Klosi në 105-vjetorin e rënies dëshmorë të Atdheut –



Nga Xhevdet Shehu

Një shekull më parë, kur horizontet nxinin nga të katër anët dhe fatet e atdheut ishin në fije të perit, në Mallakastër bënin emër dy djem të rinj, Hajredin Fratari dhe Ismail Klosi. Ata bënë emër dhe u burrëruan në një luftë që kishte si ideal të saj pavarësinë dhe ndriçimin e Shqipërisë nëpërmjet shkollave shqipe.

Kur u pushkatuan dy trimat tanë në Berat, Hajredini ishte 35 vjeç, ndërsa Ismaili 28 vjeç. Ishte fundprilli i vitit 1915. Lajmi i vdekjes së trimave u përhap si rrufé anembanë vendit, ndërsa Mallakastra ra në zi që nga Selishta në Kalamatrëng, nga Poçemi deri në Sinjë, duke vajtuar me dhimbje bijtë e saj dëshmorë… Por edhe u krenua me ta.

Në Mallakastër sapo kishte ardhur pranvera me furinë dhe bukurinë e papërsëritshme me të cilat ajo vjen në ato anë, blerimi dhe lulet kishte mbuluar vendin, krojet gurgullonin, kurse Vjosa farfuritëse gjarpëronte si e ndërkryer drejt detit… Korijet dhe faqet e kodrave ishin mbushur me muzikën e mrekullueshme të këmborëve dhe zileve, ndërsa tre barinj të ulur këmbëkryq, në një lëndinë, ia kishin marrë me të qarë një kënge që sapo kishte dalë në ato anë:

Në Fratar një derë e mirë,

Lindi djalë Haredinë…

Haredin, o bir, o djalë…

Haredini me Smailë,

Haredin, o bir, o djalë…

Kënga jehonte grykave e shkonte fshat më fshat, në Hekal e Klos, në Drizar e Kutë, në Çorrush e Fratar, në Greshicë e Aranitas, në Ngraçan e Kremenar… Barinjtë, ndalojnë për një çast, këmbejnë disa fjalë me njëri-tjetrin dhe pastaj kthehen sërish te kënga:

Mos u bëj teslim o Milo,

Po komit në mal…

Koshadhja ka varur

Në Berat litarë…

Ja kështu, me thjeshtësinë e buisjes së barit dhe natyrshmërinë e ligjërimit të zogjve, populli kishte nisur përjetësimin në këngë të bijve të tij të saporënë dëshmorë. Dhe dihet se monumentet e këngëve janë të paasgjësueshme.



Ato këngë si dhe tregimet e gjalla që tregohen edhe sot e kësaj dite në Mallakastër për dy trimat, kanë qenë me sa duket shtysa e parë për Haredin Elmazin për shkrimin e librit me titull “Hajredin Fratari dhe Iamsil Klosi”. Autori, duke qenë vetë mallakastriot, nga Drizari, por edhe mësues për shumë vite, ka ditur të qëmtojë me kujdes në vite kujtime dhe rrëfenja për dy heronjtë. Ai i trajton me një përkujdesje të veçantë heronjtë-personazhe, ndaj dhe ndihet aq dashuri dhe emocion brenda këtij libri. Por, për t’i dhënë sa më shumë vërtetësi historike librit të tij, autori ka shfrytëzuar me mjaft dobi vitet e fundit edhe fondin e arkivave të shtetit si dhe ka shfletuar shtypin e periudhave të ndryshme që ka shkruar për bijtë trima të Mallakastrës. Këto, si dhe puna artistike që ka bërë duke i vendosur heronjtë në sfondin e kohës kur ata u përpoqën, luftuan e dhanë jetën për Shqipërinë, është kurorëzuar me një vepër historike me vlera. Në këtë libër na shpaloset Mallakastra jonë, e bukur dhe heroike, e dhembshur e krenare, parakalojnë burra të shquar që nuk i kanë munguar kësaj krahine që nga lashtësia e deri në ditët tona. Autori gjithashtu ka sjellë edhe gojëdhëna e legjenda në funksion të portretit të heronjve, duke na bindur se ata nuk u shfaqën papritmas dhe sidomos në një terren zbrazët. Para tyre kishin luftuar e bërë emër edhe plot burra mallkastriotë, ashtu si dhe pas tyre do të vinin të tjerë, duke siguruar një vazhdimësi natyrale të traditave dhe emrit të mirë të Mallkastrës. Autori ka ditur të shkundë me kujdes pluhurin e harresës dhe të nxjerrë në dritë dy heronjtë në përmasat e tyre të vërteta.

Ja, ka kaluar mbi një shekull nga vdekja e tyre dhe ata na shfaqen më me madhështi, duke na ngjallur emocione dhe respekt të thellë për jetën dhe veprën e tyre të lavdishme.

Në Mallakastër kujtimi i tyre është nderuar gjithnjë, rrëfimet për ta janë transmetuar gojë më gojë e kanë marrë përmasat e legjendës, por duhet të pohojmë me dhimbje se nga historiografia jonë ata nuk u ngjitën për gati një shekull në lartësinë që u takonte sipas meritave historike dhe jetës së tyre heroike.

Vetëm akti i tyre i jashtëzakonshëm për hapjen e shkollave të para shqipe në Mallakastër do të mjaftonte për pavdekësinë e tyre si pionierët e parë të shkollave shqipe në krahinë. Por, duke qenë trima dhe të mençur, ata ditën të mbajnë një qëndrim të vendosur dhe të qartë në anën e Qeverisë së Ismail Qemalit dhe forcave më përparimtare të kohës në ditët dhe muajt e xhindosur pas shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Këtë qëndrim ata e forcuan me kundërvënien që i bënë rebelizmës së turmave anadollake të Haxhi Qamilit dhe Esat Pashë Toptanit.

Egërsia e pashoqe e bashibozukëve që donin të kthenin mbrapsht rrotën e historisë, i dënoi me vdekje heronjtë tanë të përparimit. Por haxhiqamilistët ishin aq injorantë sa nuk mund të kuptonin që me atë akt, ata po vulosnin fundin e tyre të turpshëm ndërsa Hajredin Fratarit dhe Ismail Klosit po u jepnin pavdekësinë. E, gjithë jeta e dy heronjve tanë, që i ngjan një komete gjithë dritë, që nga shkronjat shqipe deri tek ekzekutimi i tyre në Berat, është e denjë për t’u përjetësuar me shkronja të arta në kujtesën historike të kombit.

Jeta e tyre nëpër dallgë e sakrifica, shërben gjithashtu për t’i dhënë krahë fantazisë dhe për t’i gdhendur këto figura në vepra artistike. I pari që kreu aktin e përjetësimit të dy heronjve tanë ishte populli. Ai i skaliti ata në përmendoren e pavdekshme të këngëve të tij.

Qëndresa e Hajredinit dhe të Ismailit para ekzekutimit është me të vërtetë një akt i madh trimërie që mbyll me lavdi kapitullin e jetës së tyre.

Në këtë libër autori shkruan se në momentin më të vështirë të jetës para togës së pushkatimit, në ditët e fundit të prillit 1915, Ismail Klosi, përkrah bashkëluftëtarit të paepur e besnik Baki Gjirokastra, tha: “Nuk dua të lidhem me shami. Dua të shikoj gjakun tim kur të rrjedhë valë-valë dhe të sigurohem në është aq i kuq sa edhe flamuri i kombit tonë. Vdes i gëzuar se vdes shqiptar”. Ndërsa Hajredin Fratari tha: “Shqiptarët kanë gjuhën e nënës, për të folur shqip, kanë zemrën e babës, për të qëndruar si burrat dhe jetën e tyre, atë që u duhet për atdheun”. Janë shprehje lapidare që në mënyrë sintetike shprehin gjithë jetën dhe veprimtarinë e tyre në shërbim të kombit që i lindi. Këta bij të Mallakastrës i bëjnë nder gjithë Shqipërisë dhe historisë së saj.

Ky libër i Hajredin Elmazit duket sikur vjen me vonesë për këta burra të shquar, gati një shekull pas vdekjes së dy heronjve tanë. Në të vërtetë, ai vjen bash në kohën e duhur. Vite më parë, në rast se ndokush do të guxonte të shkruante një libër për këta dy burra, do t’i thoshte të vërtetat përgjysmë, ose do t’i shtrembëronte faktet historike, aq më tepër që ne mallakastriotët e dimë se si ka rrjedhur historia edhe për pasardhësit e Haredin Fratarit dhe të Ismail Klosit…

Them që ky libër botohet në kohën e duhur, pasi nuk ka më censurë që të pengojë lirinë e shprehjes dhe për t’i thënë gjërat sikurse kanë ndodhur. Por edhe për faktin se gjatë këtyre viteve të tranzicionit ne po përballemi me fakte të dhimbshme të tjetërsimit, të zbehjes së ndjenjave atdhetare te shumë shqiptarë e, të mos na vijë keq të pohojmë se, ka dhe nga ata që kanë përqafuar ide dhe doktrina antishqiptare. Më shumë se njëherë janë shfaqur marrëzisht haxhiqamilistët gjatë kësaj periudhe tranzicioni, ndaj dhe është ndierë nevoja për evidentimin dhe ruajtjen e traditave tona më të mira historike dhe kulturore, për shembuj dashurie dhe devotshmërie ndaj atdheut. Jeta dhe vepra e Hajredin Fratarit dhe Ismail Klosit është një nga këta shembuj, pasi rrezëllin tërësisht nga atdhetarizmi i kulluar dhe nga virtytet e larta.

Ka kaluar mbi një shekull nga koha kur Hajredin Fratari dhe Ismail Klosi luftuan dhe vdiqën si burrat për këtë vend dhe ndriçimin e tij. Tashmë ata i përkasin historisë dhe historia ka për detyrë t’i verë në vendin e merituar.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...