2020-05-26

Përkatësia etnike shqiptare e Arbërisë së Jugut




Prof.Dr. Xhufi ka realizuar për herë të parë një studim të plotë, me kontribute origjinale për disa prej çështjeve kardinale të historisë së Mesjetës shqiptare. Mbi bazën e një dokumentacioni arkivor të panjohur, apo të keqinterpretuar, ka rindërtuar historinë mesjetare të principatave të Shqipërisë së Jugut duke sjellë të dhëna e ide të reja mbi proceset shtetformuese në trojet shqiptare, çka bënë që Shqipëria të njihej edhe në botën e jashtme si një entitet shtetëror



Prof. Ksenofon KRISAFI*

Diku aty nga fillimi i vitit 2013, me një grup shokësh dhe Pëllumb Xhufin, i cili sapo ishte kthyer nga Venecia, ku kishte qenë për rreth dy muaj kërkimesh arkivore e bibliografike, u ulëm për një darkë. Pasi na shpërndau secilit nga një suvenir simbolik nga Italia, mua më tha se për ty kam një surprizë të veçantë. Të kam gjetur një “kushëri” në Venedik, Gjinin – Gjin Krisafin, i cili në shekullin e XVII banonte në ishullin Paksos dhe shërbente si rremëtar (galeot) në flotën veneciane. Emri i tij përmendej si banor ishullor në trojet arbërore, në shkurt të vitit 1621. Historinë e “kushëririt” e gjeta më të plotë, te Arbërit e Jonit, Vlora, Delvina e Janina në shekujt XV-XVII, një libër impresionues me 1440 faqe, që prof. Xhufi e publikoi në fundin e 2016. 




 Ai është pjesë e një kolane botimesh të tij që nisën në vitin 2006, me Dilemat e Arbërit, për të vazhduar me Ikje nga Bizanti, Nga Paleologët te Muzakajt, Shekullin e Voskopojës: (1669-1769), Çamëria: vështrim historik dhe etno-kulturor (bashkautor), Skënderbeu, ideja dhe krijimi i shteti. Ndër punimet e tjera, me rëndësi për historiografinë shqiptare janë edhe librat: Histori e Popullit Shqiptar, (Mesjeta), Histori e Kosovës, dorëzuar për shtyp, Çamëria, vështrim historik e etno-kulturor, L’Albania Veneta, tekste të Historisë për gjimnazet etj. disa prej të cilëve në bashkautorësi. Vend të veçantë do të zinin përkthimet, midis të cilave vepra e rëndësishme e Luçia Nadin –Statutet e Shkodrës në gjysmën e parë të shekullit XIV me shtesat deri më 1469. Përkthimi mjeshtëror i Xhufit ia ka shtuar së tepërmi vlerat.



Në 2016, siç u tha, do të riktheheshin sërish Arbërit, por tashmë si personazhe qëndrore të veprës madhore Arbërit e Jonit.

Përmes këtij korpusi voluminoz studimesh fondamentale Xhufi ka realizuar për herë të parë një studim të plotë, me kontribute origjinale për disa prej çështjeve kardinale të historisë së Mesjetës shqiptare. Mbi bazën e një dokumentacioni arkivor të panjohur, apo të keqinterpretuar, ka rindërtuar historinë mesjetare të principatave të Shqipërisë së Jugut duke sjellë të dhëna e ide të reja mbi proceset shtetformuese në trojet shqiptare, çka bënë që Shqipëria të njihej edhe në botën e jashtme si një entitet shtetëror.

Vështrimi kërkimor-shkencor i autorit Xhufi në librin Arbërit e Jonit shtrihet në një periudhë treqind vjeçare dhe përfshin historinë e pothuajse gjysmës së trojeve shqiptare. Është një skanim i plotë i çdo aspekti të jetës në Shqipërinë e Poshtme. Bëhet fjalë për historinë politike, territorin dhe banorët, jetën e përditshme, organizimin, administrimin, strukturat demografike dhe sociale, qeverisjen, veçanërisht në qendrat kryesore, tregtinë, ekonominë, komunikacionin, lundrimin, marrëdhëniet brenda dhe jashtë botës shqiptare, diplomacinë, kryengritjet, betejat dhe luftrat me pushtuesit, fushatat ushtarake, mbrojtja e vendit, shoqërinë, kulturën, ikjen e madhe, murtajën etj, dhe mbyllet me agimin e erës së nacionalizmit.

Arbërit e Jonit është një nga veprat më të mira, më themelore, më madhore të deritanishme të Pëllumb Xhufit. Për realizimin e saj ai kërkoi gjatë në arkiva, biblioteka, institucione kërkimore etj, brenda e jashtë Shqipërisë. Studioi dhjetra dosje me dokumente arkivore, dorëshkrime të panjohura e të pashfrytëzuara më parë nga historiografia shqiptare, në arkivin e Venecies, në bibliotekat publike e private të këtij qyteti – Marciana, Correr apo Querini, në fonde të arkivit të Simankës në Spanjë, në burime spanjolle, napoletane, papale, gjithashtu edhe në burimet shqiptare. Spektri i shikimit të tij ka përfshirë edhe burime të tjera latine, italiane, greke apo osmane, një numër të pafundëm librash, monografish, artikujsh etj. si edhe disa burime specifike si Kronika e Janinës, Kronika e Tokove apo Kronika e Moresë” e shek. të XIV etj.



Qëndroi me muaj në Venecia, jo rastësisht sepse Venediku, si superfuqi e dikurshme mesdhetare, kishte grumbulluar, përpunuar dhe depozituar në institucionet e veta dokumente të gjithfarllojshme, të cilat sot përbëjnë thesare të paçmuara me rëndësi e vlera të mëdha për historinë e vendit tonë dhe vendeve të tjerë. Hulumtoi për një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, e cila përgjithësisht konsiderohej si vakuum historik problematik. Zgjedhja nuk ishte e rastësishme. Besonte fort se, siç e thotë vetë, do të sillte diçka të re. Shpresonte gjithashtu se do të sqaronte edhe të vërtetën rreth disa sajesave të dyshimta të kohëve moderne, “kur një lloj historiografie e huaj, mjedise akademike dhe politike të vendeve fqinje, duke shfrytëzuar heshtjen e historiografisë shqiptare dhe duke u mbështetur në shtrëmbërime dhe falsifikime, kanë ngritur teza shoviniste dhe pretendime territoriale ndaj Shqipërisë”. Bindja e tij u vërtetua. Konstatoi se i gjithë territori nga Vlora, në veri dhe deri në Prevezë, në jug, ishte pjesë e habitatit shqiptar, ku vendet dhe njerëzit përcaktoheshin qartë si shqiptarë. Ai, përmes një metodologjie rigoroze shkencore, mbështetur mbi një “mal” me dokumente autentike, të paanshme dhe objektive, riafirmon pa asnjë rezervë përkatësinë arbërore të këtij rajoni gjeografik, prejardhjen e banorëve të tij, shqiptarëve, si pasardhës të ilirëve, si autoktonë në trojet e veta. Këtë konkluzion e mbështet edhe toponimia shqiptare, e cila ka rezistuar në shekuj, megjithëse e sulmuar vazhdimisht nga toponimia sllave dhe ajo greke. E mbështet gjithashtu edhe në një element tjetër që është përdorur me shumë mënçuri nga autori, emrat e familjeve dhe njerëzve të tyre, protagonistë ngjarjesh ose bujq, blegtorë ose zejtarë të zakonshëm, që provon se banorët e këtyre rajoneve ishin shqiptarë dhe flisnin shqip. Kuptohet se tashmë konfiguracioni etnik nuk është si dikur. Transformime radikale, ndërhyrje sistematike, zhvendosje e shpërngulje të dhunshme popullsish, politika konsekuente asimiluese e kanë ndryshuar përbërjen.

Me Arbërit e Jonit, Xhufi kontribuon për vënien në vend të të vërtetës së madhe se shqiptarët kanë qenë në tokat e veta dhe nuk janë të mbivendosur pas pushtimit Osman, sikurse dëgjohet të thuhet ndonjëherë. Nëpërmjet argumenteve bindëse, me arsyetime të fuqishme logjike e shkencore, përmes analizës së hollësishme, shumë të vëmendshme të të dhënave, fakteve si edhe të një informacioni voluminoz, iu ka dhënë përgjigje shumë pikëpyetjeve të shtruara gjatë dekadave. Në këtë mënyrë rindërton saktësisht historinë e një treve të gjerë, që përfshin Vlorën, Labërinë, Himarën, Delvinën e Çamërinë, gjatë një periudhe kohore të shtrirë në shek. XV-XVII.

Është e padiskutueshme përkatësia etnike shqiptare e Arbërisë së Jugut, siç e quajnë dokumentet veneciane, ashtu si dhe ato evropiane në përgjithsi, përfshirë edhe burimet greke. Vetëm, në fillim të shek. XX në aktet zyrtare e në tekstet shkollore të shtetit helen nisi të përdorej në mënyrë të programuar termi “Vorio Epir”, pa kurrfarë fondamenti historik, por me synime të qarta aneksionuese. Xhufi ka sjellë një mbështetje të fortë, nëpërmjet qindra dokumentave të panjohura të cilat e pohojnë pa ekuivok, duke i përkufizuar shprehimisht vendbanimet rurale të kësaj zone si fshatra shqiptare. Autori konfirmon të vërtetën se arbërorët shquheshin për vlerat, aftësitë politiko-organizative, kulturën dhe nivelet e zhvillimit, të cilat janë shtrembëruar dhe zëvendësuar qëllimisht nga falsifikatorë. Dokumentet e ekspozuara pa kursim dhe të analizuara me urtësi e kompetencë, hedhin poshtë tentativat për manipulime.

Shqiptarët që trashëguan territoret e Despotatit të Epirit të shek XII, ku ata mbizotëronin, për të treguar për vendin e tyre adoptuan emrin e bukur “Arbëri” dhe “Arbëri e Poshtme”, që përfshinte pothuajse gjithë pjesën e bregut të Jugut, nga Vlora, deri afërsisht në Gjirin e Prevezës, e cila në të gjitha periudhat e Mesjetës ka përbërë një etnitet të veçantë gjeopolitik. Në antikitetin e vonë, ishte identifikuar si provinca e Epirit të Vjetër, më tej si Nikopoli, në periudhën osmane si Sanxhaku i Vlorës, e rikonfirmuar pak a shumë si e tillë edhe në periudhën e Ali Pashë Tepelenës, kur territoret kryesore të pashallëkut të vet shtriheshin në po atë hapësirë gjeografike. Në këto treva, në shek. XIV, në sajë të punës, aftësive dhe përkushtimit arbërit arritën nivele të avancuara të zhvillimit ekonomik dhe një shkallë të lartë emancipimi politik. Patën kështu mundësinë t’i jepnin Arbërisë jo vetëm tonin, por, siç shprehet autori, edhe klasën drejtuese. Edhe në Shqipërinë e Poshtme përmenden tashmë krerët e familjeve feudale Bua, Shpata, Zenebishi, Losha, të cilët u shquan për veprimtaritë dhe kontributet e tyre. Autori ka cituar një numër dokumentesh që flasin me lëvdata të shumta për ta. Do të mjaftohemi duke sjellë vlerësimin e Gjin Bua Shpatës, në “Kronikën e Janinës”, ku ai cilësohet si “lavdia e racës shqiptare”. Ky fenomen kuptohet nëse mbahet parasysh se politika dhe ideologjia shtetërore e Perandorisë Bizantine nuk e pengonte, përkundrazi tentonte të zhdukte konotacionet me karakter etnik e t’i përfshinte të gjithë popujt në përbërje të saj, nën emërtimin e përgjithshëm shtetas të “Romës së Lindjes”. Midis tyre përzgjidhte më besnikët dhe më të shquarit për t’i promovuar në krye të administratës, pushtetit vendor, politikës, diplomacisë, kulturës, hierarkisë klerikale etj. Pra për konceptin e atëhershëm “globalist” të Konstandinopojës të gjithë ishin “romakë” të Lindjes dhe jo shqiptarë, grekë, vllehë, bullgarë etj. Vetëm pas fitores së Akeloos, kur pothuajse i gjithë Epiri u vu nën drejtimin e krerëve shqiptarë, do të binte gradualisht edhe apelacioni përgjithësues “bizantin” dhe dolën emërtimet etnike, kombëtare. Prej kësaj kohe nisin të përdoren kudo në trojet shqiptare emërtimet arbër, arbërorë, shqiptarë, Arbëri etj, ndërkohë që, siç pohon autori, nuk i rezulton që në territoret e Shqipërisë së Poshtme të kësaj periudhe të ketë pasur fshatra, bashkësi apo grupe të veçanta, të cilësuara si “greke”. Kishte natyrisht tregtarë grekë, raguzanë e deri edhe armenianë, të cilët shfaqeshin në skelat e Vlorës, Bastijes e Igumenicës, apo edhe në qendrat e sanxhaqeve të Vlorës, Delvinës e Janinës, për të shitur a blerë mallra.



Ai ndalet posaçërisht në një çështje me interes të posaçëm, të cilën e trajton duke e vlerësuar Arbërinë në kuptimin etnografik, si vendin e arbërve. Një dokument i vitit 1417, i cituar prej tij, përmend banorët e Arbërit të hinterlandit të Durrësit, të quajtur “Arbërorët e Arbërit”. Emri “Arbër” gjatë shek të XIV del gjerësisht edhe në Epir e në More, pa mbetur vetëm në territoret e Shqipërisë së Mesme. E vërteta e rolit historik të tyre në Shqipërinë e Poshtme, shërbeu si nxitje që ai të fokusohej në Arbërinë e Poshtme, me të cilën nënkupton ndarjen e madhe gjeografike të Labërisë. Sipas tij fjala Arb vjen si metatezë e fjalës Lab ose e anasjellta e saj.

Periudha për të cilën flitet në libër përshkohet nga një varg veprimtarish me karakter politiko-ushtarak, nga luftra dhe beteja të ndryshme. Sepse Arbërit ishin zotër autoktonë të një hapësire me rëndësi strategjike, ku përplaseshin interesat e Fuqive të asaj kohe. Atdheu i tyre ishte kufiri natyror ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Perëndimit europian, ushtritë e të cilave e shkelën dhe e shkatërruan në mjaft raste. Ata nuk ndenjën duarkryq, reaguan fuqimisht ndaj pushtimeve veneciane, anzhuine, osmane etj, mbrojtën me vetmohim trojet e veta. Rezistenca e tyre mori trajtat e kryengritjeve të herëpasherëshme që u bënë episode të asaj që mund të quhet si Lufta e Madhe e popullit shqiptar për ekzistencë.

Autori nuk ka mbetur në terrenin narrativ për të përshkruar betejat, luftrat, humbjet e palëve etj, por ka trajtuar interesat, kontradiktat, përplasjet, taktikat dhe strategjitë e përdorura për ta bërë Shqipërinë kryurë ose prapavijë të betejave të palëve kundërshtare për depërtim drejt Perëndimit europian ose Lindjes Osmane. Libri është i mbushur me dokumentimin e veprimtarive politike e diplomatike, të zyrtarizuara herë pas here edhe me tratativa e marrëveshje, të fshehta e të hapura. Në të shumtën e rasteve ato janë zhvilluar njëkohësisht me inkursionet e ushtrive që vinin dhe përplaseshin në brigjet dhe tokat shqiptare, duke kryer vrasje, masakra, shkatërime etj.

Në libër trajtohen për herë të parë disa ngjarje dhe personazhe interesante, si inkursioni i flotës osmane të nisur në vitin 1481, nga Vlora drejt Italisë së Jugut, me synim Otranton, Perëndimin europian, ishullin e Korfuzit dhe ishujt Jonianë. Përshkruhet beteja e Lepantos, lufta Veneto-Osmane (1499-1503), lufta e vitit 1537 për pushtimin e Kretës (1645-1669) etj. Gjatë atyre tokat shqiptare shërbyen si prapavijë, sidomos për venecianët, që ishin më të interesuarit për të ruajtur trafikun e anijeve në Detin Adriatik, që e konsideronin si mare nostrum. Flitet për pushtimin e Vlorës nga venecianët në vitin 1690, për ripushtimin e kështjellës së Vlorës dhe të Kaninës, rreth 6 muaj më vonë dhe sillen hollësi interesante etj. Autori i tregon jo thjesht si histori ose pjesë të historisë, por për t’iu dëshmuar lexuesve dhe studiuesve se shqiptarët nuk ishin spektatorë indiferentë në përleshjet që zhvilloheshin në “shtëpinë e vet”, ishin edhe pjesëmarrës aktivë, me ndikime të rëndësishme në krahun e palës me të cilën i lidhnin interesat e atdheut.

Arbërit e Jonit kishin një territor me rëndësi gjeostrategjike, të vlerësuar dhe të mbrojtur prej tyre me sakrifica, ku zhvillonin një veprimtari të konsiderueshme ekonomike. Rritja e prodhimit bujqësor, e rolit të qyteteve si qendra të prodhimit artizanal, të tregtisë dhe të shkëmbimeve me brenda dhe jashtë vendit, i dha hov zhvillimit ekonomik dhe shndërrimit të shteteve feudale shqiptare në faktorë politikë në rajon, përpara ardhjes së Osmanëve. Shqipëria e asaj kohe ishte një vend i begatë. Veçanërisht në territoret e Arbërisë Joniane, në zonat e Vlorës, Delvinës, Çamërisë etj sigurohej një prodhim i kënaqshëm drithi, që e bënte atë një nga zërat e rëndësishëm të eksporteve shqiptare në brigjet e përtejme dhe që ushqente me bukë edhe Korfuzin, Venedikun, Raguzën etj. Krahas grurit, në trevat shqiptare prodhoheshin dhe eksportoheshin gjithashtu misër, kripë, valanidh, peshk, lëkurë, dyll, vaj etj. Autori pohon se “lidhjet ekonomiko-kulturore me Perëndimin vazhduan të jenë edhe paskëtaj të forta. Në shkëmbimet tregtare me Venedikun, Napolin, Raguzën apo Ankonën, përfshiheshin si shqiptarë të krishterë, ashtu edhe shqiptarë myslimanë, që shpesh herë vepronin në kompani të përbashkëta tregtare me të parët. Njëlloj si ata paraqiten si lundërtarë e tregtarë të sprovuar, njerëz të mësuar e njohës të mirë të gjuhëve perëndimore. Arbëria Joniane, sikurse edhe Arbëria e Sipërme, ishin jo vetëm atdheu i burrave dhe grave trima e punëtorë, të mënçur e të zgjuar, po edhe vendi i njerëzve të kulturuar. Sipas atyre që thotë autori, ajo dallohej si një nga vatrat kryesore kulturore të Ballkanit adriatiko-jonian. Shqiptarët admironin kulturën, artin, shkencën, politikën, diplomacinë etj dhe kishin përfaqësuesit e tyre dinjitozë të krahasueshëm më ata të vendeve të tjerë.

Një pjesë të konsiderueshme të trojeve të Arbërve të Jonit fatet e i historisë i lanë jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë së sotme. Për fat të keq padronët e rinj të tyre janë munduar sistematikisht, me çdo mënyrë ta ndryshonin përbërjen etnike, të fshinin gjurmët e shkrimit dhe të folurës së gjuhës amtare, zakonet, veshjet tradicionale kombëtare, folklorin, besimin fetar etj dhe, në kuadrin e rishkrimit të historisë të zhdukin edhe toponiminë shqiptare të krejt rajonit. Por, të dhënat e pakontestueshme të dokumentave të shumta, disa prej të cilave flejnë ende nën pluhurin e dosjeve voluminoze të arkivave kudo në vendet e rajonit, veçanërisht në ato të Venedikut, nuk lënë asnjë dyshim se këto kanë qenë territore arbërore-shqiptare, zgjatimet e të cilave shkonin deri në Prevezë, madje me interferime edhe në Peloponez. Këtu shfaqet edhe një nga vlerat e shumta të librit të Xhufit, e cila ka të bëjë me demaskimin kurajoz, përgënjeshtrimin dhe hedhjen poshtë me fakte të pakundërshtueshme të pretendimeve dhe tentativave të vazhdueshme të fqinjëve për të fshehur, deformuar dhe fshirë historinë e trojeve shqiptare. Faktet e shumta të rreshtuara në libër përshkohen nga sensi maksimal i objektivitetit historik. Sepse dokumentacioni mbi të cilin ai mbështetet nuk është prodhuar nga burime shqiptare dhe nuk vjen nga arkivat shqiptare. Burimi janë arkivat më autoritare të shekujve të shkuar, arkivat e një prej vendeve më të zhvilluara të Europës Mesjetare, Venedikut superfuqisë së detrave, e zgjeruar dhe e vendosur në gjithë gjatësinë e brigjeve të Adriatikut dhe të Jonit, deri në brendësi të gadishullit Ballkanik.

Autori i thotë këto jo për të nxitur ndjenjën e revoltës apo për të frymëzuar lëvizje për ndryshim kufijsh, por si shkencëtar që nuk mund të bëjë kompromise në dëm të të vërtetave historike. Ai kërkon që historia të njihet ashtu siç është dhe jo ashtu siç e duan qarqe të caktuara politike.

Ai është ndalur shumë gjatë në analizën e një mase të madhe dokumentare, deri tani të panjohur, ku flitet për Çamërinë dhe Himarën. Çamëria e sotme ose Thesprotia e dikurshme, e përmendur që në shek e IX me emrin Vageneti, shtrihej në pjesën e Epirit klasik. Fillonte nga Gjiri i Prevezës në jug deri në Delvinë në veri, ku, siç dëshmohet në “Kronikën e Tokove”, në hapësirën Pargë-Paramithi-Janinë, Artë dhe gjithë territoret në veri të saj, banonin popullsi shqiptare të krishtera. Kishte ndonjë përjashtim, sikurse ndodhte në Janinë e Marglliç, ku duke nisur nga fundi i shek. XVI kemi dhe dëshmitë e para të ndonjë komuniteti të vogël mysliman. Mbi këtë popullsi kompakte shqiptare alternohej pushteti i sundimtarëve vendas ose të huaj. Shumica shqiptare dallohej nga të tjerët nga veshja, mënyrat e sjelljes dhe gjuha, shkruante Lord Broughtoni, në fillim të shek të XIX. Dokumentacioni i arkivave të Venedikut, i sjellë në Shqipëri dhe i studiuar nga prof. Xhufi, i plotësuar edhe nga toponimia gati tërësisht shqiptare e gjithë kësaj hapësire, zbulon se çamët janë arbër autoktonë. Drejtuesit e tyre zotëronin prona dhe pasuri të mëdha.

Autori ka trajtuar gjerësisht edhe qytetin e Janinës, një nga metropolet e rëndësishëm të asaj kohe për gjithë Arbërinë e Jonit. Shumica e popullsisë së saj ishte shqiptare. Banonin gjithashtu grekë, vllehë me prejardhje nga Pindi dhe Mecovo, si dhe hebrej të ardhur nga Spanja, Portugalia dhe Italia e Jugut. Shumë nga këta u vendosën aso kohe edhe në Vlorë, duke arritur në periudha të caktuara deri në pothuajse gjysmën e popullsisë së saj. Xhufi me objektivitetin e një shkencëtari të mirëfilltë thotë se atëhere shqiptarët, grekët, hebrejte, vllehët kanë jetuar në suazën e perandorive shumëkombëshe, ku banorët si “shtetas” të perandorisë banonin e zhvendoseshin në te gjithë territorin e saj. Prandaj shqiptarët ishin jo vetëm në territoret e veta, por edhe në Etoli dhe në Akarnani, deri në gjirin e Neopaktit apo të Korinthit siç njihet sot dhe që ishte një vazhdimësi. Këto i provojnë jo vetëm arkivat veneciane, por edhe defterët Osmanë të shek. ‘15 e ‘16.



****

*Autori është dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...