Shkruan Flori Bruqi
Bombardimeve të NATO-s shteti serb iu përgjigj me një fushatë të re spastrimi etnik të Kosovës. Vrasjet masive, djegiet e shkatërrimet, dhunimet dhe dëbimet e shqiptarëve, burra, gra, pleq e fëmijë, u bënë përditshmëri në Kosovë. Forcat serbe, me mijëra ushtarë, policë e vullnetarë, u vunë në aksion për të zbrazur vendin nga shqiptarët.
Bota nuk mund të injoronte atë që ndodhte. Drejtësia ndërkombëtare u vu në lëvizje.
Më 27 maj 1999, Tribunali i Hagës bëri publike aktakuzën kundër kryekriminelit jugosllavë Slobodan Milosheviqit dhe katër zyrtarëve të tjerë të lartë serbë. Akuza ishte për planifikim dhe ekzekutim të vrasjeve dhe dëbimeve të civilëve shqiptarë në Kosovë. Krime lufte dhe krim kundër njerëzimit.
Intervenimi i NATO-s i hapi rrugë përballjes me drejtësinë të atij që e quanin “Kasapi i Ballkanit”.
“Do të duhet kohë, por me forcën tuaj dhe vendosmërinë tuaj nuk ka dyshim se çfarë do të jetë rezultati. Fushata e spastrimit etnik në Kosovë do të përfundojë dhe do të ktheheni”, ishte porosia e Bill Clintonit, atëkohë president i ShBA-së, për më shumë se një milion refugjatët kosovarë të dëbuar nga regjimi i Milosheviqit.
“Ekziston dyshim i bazuar për të besuar se këta të akuzuar janë përgjegjës penalisht për dëbimin e 740,000 shqiptarëve të Kosovës dhe për vrasjen e 340 shqiptarëve të Kosovës”, kishte thënë asokohe kryeprokurorja Louise Arbour, në një konferencë shtypi në Hagë.
Fundi i luftës solli edhe më shumë dëshmi për krimet e kryera. Aktakuza u zgjerua, dhe derisa Kosova u çlirua nga Serbia, në vitin 2000 edhe Serbia shfrytëzoi rastin të lirohet nga Milosheviqi.
Më 5 tetor 2000 ai u rrëzua nga pushteti, dhe një vit më vonë, nën presionin e madh të bashkësisë ndërkombëtare, Milosheviqi u ekstradua në Hagë, ku edhe do të gjykohej.
Qindra dëshmitarë u vunë përballë personit që ishte përgjegjës për tri luftëra, ku ndodhën krime të rënda kundër civilëve – Kosovë, Bosnje dhe Kroaci.
Gjykimi zgjati, pasi që aktakuza e tij u zgjerua, dhe asaj për krime në Kosovë iu shtuan edhe krimet në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë. Dhe, në fund, në vend se të dënohej, pak para shpalljes së verdiktit, Milosehviqi vdiq në burgun e Hagës, duke e lënë procesin e tij përgjithmonë të papërmbyllur.
Megjithatë, të akuzuarit e tjerë me të, dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë serbë që u akuzuan pas tij, u dënuan për krimet e kryera në Kosovë.
Mbi 130 të burgosur shqiptar ishin vrarë e mbi 300 të tjerë mbetën të lënduar në masakrën e majit të 1999.
Janë emrat me të cilët e ndau burgun. Por shumica prej tyre nuk jetojnë. Ata u vranë në Masakrën e Dubravës para 21 vitesh.
Demë Ramasoj arriti të shpëtojë dhe sot dy dekada pas, burri nga Carrabregu i Deçanit tregon për ngjarjen më të rëndë në jetën e tij.
Në masakrën që filloi më 19 maj 1999 e vazhdoi gati një javë, u vranë më shumë se 130 të burgosur shqiptar e mbi 300 mbetën të plagosur.
E njëri nga të plagosurit është Bujar Sylaj, djali nga Trupoja i Shqipërisë që furnizonte UÇK-në me armë e njerëz.
Ai ishte arrestuar gjatë kalimit të kufirit në qershor të 1998 nga serbët dhe u burgos.
Një tjetër i mbijetuar tregon se si pranë tij vdiqën shokët e afërt me të cilët ishte i burgosur.
Nait Hasani, Liburn Aliu e Rasim Selmanaj kthejnë kujtesën dhe momentet e tmerrit të Aushvicit shqiptar...
Rrëfimet e tyre, askush me shumë se ata që i përejtuan nuk mund t’i kuptoj.
E ata janë ish të burgosurit e Dubravës .Ata dhe të tjerët, duhet ta drejtojnë gishtin e tyre nga kriminelët.
Burgu i Dubravës që atë kohë në të ishin të burgosur mbi 960 shqiptarë ishte bombarduar nga NATO pasi shteti serb e kishte maskuar si bazë ushtarake.
E pas bombardimeve të NATO-s, policët, gardianët e të burgosurit serb vranë shumë civil shqiptar që qenë të burgosur atë kohë.
Nait Hasani
(Ambasador i Kosovës në Tiranë)
Tmerret e Aushficit Shqiptarë :
Nata e frikshme e 23 maj 1999 në Burgun e Dubravës.
Kjo natë më kujton një ekip vullnetar të burgosurëve Shqiptarë ku ishim: Unë së bashku me Bislim Zogaj, Asllan Selimin, Isak Shabani, Aqif Ilazi, Abaz Qerimi, Dylber Beka, Filip Pjetri, Shefqet Kabashi (dhe tre te tjere qe spo me kujtohen emrat), duke ju ndenjur të koka të plagosurëve, për të ju lehtësuar dhëmbjet e shëruar plagët me fjalë dhe me ato mjete që kishim, pak jod dhe duke shkyer kanotierët ( maicat) për të ju lidhur plagët.
Tërë natën ishim aty me të plagosur, pa gjumë. Ndonjëri flinte nga lodhja, ndonjëri fliste ultë me tjetrin, ndonjëri kujtonte të afërmit e vet rrinte me sy çelë, ndonjëri rrënkonte nga dhëmbjet, ofshante në sallën e errët që në vete ngjallte frikë, sepse askush nuk e dinte çfarë do na sjellë dita e nesërme.
Të gjithë ishin në panik. 113 të burgosur të shtrirë në sallë dhe në që ishim vullnetar e rrinim kujdestar 12 vet me ta.
Po ne pritnim çdo gjë, të papritur dhe kjo pritje ishte tmerruese që ngjallte frikë te të plagosurit.
Ne ju rrinim afër, ju flitnim mos të kenë frikë, do të bëhet mirë, tashmë ka përfunduar ai tmerr, ajo plojë, ajo masakër, tashmë ka ardh kryqi i kuq dhe ata do të kujdesën për ne.
Ata besonin në këto që thonim, e unë dyshoja në thënien time, sepse ngjarjet kishin treguar që nuk duhet besuar, por më duhej ti mbaja me vullnet, të ju zbutja frikën të burgosurëve me fjalë, se tani këta do të na tërheqin nga këtu e do të kujdeset për ne kryqi i kuq , do të vijnë mjek e do të shërojmë plagët e shërohemi.
Po ku është Heroi Ukshin Hoti ?
Unë kisha plagën në shpatullë e dorën të lidhur me kanotier
(maicë ) dhe të burgosurit kishin besim te unë e te ne si ekip aty.
Unë mendoja në vete aty, se liria ka çmimin e shtrejtë dhe jeta jonë, ky gjak i derdhur këtu në burg dhe këto plagë janë në shërbim të lirisë e çlirimit të vendit tonë, Kosovës sonë të larë me gjak në shekuj. Nata ishte e errët dhe e gjatë sa nata skishte fund.
Po ne ju dhame shpresë se tashmë po na heqin nga këtu se erdhën kamionat dhe do na transferojnë në burgje tjera.
Dhe të gjithëve ju uruam fat, shëndet dhe mirë u pafshim në Kosovën e lirë. Tana ishte ditë dhe zoti ishte me ne.
Erdhën ata, gardianët dhe policët, u parkuan kamionat, ne i morrëm të plagosurit i hipëm në kamiona, ndonjeri ulur, ndonjeri shtrirë e mërmëriste nga plagët, nga dhembjet.
Kamionat u nisën, në tre kamiona ishim 125 të burgosur , thuja të gati të gjithë të plagosur dhe kur lëkundej, trusej kamioni rrënkonte nga dhembja e shikonim duke i thënë qëndro he burrë dhe ashtu mundoheshim ti japim ndihmë.
Kamionat u nisën se më parë ishin nisur dhe autobusët me të burgosur.
Askush nuk e dinte ku po na qonin, askush nuk e dinte çka po na pretë. Ishim në pritje mes vdekjes e jets në cdo moment dhe kamionët ecnin.
Ne e lam burgun, i lamë të burgosurit të vdekur mbrenda mureve në mëshirën e tmerrit mes mureve të ndërtesave të shkatërruara, mes fushës të mbuluar e pa muluar me batanije dhe qenëve të burgut.
Këto foto e dëshmojnë më mirë tmerrin që përjetuam dhe lamë aty në burg.
Ne u larguam nga tmerri për të vazhduar drejt tmerrit tjetër që na priste…
Ishim ne kamiona të mbuluar me çerada dhe veç zoti e di ku shkonim…
******
Nuk ka krim të përsosur, krimi nuk vjetrohet dhe nuk mbetet krim pa u ndëshkuar. Janë këto tri nga shprehjet e shumta proverbiale që lidhen me drejtësinë e që kontekstualizohen sa herë që risillet në vëmendjen publike ndonjë rast që me vite ka pritur verdiktin gjyqësor dhe ndëshkimin e fajtorëve. Një fitore të tillë të vonuar të drejtësisë mbi krimin politik pamë këto ditë në rastin e veprimtarit të çështjes kombëtare Enver Hadrit, kur pas 26 vjetësh Gjykata Penale e Brukselit shpalli fajtorë tre serbë, Bozhidar Spasiqin, ish-shef i UDB-së për Operacione Speciale dhe vrasësit Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, duke i dënuar me burgim të përjetshëm.
Mirëpo, përderisa vrasja e Enver Hadrit u zbardh edhe pse pas gati tri dekadash, kryesisht falë angazhimit të familjes, janë dhjetëra raste vrasjesh ende të pazgjidhura të veprimtarëve dhe civilëve shqiptarë, të cilat presin ende më kot një trajtim serioz e të dinjitetshëm të drejtësisë e shpesh edhe disponim e angazhim politik që të futen në rend dite në agjendat e gjyqësorit.
Universiteti i Prizrenit përuroi dje shtatoren e ideologut e veprimtarit Ukshin Hoti, emrin e të cilit edhe e mban dhe organizoi edhe një akademi përkujtimore, në të cilën morën pjesë edhe udhëheqës institucionalë, por përkundër kësaj fati i tij mbetet ende i mbështjellë me enigma të shumta, secili më konspirativ se tjetri.
Nuk mungojnë as lajmet bombastike të servuara nga mediet serbe si ato që kinse Ukshin Hoti u vra nga shqiptarët posa doli nga dyert e burgut famëkeq te Dubravës! Një deklaratë të tillë e pati dhënë së pari ish-drejtori i Burgut të Sremska Mitrovicës, Trivun Ivković, në emisionin “Goli Zivot” me autor dhe moderator Milomir Maric, në televizion serb “TV Happy”, të datës 13.02.2014. Këso lloj deklaratash u përdorën edhe nga Bozidar Spasic, tashmë i dënuar si organizator i vrasjes së veprimtarit Enver Hadri, i cili në këtë mënyrë mundohej të shfajësonte veten dhe institucionin ku punonte.
Por, kush është Trivun Ivkovic?
Trivun Ivkovic pati rol të madh në përhapjen e hegjemonizmit dhe shovinizmit serb në republikat dhe krahinat e ish-Jugosllavisë. Ishte një ndër themeluesit e organizatës serbe “Solidarnost”, përmes së cilës Slobodan Millosheviqi artikulonte idetë e tij gjenocidiale. Posaçërisht ka qenë aktiv në rrëzimin e pushtetit Krahinor në Vojvodinë. Me formimin e Partisë Socialiste Serbe (SPS) ishte një ndër eksponentët kryesorë të saj. Mori pjesë në organizimin e popullatës serbe në Republikën e Kroacisë kur u tentua shkëputja me dhunë e një pjese të territorit të kësaj Republike. Në vitin 1993 u caktua drejtor i Burgut në Srmeska Mitrovicë, detyrë të cilën e ushtroi deri në tetor të vitit 2000. Mbahet mend në atë kohë si person i cili udhëhoqi me dorë të hekurt këtë institucion. Të burgosurit shqiptarë e kujtojnë si vetë djallin.
Mes tjerash në emisionin e lartpërmendur Ivkovic foli për ato që i konsideronte suksese të tij: për komplimentet qe i merrte nga delegacionet e huaja dhe vendore që vizitonin atë burg, që nga një burg krijoi hotel të rrethuar me mur.
Por, për këtë më së miri duhet pyetur ish të burgosurit shqiptarë, posaçërisht ata të dënuar për “Krime politike”. Ata më mirë se kushdo tjetër do të mund të flisnin për kushtet e atij “hoteli” dhe torturat që ndodhën aty. Ai nuk e përmendi “Pajser Brigadën”, të përbërë nga gardianët e burgut që ishte formuar me të vetmin qëllim, torturimin e të burgosurve, posaçërisht atyre shqiptarë.
Aty foli edhe për mikun e tij Zheljko Razhnjatovic-Arkanin, të cilin e priti dhe e shoqëroi për një vizitë nëpër pavijonet e burgut e të cilin mes tjerash e dërgoi ta vizitojë qelinë ku ishte vendosur ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Si drejtor i burgut me ligj kishte të drejtë që tre muajt e fundit të vuajtjes së dënimit t’i shpërblente të burgosurit, të cilët kishin sjellje të mirë dhe t’i lironte më herët. Por, siç e pranoi, ajo e drejtë u takonte të burgosurve serbë të cilit kishin qenë në luftë në Kroaci dhe Bosnjë, një detaj tjetër i “profesionalizmit” të tij. Në një pjesë të asaj interviste ai përmendi edhe veprimtarin politik Ukshin Hoti, për të cilin tha se u vra posa doli nga dyert e burgut nga shqiptarët!
Por, para se të jepte këtë deklarate “bombastike” Trivun Ivković, a ishte konsultuar me ministrin e Drejtësisë së Republikës së Serbisë, Dargoljub Janković? Pse ministri kërkoi nga ai që të burgosurit shqiptarë që vuanin dënimin në Burgun e Mitrovicës së Sremit të dërgohen në Burgun e Dubravës në kohën kur kishin filluar bombardimet e NATO-s, vendim të cilin Trivun Ivković e zbatoi pa hezitim e që për shumë të burgosur shqiptarë do të ishte dënim me vdekje; vendim që mes të tjerëve ishte edhe për Ukshin Hotin. A kishte informuar avokatin mbrojtës të Ukshin Hotit se ai do të transferohet nga Burgu i Sremska Mitrovicës në Burgun e Dubravës dhe atë vetëm disa ditë para se t’i skadojë dënimi. A kishte biseduar me drejtorin e Burgut të Dubravës Alaksandar Rakocević dhe ta pyeste se pse jashtë çdo praktike deri atëherë në institucionet korrektuese serbe Ukshin Hoti duhej liruar ditën e diel. Mos kishte biseduar atëherë me komandantin e JSO-së (Jedinica za Specialne Operacije) Milorad Ulemek Legija, i cili me forcat e tij ishte stacionuar brenda dhe jashtë Burgut të Dubravës? A ka pasur mundësi që ndonjë shqiptar të afrohej në atë zonë? Këto dhe shumë pyetje tjera rëndojnë mbi ish-drejtorin e atij burgu famëkeq, përgjigjet e të cilave sigurisht se do ta vënin atë në bankën a të akuzuarve.
Transferimi i të burgosurve shqiptarë në burgun e vdekjes
Masakra në Burgun e Dubravës dallon për dy gjëra nga masakrat tjera që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. E para, shumë nga viktimat ishin të dënuar sipas ligjit nga shteti serb dhe si dënim u ishte kufizuar lëvizja e lirë. U dënuan për vepra të ndryshme penale, por shumica e tyre për “Krime politike”. Shteti sipas ligjit kufizon lëvizjen e lirë, por sipas ligjit dhe konventave ndërkombëtare shteti ka obligim që t’u ofrojë siguri të plotë atyre. E dyta është se në këtë masakër morën pjesë si ekzekutorë edhe të burgosurit serbë, të cilët u transferuan aty pikërisht për këtë qëllim.
Pas sulmit në Prekaz Burgu i Dubravës do të boshatisej, pasi të burgosurit shqiptarë u transferuan në burgjet e Serbisë. Shumica në Burgun e Nishit dhe në Burgun e Sremska Mitrovicës. Burgu i Dubravës do të shndërrohet kështu në bazë (të JSO-së), nga ku sulmoheshin fshatrat shqiptare përreth. Kjo situatë do të zgjaste deri në fillim të bombardimeve kur ministri i Drejtësisë së Republikës së Serbisë Dargoljub Janković urdhëroi që të gjithë të burgosurit shqiptarë të transferoheshin nga burgjet serbe në Burgun e Dubravës.
Hajredin Hyseni, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, i dënuar për “Krime politike”, rrëfen se gjatë qëndrimit të tij në burg nga viti 1988-1990 dhe 1993-2001 nuk i kishte ndodhur që të shohë të burgosurit tjerë me armë zjarri në duar. Këtë skenë e gjeti në Burgun e Dubravës pasi u transferua nga Burgu i Nishit së bashku me shumë të burgosur shqiptarë. Në hyrje të Burgut të Dubravës ai menjëherë vërejti një të burgosur malazez, me nofkën “Miga”, me armë zjarri në duar.
Në Burgun e Dubravës u transferuan edhe dhjetëra të burgosur serbë. Njëri ndër ta ishte vrasës i shumëfishtë, i cili vrau gruan e tij së bashku me nënën e saj. U dënua me njëzet vjet e në burg qëndroi deri në fillimin e luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Arriti të “arratisej” nga burgu dhe t’i bashkohej ushtrisë së Republika Sërpskës ku pas një kohe akuzohet nga autoritetet e Republika Sërpskës për vrasjen e shtatëmbëdhjetë robërve të luftës të nacionalitetit boshnjak. Menjëherë largohet në drejtim të Republikës së Serbisë. Një kohë jetoi i papenguar nga autoritetet shtetërore, deri në momentin kur sërish kryen vrasje të dyfishtë dhe arrestohet. Një kohë të shkurtër qëndroi i qetë në Burgun e Nishit, por edhe në burg pas një kohe kreu vrasje. Të gjitha këto i rrëfeu Radosav Ivanović-Rakac për veten e tij në emisionin “Goli Zivot”, ku një pjesë të kohës foli për transferimin e tij në Burgun e Dubravës.
Në Burgun e Dubravës u transferua edhe me një të burgosur tjetër serb, Sinisa Petric-Zenica, i cili kishte një karrierë të gjatë kriminale. Sinisa Petric-Zenica kishte kaluar nëpër luftërat në Kroaci e Bosnjë si pjesëtar i “Tigrave” të Arkanit e më tutje si pjesëtar i grupit famëkeq kriminal të quajtur “Grupi Magdës”, i cili shkaktoi terror në Vojvodinë dhe Hungari duke kryer 14 vrasje. Pas arrestimit të atij grupi, në momentin kur gjyqtari i rastit pyet se pse gjatë një plaçkitjeje të një familjeje ku fillimisht u vranë burri dhe gruaja nuk u kursye as jeta e fëmijës dhjetëvjeçar, i cili u ekzekutua me nëntë plumba në kokë, përgjigjja Zenicës ishte e ftoftë, “atë natë isha pak me nerva”. Kjo flet mjaft për profilin e tij dhe atë se çfarë “asete” shteti serb kishte në dispozicion. Në të njëjtin emision Radosav Ivanović-Rakac, deklaroi se pasi Burgu i Dubravës u mbush me të burgosurit shqiptarë, të cilët u transferuan nga burgjet serbe dhe nga shqiptarët të cilët u morën nga shtëpitë e tyre, numri i përafërt i shqiptarëve në atë kohë ishte rreth një mijë persona. Siç thotë ai, me urdhër nga lart nga Beogradi, kontrollin mbi të burgosurit dhe gardianët në Burgun e Dubravës e mori shoku i tij Sinisa Petric-Zenica.
Edhe në rastin e gjykimit të Sllobodan Millosheviqit nga shumë dëshmitarë u përmend masakra në Burgun e Dubravës, u prezantuan provat dhe dëshmitë, por Gjykata e Hagës nuk e ngriti asnjë aktakuzë në lidhje me këtë rast.
Fondi për Drejtën Humanitare me seli në Beograd, më 28 maj 2010, dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë për Krime të Luftës të Serbisë. Aktpadia u ngrit kundër ish-ministrit të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Serbisë Dragoljub Jankovic, zëvendësit të tij Zoran Stevanovic dhe gjithë zinxhirit komandues si organizatorë, ndaj ekzekutorëve të drejtpërdrejtë, të cilët morën pjesë në masakrën e Dubravës, mes të cilëve ishin emrat e gardianëve të Burgut të Dubravës, pjesëtarëve të njësisë së JSO-së, si dhe të burgosurve serbë.
Por, deri më sot nuk ka njohuri nëse Prokuroria për Krime të Luftës e Serbisë ka zhvilluar ndonjë hetim në lidhje me rastin e masakrës së Dubravës. Pavarësisht nga kjo, duke u bazuar në parimin themelor që procedura penale zhvillohet sipas vendit ku është kryer vepra penale e që në rastin konkret është territori i Republikës së Kosovës, një hetim i tillë është dashur të iniciohet nga prokurorët e UNMIK-ut dhe më pastaj nga prokurorët e EULEX-it, të cilët deri në vitin e kaluar kanë pasur kompetencë ekskluzive për procedimin e veprave penale për “Krime lufte”, në kuadër e së cilës pa dyshim është edhe rasti i masakrës së Dubravës. Pasi që ata nuk kanë bërë një gjë të tillë, mbetet që hetimin për rastin ta iniciojnë prokurorët vendorë nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Hetimi i këtij rasti mund të zbulojë, jo vetëm vrasjet e të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, por ka gjasa reale që ta zbardhë edhe zhdukjen e Ukshin Hotit.
Është e qartë që ky rast mund të zbardhet vetëm në bazë të bashkëpunimit në mes organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës dhe atyre të Republikës së Serbisë. Siç dihet, deri tashti Serbia e ka refuzuar bashkëpunimin ndërkombëtar penal me Kosovën duke e lidhur këtë me çështjen e sovranitetit. Duke u arsyetuar se nuk e pranon Kosovën si shtet Serbia është bërë oazë e kriminelëve që kanë kryer krime lufte në Kosovë, njësoj si shtetet e Amerikës Latine u ofruan strehim kriminelëve nacistë pas Luftës së Dytë Botërore.
-"Pasi që ndjekja e krimeve të luftës, respektivisht shkelja e së drejtës humanitare ndërkombëtare nuk është dhe nuk mund të jetë çështje e një shteti, por ndërlidhet me të drejtën penale ndërkombëtare, ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të kërkojë nga Serbia bashkëpunimin me Kosovën drejt hetimit dhe ndëshkimit të krimit e në veçanti atyre të krimeve të luftës.
Ndërkaq, institucionet e Republikës së Kosovës do të duhej të bënin gjithçka që secili krim që është kryer në Kosovë para, gjatë dhe pas luftës të trajtohej në mënyrë të dinjitetshme duke gjetur e duke dënuar fajtorët sipas ligjit",shkruan Valdet Devaja.
*****
Në Dubravë e kërkonim vdekjen...
U bënë 21 vite nga masakra e tmerrshme e Dubravës. Ditët, nga 19-24 maji 1999, ishin më të errëtat dhe më të pashpresat për të burgosurit politikë shqiptarë që gjendesh aty. Këtë tmerr e përjetoi edhe Liburn Aliu, që atëherë ishte vetëm 24 vjeç.
Aliu sot është deputet i Kuvendit të Kosovës.Më 17 janar të vitit 1997, si 21-vjeçar, ai ishte arrestuar nga Policia serbe si pjesëtar dhe aktivist i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK).
Në Burgun e Prishtinës Aliu ka qëndruar 10 ditë. Ndërsa, në Burgun e Lipjanit një vit të tërë. Maltretimet dhe torturat – si ato psikike dhe fizike – nuk i janë ndalur asnjëherë teksa mbahej në burgjet serbe.
Në janar të vitit 1998 është transferuar në Burgun e Dubravës. Aty ishte në kontakt me të burgosurit tjerë politikë, si: Avni Klinaku, Enver Dugolli, Dylber Beka, Ekrem Kastrati, Avdi Mehmeti etj. Ishim në pavijonin e izoluar – C”.
Në fund të prillit të vitit 1998, nga Burgu i Dubravës ai dërgohet për Burgun e Mitrovicës së Sremit.
Trajtimi e tij ka qenë shumë i rëndë, me tortura të mëdha. I qitnin jashtë, në dimër, në të ftohtë, dhe i lagnin me ujë.
Deri në fund të muajit prill të vitit 1999, ai ka qëndruar në Burgun e Mitrovicës së Sremit. Pastaj, e kanë dërguar në Burgun e Nishit.
Në Burgun e Sremit ishte edhe Ukshin Hoti. Në Nish i kanë torturuar tre ditë pa ndërprerë. Prej aty i nisën për në Dubravë. Aty krijohej përshtypja se gjithçka ishte më qetë, meqë aty-këtu ndodhte që të torturohej dikush. Ukshin Hoti ka qenë me ta. Kanë mundur të komunikojmë nga dhoma në dhomë. Liburni e ka parë për herë të fundit Ukshin Hotin, nga grilat, më 16 maj 1999.
19 maji i vitit 1999 ishte dita kur filluan bombardimet e NATO-s. Ishte ky fillimi i masakrave serbe ndaj të burgosurve të pambrojtur shqiptarë.
“Sulmi i parë i NATO-s ka ndodhur diku në mesditë. Kam qenë në pavijonin B. Përnjëherë e kanë goditur pavijonin C, me të burgosur brenda. Nuk vonoi asnjë minutë dhe u bombardua kuzhina. Iu thashë të burgosurve që të mos rrinë tek grilat. Fati deshi të mos goditemi. Gardianët ishin të gjithë jashtë, në momentin që bombardonte NATO. Pas bombardimeve, u qetësuam”.
Gardianët u kthyen pas bombardimeve të asaj dite. Të burgosurit u vendosën në katin e parë të objekteve të burgjeve, pasi rrezikoheshin nga bombardimet tjera të NATO- s.
“Na thanë që të qëndrojmë në katin e parë. Ata që kanë qenë në katin e dytë, erdhën poshtë, duke u ngushtuar njëri me tjetrin. Ashtu kemi qëndruar deri më datë 21 maj. Atë ditë filluan sërish bombardimet. Fillimisht goditeshin pavijonet jashtë perimetrit të brendshëm të burgut. Pastaj filluan të godasin brenda. Goditja e parë brenda ka qenë në kuzhinë. Ishte ditë e tmerrshme. Të gjithë ramë përtokë që të mbroheshim. Kur u çova, kisha afër vetes katër të plagosur e një të vdekur në vend. Unë pata fat e nuk u plagosa”, vazhdon rrëfimi i tij i tmerrit, për të plagosurit që i vdisnin para syve të tij.
“Dy djem të axhës ishin plagosur rëndë. Njëri e kishte këmbën e këputur. Ashti i kishte dalë. Bënim përpjekje t’ia ndalnim gjakun, por gjendja e tij ishte shumë e rëndë. Njëri ka pasë plagë të rënda. Një tjetër të plagosur e kishin goditur në kokë, për çka trutë i kishin dalë jashtë. Një tjetër djalosh, rreth moshës 16-vjeçare, ishte plagosur. I ofrova ndihmë, mirëpo e kishte humbur veten e nuk dinte ç’bënte. Shkuam tek fusha e sportit. Ishim në mes dhe goditeshim. Bombat binin kudo. Njerëzit që lëviznin, copat e bombardimeve iu binin”.
Në mbrëmje janë ndalur bombardimet. Të burgosurit e palënduar janë marrë më përkujdesjen e të plagosurve dhe gjetjen e ushqimeve.
“Diku rreth 50 veta ishim të organizuar. Disa vdisnin nga plagët e rënda. Gjithë natën kemi qëndruar jashtë, tek fusha e sportit. Disa tjerë kanë qëndruar nëpër puseta. Në përkujdesje të plagosurve kishim teknikun medicinal, Bislim Zogaj. U mundonim të ndihmonim ashtu si mundnim”.
E nesërmja i gjeti të burgosurit po në atë fushë. Nga njëri karakoll bëhet thirrja të rreshtoheshin ata.
“U renditëm e nuk e kishim idenë se çdo të bëhej. Gardianët e armatosur ishin të fshehur mbrapa një muri. Unë isha në rreshtin e parë. Një i burgosur nga Burgu i Mitrovicës së Sremit tha që të dalim krejt mbrapa, ne që kishim ardhur bashkë nga ai burg. Ashtu bëmë. Përnjëherë filluan të na gjuanin me mitraloza, granata, revole etj. Shumë kush vritej në vrapim e sipër. Pastaj filluan të vrasin duke marrë në shenjë. Në fund të terrenit të sportit ishte një pjerrtësi. Aty shkova. Prita derisa u qetësuan. Dola pak më poshtë, në mes dy objekteve. Isha i mbrojtur nga të gjitha anët. U takova me një shok tjetër. Fillova vrapin duke kapërcyer edhe rrethojat. Të burgosurit i shikoja tek vraponin dhe rrëzoheshin nga plumbat që merrnin nëpër trup e kokë. Shkova në kuzhinë. Hyra në bodrum. Kërkonim diçka që të kishim në dorë, që të mbrohemi e të sulmojnë, të vriteshim, por të gjallë të mos binim në duart e tyre” .
Ajo ditë të gjithë të burgosurve të mbijetuar u shkoi brenda, nëpër pavijone dhe në kuzhinën e burgut. Jashtë serbët vrisnin. Ata edhe nëpër objekte gjuanin granata. Të burgosurit e pashpresë kishin filluar organizimin për të ndihmuar të plagosurit e shumtë.
“Te dritaret kur kalonim, u kërrusnim se të gjuanin. Gjetëm një tigan, vaj dhe miell, e filluam të përgatisim petulla. Ishte njëri që gatuante. Ia merrja brumin dhe i piqja në vaj. Ashtu të gatuara ua dërgoja shokëve. Korridori i bodrumit kishte një dritare. Shumë pak dritë shihje. Në kuzhinë ka pasë shumë të plagosur. Ka qenë situatë e rëndë dhe dëshpëruese. Kur ka dal mëngjesi, kam parë që po na sulmojnë. Jam kthyer brenda. Filluan të gjuanin me mortaja dore. Bënin thirrje që të dalim. Pastaj gjuanin granat. Dikur të burgosurit filluan të dilnin nga kuzhina. Mbetëm nja 10 veta që nuk donim të dilnim. Nuk ishte ideja e rezistencës, por që mos të biem të gjallë në dorë të tyre, sepse e dinim çfarë do të na bëjnë”.
Aliu tregon momentin e daljes, kur përballen me gardianët serbë e kur nuk dinin se çfarë do të ndodhte me ta.
“Na grumbulluan në një vend. Pas një kohe na thanë që të shkojmë tek salla e sportit. U krijua përshtypja që do të na vrasin. Na paralajmëruan që afër mureve të rrethojës mos të afrohemi, se përndryshe do të na vrisnin. Pastaj thanë të ushqehemi ashtu si të kemi mundësi”.
Nga ai moment, të gjithë u angazhuan të kujdesen edhe më shumë për njëri-tjetrin.
“Nëpër puseta kishte të vdekur. Në një puset njëri kishte vdekur, e dy të tjerë kishin shpëtuar. Më vonë, në vitin 2003, kur kam punuar në Burgun e Dubravës, kam hyrë pikërisht në këtë puset. Kam parë që s’kishin prekur asgjë. Dyshekët, brushat e dhëmbëve dhe një patike. Kur pata hyrë me nxjerr Avdyl Xhemilalimanin, i cili ka qenë i plagosur, ia kam hequr patiken ngaqë e kishte këmbën keq të lënduar. Ajo patike ishte ende aty. E thirra në telefon e i thash: ‘E ke harru patiken në Dubrav뒔, thotë Aliu për Telegrafin, teksa i vjen rastësisht një e qeshur.
Por, ajo e qeshur nuk zgjat shumë, sepse i kujtohen shqiptarët tjerë të ekzekutuar.
“Në podrume ishin futur disa të burgosur. Gardianët serbë i kanë pushkatuar. Vetëm njëri mbeti gjallë. Vjen një i shok dhe tregon për të. U futëm brenda me Bylbyl Dorakun e Prizrenit. Trupat e të vdekurve i kishte përmbi. Ia hoqëm. Ishte i plagosur në këmbë e në krahë. Mezi fliste. U kujdesëm për të, por vdes”.
Sipas Aliut, të vrarë në këtë masakër kanë qenë diku 150 persona, ndërsa të plagosur rreth 200.
“Nga aty na largojnë për në Burgun e Lipjanit, ku kemi qëndruar 17 ditë. Më kanë rrahur mizorisht në hyrje. Deri më 10 qershor ishim aty, të lidhur dhe të mbështetur për muri. Kemi fjetur mbi trupa të njëri-tjetrit. Mëngjesin e 10 qershorit kemi dëgjuar rrahjen e një personi. Ai ishte Albin Kurti. Ajo rrahje e rënd zgjati një orë. Dëgjohej gjithçka. Në Lipjan kemi kuptuar se po tërhiqen forcat serbe, por nuk dinim asgjë saktë se çfarë po ndodhte. Gardianët nga mllefi hynin nëpër dhoma dhe na torturonin. Na shanin dhe thoshin se për shkakun tonë serbët po largohen nga Kosova. Përkundër torturave, prapë ndihesha mirë. Pastaj më dërgojnë në Burgun e Nishit, ku përjetova torturat e njëjta. Aty më kanë mbajtur deri më 27 mars të vitit 2001, kur edhe jam liruar”, përfundon rrëfimin e tij, Liburn Aliu, i mbijetuari i një prej masakrave më të tmerrshme që kanë përjetuar shqiptarët, por për ndriçimin e së cilës institucionet e Kosovës kanë bërë shumë pak.
Ky është krimineli serb që urdhëroi shumë masakra dhe i bëri të gjithë të heshtin
Ishte në krye të ekspeditave serbe kundër familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, udhëhoqi kriminelët serbë në masakrën e Reçakut dhe disa vite me radhë akuzohej nga amerikanët si urdhërdhënës për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.
Është ky krimineli Goran Radosavljeviç – Guri, i lindur në vitin 1957 në Arangjelovac të Serbisë, që me vendim të veçantë ishte dërguar në Kosovë për të shuar rezistencën e armatosur të UÇK-së në fillet e para të organizimit.
Gradën gjeneral-kolonel, Radosavljeviç, po ashtu e kishte marrë me vendim të veçantë të nënshkruar nga një gjeneral tjetër serb i akuzuar për krime lufte në Kosovë, përkatësisht nga Vllastimir Gjorgjeviç – Rodja.
Ky vendim është i datës 22 shkurt 1998, kur ai emërohet si i deleguar profesionist në Kosovë për të shtypur rezistencën e armatosur.
Ishte pikërisht krimineli Goran Radosavljeviç, ai që kishte udhëhequr ekspeditat serbe kundër familjes së Shaban ,Adem dhe Hamza Jashari, më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz, ku ra heroikisht komandanti Adem Jashari dhe u masakruan afër 60 anëtarë të familjes së tij.
Emri i Goran Radosavljeviçit figuron në shumë dokumente sekrete të Serbisë edhe si udhëheqës i masakrës së Reçakut më 15 janar 1998, ku u masakruan afër 50 shqiptarë të paarmatosur, por edhe si udhëheqës i shumë sulmeve në Rrafshin e Dukagjinit.
Ndërsa, me një vendim tjetër, po ashtu nga Vllastimir Gjorgjeviç, që është i datës 30 maj 1999, krimineli Radosavljeviç si kuadër i vlefshëm për autoritetet serbe, ishte urdhëruar të kthehej në Serbi si shef i Njësisë Speciale, që më vonë kjo njësi ishte shndërruar në xhandarmëri.
Autoritetet serbe ia kishin besuar kriminelit Goran Radosavljeviç misionin për ta shtypur kryengritjen e armatosur edhe në Luginën e Preshevës.
Në vitet e pasluftës, Goran Radosavljeviç me dhjetëra herë ishte akuzuar nga amerikanët edhe për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, Yllit, Agronit dhe Mehmetit, shqiptaro-amerikanëve që ishin ushtarë të Batalionit “Atlantiku”, të vrarë me duar të lidhura me urdhër direkt të Radosavljeviçit dhe të varrosur më pas në kompleksin e ushtrimeve të Njësisë Speciale në Batajnicë, të quajtur “13 Maji”, së bashku me trupat e rreth 2 mijë shqiptarëve të tjerë të vrarë në Kosovë dhe të varrosur aty për t’i humbur gjurmët.
Megjithatë, çuditërisht akuzat e amerikanëve ndaj kriminelit Radosavljeviç kishin pushuar në vitin 2003, sepse së bashku me 1 mijë trupa të ushtarëve serbë, nën komandën e këtij krimineli, Serbia ishte vendosur përkrah amerikanëve në Afganistan.
Prej vitit 2014, krimineli Goran Radosavljeviç ka veshur “petkun” e politikanit, duke u angazhuar në Partinë Progresive (Serpska Napredna Stranka-SNS) të Tomislav Nikoliçit atëherë, kurse tash të Aleksandër Vuqiçit.
Krimineli Goran Radosavljeviç sot është anëtar i Këshillit Qendror të kësaj partie, jeton në Beograd dhe është udhëheqës i një firme private të sigurisë fizike dhe teknike të quajtur “Sektrakon”, si dhe konsulent i një firme tjetër të sigurisë.
Përkundër dëshmive të shumta që ai është përfshirë në vrasjen e tre shtetasve amerikan, dhe krimeve tjera kundër njerëzimit dhe operacioneve të fshehta, Goran “Guri” Radosavljeviq kurrë nuk është ndjekur penalisht. Ai mbetet politikisht i mbrojtur nga presidenti Aleksandar Vuçiç dhe qeveria serbe.
Ndryshe, Floripress e posedon dosjen e Batajnices dhe do ta bëjë publike diteve të ardhshme...
No comments:
Post a Comment