URIM NGA AKADEMIK PROF.DR.ABDULLA MEHMETI
Besimtarë të fesë Islame, e gëzofshi festën e Bajramit, në paqe, me shëndet, mbarësi, begati dhe gjithë të mirat e kësaj bote, për Ju dhe familjet tuaja!
* * *
Për reflektim, pa keqkuptime!
Duke marrë parasysh se sot jemi në ditë feste, nuk është rasti për sqarime, analiza dhe komente, por një çështje duhet të sqarohet mirë nga dijetarët islam ndër shqiptarët, në interes të të gjithë besimtarëve.
Festa e Bajramit të Madh, siç është e njohur tradicionalisht ndër shqiptarët, apo Bajrami i Ramazanit, a duhet të lidhet vetëm me një dimension të tij, me çështjen e fitreve, siç ia kanë veshur pushtetet këtë epitet gjatë dekadave të fundit, me këtë duke e reduktuar dhe zbehur rëndësinë e kësaj feste vetëm në dimensionin humanitar, jo në kuptimin e plotë fetar siç e ka realisht, si festë në përfundim të agjërimit, muajit të shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit është shpallur Kur'ani famëlartë për njerëzimin.
Meqë çështja e fitreve nuk e mbulon kuptimin e plotë të kësaj feste fetare, pse duhet të quhet Fitër Bajram, e jo Bajrami i Madh, apo edhe Bajrami i Ramazanit?
Logjikisht, siç nuk mund të themi lisi i degëve apo gjetheve, por dega e lisit apo gjethi i lisit, nuk mund edhe kjo festë të quhet Fitër Bajram.
Me këtë rast, duhet të sqarohet se çështja e fitreve nuk përbën shtyllë, kusht të besimit islam, por është pjesë e Zekatit, i cili mund të ndahet (jepet) çdo ditë gjatë vitit, dhe jo në shuma kujt si t’i kujtohet, sa për t’u arsyetuar, por si detyrim prej 2,5% nga pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme e besimtarit islam.
Dhënia e fitreve dhe zekatit është përcaktuar se përfiton nga rëndësia dhe dobia gjatë muajit të Ramazanit, por nuk e mbulon kuptimin e tyre, as të muajit të Ramazanit dhe as të festës së Bajramit.
Poshtëshënim:
Problemet e grumbulluara për një periudhë të gjatë në jetën politike, shoqërore, kulturore, kombëtare, pa edhe fetare, në botën shqiptare, na detyrojnë të reagojmë në shumë raste, për të nxitur debat dhe reflektuar pozitivisht, duke marrë mbi vete edhe rrezikun se mund të keqkuptohemi, të dukemi të paarsyeshëm, të "gjithëditur" dhe qesharakë.
Njerëzit e arsyeshëm shpresojmë të na mirëkuptojnë, se nuk e bëjmë këtë për interesin tona, por për të mirën e përgjithshme.
Me mirëkuptim!
(24.V.2020)
No comments:
Post a Comment