‘Para, pije, muzikë e krisma të revoles’: Çka e lidhë Mulla Sulën me Dalipin, të dyshuarin si fajdexhi
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut, Sylejman Rexhepi, duket të jetë një qejfli i madh i muzikës.
Me një kërkim të thjeshtë në YouTube, dalin disa video të tij nëpër ndeja të ndryshme me këngë të zhanreve të ndryshme.
Po ashtu, në këto video shihen njerëz që kanë probleme me ligjin. Në njërën nga këto video në ndejat që organizon i ashtuquajturi Mulla Sula, është edhe i dyshuari Dalip Brahimaj – i njohur si fajdexhiu më i madh i Prishtinës.
I ulur në një kolltuk, përpara ka një tavolinë me disa pemë e pije, Mulla Sula, shikon e dëgjon me vëmendje rapsodët tek thurnin vargje për tokën Dardane. Afër tyre, i ulur në tokë qëndron ‘Dalip fajdexhiu’, i cili nuk heziton të i shpërblejë me para rapsodët.
E kur ‘nxehet’ pak atmosfera, edhe një e shtënë me armë zjarri nuk ka se si të mungojë. Duket se ky është konaku i Mulla Sulës, një njeri me ‘ndikim’ në Maqedoninë Veriore i cili në këtë pikë të atmosferës, gati sa nuk shtrihet i tëri në kolltuk, për të nxjerrë disa para. Edhe ky i shpërblen rapsodët.
Kjo video është publikuar para dy vitesh në YouTube, derisa, Mulla Sula, ka edhe shumë video të tjera në këtë kanal.
Kujtojmë se Sulejman Rexhepi, është martuar ditë më parë më një grua 50 vjeç më të re se ai.
Mediat shqiptare në Maqedoni, përveç martesës së Rexhepit, raportuan edhe për atë se si kryemami, më 9 maj 2020 kishte tërhequr 1 milion euro kesh nga llogaria e Bashkësisë Islame.
Ish sekretari i Myftinisë së Shkupit, Skender Buzaku, i cili vitin e kaluar pati përplasje me BFI-në pasi që pretendonte se kishte mbledhur votat e Riasetit (organit më të lartë të BFI-së), dhe e kishte shkarkuar reisin, tanimë të shkarkuar Sulejman Rexhepi, vlerëson se shkarkimi i sotëm i Rexhepit është regji me qëllim që sipas tij, të mbulohet krimin që e kanë bërë bashkë.
“Është shkarkim politik dhe me regji të Sulejman Rexhepit që të kthehet prapë në Bashkësinë Fetare Islame pas disa muajve. Asnjëherë nuk kam shpresë se këta që e kanë shkarkuar mund të bëje ndonjë reformë. Këta janë me Sulejman Rexhepin. Kjo regji shpresoj që të demaskohet, është bërë që të mbulohet krimi, pasi që aty ka krim të madh. Me qëllim që të mos i përfshijë edhe ata ky turp i ky krim që e kanë bë, e kanë pasur patjetër që ta shkarkojnë”, thotë Buzaku .
Sipas tij, tanimë ushtruesi i detyrës kryetar i BFI-së, Shaqir efendi Fetahu, juridikisht nuk ka pozitë të vlefshme pasi që për pozitën e kryetarit ka kontest gjyqësor përpara Gjykatës.
“Ne ende jemi në procedurë gjyqësore, nuk mundet që dikush që është shkarkuar të shkarkohet prapë. Po presim vendim, ende nuk kemi ndonjë njoftim. Emërimi i ushtruesit të detyrës, nuk parashihet në Kushtetutën e Bashkësisë Fetare Islame. Këtë ushtrues detyre nuk munden ta regjistrojnë askund, as në Regjistrin Qendror, askund. Derisa ka një procedurë gjyqësore, nuk mund të emërohet dikush tjetër kryetar i BFI-së, duhet njëherë të përfundojë, pastaj të iniciohet procedurë. Aktet mund t’i miratojnë, por s’mund t’i ekzekutojnë me asnjë organ shtetëror, pasi që kryetar ende është Sulejman Rexhepi”, thotë Buzaku.
Në prill të vitit të kaluar, Buzaku, tha se ai do të jetë kryetar i ri i BFI-së, sipas vendimit gjyqësor që ai e posedon. Selia e BFI-së ishte e rrethuar me polici.
Reisi Rexhepi asokohe menjëherë e mblodhi Riasetin dhe kërcënoi se do të kyçet në propagandën kundër pushtetit nëse nuk ka reforma gjyqësore në vend, pasi që, sipas tij, me proces gjyqësor të falsifikuar iu është marrë selia dhe është shkarkuar ai, si dhe kërkoi ndëshkim për gjykatësen.
BFI-ja askohe akuzoi dhe nxori disa dokumente me pretendimin se Buzaku i ka falsifikuar dokumentet. MPB hapi procedurë, por pa epilog. Pastaj, të gjithë myftitë dolën me deklarata se nuk e kanë votuar Buzakun,
Buzaku i mohoi akuzat e Bashkësisë Fetare Islame se ai i ka falsifikuar dokumentet, nëpërmjet të cilave është shpallur kryetar i BFI-së. Ai gjithashtu i ka mohuar edhe deklaratat e anëtarëve të Rijaseit të BFI-së, të cilët dolën me nënshkrime se ata nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen, në të cilën thirren dokumentet e vendimit të Gjykatës, duke theksuar se deklaratat e tyre janë dhënë pasi që janë frikësuar nga Rexhepi.
Më 10 prill, vendimi i Gjykatës Shkupi 2 ku emërohet Skender Buzaku kryetar i Bashkësisë Fetare Islame, u anulua nga Gjykata e Apelit në Shkup. Gjykata e shkallës së dytë e pranoi ankesën e Rexhepit, ky i fundit e vazhdoi mandatin. Rasti është kthyer në rigjykim.
Riaseti i Bashkësia Fetare Islame sot në mbledhjen e jashtëzakonshme me shumicë prej dy të tretave e ka shkarkuar nga funksioni kreun e tyre, Sulejman Rexhepi. Pavarësisht se Riaseti nuk tregoi për arsyet e shkarkimit të Rexhepit, kjo procedurë erdhi disa ditë pasi që Rexhepi u martua me një vajzë 50 vjet më të re, akt i cili u përfol dhe pati komente negative në rrjetet sociale dhe media.
******
Letër e hapur Reisit të BFI-së së RMV-re dhe muftinive
Nëse edhe tani muftinitë dhe hoxhallarët do të heshtin, besoj se komuniteti musliman në RMV-re do të konstatojë se edhe këta janë bashkëfajtorë me Reisin. Them se, para se t’i dënojë historia edhe Ahireti, besoj fuqishëm se këta të lartë theksuarit do t’i dënojë populli me padëgjueshmëri qytetare dhe mos dhënie të antarësisë.
Doc. dr. Muhamed JUSUFI
E veçanta e këtij Fitër Bajrami ishte urimi shtesë ironik i martesës së Reisit të BFI-së në RMV-re! Jo vetëm muslimanët e rajonit, por edhe jo muslimanët ngelën të hutuar, të pa komente pasi u bëmë gaz i botës. Martesa e Reisit po komentohet nëpër oda, rrugë, zyra, lajme, gazeta si dhe në të gjitha mediat e rrjeteve sociale në mënyra të ndryshme. Thashethemet e shumta të mëdha shkaktuan shqetësim të madh tek besimtarët muslimanë në RMV-re, dhe kjo më bëri që edhe unë të shkruaj ndonëse asnjëherë më parë nuk jam marrë me problemet e brendshme të BFI-së… Islami në përgjithësi dhe muslimanët në veçanti nuk e meritojnë një tallje të tillë.
z. Reis i BFI-së në RMV-re,
Në mënyrë aksiome, askush nuk ka te drejtë të pyesë askënd për martesën e dikujt. Kush diskuton martesën tuaj është i ulët, mirëpo, martesa juaj nxori thashetheme të shumta brenda komunitetit tonë musliman dhe më gjerë në rajon. Përderisa u bë temë aktuale martesa juaj nuk hezituan pa u përkujtuar edhe shumë afera të tjera të shkaktuara tash e 40 vjet, prej të cilave shumë prej tyre nuk më lejon etika ime të merrem me to, sidomos në këtë letër të hapur.
Si përfaqësues i muslimanëve në RMV-re, detyroheni t’i drejtoheni besimtarëve dhe të demantoni në prani të muftinive të rretheve të gjitha këto thashetheme. T’u tregoni qytetarëve të RMV-re qofshin musliman ose jo, se ndaj Reisit të BFI-së dhe ndaj muslimanëve në këtë Republikë po ushtrohet dhunë nga individë, grupe ose qarqe të ndryshme politike, fetare ose edhe nga nëntoka e errët.
Që këtu, si qytetar i kësaj Republike, i bëj thirrje institucioneve përgjegjëse të shtetit që të merren seriozisht me rastin e këtyre aferave ku po nëpërkëmbin dinjiteti i qytetarëve të kësaj Republike, sepse seriozisht e kanë rënduar vetë personalitetin e Reisit, dhe me të, edhe të mbarë muftinive, hoxhallarëve dhe gjithsesi edhe besimtarëve. Çdo neglizhencë e institucioneve shtetërore do të ndikojë në rëndimin edhe më të madh të qytetarëve të saj.
z. Reis i BFI në RMV-re, z. Sulejman REXHEPI,
Nëse ju personalisht nuk do të këmbëngulni që prokuroria e shtetit të merret me këto afera, atëherë, ju kujtoj se këta nuk kanë pse të merren me to. Ju, këto thashetheme duhet t’i argumentoni në prokurori dhe ato të vërtetohen se ishin gënjeshtra dhe shpifje. Vetëm pasi ta keni bërë këtë, dhe pasi të jenë dënuar shpifësit, besimtarët do të fillojnë të frymojnë lirshëm dhe vetëm atëherë do të përfitoni përkrahjen e tyre. Nëse këtë nuk e bëni, atëherë të gjitha akuzat do të rëndojnë mbi ju, dhe ju do të mbani përgjegjësinë përpara besimtarëve dhe shtetit se keni nëpërkëmbur rëndë dinjitetin jo vetëm të besimtarëve muslimanë në gjithë rajonin (Shqipëri, Kosovë, Serbi, Mal të Zi dhe RMV-re), por edhe atyre jo muslimanë.
Pse heshtet
Për sa jam i informuar, shumica e këtyre aferave janë në prokurori. Mirëpo, çuditërisht ende nuk janë shqyrtuar, dhe sipas kësaj që shihet vështirë se ndonjëherë do të shqyrtohen. Vallë, çka i bën muftinitë të heshtin, pse këta nuk dalin publikisht t’i mohojnë ose t’i pohojnë këto afera. Pse zëri i profesorëve të fakultetit dhe të medreseve të cilët me vështirësi mbajnë familjet e tyre heshtin!? Pastaj, si është e mundur që dinjiteti i hoxhallarëve të nëpërkëmbet aq poshtë, kur për disa ditë me radhë hoxhallarët e xhamive kërkojnë anëtarësitë, ndërsa xhemati tallet me ta!? Jo nuk i japim anëtarësitë, për dëfrime dhe dhurata të shtrenjta (Rolexa).
Nëse edhe tani muftinitë dhe hoxhallarët do të heshtin, atëherë, besoj se komuniteti musliman në RMV-re do të konstatojë se edhe këta janë bashkëfajtorë me Reisin. Them se, para se t’i dënojë historia edhe Ahireti, besoj fuqishëm se këta të lartë theksuarit do t’i dënojë populli me padëgjueshmëri qytetare dhe mos dhënie të antarësisë.
Prej Allahut të Lartëmadhëruar kërkoj ndihmë dhe udhëzim.
Adrian Demiri
Kjo e këti ska fare të bëjë me krizën e moralit të shoqërisë as po me moralin individual të këti ose secilit nga ne, sepse kur nuk funkcionon sistemi shoqëror si institucion rregullash dhe përgjegjësish, tipat si ky (dhe këta jan shtuar shumë vitet e fundit) mendojnë që munden dhe ju lejohet të bëjnë gjithçka pa ju dridhur qerpiku.
Ky dhe të tillët si ky janë produkt i një sistemi shoqëror e shtetëror të cilin e kemi ndërtuar ne vet dhe i cili gjat kohë nuk funksionon andej nga normalja, dhe për fatin tonë të keq vazhdimisht prodhon dhe riprodhon figura të tilla në të gjitha fushat e jetës tone: religjion, politikë,gjyqësi, institucione, rrugë e gjetiu.
Prandaj…mos harroni! Ky nuk është ai që duhet të gjykohet nga ne. Jo.Aspak. Ai që duhet të gjykohet dhe përmirësohet është sistemi i cili i lejon të tillët të funksionojnë dhe veprojnë përkundër gjitha bëmave pa ju dridh qerpiku fare.
Një numër i anëtarëve të Rijasetit të BFI-së në një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur në Gostivar, ku morën pjesë 2/3 e anëtarëve të Rijasetit ka marr vendim për shkarkimin nga posti i kryetarit të BFI-së, Sulejman Rexhepin dhe në vend të tij si ushtrues detyre ka emëruar myftiniun e Gostivarit Shaqir Fetahu.
Bazuar në procesverbalin e mbledhjes së jashtëzakonshme të shumicës së anëtarëve të Rijasetit të BFI-së të mbajtur më 27.05.2020, ne të nënshkruarit më poshtë në bazë të Nenit 36 dhe 58 të Kushtetutës së BFI-së, që e përbëjnë më shumë se 2/3 e anëtarëve të Rijasetit të BFI-së, vendosëm njëzëri shkarkimin e Sulejman Rexhepit nga posti Reisul Ulemasë, kryetar i BFI-së.
Deri në përgatirjen e kushteve për zgjedhje të reja për ushtrues detyre, kryetar i BFI-së është caktuar myftiu i Gostivarit Shaqir Fetahu”, thuhet në vendimin e Rijasetit të BFI-së.Ndiqni videon
Martesa e Mulla Sulës!
Rrëfim interesant
Nga Fatmira Lami
Në vigjilje të përgëzimeve me rastin e festës së Bajramit, plasi në Shkup si një “bombë e Zaevit”, martesa e Reisit të madh, Haxhi Sulejman ef. Rexhepit, kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë Veriore.
Gëzimet ndër besimtarët shqiptarë, të cilët nuk arritën ta kremtojnë festën e Bajramit të Madh, njësoj nëpër institucionet fetare, për shkak të pandemisë dhe vendimeve të institucioneve, u përzien edhe me një lajm jo të zakonshëm për një martesë, të cilën disa njerëz të caktuar e llogaritin të përçudshme, të tepruar, madje edhe skandaloze.
U ngrit opinioni në Shkup, si ta kesh dridhur tërmeti i vitit 1963, sepse Mulla Sula u bë me nuse të re, plasi kiameti! U mbushën faqet e gazetave, portaleve dhe medieve të tjera, lokale e rajonale, se Reisit Sulejman ef. Rexhepit, në moshën 74 vjeçare qenka martuar me një nuse fare të re e moshës 24 vjeçare, jo më pak se 50 vjet diferencë!
Mes lajmeve të mëdha si ajo e pandemisë, festave të ndaluara fetare, protestave për pushtet etj., në botën informative dhe në gojën e njerëzve zuri vend edhe një lajm që ka të bëjë me një martesë të zakonshme. Çudi! Çfarë paradoksi?! Kjo vetëm te ne ndodh dhe askund në botë! Të krijohen rrëfime për martesa me prapavijë, qoftë edhe ajo e Mulla Sulës!
Lidhja martesore
Të gjithë e dinë dhe askush nuk e konteston se lidhjet martesore janë bashkëjetesat ligjore, që lidhin çiftet e martuara, pavarësisht nga mosha, raca e kombi. Thjesht, martesa është kurora e mbrojtjes së një femre, e cila sot për fat të keq është katandisur në të gjitha anët.
Merrni si shembull, sa e sa femra sot divorcohen, ikin nga vendi e përfundojnë në bordelet e Evropës, sa e sa femra fare të reja, shiten nëpër dyert e kazinove e lokaleve të natës për lek, sa e sa femra na u dhunuan para syve tanë e s’patëm forcë t’ua mbrojmë nderin dhe dinjitetit, sa e sa femra sot aranzhohen për një vizë pune në shtetet perëndimore, duke braktisur vendlindjet përgjithmonë e bëhet nami, pse një krye imam paska marrë një nuse të re, të njëjtit vend, të njëjtit komb e të njëjtës fe!
Të shkojmë pak më larg, kujtoni disa shembuj që sot janë kthyer në mit e histori si ajo e Profetit Muhamed, i cili është martuar me Ajshen me një diferencë shumë të madhe, për t’i treguar botës se martesa legjitime është një kurorë e shenjtë, pa marrë parasysh moshën, shëndetin, gjendjen sociale dhe autoritetin.
Kësi rastesh kemi edhe më të vonshme, si ajo e martesës së Vasilikës me Ali Pashë Tepelenën, e cila pas vdekjes se Aliut, nuk pranoi të martohet edhe pse ia kërkuan dorën të gjithë të pasurit nga ana e vezirëve, po ajo nuk deshi t’ia tradhtonte krenarinë burrit të saj, duke mbrojtur respektin e mbretit shqiptar.
Kemi edhe shumë shembuj të tjerë, të cilët nuk duhet vetëm t’i kujtojmë, por edhe t’i zbatojmë në jetë. Nuk duhet të ulemi në paragjykime të mbrapshta, duke u marrë me shpifje të natyrave politike, për t’i përbaltur, njollosur, bastarduar e denigruar njerëzit e mëdhenj e autoritativ, duke i preku në çështje personale, si kjo e martesës së Reisit te madh, H.Sulejman ef. Rexhepi.
Shantazhet
Të parët që e plasuan lajmin për martesën e Reisit, Sulejman ef. Rexhepi, janë, kundërshtarët e tij, mjerisht, klerikë fetarë, të cilët janë të njohur për shantazhe dhe shpifje, jo vetëm për këtë rastin e fundit, por edhe më herët, kur u ngritën në këmbë për ta rrëzuar nga fronti i kreut të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë Veriore. Pastaj, vijnë me radhë disa gazetarë gazetash e portalesh, të paguar mirë nga këta klerikë fetarë, për të bërë zhurmë mediale kundër Reisit Sulejmani, njeriut me mandate të shumta në drejtimin e kreut të këtij institucioni të lartë fetar, i cili gjatë karrierës së tij mori me merita shumë nderime, certifikata, mirënjohje, për paqe e tolerancë fetare, si ajo e Presidentit Tramp.
Këto shpije e denigrime nuk e kanë të gjatë, ato do të pushojnë se vijnë nga njerëz, që e kanë ushqim propagandën, e cila me t’u zbuluar prapavija, shuhen, zhduken si flluska sapuni.
Ne kemi shumë probleme më të mëdha se sa kjo e martesës së Mulla Sulës, probleme që ia shkojnë një martese të zakonshme, të ligjshme, me rend e me vend. Bile, një martesë të tillë duhet ta marrim si shembull edhe për të tjerët, që kanë vullnet e dëshirë, për t’u ndërprerë rrugën divorceve e dukurive të tjera të shëmtuara, të cilat po e dëmtojnë bërthamën tonë familjare dhe po i japin hije të zezë shoqërisë sonë shqiptare.
Injoranca
Kohëve të fundit, në shoqërinë tonë ka zënë vend injoranca si një dukuri e dëmshme dhe e rrezikshme. Injorantët e tipit të atyre që thurin intriga, shpifin e tallin, shantazhojnë dhe përbaltin personalitete, për interesa të ndryshme, janë kanceri i shoqërisë sonë.
Forcimi i institucioneve, që vijë duke u falënderuar votës së lirë dhe demokratike, do t’ua mbyll gojën me rrugë ligjore injorantëve e do t’i sanksionojë me ligj ato medie, që shkelin etikën profesionale, duku u dhënë hapësirë informative grupeve të tilla mafioze e kriminele.
E vërteta e një martese të tillë me të gjitha tiparet e një bashkëshortësie të mbarë dhe qytetëruese, do të jetë një shuplakë në fytyrën dhe ndërgjegjen e atyre individëve, të cilët për qëllime politike apo materiale, mundohen t’u hedhin hije të zezë veprimeve të drejta e njerëzore.
Martesa është kurorë e shenjtë! Le të na shtohen sa më shumë martesa, e le të pushojnë sa më shumë divorce, për të ruajtur bërthamën familjare, shtyllën e shoqërisë sonë.
Për hajër i qoftë martesa Reisit Sulejman ef. Rexhepi! Shëndet e mbarësi!
http://jetapress.com/2020/05/26/martesa-e-mulla-sules/?fbclid=IwAR2LkGzkYkmhBwYQCRcXH-ltBna8osooS-Ld-2Ka92SGFWOD2RhvWG87GMc
Hoxha i mirënjohur nga Gjermania, Benjamin Idrizi ka komentuar shkarkimin e kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi.
“Hamdi i takon vetëm Zotit”! Krenohem se nuk e kam përkrahur asnjëhere Mulla Sulën! Elhamdulillah! Shpresoj se me shkarkimin e ti hapet një faqë e re në BFI. Le të jetë për hajr për popullin musliman në Maqedoni! Ky është Bjarami më i madh!”, shkruan Benjamin Idrizi.
Benjamin Idrizi : Mulla Sula ka qenë pengesë e aktiviteteve islame në Maqedoninë e Veriut
Hoxha i mirënjohur nga Gjermania me prejardhje nga Shkupi, Benjamin Idrizi, në një prononcim për portalin Almakos ka komentuar ngjarjet e fundit që ndodhën në Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut ku u shkarkua Reis Ulemaja, Sulejman Rexhepi dhe ushtrues detyre u zgjodh Shaqir Fetahu nga Gostivari.
Efendi Idrizi vlerëson se qysh në kohën e babait të tij, Hafiz Idrizit, Sulejman Rexhepi ka penguar aktivitetet e shumta islame.
“ Kam postuar në Facebook se jam krenar që është shkarkuar Sulejman Rexhepi, për shkak se ky i fundit ka penguar hoxhallarët që të merren me aktivitete islame. Mulla Sula qysh në kohën e babait tim ka qenë pengesë e vazhdueshme ndaj hoxhallarëve dhe aktivitetit islam. Ai ka uzurpuar BFI-në për dekada me radhë dhe tash është koha për ndryshime rrënjësore në BFI. BFI-ja është shumë me rëndësi për popullin shqiptar dhe me të duhet të udhëheq një njeri me kredibilitet moral. Me BFI-në duhet që të udhëheq një njeri që ka dije të thella nga jurisprudenca islame, që është i drejtë dhe i moralshëm.”, deklaroi Idrizi .
( Mulla Sula duke e shikuar shtrembër Hafiz Idrizin)
Sipas Imamit, Benjamin Idrizi, kushtet që një hoxhë ose myfti të jetë në krye të Bashkësisë Islame nuk duhet të janë vetëm të natyrës së dijes shkencore dhe fetare, por edhe në aspektin moral. Nëse një hoxhë nuk posedon vlera të larta morale, nuk guxon që të pretendoje të jetë në krye të BFI-së.
“ Populli mysliman në Maqedoni është i njohur në rajon se është më i devotshmi, prandaj meriton një Reis i cili ka virtyte të larta morale dhe shkencore. Kryetar i Bashkësisë Islame nuk duhet të jetë një person që ka vetëm dije, por edhe që ka moral të lartë islam dhe që do të jetë shembull edhe për të tjerët. Mulla Sula ka qenë turp i hoxhallarëve dhe shembulli më i keq i besimtarëve mysliman përmes skandaleve të shumta që iu janë bë publike me vite të tëra. Një person që të udhëheq me BFI-në, duhet që të njoh mirë parimet islame, të praktikoje ato dhe të jetë në vijë të vazhdueshme me hoxhallarët e më hershëm që me xhelozi kanë ruajtur dhe bartur mesazhin e Islamit tek populli ynë. Akti i shkarkimit të Mulla Sulës është akti më patriotik që ka ndodhur gjatë dekadave të fundit në BFI, duke uruar që në këtë institucion të kemi reforma rrënjësore dhe përsëri populli shqiptar dhe mysliman në Maqedoninë e Veriut të ketë mundësi të përfitoje nga vlerat që bartë me shekuj ky institucion.”, deklaroi Idrizi .
Përndryshe, sot në një mbledhje të jashtëzakonshme që u mbajt në hapësirat e BFI-së, në mënyrë unanime u shkarkua Reis Ulemaja, Sulejman Rexhepi dhe u zgjodh ushtruesi i detyrës Reis Ulema, myftiu i deritanishëm i Myftinisë së Gostivarit, Shaqir efendi Fetahu. Lajmi për shkarkimin e Sulejman Rexhepit mori dhenë, ndërsa këtij akti i parapriu lajmi ende i paverifikuar për martesën e Sulejman Rexhepit me një vajzë 50 vjet më të re se ai.
****
Pas shkarkimi të sotëm të Reis Sulejman Rexhepit në një mbledhje të jashtëzakonshme të riasetit ,ka qenë i menjëhershëm reagimi i zyrtarit të lartë të partisë maqedonase në pushtet LSDM,Muhamed Zekiri .
Me këtë rast në një postim në rrjetin social Facebook Zekiri duke lëshuar kritika në adresë të Sulejman Rexhepit ka shkruar se : Rezilave Allahu nuk ua merr shpirtin pa u marrë ftyrën!!! Elhamdulilah iku Sula.
No comments:
Post a Comment