Mehmet Kraja (Krajë, 1952) është shkrimtar shqiptar dhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Deri tani ka botuar: 13 romane, 5 përmbledhje me tregime, 10 drama dhe tre libra me kritikë dhe publicistikë, si dhe një numër tekste publicistike në shtypin e Kosovës dhe Shqipërisë. Jeton në Prishtinë.
Jetëshkrimi
U lind më 1952, në Krajë, afër Liqenit të Shkodrës, në Mal të Zi. Shkollimin e mesëm e kreu në Ulqin, ndërsa të lartin në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 1974-76 ishte kryeredaktor i gazetës së studentëve “Bota e re”. Më pas punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën “Rilindja”. Gjatë viteve 1992-99 jetoi dhe punoi në Tiranë. Pas luftës ishte redaktor i kulturës në të përditshmet “Zëri” dhe “Koha Ditore”. Që nga viti 2002 është edhe ligjërues në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ku jep lëndën e skenarit të filmit.
I takon brezit të romancierëve shqiptarë që u shfaqën gjatë viteve 70. [1]
Veprat
Romane
- “Gjurmë në trotuar”, Rilindja, Prishtinë 1978;
- “Portali i perëndive të fyera”, Rilindja, Prishtinë 1980;
- “Moti i madh”, Rilindja, Prishtinë 1981;
- “Udhëzime për kapërcimin e detit”, Rilindja, Prishtinë 1984; “Naim Frashëri”, Tiranë 1987;
- “Sëmundja e ëndrrave”, Rilindja, Prishtinë 1987;
- “Net Bizantine”, Rilindja, Prishtinë, 1990;
- “Muri i mjegullës”, Toena, Tiranë, 1998;
- “Edhe të çmendurit fluturojnë”, Onufri, Tiranë, 2004;
- “Im atë donte Adolfin”, Onufri, Tiranë, 2005;
- “Selvitë e Tivarit”, Onufri, Tiranë, 2008;
- “Hotel Arbëria”, Onufri, Tiranë, 2010;
- “E zeza dhe e kuqja”, Onufri, Tiranë, 2015;
- “Prishtina”, Onufri, Tiranë, 2018;
Tregime
- “Dritat e mesnatës”, “Rilindja”, Prishtinë 1974;
- “Vdekja pa emër”, “Eurorilindja”, Tiranë 1995; “Dukagjini”, Pejë 1996;
- “Portat e qiellit”, “Toena”, Tiranë 1996; “Buzuku”, Prishtinë 1997;
- “Njëzet tregime për kohën e shkuar”, “Dukagjini”, Pejë 2001;
- “Hija e qershisë nën dritën e hënës”, Toena”, Tiranë 2006.
Drama
- “Tri drama” (“Princi i hijeve”, “Onufri i Neokastrës”, “Hëna prej letre”), “Rilindja”, Prishtinë 1987;
- “Pesë ide për lojë skenike” (“Muri I, ose ora e shiut”, “Muri II, ose lavjerrësi i rërës”, “Muri III, ose fluturat e bardha”, Muri IV, ose ëndërr qeni”, “Muri V, pse një hënë tjetër prej letre”), “Toena”, Tiranë 1999;
- “Krishti qëndroi tri ditë në Kosovë”, “Jeta e Re”, Prishtinë 2002;
- “Grafitet”, “Jeta e Re”, Prishtinë 2005;
- “Im atë donte Adolfin”, dramatizim, Prishtinë 2007;
- "Drama" ("Grafitet", "Hëna prej letre II", "Rekuiem"), PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë 2008
Kritikë dhe publicistikë
- “Shoqërime”, “Rilindja”, Prishtinë 1997;
- “Vite të humbura”, “Eurorilindja” Tiranë 1995, “Rozafa”, Prishtinë 2003;
- “Mirupafshim në një luftë tjetër”, “Rozafa”, Prishtinë 2003.
- "E shtuna ime", PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë 2009
- "Identiteti kosovar", PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2011
Skenar
- “Kukumi”, 2003 (i realizuar si film artistik i metrazhit të gjatë, në regji të Isë Qosjes)
Shfaqje të realizuara
- “Princi i hieve”, realizuar në Teatrin Popullor Krahinor në vitin 1984, me regji të Agim Sopit dhe në Teatrin e Gjilanit në vitin 1985;
- “Hëna prej letre”, realizuar nga Teatri i Gjakovës në vitin 1988, në regji të Fadil Hysajt;
- “Onufri i Neokastrës”, nga Tetari Amator “Emin Duraku” i Gjakovës në vitin 1987 në regji të Nimon Muçajt;
- “Ëndërr qeni”, realizuar në Teatrin Kombëtar të Prishtinës në vitin 2001, në regji të Isë Qosjes;
- “Grafitet”, realizuar në Teatrin “Oda” të Prishinës, në vitin 2005, në regji të Isë Qosjes;
- “Onufri i Neokastrës” (version i ri), realizuar nga një grup artistësh të lirë të Gjakovës, në vitin 2006, në regji të Nimon Muçajt;
- “Hëna prek letre” (version i ri), realizuar në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, në vitin 2007, në regji të Fadil Hysajt;
- “Im atë donte Adolfin”, i realizuar si shfaqja e parë profesioniste e Teatrit të Prizrenit, në vitin 2007, në regji të Agim Sopit.
- "Rekuiem" , realizuar në Janar 2010, në Teatrin e Gjilanit, regjia Erson Zymberi;
- "Im Atë e donte Adolfin" (version i ri, me përpunim dramaturgjik të Shkelzen Berisha), realizuar në vitin 2016, në Teatrin e Gjilanit, me regji të Ilir Bokshit;
Çmime
- Çmimi vjetor i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë (për romanin “Moti i Madh”, 1981);
- Çmimi “Hivzi Sulejmani” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për prozën më të mirë (për përmbledhjen e tregimeve “Vdekja pa emër”, 1995);
- Çmimi i shtëpisë botuese “Toena” për prozën më të mirë nga pesëqind titujt e botuar (për romanin “Muri i mjegullës”, 1998);
- Çmimi “Pjetër Bogdani” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë (për romanin “Muri i mjegullës”, 1999);
- Çmimi “Pjetër Bogdani” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë (për përmbledhjen “Njëzet tregime për kohën e shkuar”, 2001);
- Çmimin “Azem Shkreli” të Ministrisë së Kulturës së Kosovës për veprën më të mirë (për romanin “Edhe të çmendurit fluturojnë”, 2004).
- Çmimi “Mitrush Kuteli” i Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë (për përmbledhjen e tregimeve “Hija e qershisë në dritën e hënës”, 2007).
- Çmimi "Petro Marko" i Ministrise se Kultures te Shqipërisë (per romanin me të mire te vitit, "Selvite e Tivarit" 2008)
Literatura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
- Aliu, Ali (2012). Kënaqësia e leximit. Prishtinë: ASHAK.
- Krasniqi, Nysret (2016). Letërsia e Kosovës 1953-2000. Prishtinë: AIKD.
- Hamiti, Sabri (2002). Letërsia Bashkëkohore, Vepra Letrare, 10. Prishtinë: Faik Konica.
- Elsie, Robert (2005). Albanian Literature: A Short History (në anglisht). I.B. Tauris. ISBN 978-1-84511-031-4.
- Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Londër: Rowman & Littlefield.(Wikipedia)
Seksioni i Shkencave Sociale në AShAK, përmes një komunikate për media, njoftoi se autor i tekstit të botuar në faqen zyrtare të AShAK-ut është vetë Kraja dhe se nuk kishte autorizim për publikim.
“Seksioni i Shkencave Shoqërore distancohet nga Dokumenti i publikuar në faqen zyrtare elektronike të AShAK dhe sqaron se ai është tekst i Kryetarit të Akademisë, z. Mehmet Kraja, i paautorizuar për publikim. Seksioni, që në fillim e ka kundërshtuar publikimin e këtij teksti joshkencor në emër të Akademisë, që shihet nga Procesverbali i mbledhjes së 26 janarit 2022!”, thuhet në komunikatë.
Pas një shkrimi të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, të publikuar kundër-rregullave në faqen e Akademisë, një grup akademikësh fillimisht u distancuan nga shkrimi e më pas filluan procedurat për shkarkimin e Krajës, por Albanian Post kupton nga burimet brenda Akademisë se ai nuk do të mund të lëvizet nga pozicioni, sepse nuk ka vota mjaftueshme për ta shkarkuar.
Ishte një nga Akademikët, Muhamedin Kullashi, që artikuloi pakënaqësitë me Krajën, të cilat tejkalojnë shkrimin e fundit.
“Është koha më në fund pas problemeve që ka një kohë që janë të pranishme në Akademi lidhur me veprimet e kryetarit”, deklaroi Kullashi, duke shtuar se shkrimi i fundit “nuk ishte një punim shkencor, ishte pa asnjë fusnotë dhe shumë i dobët”.
“Pikërisht pse nuk është tekst serioz askush nuk e ka marrë përsipër ta mbështes, ai megjithatë e ka botuar në faqet të akademisë si tekst të akademisë”.
Shkrimi i fundit i Krajës me titull “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, ishte shkruar në formë të opinionit, pa referenca, pa citime dhe i ndërtuar nga përshtypjet subjektive të autorit.
Prandaj, Seksioni i Shkencave Shoqërore, ku takon edhe Kullashi, mblodhi nënshkrime për të larguar Krajën.
Gjithsesi, nga sa ka kuptuar Albanian Post, përveç votave nga ky seksion i Akademisë, seksione të tjera nuk do ta mbështesin këtë propozim.
Në Kuvendin e Jashtëzakonshëm me vetëm një pikë në rendin e ditës, atë të “shkarkimit të Mehmet Krajës nga pozita e kryetarit”, akademikët e Seksionit të Shkencave Shoqërore do të argumentojnë përse duhet të largohet Kraja.
Por, Albanian Post kupton se ata nuk e kanë përkrahjen nga Seksioni i Gjuhës dhe Letërsisë, Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Seksioni i Arteve.
Ky votim pritet ta përçarje akoma më shumë ASHAK-un duke rritur ndarjet dhe etabluar “modelin e armiqësive”.
Prej kohësh Akademia funksionon e ndarë në rryma dhe me fokus kryesor ndarjen e pushteteve jo formale.
Një nga më të fuqishmit, që është në përkrahje të Krajës, është edhe akademiku Rexhep Qosja.
Shkrimtari Qosja përkundër se nuk shihet në Akademi pothuajse asnjëherë fizikisht, sepse nuk punon nga zyra e tij në objektin e ASHAK-ut, vazhdon të kontrollojë një pjesë të konsiderueshme të akademikëve.
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka gjithsejtë 38 anëtarë. 23 prej tyre janë anëtarët të rregullt, kurse pjesa tjetër me korrespodencë.
Mehmet Kraja është anëtar i Akademisë nga viti 2005.
Në periudhën 2008-2014 ishte sekretar i Seksionit të Gjuhës dhe Letërsisë, kurse nga viti 2019 është kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Kraja ka të botuara disa romane dhe drama, por përkundër se kryetar i Akademisë nuk ka të botuar asnjë publikim shkencor.
Nga ky Seksion thonë se prej kohësh ia kanë “tërhequr vërejtjen” Krajës për “sjelljet imponuese e arbitrare”.
“Seksioni i Shkencave Shoqërore ka kohë qe ia ka tërhequr vërejtjen Kryetarit te ASHAK ut z. Mehmet Kraja për sjelljet imponuese e arbitrare, e qe po e lëndojnë rëndë dinjitetin e institucionit në krye të të cilit është”.
“Me qasjen e tij jo-akademike dhe veçanërisht me publikimin e këtij dokumenti joshkencor, të hartuar nga vet ai, si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor, artistik dhe kulturor, sjellë perçarje me pasoja te renda për vet Akademinë”, thuhet mestjerash në komunikatë.
Seksioni i Shkencave Sociale ka kërkuar nga Kraja relfketim institucional për “dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë dhe publikut të gjerë”, ndërsa kanë paralajmëruar edhe inicimin e veprimeve statutore nëse Kraja s’reflekton karshi përgjegjësisë institucionale.
“Për shkak të papërgjegjësisë dhe veprimeve imponuese dhe arbitrare, Seksioni i Shkencave Shoqërore kërkon nga z. Kraja reflektim institucional dhe moral për dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë dhe publikut të gjerë”.
“Nëse z. Kraja nuk reflekton karshi përgjegjësisë institucionale dhe morale, Seksioni i Shkencave Shoqërore do të iniciojë veprime të tjera statutore”, përfundon komunikata e AShAK-ut.
Ndërkaq, lidhur me deklaratën e Seksionit të Shkencave Sociale të ASHAK-ut, përmes një sqarimi në rrjetin social Facebook, Kraja ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për tekstin e botuar muajin që shkoi, e që u komentua dhe u kritikua gjerësisht.
“E para, si kryetar i ASHAK nuk jam në pozitë të imponoj, e as nuk kam imponuar asnjë sjellje arbitrare, përveç se kam kërkuar të shtohet aktiviteti i seksionit dhe të vendoset ligjshmëri për mbarëvajtjen e punëve në Akademi”, shkroi ai.
Kraja njoftoi së më 17 janar të këtij viti, në mbledhjen e Kryesisë së Akademisë është diskutuar teksti i analizës dhe duke parafrazuar procesverbalin e mbledhjes, të gjithë anëtarët e Kryesisë së AShAK-ut e kanë mbështetur dokumentin.
Ai është justifikuar duke thënë se “gjatë publikimit në ueb-faqen e Akademisë, për ndonjë arsye teknike, mund të jetë shfaqur edhe versioni im i paredaktuar i tekstit, por së fundi në ueb qëndron teksti i përfundimtar, i autorizuar”.
“Ndonëse nuk kishte obligim statutor (për çfarëdo publikimi është kompetente Kryesia), me propozimin e kryetarit, Kryesia vendosi që teksti i analizës t’u vihet në dispozicion të gjithë anëtarëve të Akademisë dhe me mesazhin e bashkëlidhur iu kërkua anëtarëve që për vërejtjet eventuale të shprehen me shkrim në një afat prej 10 ditësh (24 janar 2022)”, shtoi Kraja.
Megjithëse teksti, sipas versionit të publikuar s’kishte autor të përveçëm, Kraja tani thotë se “duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, me qëllim të ruajtjes së institucionit, sot kam kërkuar nga shërbimet teknike që të vihet emri im në krye të tekstit analizës në ueb-faqen e Akademisë, që domethënë se unë marr përgjegjësinë për çdo shkronjë të këtij teksti”.
Ndryshe, dokumenti prej 38 faqesh është e kritikuar dhe ka nxitur debat në shoqërinë kosovare për shkak të gjuhës së përdorur në përpjekje për të ofruar një “analizë” të përgjithshme rreth raporteve mes shqiptarëve dhe serbëve.
Analiza e AShAK-ut është denoncuar si një “pamflet politik” për arsye se shumë nga qëndrimet e shprehura përkojnë me ato të Lëvizjes Vetëvendosje dhe se teksti nuk bazohet në shkencë por në formulime e botëkuptime nacionaliste.
Gjithashtu, përveç se ka lëshuar akuza të shumta ndaj lidhershipit të kaluar në Kosovë, duke i akuzuar për keqqeverisje, korrupsion e krim, analiza keqinterpreton Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe Gjykatën Speciale.
Madje, për më tepër, AShAK-u e ka akuzuar edhe ish-presidentin Hashim Thaçi dhe figurat e tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se e kanë futur ndarjen e Kosovës në agjendë për ta shpëtuar veten nga Gjykata Speciale.