Shkruan: Linda BUQINCA
Më dhemb shumë kur shoh se si po e tradhëtojmë shumë prej nesh Albin Kurtin, birin më të mirë të Kosovës, pasurinë tonë më të madhe kombëtare, duke mos treguar interesim e angazhim të duhur për t’i ndihmuar pikërisht tani, kur atij po i bëhet një padrejtësi e pashembullt.
Albini e la anash familjen e tij, as që mendoi për ta krijuar të vetën.
I refuzoi rastet që të tjerët vetëm mund t'i ëndërrojnë për të magjistruar nëpër universitetet më të njohura të botës dhe u përcaktua për një jetë krejt modeste, në mesin e popullit, me të cilin i përjetoi të gjitha vështirësitë dhe çastet e hidhura që e kishin pllakosur atë, duke luftuar me mish e shpirt e vetëmohim për të mirën e shoqërisë.
Derisa të tjerët ishin dhe janë tepër të zënë duke vrapuar pas pasurimit dhe përfitimeve individuale, Albini ishte ai i cili shkoi dhe i dëgjoi dhembjet e nënave të të zhdukurve, i përkrahu dhe u angazhua për to. Albini vajti fshat më fshat, jo me luks e salltanete, me vetura luksoze, truproja e një tufë media prapa, siç bëjnë qeveritarët, por i thjeshtë, si një prej tyre: kaloi ditë në mesin e popullit, ndau kafshatën e gojës me ta dhe me praninë e forcën e tij i nxiti për të vazhduar më tutje.
Këta njerëz të harruar më nuk ishin vetëm: ata tani kishin një zë që do t’ia rrëfente botës hallet e tyre, padrejtësitë që u bëheshin dhe do të ballafaqohej me po atë botë për ta.
Mendjemadhësia është tipar i atyre që kanë qenë askushi e që brenda natës janë bërë dikushi. Të tillë ka sot plot, sidomos në pushtet. Pikërisht këta janë kritikët më të mëdhenj të Albinit dhe të Lëvizjes Vetëvendosje! sepse Vetëvendosja është e vërteta që e zbulon edhe vogëlsinë e tyre.
Albini është dalluar gjithmonë. I mençur, me njohuri të gjerë, i mirinformuar, i sigurt në veprime, i guximshëm, me pasuri të brendshme të pashterrshme, i njerëzishëm, dinjitoz e krenar – tipare këto që pasqyrohen në qëndrimin e tij, madje edhe kur i bëhet padrejtësia më e madhe: kur privohet nga liria.
Flitet se do t'i jepen deri në tetë vjet burgim, plus dy të tjerë që ia mori Serbia. Pra, gjithsej dhjetë vjet jete do t'i shkulen padrejtësisht një të riu, të vetmet ‘mëkate’ të të cilit janë sinqeriteti dhe guximi për të ngritur kokën dhe për të folur hapur kundër padrejtësive, korrupsionit, gënjeshtrave e mashtrimeve që popullit iu servirën të maskuara nga ata, të cilët e keqpërdorën pa turp e ndërgjegje votën e tij dhe besimin e dhënë.
Albini asnjëherë nuk ka qenë kundër bashkëjetesës, por vetëm kundër ndikimit të mëtutjeshëm të Serbisë mbi ne.
Akuza se Albini gjoja i paska rrezikuar ndërkombëtarët është farsë që nuk qëndron. Ndërkombëtarët e kanë kërcënuar vetveten me veprimet e tyre që po e shkelin vullnetin e këtij populli. Ata jetojnë në paranojë se do të sulmohen nga diçka që ekziston vetëm në kokat e tyre. Janë rrethuar me mburoja betoni e tela gjemborë, mirëpo përveç selive të UNMIK-ut që të lënë përshtypjen e një zone rreziku, asgjë tjetër nuk sinjalizon ndonjë rrezik.
Kur Vetëvendojsa simbolikisht rrënoi disa nga këto rrethoja u akuzua rrejshëm se ka pasur për qëllim të futet me dhunë në selinë e UNMIK-ut.
Dhe tani përsëri, në protestën e fundit, kur ata të Vetëvendosjes vetëm deshën simbolikisht të hedhin ngjyrë të kuqe mbi veturat e pushtetarëve -- simbole të luksit që po ua zë frymën -- u akuzuan se kinse paskan pasur për qëllim të futen në objektet e qeverisë.
Albini është mbështetur gjithmonë në fakte dhe ka qenë çdo herë transparent.
Shtrohet pyetja: pse të tjerët, ata të cilët ai i kritikon, nuk mund t'i kundërvihen në mënyrë po aq transparente dhe me fakte?
Në opinion shpesh provohet të krijohet bindja e gabuar se Vetëvendosja gjoja manipulon me rininë. Kjo është një goditje e ulët dhe e turpshme.
Albini me Vetëvendosjen i ka mbledhur të rinjtë, por jo vetëm ata. I ka bashkuar nën një vizion, u ka dhënë shembull, i ka bërë të ndihen të vlefshëm, i ka larguar nga rruga ku do t’i prisnin droga e alkooli dhe i ka angazhuar për të mirën e vendit, ka ndarë me ta përvojën dhe njohuritë e tij dhe kështu, shkallë-shkallë, e ka shndërruar selinë e lëvizjes në shkollë.
Albini është entuziast e entuziazmi është ngjitës. Prandaj, ai ka fituar lehtë zemrat e të rinjve, por jo vetëm të tyre...
Albini sot paraqet të vetmen opozitë të shëndoshë në Kosovë. Ai nuk ka frikë të flasë kundër padrejtësive. Vizioni i tij mbase mund të jetë shumë i përsosur për botën e sotme të gjymtuar nga dinakëritë politike dhe akrobacionet e ndyra për përfitime më të mëdha.
Albin Kurti ka një ideal dhe synon zgjidhjen më fatlume për ne, për fqinjtë tanë, si dhe për vet bashkësinë ndërkombëtare, sepse nëse neve na bëhet një padrejtësi tani, në të ardhmen çmimin e këtij gabimi do ta paguajmë të gjithë. Pikërisht këtë e thotë Vetëvendosja dhe ky s' është kurrfarë kërcënimi. Është vetëm një parandalim.
Albini është një djalë i veçantë i yni, të cilin shpesh mendoj se nuk e kemi merituar, sepse nuk po tregohemi të denjë për sakrificën që ai ka bërë dhe po bën për këtë vend.
Ai u shkakton dhembje atyre që duan ta shkelin sepse kurrë nuk mund të jenë si ai. Njerëz si Albini lindin, nuk krijohen.
Albinit nuk ka nevojë për restorante të shtrenjta, vetura luksoze, shtëpi shumëkatëshe me pishinë e rroba qindra eurosh për t’u dalluar. Të gjitha këto mund të blihen duke e plaçkitur popullin, siç po vepron fatkeqësisht kjo qeveri e Kosovës. Por, mendja e shpirti i tij, pasuria e brendshme, kapaciteti intelektual, ndjeshmëria, njerëzia, guximi e vetëmohimi nuk mund të blihen. Pikërisht për këtë duan t’ia marrin me dredhi, tinëzisht e padrejtësisht.
Pushtetarët, me ndihmën e mediave-vegla, janë orvatur ta paraqesin herë si palaço nëpër emisionet humoristike përmes mahive pa kripë, herë si 'revolucionar anarkist' nëpër debate të cekëta që kanë dëshmuar qartë se ata ose nuk e kuptojnë filozofinë e lëvizjes, ose përpiqen t’ia rrënojnë autoritetin për t'i shpëtuar pozitat e veta.
Një djalë i ri i kundërvihet tërë një sistemi. Arma e tij e vetme është e vërteta. Të tjerët e kanë krejt forcën dhe prapë i frikësohen.
Të paaftë për ta mundur në një lojë fer, ata vënë në përdorim llojlloj mekanizmash kundër tij, duke përfshirë përfrikësimin, për të ndrydhur këdo që do të guxonte të fliste drejt për të.
Albini nuk blihet as nuk shitet. Ai është vlera më e madhe e këtij populli dhe unë lutem që për këtë të vetëdijësohemi sa s'është bërë vonë.
Në fillim, kur u themelua Kosova Action Network (KAN), rrjeti që i parapriu Vetëvendosjes, Albini më ftoi të merrja pjesë në konferencën që do ta shpallte atë publikisht. Në program ishin paraparë edhe vizitat nëpër enklavat e izoluara serbe dhe në Mitrovicën e veriut.
Këtë nismë Albini e ndërmori shumë kohë para marketingut të përbashkët politik të qeverisë e të bashkësisë ndërkombëtare mbi “Lirinë e lëvizjes dhe bashkëjetesën” që vite më vonë 'u patentua' në standardet e famshme.
Ne, pjesëmarrës të konferencës, shumica të rinj, në krye me Albinin, vumë kontakt me serbët e izoluar si njerëzit me njerëz. Pa salltanete, pa përcjellje të policisë, pa përcjellje të mediave, por thjesht, miqësisht e sinqerisht.
Ne nuk u manipuluam. Përkundrazi. Shkuam me vullnetin tonë, e kapërcyem urrejtjen dhe mësuam se në anën tjetër fle një ndjenjë shumë e çmuar dhe fatkeqësisht gjithnjë më e rrallë: ajo e njerëzisë, e humanitetit dhe e mirëkuptimit. Ajo që njerëzit i bën njerëz.
Ardhja jonë në njërën nga enklavat më të izoluara serbe në afërsi të Pejës, në Gorazhdevc, i befasoi banorët që nuk ishin mësuar t'i vizitonin, aq më pak njerëz të rëndomtë, civilë, shqiptarë, të cilët, thjesht dhe miqësisht, ua zgjatën dorën dhe kërkuan që së bashku të pijnë dicka dhe të këmbejnë ca fjalë.
S'mund t'u besonin syve, u mallëngjyen, u prekën, u gëzuan të gjithë përnjëherë.
Koha që kaluam aty ka qenë mrekullia më e madhe që kam përjetuar. Për herë të parë koha pothuajse u ndal. Lufta, armiqësia, urrejtja, dallimet mes nesh u tretën. Me rëndësi ishte vetëm ai moment: momenti kur të rinjtë shqiptarë dhe serbë po e shkruanin një histori të re.
Albini iu afrua atyre pa paragjykime dhe sinqerisht, siç vepron gjithmonë. Ashtu vepruam edhe ne të tjerët dhe kjo nuk mund të mos përfillej. Disave iu rodhën lotët. Derisa pinim së bashku në një lokal që e hapën apostafat për ne (na kishte zënë nata atje) më kujtohet, si sot, kur Albinit iu drejtuan me fjalët: "Ako se ti budes kandidovao za predsednika, svi cemo glasati za tebe" (Po u kandidove për kryetar, të gjithë do të votojmë për ty).
Çfarë mund të shtoj më shumë?!
Nëse Albini i merret këtij populli, kjo do të jetë padrejtësia më e madhe ndaj nesh, madje edhe nëse dikush prej nesh tash për tash nuk është i vetëdijshëm për këtë ose nuk do të dëshironte t’ia pranonte këtë vetes kurrë.
Dënimi i tij do ta dëmtonte pakthyeshëm sistemin e drejtësisë.
Dihet se edhe në kohën e luftërave botërore njerëz me aftësi të rralla janë kursyer dhe janë shfrytëzuar për të mirën e njerëzimit madje edhe nëse kanë qenë nga radhët e armikut.
Si mund të dënohet, madje padrejtësisht, një i ri shembullor në një sistem demokratik?
Unë do ta kisha dhënë në çdo moment me krenari e pa kursyer jetën time për të tijën. Me mua nuk humb shumë as Kosova, as bota.
Humbja e Albinit do të ishte humbje për të gjithë: do të përdhosej ideali për një botë tjetërqysh.
No comments:
Post a Comment