Brenda Partisë Demokratike kanë nisur procedurat për shkarkimin e Enkelejd Alibeajt nga drejtimi i Grupit Parlamentar.
Sipas burimeve brenda PDsë, mësohet se janë mbledhur mbi 20 firma, ndërsa Ervin Salianji është kandidatura potenciale për ta zëvendësuar atë. Por, teksa Alibeaj po kërkon të largojë kundërshtarët nga Grupi Parlamentar, deputetët kanë nisur procedurat për shkarkimin e tij. Ervin Salianji ka mbledhur mbi 20 firma të nevojshme për ta larguar Alibeajn dhe për të marrë drejtimin e grupit.
Nga kritikët e tij, largimi i Enkelejd Alibeaj shihet si një tjetër hap drejt bashkimit të Partisë Demokratike. Alibeaj nuk njihet si kryetar i grupit nga Partia e drejtuar nga Berisha, por ky atribut i njihet nga Parlamenti, çka ka shkaktuar shpesh debate në seancat parlamentare. Por, tashmë pozitat e Enkelejd Alibeaj si kryetar grupi këtë sesion të ri parlamentar janë lëkundur ndjeshëm nga një vit më parë. Revolta për shkarkimin e tij ka nisur nga brenda grupit demokrat. Përjashtimi i 4 deputetëve që zyrtarisht u argumentua nga Enkelejd Alibeaj se nuk reflektuan për dhunën ndaj selisë blu 8 janarin e vitit të kaluar, është një vendim që vjen pasi Ervin Salianji nisi mbledhjen e firmave për ta shkarkuar dhe për të marrë vetë ai drejtimin e Grupit Parlamentar të PD-së.
“Sot, më datë 10.01.2023, ka përfunduar afati 1-vjeçar për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike të deputetëve të pezulluar Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këlliçi dhe Agron Shehaj. Në mungesë të aktit të distancimit, nga sot hyn në fuqi masa e largimit zyrtarisht të tyre nga Grupi Parlamentar”, njoftoi zyra e shtypit e Enkelejd Alibeaj. Por, përjashtimet e Alibeajt ndryshuan betejën e numrave në grupin kuvendor demokrat, tashmë Salianjit nga 21 firma, i duhen 18 për të marrë kryesimin e grupit. Pasi të grumbullohen nënshkrimet e nevojshme, topi kalon në fushën e kryetares se Kuvendit Lindita Nikolla, e cila duhet të marrë një vendim për betejën e re te demokrateve ne Kuvend, pasi mbi tryezën e saj ajo ka jo vetëm shkresën e Enkelejd Alibiaj mbi konfigurimin e grupit kuvendor demokrat por duhet te shprehet edhe për kërkesën e Ervin Salianjit qe gëzon mbështetjen e 21 deputeteve për të qenë kryetari i ri i grupit parlamentar.
Vendimi i Enkelejd Alibeajt për të përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike 4 deputetët: Oerd Bylykbashi, Tritan Shehu, Belind Këlliçi dhe Agron Shehaj ka përçarë më tej grupimin e drejtuar prej tij. Në grupin mbështetës të kryetarit Berisha, vendimi i Alibeajt shihet si shërbim ndaj Kryeministrit Rama. Kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka, e quan një vendim të turpshëm teksa për Enkeljd Alibeajn shprehet se është mungesë dinjiteti. Sipas tij, ky akt “çorri” maskën e Alibeajt dhe tregoi se po bashkëpunon me Edi Ramën. Ferdinand Xhaferaj, i cili nuk është deklaruar si mbështetës i Berishës, shprehet se vendimi për përjashtimin e 4 deputetëve është një maskarade. Situata brenda partisë duket se ka “trembur” edhe prurjet e reja në PD! Petrit Doda, i cili zëvendësoi Alfred Rushajn në Kuvend u regjistrua si deputet i Pavarur dhe jo si deputet i Grupit Parlamentar të PD-së.
VENDIMI PËR DEMOKRATËT
Pasi të grumbullohen nënshkrimet e nevojshme, topi kalon në fushën e kryetares se Kuvendit Nikolla, e cila duhet të marrë një vendim për betejën e re të demokratëve në Kuvend, pasi mbi tryezën e saj ajo ka jo vetëm shkresën e Alibeaj mbi konfigurimin e grupit kuvendor demokrat, por duhet te shprehet edhe për kërkesën e Salianjit që gëzon mbështetjen e 21 deputetëve.
PËRJASHTIMET, BAÇI: VEPRIM I TURPSHËM
Deputeti i PD-së, Luan Baçi, i konsideroi përjashtimet nga Grupi Parlamentar i PD-së të turpshme. Sipas tij, ky vendim i Alibeajt tregon se ku e kanë katandisur veten ai dhe ish-kryedemokrati Lulzim Basha. “Vendimi i Alibeajt ishte i pritshëm. Duke parë fundin e tij të turpshëm, unë ja kam thënë që fundi do të jetë i turpshëm. Kishte një votë plebishitare për doktorin si kryetar. Dhe më skeptikët e besojnë se Alibeaj bën lojën e Bashës dhe të dy marrin urdhra nga Edi Rama. Gjykata nuk është e pavarur, sepse do të kishte marrë menjëherë vendimin dhe nuk do mbahej peng në Apel. Çdo veprim bëhet i orkestruar nga Edi Rama, që të mos hyjë në zgjedhje e bashkuar, por të krijojë opozitën false, duke gjetur një delirant më të madh se Basha. Në Gjykatë vijon të figurojë si kryetar”, u shpreh Baçi.
Përjashtimi i kolegëve, Xhaferri: Maskaradë që dobëson opozitën
Ferdinand Xhaferri e deklaroi firmën publikisht, pavarësisht rezervave që ka ndaj Sali Berishës. “Unë kam firmosur dhe do të vazhdoj të firmos çdo kërkesë që fuqizon opozitën dhe do të qëndroj kundër regjimit”, deklaroi Xhaferri. Deputeti demokrat e cilësoi maskaradë që dobëson opozitën përjashtimin e kolegëve. “Katër deputetët që janë përjashtuar janë kolegë të respektuar që i rrinë shumë mirë kostumi i deputetit opozitar. Lidhur me kolegjialitetin e vendimmarrjes.
Unë jam njohur nëpërmjet medias dhe kjo flet shumë për dimensionin demokratik që ka pasur procesi i vendimmarrjes. Unë si deputet i opozitës jam marrë dhe do të vazhdoj të merrem me qeverinë. Ditën që Edi Rama afron Agron Çelën, opozita largon Agron Shehajn. Unë kam qëndruar dhe do të qëndroj. Kam firmosur dhe do të firmos çfarëdolloj kërkese që ka si qëllim fuqizimin e opozitës. Jemi përballë një regjimi dhe vetëm ata që janë pjesë e regjimit apo bashkëpunojmë me regjimin nuk mund ta kuptojnë këtë. Unë kam qenë një nga bashkëpunëtorët e afërt të zotit Berisha dhe gjatë kohës së qeverisjes së tij me kemi një hipotekë pozitive të atyre gjërave që u bënë për Shqipërinë. Duke menduar që përjashtimi i 4 deputetëve është një maskaradë që dëmton opozitën, për këtë kisha dhe këtë qëndrim”, deklaroi z. Xhaferri.
DODA REGJISTROHET SI DEPUTET I PAVARUR
Petrit Doda që zëvendësoi Alfred Rushajn në Kuvend pasi ky i fundit la mandatin, ka vendosur të regjistrohet si deputet i pavarur në Kuvend. Doda është distancuar nga dy grupimet brenda PD-së, nga i Alibeajt dhe “Rithemelimit”, duke dalë deputet i pavarur. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, Doda mori 5987 vota dhe ishte pas emrit të Alfred Rushajt, duke zënë vendin e tij më 12 dhjetor pas lënies së mandatit. Vendimi i tij vjen një ditë pasi Alibeaj përjashtoi nga grupi parlamentar i PD-së 4 deputetë të tjerë, që janë mbështetës të Sali Berishës, Tritan Shehun, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçin dhe Agron Shehajn.