2023-01-11

Krimet serbo-sllave në Deçan

Një libër si dëshmi për “Krimet serbe në Kosovë (Rasti i Deçanit)”, i autorit, Adem Lushaj Lufta është fshesa më e pamëshirë për njerëzimin! Kanë kaluar më shumë se dy dekada nga Lufta në Kosovë, populli që ka kaluar rrugës së këtij tmerri, në mbamendjen e tij, ende i ka të freskëta vrragët e kujtimeve të trishta të saj. Këtë më së miri e tregon libri “Krimet serbe në Kosovë (Rasti i Deçanit)”, i autorit, Adem Lushaj. Autori në këtë libër, me një kujdes të veçantë ka përfshirë mbi 200 dëshmi, të cilat janë marrë drejtpërdrejtë nga qytetarët, menjëherë pas përfundimit të luftës. Dëshmitë e paraqitura në këtë libër, janë të periudhës kohore janar-qershor 1999. Kur ta lexoni tekstin, do ta kuptoni pse autori e ka parë të ngutshme që t’i bëjë sa më parë të ditura krimet e kësaj periudhe kohore për opinionin, sidomos atë ndërkombëtar. Ju mund të pyesni, pse autori bëri kapërcimin e periudhës kohore të luftës 1998? Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta gjeni të dokumentuar në librin pasardhës të tij! Libri “Krimet serbe në Kosovë (Rasti i Deçanit)”, është një libër i llojit të veçantë, në të cilin është derdhur ndjenja e thellë e dhimbjes, revoltës dhe frikës së tmerrit nga banorët e komunës së Deçani dhe të Junikut. Autori i librit i cili ka kompetencë publicistike, përvojë dhe njohuri të veçanta për ngjarjet e publikuara dhe njëkohësisht si akterë i hulumtimit të krimeve së bashku me vendorë dhe ndërkombëtarë, ka pasqyruar saktë krimet serbe në komunën e Deçanit. Hartuesii kësaj vepre me vlerë për kujtesën tonë historike, ka dhënë dëshmi të shumta për krimet e ndodhura në shumë fshatra të Komunës së Deçanit, si në: Irzniq, Beleg, Drenoc, Strellc, Dubovik, Isniq, Broliq, Llukë, Kodrali, Shaptej, Dubravë, Lloçan, Maznik, Ratish, Prapaçan, Dashinoc, Lumbardh, Prekolluk, Junik, Pobergj, etj. Secila dëshmi ngërthen në vete një histori tmerri të një lufte krejtësisht të pabarabartë dhe të padrejtë. Duke e lexuar këtë libër, ata që e kanë përjetuar luftën, kujtesa e tyre do të kthehet në retrospektivë, edhe më e gjallëruar se në vet kohën e përjetimeve të saj. Ndërsa, gjenerata e pasluftës, në momentin kur të mishërohen me këto rrëfime, kthjelltësia e pikëpamjeve të tyre do të jetë më e qartë për vendin. Perceptimi i tyre për rrugën e gjatë e të mundimshme, me plotë sakrifica për liri, do të jetë më i pranueshëm, më i kuptueshëm, kurse përpjekjet e tyre për shtet ndërtim, do të bëhen më të mëdha. Në kapitujt e librit ka prezantuar në mënyrë të dokumentuar dhe argumentuar dëshmitë e dhëna për plaçkitjet, shkatërrimet e shtëpive, torturimet, plagosjet, burgosjet, vrasjet e deri te dhunimet. Autori flet për periudhën kohore, kur në Kosovë ishin të vendosura trupa civile të misionit ndërkombëtar, trupa që do të mbikëqyrnin në kuadër të marrëveshjes Holdbrook-Millosheviç, gjë që edhe pas kësaj, krimet serbe nuk kishin të ndalur. Përmes këtyre dëshmive, autori na tregon se sa më afër përfundimi i luftës, krimet mbi popullatën e Komunës së Deçanit bëheshin më të mëdha, po ashtu edhe shpërngulja në mënyrën më masive. Pas masakrës në fshatin në Irzniq, ku u vranë shtatë qytetarë në shtëpitë e tyre, kulmi i masakrave në këtë komunë ndodhi në fshatin Beleg, ku përveç vrasjeve, masakrimeve, djegie të kufomave, kishte filluar edhe deportimi i dhunshëm i qytetarëve të këtushëm dhe tërë komunës së Deçanit. Kjo masakër nuk ishte ushtruar vetëm ndaj banorëve të atyshëm, ngase pjesë e këtij gjenocidi ishin edhe shumë banorë ta fshatrave përreth të strehuar në fshatin Beleg, si: Dranoci, Carrabregu, Hulaj, Sllupi, Gllogjani, Irzniqi, Hereqi, Loxha, e vende të tjera. Pos vrasjeve, edhe sot e kësaj dite kanë mbetur dhjetëra qytetarë ende të pagjetur, familjarët e të cilëve presin me ankth zbardhjen e fatit të tyre. Masakra të tilla ndodhën edhe në Dubravë, Shaptej, Gramaçel, Kodrali, sikurse edhe shumë vrasje makabre gjatë largimit të shqiptarëve nga trojet e tyre. Po ashtu, një pjesë e madhe e qytetarëve të kësaj komune u vranë edhe në Masakrën e Mejës, në territorin e Bjeshkëve të Nemuna, sikurse që nuk ishin kursyer vrasjet dhe dhuna gjatë deportimeve të dhunshme drejtë Shqipërisë. Në këtë libër, pos deklaratave të dëshmitarëve, teksti është i pasur edhe me shumë fotografi, te cilat faktojnë krimet e kryera në Komunën e Deçanit.

---------------------------------------------------------------

8 maj 1999
Vriten 8 qytetarë të Istogut
Gjatë largimit për në Shqipëri, pikërisht në fshatin CarrabregDeçanit, kriminelët serb i kishin vrarë 8 banorë të fshatit Kashicë, Komuna e Istogut.
Imer Nurçaj, Arif Nurçaj, Nexhmedin Nurçaj, Maxhun Nurçaj, Xhavit Nurçaj, Halil Nurçaj, Xhevat Shabanaj dhe Muharrem Turkaj, ishin ndaluar nga persona të maskuar, e të njëjtit i kishin shkrepur armët e tyre mbi ta, duke i ekzekutuar në prani të familjarëve.
Njëri nga dëshmitarët e këtij krimi ishte Ibrahim (Ali) Lushaj, i lindur më 15 korrik 1961 në Shaptej, Komuna e Deçanit, i cili kishte qenë pjesë e karvanit të ardhur nga Istogu, për në drejtim të Shqipërisë.
"Më 8 maj 1999, gjatë udhëtimit tonë për në Shqipëri, kemi kaluar nëpër Deçan, në drejtim të Gjakovës. Më të mbërritur në Carrabreg, jemi ndaluar nga forca të ndryshme serbe, ku pos që plaçkitnin çdo gjë me vlerë, i ndalën edhe 8 udhëtarë, ku njërin e njoha që ishte Maxhun Nurçaj, me babanë dhe vëllain e tij", -ka thënë Ibrahimi në dëshminë e tij
__________________________________________
(Pjesë e shkëputur nga libri "Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit").

Dëshmi për krimet serbe të kryera në Deçan

Arrestime, maltertime, vrasje


(Pjesë e shkëputur nga libri "Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit"!)

MSc. Adem Lushaj

Trupat civile ndërkombëtare, nuk kishin qenë pengesë për ndërmarrjen e ofensives serbe ndaj fshatrave Gllogjan, Shaptej, Dubravë dhe Gramaqel, më 17 dhjetor 1998.

Banorët e këtyre fshatrave ishin detyruar të gjejnë strehim në fshatrat dhe qytetin e Gjakovës.

Pas tri ditësh, popullata ishte kthyer, ngase kishte reaguar bashkësia ndërkombëtare. Gjatë kësaj ofensive ishin vrarë dy të rinj nga Gjakova, të cilit nuk i kishin mbushur as 18 vite.

Gjatë kësaj ofensive kishte shumë të arrestuar dhe të maltertuar. Njëri nga ta ishte Ali (Rrustem) Sadrijaj, i lindur më 25 mars 1962, në Dubravë të Deçanit.

“Ishte 17 dhjetori i vitit 1998. Forcat serbe ndërmorën një ofesnivë ndaj fshatrave Gllogjan, Shaptej, Gramaqel dhe Dubravë. Kishim mësy rrugën për në Gjakovë, me qëllim të shmangies së të keqes që e prisnim nga ta.

Në ikje e sipër, sapo mbërritëm në Gramaqel, erdhën automjete me forca serbe, ku na morën 18 persona. Fillimisht na mbështeten për muri, duke na thënë se do të hakmerremi 3 me 1, pasi që (sipas tyre), dikush i kishte vrarë disa serb.

Njëri nga policët tha se këta do i vrasim diku tjetër, gjë që na hipën në një kamion duke na goditur me shkelma dhe me çkado që kishin në dorë. Pasi hipëm në kamion, na dërguan në SPB (Sekretariati i Punëve të Brendshme) në Gjakovë. Aty u shtuan maltertimet fizike dhe psikike.

Në çdo dy orë na merrnin në pyetje dhe na maltretonin. Dikur, me ndërhyrjen ndërkombëtare na liruan”, - ka deklaruar Aliu në dëshminë e dhënë më 19 gusht 1999.

Njëjtin fat e kishte përjetuar edhe Bajram (Halil) Selfijaj, i lindur me 24 korrik 1950 në Gramaqel. Në dëshminë e dhënë më 5 gusht 1999, Halili ka rrëfyer:

“Më 17 dhjetor 1998, gjendesha në shtëpinë time së bashku me familjen. Papritmas na vjen lajmi se kanë hy në fshatin tonë, forca të shumta serbe. Të gjithë e morëm rrugën e largimit nga fshati. Mirëpo, nuk mujtëm të iknim ngase na zunë forcat serbe.

Na urdhëruan që burrat të ndaheshim nga gratë. Pasi që na ndanë, na hypen në kamionë dhe na dërguan në stacionin e policisë në Gjakovë. Na pyetën për vdekjen e disa paramilitarëve, për të cilët as që kishim dëgjuar ndonjëherë. Askush nuk kishte përgjigje.

Të irrituar nga heshtja jonë, na rrahën me shkopinj gome dhe shufra hekuri. Na mbajtën atje deri në mesnatë duke na torturuar në çdo mënyrë të mundshme. Në mesnatë, na liruan. Me gjasë ndikuan zyrtarët e OSBE-së që të na lirojnë dhe të na shpëtojmë nga duart e tyre”.

Hazir (Latif) Kasumaj, i lindur me 16 nëntor 1960 në Gramaçel, ka treguar për barbarizmin serbo-sllavë që e kishte përjetuar së bashku me të vëllain dhe disa banorë tjerë të Gramaçelit.

“Më 17 dhjetor 1998, derisa situata po bëhej gjithnjë e më e rrezikshme, unë isha konsultuar me zyrën lokale të OSCE, ku zyrtarët ndërkombëtarë na sygjeruan që të mos largoheshim nga shtëpia, për asnjë mënyrë.

Këtë ditë, në shtëpinë time erdhën policë, ushtarë dhe paramilitarë serbë, dhe me pyetën: "Ku është Amerika"? Më morën bashkë me të vëllain, Musën dhe disa bashkëvendës, Bajram Selfijaj, Gani Selfiaj dhe Driton Vishaj, duke na dërguan në Hereq. Aty na rreshtuan dhe na mbështetën për një muri, me qëllim të ekzekutimit.

Por, fati ynë ishte kur njëri nga përgjegjësit kërkoj që të na dërgojnë në zyrën e SPB në Gjakovë. Në SPB të Gjakovës, na torturuan për 24 orë.

Autorë të kësaj dhune ishin, Dragosllav Stojanoviç nga Dubrava, Rada Radullovic nga Ratishi, një boshnjak me mbiemrin Gjevriq, si dhe disa mercenarë rusë”- ka thënë Hazir Kasumaj në dëshminë e dhënë më 9 gusht 1999.

Torturës së egër serbo-sllave nuk i kishte shpëtuar as Smajl (Rexhep) Mushkolaj, i lindur me 6 korrik 1955 nga Gramaçeli.

Smajli kishte bërë përpjekje që të largohet sa më shpejtë në drejtim të Gjakovës, por nuk kishte arritur që t’u shmanget forcave të shumta që kishin mësye fshatin e tij.

“Më 17 dhjetor të vitit 1998, unë dhe disa bashkëfshatarë, u larguam nga fshati nga frika e sulmeve të njëpasnjëshme të forcave serbe.

Ishim duke udhëtuar me traktor, kur në fshatin Dujak të komunës së Gjakovës, na ndalën serbët, duke na ndarë nga familjet tona. Na rreshtuan dhe mbështetën për një muri. Na kërcënuan se do na vrisnin, por njëherë na rrahën brutalisht.

Më pas na futën në një kamion dhe na dërguan në SPB të Gjakovës. Aty na mbajtën deri në ora 22.30. Pos meje, torturat e egra serbe i kishin përjetuar edhe Bajram Sejfijaj, Zenun Sejfijaj, Gani Sejfijaj, Dritan Sejfijaj, Lanë Mataj, Brahë Beqiraj dhe Ali Sadrijaj”- ka treguar Smajli në dëshminë e dhënë më 9 gusht 1999. 


Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...