Flori Bruqi:Homazh veprës së Fan S.Nolit tonë të Madh
Në kohën e “gjuetisë së shtrigave” të Makartit, kritiku Minar akuzoi pa baza patriotin shqiptar si komunist Jorgaqi: Noli ishte një demokrat i majtë, por kurrë komunist
Kohë më parë gazeta “Integrimi” botoi një polemikë të njohësit e studiuesit të mirënjohur të Nolit, prof. Nasho Jorgaqit, mbi botimin e veprës së Peter Minarit, një kritiku të veprës së eruditit shqiptar. Në numrin e kaluar profesor Jorgaqi hedh idenë se mbi figurën e Nolit ka nisur një luftë e paprinciptë, nga e cila nuk arrin në asnjë përfundim të saktë. Në vazhdim gazeta po boton akuzat politike që i bëheshin Nolit në librin e Minarit “Për Shqipërinë”, botuar më 1999, akuzat e pabaza, si dhe çfarë e nxiti autorin shqiptaro-amerikan të shkruajë një studim negativ mbi veprimtarinë politiko-kulturore të Nolit.
Nuk ka dyshim, thotë prof. Nasho Jorgaqi, se Noli ishte dhe mbeti tërë jetën një demokrat i majtë, por asnjëherë nuk qe komunist. Të qenurit i majtë nuk e pengoi asnjëherë përkushtimin e tij si atdhetar, përkundrazi, demokratizimi i Shqipërisë ishte ideali i tij i përjetshëm. Në qoftë se pati simpati dhe e përshëndeti LANÇ-in dhe reformat që varrosën feudalizmin pas lufte në Shqipëri, kjo nuk do të thotë se ishte komunist. Këtë nuk do t'ia falë Nolit, zoti Minar; kjo është e drejta e tij, por pandershmëria e Minarit shfaqet qartazi kur ai fillon të trillojë, kur shpif pa prova të dokumentuara. Ai e akuzon Nolin se kur është kthyer në SHBA, në vitet 30, është vënë në shërbim të konsullit italian në Boston. Ka marrë dhe parà, me kusht që të heshtë për politikën italiane në Shqipëri. Një pohim i tillë nuk është veçse një shpifje nga më të ulëtat e më absurdet, po ta njohësh nga afër jetën dhe veprimtarinë e Nolit atdhetar e demokrat.
Noli, udhëheqës antifashist evropian
Si është e mundur të thuhet kjo gjë, kur Noli ka qenë një nga udhëheqësit e lëvizjes antifashiste evropiane, në krah të A. Ajnshtajnit e të H. Barbysit, me të cilët kishte drejtuar dy kongreset botërore kundër fashizmit dhe kishte shkruar një mal me publicistikë antifashiste? Si është e mundur, pra, që një antifashist i këtyre përmasave të dorëzohej para një konsulli fashist për një grusht parà? Edhe më e ulët është shpifja tjetër e Minarit, kur e akuzon atë se ka qëndruar pasiv në ditët e para të pushtimit fashist të Shqipërisë. Dhe kush? Noli që pushtimin e atdheut të tij nga fashizmi e kishte parashikuar në mënyrë profetike, që dhjetë vjet përpara, me sa e sa artikuj e thirrje publike! E vërteta është se Noli u trondit aq shumë nga pushtimi i Shqipërisë, sa vendosi të rikthehet menjëherë në politikë. Më 8 prill 1939 ai i dërgoi një telegram proteste Lidhjes së Kombeve dhe qeverive amerikane, franceze e angleze. Pa u shpërndarë në dokumente dhe faktet të tjera, mjafton të përmendim fjalën që mbajti Noli fill pas pushtimit në kishën e Shëngjergjit, në Boston, ku lavdëron qëndrimin e shqiptarëve kundër fashistëve që "i treguan botës se italianët hynë në Shqipëri me forcë e duke derdhur gjak".
Noli: Musolini, bretkosë e fryrë
Me këtë rast Noli e përshkruan situatën me nota sarkastike, kur thotë se "Musolini është një bretkosë e fryrë në erë dhe, kur shihet në pasqyrë i duket vetja luan. Por, sikur ta shpojë njeri me gjilpërë, i del era dhe mbetet prapë bretkosë". Tani lind pyetja: Si mund të fliste kështu një rrogëtar i fashizmit, siç e quan zoti Minar, në një kohë kur fashizmi po i vinte zjarrin botës? Është e qartë se fanatizmi politik dhe mllefet e Minarit ndaj Nolit nuk marrin parasysh të vërtetën konkrete në kontekstin historiko-politik të kohës, por e zëvendësojnë atë me sajime banale të neveritshme.
Minar, kundërshtar pa baza i Nolit
Peter Minari njihet si një nga kundërshtarët e vjetër të Nolit, për arsyen se nuk e nderojnë, madje, e vënë në dyshim edhe patriotizmin e tij. Mjafton të përmendim ngjarjen e rëndë që ndodhi në fillim të viteve 50 në komunitetin shqiptar ortodoks të SHBA-së, kur Patriarkana e Stambollit, duke përfituar nga rrethanat famëkeqe të makartizmit, deshi ta hiqte qafe Nolin si kryepeshkop e ta shkatërronte Kishën Ortodokse Shqiptare. Ajo dërgoi për ta zëvëndësuar peshkopin renegat M. Lipe, dhe atëherë të gjithë shqiptarët patriotë u ngritën në këmbë kundër tij. Minari ishte nga të paktët që mori anën e të dërguarit grekoman, dhe këtë e shpalli publikisht. Ai botoi në revistën "Cristian sciece monitor" artikullin "Kryepeshkopi i ri shqiptar" kundër Nolit dhe kishës së kryesuar prej tij. Noli iu përgjigj menjëherë, në të njëjtën revistë, me tone të forta kritike dhe zemërim, duke i quajtur të gjitha sa shkruante Minari "shpifje, akuza false, shtrembërime, akuza gjysmake etj". Minari, jo vetëm që mori anën e peshkopit renegat, duke iu kundërvënë gjithë komunitetit shqiptar, por u përpoq tinëzisht ta minojë pozitën qytetare të Nolit, duke e akuzuar për komunist në kohën e "gjuetisë së shtrigave" të Makartit. E megjithatë, nuk ia arriti qëllimit. Autoriteti dhe emri i çmuar i Nolit do të sfidonin çdo lloj përpjekjeje liliputësh për ta njollosur e denigruar. Minari nuk do t'i harronte këto dhe, sapo filluan proceset demokratike në Shqipëri, tentoi të hakmerret kundër tij, duke dërguar nga përtej Atlantikut përralla diskredituese në adresë të Nolit. Mendoj se nuk ia vlen të zgjatemi më tej, pasi normalisht, Noli nuk ka nevojë për mbrojtje, aq më tepër, kur sulmohet nga njerëz të dyshimtë për patriotizmin e moralin e tyre, aq më tepër kur këta fatkeqë nuk kanë as përgatitjen më elementare për të gjykuar mbi çështjet madhore që ngre trashëgimia e savantit shqiptar.
REAGIMET
Shqiptaro-amerikanët: Noli, figurë pozitive
Shqiptarët e Amerikës, sigurisht, nuk e kanë pritur mirë prej kohësh qëndrimin negativ kritikut Peter Minar ndaj Nolit. Dhe me këtë kihen parasysh rrethet intelektuale e patriotike, për të cilat Noli është shembëlltyrë e atdhetarizmit, e demokratit dhe intelektualit. Këtë qëndrim e pasqyrojnë edhe dy letra të shkruara e të botuara nga dy personalitete. Njëra është e Antoni Athanasit, biznesmen i njohur dhe një figurë qendrore e diasporës shqiptare në SHBA. Tjetra është e zonjës Sarah Panariti, gruaja e gazetarit dhe patriotit Qerim Panariti, ish-profesoreshë në Harvard dhe mikeshë e Nolit.
PIKËPYETJET
Nëse Noli do të ishte gjallë
Nëse vetë Noli do të ishte gjallë, sigurisht që do të dinte më mirë t’i jepte përgjigje shumë pyetjeve e pikëpyetjeve të ngritura rreth aktivitetit të tij politik, e qëndrimit disi të butë ndaj regjimit të Hoxhës apo edhe atij të Zogut në fazën e dytë të tij. Por e gjitha kjo nuk është se e ul rolin dhe vlerën e tij. Kjo, pasi ai përveç të tjerash, ishte i veshur edhe me petkun e njeriut të Perëndisë, gjë e cila e shtynte atë gjithë kohës të ishte i vetëpërmbajtur e besnik i parimeve te të cilat ai kishte mbështetur të gjithë formimin e tij kulturor e fetar. Mbi të gjitha, ai ishte një patriot i vërtetë, një shqiptar i vërtetë në kuptimin më të plotë të kësaj fjale. Megjithëse polemikat për veprën dhe rolin e tij vazhdojnë, e ndoshta do të vazhdojnë sot e kësaj dite, Noli mbeti ashtu siç e njohim të gjithë: Fan Noli mbeti deri në fund të jetës së tij një demokrat i shquar. Ai vdiq më 13 mars 1965 në SHBA, ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij.
2.Kush e akuzon Fan Nolin
Reagime pas botimit të librit “Për Shqipërinë”, të Peter Minar
Në gazetën “Integrimi” keni pasur rastin të lexoni disa pjesë të rëndësishme që lidhen me jetën e veprën e patriotit të madh, publicistit e eruditit të shquar Theofan Stilian Noli. Këto shkrime, siç e kemi theksuar, po botohen në gazetën tonë, si homazh për këtë figurë madhore të popullit tonë, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes. Deri më tani kemi treguar vetëm aspektet e vlerësimet pozitive për këtë figurë, por ndërkohë, dihet gjerësisht se mbi figurën e tij, sidomos pas viteve nëntëdhjetë, ka pasur edhe tentativa për ta përbaltur apo për ta errësuar. Por a janë të vërteta ato që thuhen apo pretendohen për Nolin, dhe a janë bazuar kritikët e tij në fakte apo dokumente konkrete? Nga cilat qëllime janë nisur për ta bërë këtë akt e, mbi të gjitha, a mund ta errësojnë dot përpjekjet e tyre këtë figurë kaq të ndritur?
Ne sot për lexuesin tonë të nderuar po botojmë pjesën e parë të një polemike të bërë disa kohë më parë në një të përditshme shqiptare mbi kritikun e Nolit, Peter Minar, i cili ka botuar edhe një libër në vitin 1999, ku aludon dhe e akuzon Nolin, madje, edhe si hajdut të veprës së Konicës. Shpjegimin e përgjigjen për këtë akt është munduar ta japë profesor Nasho Jorgaqi, i cili nxjerr në fund edhe arsyet e vërteta që e kanë shtyrë këtë njeri të veprojë kështu.
Duke iu referuar, siç thamë më lart, profesor Nasho Jorgaqit, njërit prej njohësve më të mirë të veprimtarisë dhe krijimtarisë së Nolit, Peter Minar e bën këtë për arsye politike dhe shumë personale. Në librin me titull "Për Shqipërinë" Peter Minar e akuzon Nolin si vjedhës të veprës së Konicës. Profesor Jorgaqi thekson se këto mendime nuk janë të reja. Për herë të parë zoti Peter Minar i ka shfaqur ato njëmbëdhjetë vite të shkuara (1994) dhe i ka përsëritur para gjashtë viteve, më 1999. Siç është e natyrshme, ato ngjallën reaksion në opinionin shqiptar. Goditja që i bëhej Nolit ishte një goditje që i bëhej njërës prej shtyllave të kulturës dhe historisë moderne shqiptare. Në të vërtetë, mendimet dhe faktet sensacionale që sillte Minari qenë dhe mbeten më shumë një kronikë thashethemesh e trillimesh dashakeqe sesa një gjykim serioz apo përpjekje e ndershme për ta zbardhur të vërtetën. Edhe pse u bënë në emër të thyerjes së tabuve e të rishikimit objektiv të historisë, ato nuk i shërbyen gjykimit dhe vlerësimit shkencor. Unë dhe kolegë të mi historianë, duke u bërë zëdhënës të shqetësimit të opinionit shqiptar, iu përgjigjëm zotit Minar. Përpara përrallave të tij ne sollëm fakte dhe dokumente të pakundërshtueshme. Megjithatë, ai vazhdoi të shkruajë, duke shpifur, duke falsifikuar, i ndezur nga pasioni politik dhe inate personale. Dhe jo vetëm kaq, por pa u dhënë asnjë përgjigje mendimeve tona dhe, duke mos u hequr asnjë presje shkrimeve të veta, i botoi ato kohët e fundit në librin "Për Shqipërinë". Pra, publikut i serviren rishtazi të njëjtat përralla të mbrapshta.
Peter Minar, Fan Noli e Konica
Zoti Minar, që ka privilegjin të ketë qenë edhe bashkëkohës i Nolit dhe mik i Konicës e që, sidoqoftë, duhet respektuar për moshën, pasi tani i ka kaluar të njëqindat, ka hedhur në publik një varg falsifikimesh nga më monstruozet e më flagrantet që mund të jenë thurur në historinë e kulturës shqiptare për një nga etërit e saj shpirtërorë. Ato paraqiten si akuza ordinere, përmes "rrëfimesh" ordinere, me arsyetime e gjuhë ordinere. Them kështu, sepse kur merr përsipër të gjykosh për vepra kapitale të kulturës sonë kombëtare, jo vetëm që duhet të karakterizohesh nga ndjenja e përgjegjësisë qytetare e atdhetare, por lipset të ruash edhe etikën, si dhe të kesh njëfarë përgatitjeje elementare shkencore. Fatkeqësisht, zotit Minar këto i mungojnë plotësisht. Ai e akuzon Nolin se dy veprat shkencore të jetës së tij, "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" dhe "Bethoveni dhe Revolucioni Francez", ia ka vjedhur Faik Konicës. Për t'i bërë të besueshme akuzat e tij ai nuk merret me shqyrtimin shkencor të këtyre dy veprave, por flet për fakte periferike, duke u marrë me fatin e arkivit të dorëshkrimeve të Konicës, duke përzier në këtë mes edhe gazetarin Qerim Panariti, një nga njerëzit më të afërt të Nolit.
Si qëndron e vërteta
Dihet se me figurën e Skënderbeut janë marrë si Konica ashtu edhe Noli. Konica pati nisur të shkruajë në fillim të shekullit të kaluar një histori popullarizuese për heroin tonë kombëtar, të cilën, si dhe vepra të tjera të tij të gjata, asnjëherë nuk arriti t'i përfundonte. Botoi vetëm kapitujt e parë te "Dielli". Krejt ndryshe qëndron puna me Nolin. Ai botoi një histori të letrarizuar për Skënderbeun që u botua më 1921 dhe që nuk i ngjante fare asaj të mikut të tij. Në vitet që erdhën Konica nuk u mor më me Skënderbeun, kurse për Nolin figura e tij mbeti dashuria dhe pasioni i përjetshëm. Në vitet 30-40 ai iu rikthye seriozisht studimit të Skënderbeut dhe kreu kërkime shkencore, madje, për këtë pati dhe letra të vetë Konicës, me anë të të cilave ai e informon Nolin për vepra të autorëve të huaj mbi Skënderbeun. Studimet e tij në këtë fushë zgjatën disa vjet, dhe fryt i kësaj pune të madhe e cilësore prej shkencëtari të vërtetë është vepra "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", që ai e mbrojti si tezë doktorature (Doctor's Degree), me udhëheqës shkencor prof F. Novak, më 1945. Nga kjo punë kolosale e Nolit i kanë mbetur si dëshmi autentike dorëshkrimet studimore, një pasuri e tërë materialesh, të cilat gjenden në Arkivin e Shtetit. Janë mijëra faqe, konspekte dhe ekstrate nga vepra të studiuara prej tij, të hedhura në dhjetëra blloqe të mëdha, të vjela nga dora e Nolit nga gjuhë të ndryshme, mbi të cilat ai ngriti më pas veprën monumentale. Është kjo një dëshmi e rrallë që pret të njihet e të studiohet e që flet, veç të tjerash, dhe për metodikën e punës shkencore të Nolit historian. Unë kam pasur fatin të njihem me këtë dokumentacion. E vërteta për monografinë tjetër shkencore të Nolit, "Bethoveni dhe Revolucioni Francez", është edhe më transparente. Ajo u shkrua në gjallje të Konicës dhe u mbrojt prej Nolit më 1939 në Universitetin e Bostonit, në degën e Kërkimeve Muzikore, nën udhëheqjen e prof. A. Majerit, me të cilin ai mori gradën "Bachelor's Degree". Pra, kjo vepër u bë publike kur jetonte Konica. Madje, siç ishte e natyrshme, Noli u përgëzua nga miku i tij. Më 1947 të dyja këto monografi, për vlerat e padiskutueshme që kishin, u botuan me rekomandimet e komisioneve shkencore nga "Internacional Univesity Press" në Nju-Jork, me ndihmën financiare të "Vatrës", dhe patën jehonë në shtypin e specializuar dhe në opinionin publik.
A e ka vjedhur Noli, Konicën?!
Por "vjedhjet" e Nolit nga veprat e F. Konicës, sipas Minarit, nuk mbarojnë me kaq. Noli tërë jetën paska bërë emër si njeri i kulturës shqiptare, duke vjedhur e kopjuar tinëz veprat e mikut të vet. Madje, kjo punë paska qenë e hershme. Kështu, del që edhe librin e parë të shërbesave të shenjta e paska përkthyer Konica, "Meqë Noli nuk e fliste shqipen aq mirë!" Por dihet botërisht se librin "Shërbesat e javës së madhe" Noli e përktheu dhe e botoi në Boston më 1908, kurse të dytin, "Libra e shërbesave të shenjta", e përktheu po ai dhe e botoi nën përkujdesjen e Konicës në Bruksel. Për ta Konica do të shkruante me entuziazëm tek "Albania: "Po ç'përkthim, ç'gjuhë e fortë, e lidhur, nervoze dhe e gjallë! Literatura shqipe do të kishte arsye t'i mbante mëri kishës që na vodhi një shkronjë të lindur. Po, për fat të mirë, miku ynë, duke hyrë në kishë, nuk doli nga letrat!"
3.“Ju rrëfej jetën amerikane të Nolit e Konicës”
Barney Kirka, bashkëpunëtor i patriotëve, tregon si u grupuan shqiptarët në fillim të shekullit XX
Noli besonte gjithmonë në barazinë dhe lirinë për të gjithë njerëzit. Ai besonte në barazinë, në kuptimin që askush nuk mund të kishte të drejta mbi një individ tjetër. Kjo nuk do të thotë se nuk do të kishte ndryshime klasore; sigurisht që disa njerëz do të ishin më të pasur, disa më inteligjentë, disa më të aftë se të tjerët; megjithatë të gjithë duhet të kishin mundësi të njëjta. Noli besonte te Krishti, si te profeti më i lartë. Ai kishte shumë humor. I donte fëmijët dhe muzikën, e donte edhe kishën. Ai nuk ishte thjesht anëtar i bashkësisë fetare, por ishte njeriu më i rëndësishëm i saj. Aftësitë e tij intelektuale ishin të mahnitshme. Fliste disa gjuhë, përktheu Shekspirin dhe Dhiatën e Re. Studioi muzikë, e dashuronte muzikën. Politika ishte një tjetër tipar i karakterit të tij. Në 40-vjetorin e vdekjes së patriotit të madh shqiptar, “Integrimi” po publikon një cikël mbi jetën dhe veprimtarinë e eruditit të madh, që jetoi dhe punoi gjatë gjithë jetës së tij për demokratizimin dhe zhvillimin e Shqipërisë. Në këtë numër do të lexoni dëshminë e ish-presidentit të shoqatës Vatra, Barney Kirka. Biznesmeni i madh shqiptaro-amerikan rrëfen se si njohu Nolin dhe Faik Konicën.
Pikësynimi më i madh i Nolit ishte të çlironte popullin shqiptar. Përmes përpjekjesh të palodhura, Noli arriti të siguronte ndihmën e presidentit Woodrow Wilson në çështjen e pavarësisë. Mbasi u takua me të në Uashington, D.C., Wilsoni i tha Nolit se ai kishte vetëm një zë në Konferencën e Paqes në Versajë dhe do ta përdorte në interes të Shqipërisë.
Përplasjet me Zogun
Gjatë vitit 1936 u botua nga Noli libri i parë i korit në gjuhën shqipe (Hymnore). Sikurse edhe peshkop Noli, shumica e shqiptarëve në Amerikë ishin kundër mbretit Zog të Shqipërisë. Noli i kishte vënë atij shumë lloj emrash, sepse Zogu e kishte përzënë nga vendi ditën e Krishtlindjeve të vitit 1924. Megjithatë, kur në vitin 1933 Noli u sëmur, qëndrimi i tij armiqësor ndaj Zogut u zbut. Shqiptarët e Amerikës u fyen, kur Noli u tha se kishte kërkuar dhe kishte marrë nga Zogu 825 dollarë (3 000 franga) për arsye shëndetësore. Më pas Fan Noli bëri kërkesë për një pension, por nuk e mori kurrë. Edhe pse ishte figurë e rëndësishme, Noli nuk bënte veprime që e distanconin nga të tjerët. Në të vërtetë ai donte të ndihmonte popullin e tij, vëllezërit e tij. Noli mësonte shumë, duke dëgjuar të tjerët. Në qoftë se ndonjëri thoshte diçka që Nolit nuk i pëlqente, ai do t\'i mbronte pikëpamjet e veta. Tërhiqej vetëm kur nuk kishte zgjidhje tjetër. Dukej se Noli i kishte gjithmonë përgjigjet gati. Po të mos i pëlqente ajo që dëgjonte, ai do të të thoshte: kaq ishte kjo punë. Ai përpiqej gjithmonë t\'u përgjigjej sa më mirë pyetjeve me ato që dinte; kurrë nuk i mbulonte gjërat. Fakti që nuk ndikohej lehtë nga të tjerët, tregon se nuk kishte frikë t’i mbronte bindjet e tij, madje edhe kur kjo do të thoshte se do t\'i duhej t\'i mbronte i vetëm. Madje, dhe kur njerëzit i largoheshin ose e linin kauzën e tij për një farë kohe, ai i mirëpriste kur ktheheshin prapë. Të gjithë kundërshtarët mirëpriteshin, kur ktheheshin në kishën e Nolit. Ai besonte te ndjesa. Noli nuk u mbante kurrë mëri të tjerëve, edhe kur mund të kishte shumë keqkuptime. Ai vërtet që nuk kishte asgjë kundër njerëzve të veçantë në planin personal, por edhe po të kishte, përpiqej të mos e bënte veten. Megjithatë, politikisht ai e zotëronte opozitën; prandaj njerëzit e respektonin jo vetëm për kompetencën, por madje më shumë për thjeshtësinë e t ij.
Kujtimet e Barney Kirkas
Barney D. Kirka, një i moshuar shumë i respektuar i bashkësisë shqiptare dhe ish-president i shoqërisë Vatra, ka qenë gjithashtu edhe bashkëkohës me Nolin. Zoti Kirka emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1906, në të njëjtin vit me mbërritjen e Fan Nolit nga Egjipti. Kirka kishte kryer tre, nga gjashtë vjet shkollë, në gjimnazin e Korçës. Fan Noli ishte diplomuar në gjimnazin e Adrianopojës. Ky gjimnaz ishte i njëjtë me një kolegj për të rinjtë dhe kushdo që diplomohej në atë shkollë konsiderohej se kishte marrë arsimim shumë të mirë. Kirka tregon më poshtë për Nolin: Fan Noli erdhi në këtë vend nga Egjipti. Thanas Tashko dhe Jani Vruho qenë ata që e kuptuan se Noli ishte njeri shumë inteligjent dhe nacionalist, prandaj edhe i paguan udhëtimin për në Shtetet e Bashkuara. Ata mendonin se këtu ai do të gjente “fushë të hapur”. Fillimisht, Fan Noli shkoi në Jamestown, në Nju-Jork, dhe u mirëprit nga anëtarët e shoqërisë patriotike Malli i Mëmëdheut. Ata e trajtuan shumë mirë. I gjetën punë në një fabrikë lëndësh drusore. Ai punonte natën, kjo qe një punë e përkohshme për Nolin e ri. Ndërkohë, Sotir Peci nga Dardha, një i diplomuar në Universitetin e Athinës, kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara në vitin 1905. Më 1906 ai filloi botimin e gazetës “Kombi”. Më pas Noli erdhi në Boston dhe u bë zëvendësredaktor i “Kombit”. Ai paguhej, me sa mbaj mend, katër ose pesë dollarë në javë. Në fillimet e viteve 1900 kam bashkëpunuar shumë me Nolin. Gjatë kësaj periudhe takohesha me të pothuaje çdo ditë. Posta e Nolit vinte në adresën e dyqanit tim, në 469 Columbus Avenue. Ju do të pyesni përse: ja u them unë. Fan Noli lëvizte shpesh. Në atë kohë ai merrte me qira vetëm një dhomë, zakonisht në një zonë të Bostonit që quhej Copley/Castle Square, prandaj i duhej një adresë e përhershme. Meqenëse dyqani im ishte vend takimi për shumë emigrantë shqiptarë, adresa ime u bë edhe e tij. Dhe mbeti e tillë deri kur, më në fund, ai u vendos në adresën 26 Blagden Street.
PËRSHKRIMI
Noli, trupvogli me intelekt të madh
Noli nuk ishte trupmadh; madje, ishte i shkurtër dhe kishte çehre të vrarë. Një herë, duke e krahasuar veten me Faik Konicën, të gjatë dhe bukurosh, Noli tha: “Unë dukem si Sanço Panço, ndërsa Konica duket si Don Kishoti.” Konica kujdesej gjithmonë për veten dhe vishte zakonisht rroba të çelura. Ai shfaqej shpesh me kostumin shqiptar ‘fustanella’; Noli vishte petkun e errët të klerikut. Megjithatë, po të marrim intelektin si masë për krahasim, Noli e linte Konicën mbrapa. Në përgjigje të librit të Nolit “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, George Bernard Shou i shkruante: “Ju keni ngatërruar vokacionin, kur hytë në Urdhrin e Shenjtë. Ky libri juaj nuk është as lutje e priftit, as hagjiografi [literaturë mbi jetën dhe legjendat e shenjtëve]; është vepra e një kritiku dhe biografi të dorës së parë. E lexova deri në fund me kënaqësinë më të madhe, duke qenë vetë njohës i muzikës, kritik dhe artist-filozof nga profesioni”. Është me pikëpyetje nëse Noli e ka menduar se do të ishte më mirë të qe bërë shkrimtar, sesa prift. Unë mendoj se po të arrish ta kuptosh se shqiptarët në Amerikë përballeshin me nevojën për të kryer pagëzimet, martesat dhe ritet e varrimit, se ishin privuar nga kremtimi i liturgjisë në gjuhën e tyre, në kishën e tyre ortodokse shqiptare, për më shumë se 500 vjet, ndoshta mund të kuptosh edhe pse një patriot shqiptar si Theofan S. Noli ndjeu detyrim të madh ta vinte jetën e vet në shërbim të bashkatdhetarëve.
VITI 1924
Zhgënjimi i madh i Nolit
Unë besoj se zhgënjimin më të madh, thotë Barney Kirka, bashkëkohës dhe bashkëpunëtor i patriotit të madh shqiptar, Noli e ka ndierë kur dështoi në themelimin e shtetit demokratik shqiptar. Kur vdiq, më 1965, Noli nuk kishte fituar…, qëkurse ishin ndërmarrë hapat fillestare më shumë se para pesëdhjetë vjetësh. Unë mendoj se Theofan Stilian Noli ishte, në radhë të parë, nacionalist. Në themel, Fan Noli ishte njeri i ndrojtur. Ai ishte paksa vetmitar. Jetonte vetëm dhe këtu nuk kishte familje. Në jetën personale nuk interesohej për gjërat materiale. Peshkop Noli ishte njeri shumë i respektuar jashtë bashkësisë shqiptare; ai linte përshtypje të mahnitshme.
4.Noli, kur qeshnin e qanin shqip kryeveprat botërore
Portret i personalitetin poliedrik, udhëheqës të lëvizjes demokratike, klerik, shtetar, artist dhe dijetar
Në vazhdim të ciklit “Homazh veprës së Nolit të Madh”, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes, gazeta “Integrimi” po vazhdon sot me pjesën e dytë të këtij dossieri, ku përfshihet një periudhë shumë interesante e veprimtarisë së Nolit e ku ndihet më shumë pjekuri, e ndoshta edhe qetësi e maturi, në krijimtari, publicisitikë, politikë etj. Patriotizmi, edhe gjatë kësaj periudhe, vihet prej tij në plan të parë. Çdo gjë që ai bën ia kushton me shumë zjarr vetëm Shqipërisë e shqiptarizmit.
Në vitin 1937-1938, Fan Noli mbaron konservatorin e muzikës të Nju-Englandit dhe më 1945 merr gradën “Doktor” në Historinë e Lindjes së Afërme dhe të Rusisë, në Universitetin e Bostonit.
Armik i së keqes
Rebel i lindur dhe armik i shtypjes e i padrejtësive, Noli u frymëzua me mësimet dhe parimet e Revolucionit Francez dhe të presidentit amerikan Linkoln, për t’i vënë në jetë në Shqipëri. Noli ka pasur bindjen se kishte lindur e i duhej të luftonte për një Shqipëri të lirë, me kufij të sigurtë, të zhvilluar nga ana ekonomike e kulturore. Ai ishte i dashuruar me Shqipërinë, gjuhën shqipe dhe Skënderbeun. Noli nuk pushoi së menduari kurrë për atdheun e tij, dhe gjithmonë priste rastin që ta shikonte edhe një herë Shqipërinë para se të vdiste. Sa herë që gjente rastin, Noli fliste me dashuri dhe simpati për kombin dhe Shqipërinë e tij. Një aspekt tjetër shumë interesant është fakti se Noli e ngriti, si pakkush tjetër deri në atë kohë, figurën legjendare të shqiptarit, gjallërinë e tij nëpër shekuj. Ai e përshkoi shqiptarin si një luftëtar të paepur dhe të patrembur përmes furtunash dhe stuhish.
Erudit e poliglot
Fan S. Noli, ky atdhetar me ndërgjegje të lartë qytetare politike dhe demokrat i shquar, reformator i kishës, orator, lider politik, kompozitor, i cili luftoi për Shqipërinë larg saj. Një aspekt tjetër i tij ishte mendja shumë e kthjellët dhe aftësia për të zotëruar shumë mirë edhe shumë gjuhë të huaja. Sa për kuriozitet, ai zotëronte rreth 12 gjuhë të huaja, duke bërë të flasin në shqip Shekspiri, Gëte, Hygoi, Ibseni, Servantesi etj. Këto vepra Noli i përktheu në një kohë kur në gjuhën shqipe përkthehej pak, kur kushtet shoqërore dhe politike nuk ishin të përshtatshme. Ai bëri “Don Kishotin” të ëndërrojë shqip, bëri Otellon të zemërohet shqip, bëri Hamletin të pikëllohet shqip. Dr. mitropoliti Fan Stilian Noli do të mbetet në historinë e Shqipërisë si njeriu që ariti i pari, me hir të vullnetit e të hollësisë së tij, ta lexojë zyrtarisht gjuhën shqipe në meshat në kishë. Dita që meshoi për herë të parë është një ogur i bardhë në udhën e përparimit të kombit shqiptar; ne s’e harrojmë, as mund t’i lëmë të tjerët ta harrojnë. Ai ishte shqiptari që foli shqipen më të pastër e të fuqishme, megjithëse vetëm katër vjet qëndroi në atdheun e vet. Noli u bë udhëheqësi shpirtëror i shqiptarëve, arkitekti i madh i përpunimit të fjalës shqipe dhe i mendimit demokratik shqiptar.
Noli si njeri
Në shkrimet dhe kujtimet për Fan Nolin është hedhur dritë përgjithësisht mbi personalitetin e tij poliedrik, duke e zbuluar atë si udhëheqës të lëvizjes kombëtare e demokratike, klerik dhe shtetar, artist dhe dijetar; por pak është bërë për ta njohur si njeri. Edhe pse ai jetoi shumë gjatë, duke qenë edhe protagonist ose pjesëmarrës i shquar në ngjarje që vendosën fatin e Shqipërisë e të shoqërisë shqiptare, edhe pse bashkëpunoi, duke u lidhur me qindra njerëz në atdhe e në diasporë, kujtimet për të merren kryesisht me rolet e tij, që ai luajti, pra kryesisht me figurën e tij historike. Figura e tij si njeri, ose njeriu Nol, gjithmonë ka mbetur në plan të dytë apo është dhënë me informacion të varfër. Në fakt, siç del nga të gjithë ata që e kanë njohur njeriun me personalitet Noli. Emri i tij nderon jo vetëm atdhetarin dhe demokratin, jo vetëm poetin dhe shkrimtarin, jo vetëm një nga etërit e shquar të qytetërimit shqiptar, por edhe njeriun si njeri, njeriun me gërma të mëdha që, pa dyshim, përfaqëson e mishëron më së miri njeriun, dhe nga kjo pikëpamje mbetet një prej shembëlltyrave më të ndritura të botës shqiptare. Atdhedashës dhe humanist, mendje e hapur dhe e ditur, zemërgjerë dhe i guximshëm, punëtor dhe pasionant, sfidues dhe tolerant: këto cilësi e të tjera përbënin mozaikun e tij shpirtëror dhe lartësonin shtatin e tij njerëzor. Sigurisht, ai s’ishte qenie e përkryer: u takonte vdekatarëve të kësaj bote, dhe bëhej i barabartë me ta, jo vetëm me vlerat, por edhe me dobësitë njerëzore. Miku dhe biografi i tij i parë, gazetari Qerim Panariti, do ta karakterizonte Nolin njeri me këto fjalë: “Një person kompleks që gëzonte të gjitha të metat e njeriut, plus të metat e tij si individ”. Dhe kjo është e vërtetë. Ai nuk ishte kurrsesi njeri pa të meta, por këto të meta nuk arrinin deri atje sa të cënonin vlerat shpirtërore dhe zemrën e madhe, karakterin dhe mendjen e tij të pamposhtur. Përpjekjet për të mbledhur kujtime nga bashkëkohësit që hedhin dritë mbi Nolin njeri nuk kanë munguar. Ato i gjejmë në komunitetin shqiptar në SHBA, ku studiues dhe njerëz të zellshëm, sado të pakët, kanë kryer hulumtime dhe kanë arritur rezultate.
SJELLJA
Noli dhe modeli amerikan i jetesës
Fan S. Noli, si askush tjetër, ngriti zërin për afrimin e Shqipërisë me botën, ngriti zërin për padrejtësitë historike që i janë bërë kombit shqiptar. Ai ngriti zërin dhe luftoi për liritë demokratike dhe mendimin e lirë. Ishte për një demokraci të tipit perëndimor, me pluralizëm politik dhe zgjedhje të lira. Për këtë u jepte përparësi marrëdhënieve me SHBA-në dhe mënyrës amerikane të jetesës. Veprimtaria diplomatike përbën një faqe nga më të ndriturat në jetën e Nolit. Ai është përfaqësuesi i madh i oratorisë shqiptare, sidomos me fjalimet politike, por edhe në publicistikë, përdori një gjuhë me një shije të lartë artistike. Shpesh ai na ka dhënë pamje mjaft prekëse e të realizuara nëpërmjet një stili të mbushur plot emocione. Me shkrimet dhe oratorinë e tij ai krijoi një ndërtesë të lartë e të bukur që është studiuar dhe po studiohet edhe sot. Jeta dhe vepra e Fan Nolit përbëjnë një thesar të vërtetë e me vlera të mëdha kombëtare për kulturën e historinë tonë shqiptare. Librat e tij ribotohen dhe mbeten më populloret; emrin e tij e mban një shesh, një shkollë, një rrugë në Tiranë e gjetkë.
VDEKJA
Eshtrat e Nolit, ende në mërgim
Më 13 mars 1965, në moshën 83-vjeçare, vdes nga një sëmundje e rëndë, në qytetin e Launderdejl të shtetit të Floridës, dr. mitropoliti Fan Stilian Noli. Eshtrat e tij janë ende në mërgim, përtej oqeanit. Ndoshta një ditë do të bëhen njësh me tokën shqiptare, ashtu siç e dëshiroi dhe ëndërroi atdhetari i madh shqiptar, Fan Stilian Noli.
5.“E mjera Shqipni po dergjet e ne nuk e shërojmë”
Përpjekjet e patriotit të madh shqiptar, Fan Noli, për të vendosur demokracinë në vendin tonë
Po mbushen 41 vjet nga vdekja e gjeniut të letrave shqipe, publicistit, patriotit e eruditit të madh Fan Noli. Përvjetori i humbjes së Nolit po shënohet në një kohë kur ne shqiptarët do të kishim më shumë se kurrë nevojë për të, për fjalën e këshillën e tij, për maturinë, thjeshtësinë, mprehtësinë e mendimin e tij të kthjellët, për patriotizmin e shqiptarizmin e tij. Për këtë arsye gazeta “Integrimi” ka hapur një cikël me shkrime e artikuj që i bëjnë homazh veprës së eruditit e shqiptarit të madh.
Fan Noli lindi më 6 janar 1882 në Ibrik-Tepe, Turqi, një fshat i banuar nga shqiptarët. Noli u rrit shëndetlig e disa herë u gjet në buzë të varrit, bile një herë e kishin marrë për të vdekur dhe po e qanin për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Në këto çaste Noli, atëherë i vogël, i hapi sytë e u çudit me atë çka po ndodhte. Mësimet e para i mori në shkollën greke të vendlindjes dhe më vonë punoi dhe jetoi në Athinë. Në të vërtetë ai quhej Theofan Stilian Mavromati (Syziu, por ai vendosi për mbiemër emrin e gjyshit të tij, Noli; kështu u quajt gjithmonë Fan Stilian Noli).
Prift për interesa kombëtare
Në vitin 1903 Noli shkoi në Egjypt, ku punonte ditën si mësues në një shkollë greke e mbrëmjeve si sufler e aktor në teatër. Në Egjypt u njoh me disa atdhetarë shqiptarë që ishin tregtarë nga Shqipëria. Ata e bindën që të shkonte në Amerikë, duke i paguar harxhimet e udhëtimit. Nga viti 1906-1913 jetoi e punoi në Amerikë, ku u morr me një sërë veprimtarish kombëtare shqiptare. Karrierën gazetareske e fillon në gazetën “Kombi” (1906-1907), dhe më 1907 Noli bashkoi mbarëshqiptarët e Amerikës në shoqërinë e parë politike “Besa-Besë”, ku do të krijojë edhe gazetën me emrin “Dielli” që u shërbente shqiptarëve në Amerikë si burim lajmesh, dhe si shkollë e vogël për mësimin e gjuhës shqipe. Në vitin 1908, kur Noli ishte vetëm 26 vjeç, bëhet prift për hir të Shqipërisë, dhe meshën e parë e mban më 22 mars në kishën e “Shën Gjergjit” në Boston. Me këmbëngulje, Noli në pak vite shqipëroi gjashtë libra fetare, me gjithsej 1 357 faqe, punë kjo madhështore, duke e zgjidhur problemin e hershëm të këndimit të meshës fetare në kishë në gjuhën e ëmbël shqipe.
“T’i falemi flamurit”
Dihet se ai ka pasur kontadikta konceptuale e politike me Konicën në vitet e mëvonshme, por më 18 prill 1912 së bashku themeluan federatën mbarëshqiptare në Amerikë, Vatra, që do të themelonte edhe gazetën e saj “Dielli”. Federata Vatra dha një ndihmesë të pallogaritshme për mërgimtarët shqiptarë në Amerikë, duke lajmëruar për gjendjen e turbullt në Shqipëri atë kohë. Në vitin 1912 Noli diplomohet në universitetin e Harvardit dhe në nëntor të po atij viti, bashkë me Faik Konicën shkojnë në Londër si përfaqësues të Vatrës, për t’i mbrojtur interesat e çështjes shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve. Ja si i përshkruan Noli në vargje ato momente të rëndësishme për fatet e vendit:
Të gjithë po presim të mundim të vemi
T’i falemi Flamurit
dhe ta puthim dheun e dashur
të atdheut tonë!
Pas Shpalljes së Pavarësisë Noli punoi e luftoi për organizimin e politikës së brendshme e të jashtme të vendit, për të vënë në jetë parimet e demokracisë së përparuar. Më 1913 Noli është delegat në Kongresin e Triestes. Pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve më 17 dhjetor 1920 ai do ta cilësonte si suksesin më të madh të karrierës së vet politike. Në dhjetor të 1921 Noli arrin në Korçë dhe mban meshën e parë në gjuhën shqipe, më 11 dhjetor të 1921, ditën e Shën Spiridonit; më 12 dhjetor mban një meshë të madhe në gjuhën shqipe në kishën e Shën Gjergjit dhe bën kurorëzimet e para të martesave në Korçë. Çifti i parë i kurorëzuar nga uratë Noli ishte ai i Dhimitraq Çërravës dhe Efigjeni Thanës. Më 21 dhjetor Noli niset urgjentisht në Tiranë, ku Këshilli i Lartë e ka ngarkuar ministër të Jashtëm të qeverisë së kryesuar nga Xhaferr Ypi.
Kisha shqiptare, domosdoshmëri
Noli e shihte si të domosdoshme krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare brenda vendit, e cila do të bëhej barrierë e ndërhyrjes politike të huaj. Kështu, më 10-19 shtator të 1922 në Berat u mblodh Kongresi që themeloi Kishën Autoqefale Shqiptare. Kongresi i Beratit ishte më shumë një shprehje e vullnetit politik e u mbështet fort nga qeveria e Tiranës, dhe caktoi si qendër të Autoqefalisë qytetin e Korçës. Më pas Noli u lidh ngushtë me këtë qytet dhe Korça ia shpërbleu me mënyrën e saj, duke e shpallur Fan S. Nolin Qytetar Nderi dhe duke e caktuar kandidatin e saj për deputet në Asamblenë Kushtetuese. Në vitin 1923 Fan Noli u emërua peshkop në Korçë dhe mitropolit i Durrësit, Gorës e Shpatit, primat dhe eksark i gjithë Ilirisë, i detit perëndimor dhe i gjithë Shqipërisë. Noli, në këto çaste emërimi ka thënë: “Titull i madh, por pagesë e vogël; por titulli e plotëson ngushticën financiare”. Noli do të bëhej kështu një figurë e dashur dhe njohur mirë për pikëpamjet liberale e përparimtare. Në qershor të vitit 1924, pas të ashtuquajturit Revolucioni Demokratik i Qershorit, megjithëse sot historianët po diskutojnë akoma nëse ajo që ndodhi atëherë mund të konsiderohet vërtet si diçka e tillë, do të zgjidhej kryeministër i Shqipërisë, dhe për 6 muaj do të mundohej shumë për t’i përballuar problemet e shumta në të gjitha sferat ekonomike dhe politike. Por programi i tij do të rezultonte “disi i parakohshëm”. Noli, i rritur jashtë Shqipërisë, fatkeqësisht nuk e njihte dhe nuk mund ta njihte realitetin e vendit të tij. Për këtë, dhe shumë arsye të tjera që tani nuk i përmendim, sepse për këtë do të duhej të hapej një temë e re diskutimi e debati pa fund, qeveria e tij dështoi. Por, para kësaj ai na la edhe një monument të oratorisë e diplomacisë; kështu në shtator të vitit 1924 kryeministri Fan Noli me ministrin Luigj Gurakuqi do ta përfaqësonin Shqipërinë në asamblenë e pestë të Lidhjes të Kombeve, njërën nga anëtaret e para të kësaj organizate ndërkombëtare, më e madhja deri në atë kohë. Atje fjalimi i mbajtur nga kryeministri Noli pati jehonë të madhe, jo vetëm në vendet anëtare të Lidhjes, por edhe në vendet e tjera. Për këtë ngjarje ai do shkruante, ndërsa në mendje kishte vetëm Shqipërinë e hallet e saj:
“E mjera Shqipni po dergjet e po vdes
dhe neve të mallkuarit nuk shkojmë e ta shërojmë,
po mundohemi ta pagëzojmë se mos na vdes pa emër.
Pastajza, si do ta njohë Shën Pjetri që mban hapset e parajsës.”
PROGRAMET
Zhgënjimi i Nolit nga politika
Pas rrëzimit të Qeverisë Demokratike Noli do të qëndronte në Evropë dhe më 1925 ai zgjidhet kryetar i organizatës Komiteti Nacional Revolucionar (KONARE). Në vitin 1930 do të përfaqësonte Shqipërinë në Kongresin e parë Antifashist në Berlin të Gjermanisë. Në vitin 1932 Noli rikthehet në Boston i zhgënjyer nga politika, i dobët nga shëndeti dhe shumë i varfër, ku do t’i shërbente Ahmet Zogut e më vonë Enver Hoxhës, për hir të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Mbas disa vitesh Noli do të thoshte për dështimin e qeverisë së tij demokratike: “Ne kishim me vete shumicën, kur vumë në programin tonë, reformën agrare. Ne ishim pakica, kur erdhi puna për ta zbatuar atë”. Federata mbarëshqiptare Vatra e zgjedh Fan Nolin kryetar Nderi, sepse ishte figura me e fuqishme e kësaj organizate të madhe të shqiptarëve të Amerikës.
Ka vite që qarkullon dorazi në rrethe të ndryshme publike një vjershë nën titullin e sajuar “Merr e zgjidh” ose pa titull fare, e cila i atribuohet Fan Nolit.
Ajo është një vjershë strofike, shkruar në vargje tetërrokëshe, por numri i strofave nuk është i qëndrueshëm, ato lëvizin nga 5-6 deri në 22 strofa, për aq sa më kanë rënë mua në dorë. Por mund të qarkullojë dhe në variante numerike të ndryshme, fakt që flet për një lojë djallëzore dhe dëshmon qartazi se kemi të bëjmë me një vjershë apokrife. Vjersha të tilla njihen si thurje vjershërore, të hartuara nga autorët, që duke ndjekur formalisht modele të poetëve të njohur, krijojnë vjersha që imitojnë në frymë, në mjete shprehëse, gjuhë e stil poetin model. Në rastin tonë modeli është Noli.
Nga Nasho Jorgaqi
Në kujtesën time kjo vjershë lidhet me një ngjarje konkrete të rastësishme, që padashur më bën mua dëshmitar. Kanë qenë vitet 80-të, kur punoja si pedagog në Fakultetin e histori-filologjisë dhe një ditë, ndërsa ndodhesha në katedër me kolegun tim Vehbi Bala, trokiti dera dhe hyn një mesoburrë. Si prezantohet, më zgjat një letër me një vjershë të daktilografuar dhe dëshiron të bisedojë me ne. Nuk dua t’i përmend emrin, as punën që bënte, por dua të tregoj gjithë sa ndodhi me të. Pra, pse trokiti në katedrën tonë dhe çfarë kërkonte prej nesh kur mori vesh se ne ishim titullarë të lëndëve të letërsisë shqipe në fakultet. Ai na tregoi se vinte me porosi të të jatit, i cili tashmë kish ndërruar jetë, por pak kohë para se të ndahej i kish diktuar një vjershë të Fan Nolit, që sipas tij nuk e kish të shkruar, por e dinte përmendësh dhe nuk desh ta merrte me vete. Dëshira e tij ishte që këtë vjershë i biri ta çonte e t’ia dorëzonte atyre që merren me studimin e Fan Nolit. Dhe ishte një koincidencë e rastit që dy njerëzit që ai takonte ishin studiues të poetit. E morëm vjershën dhe e lexuam veç e veç, njëri pas tjetrit. Kur u njohëm me tekstin, i cili doli se ishte krejt i panjohur për ne, vështruam njëri-tjetrin në sy dhe në heshtje ngritëm supet. I ardhuri na ndiqte me vëmendje dhe priste përgjigjen tonë. Vjersha nuk ishte më shumë se dhjetë strofa, e thurur me vargje humoristike e herë-herë sarkastike, ku viheshin në lojë bashkatdhetarët e tij sipas krahinave, duke i përfolur dhe tallur dobësitë dhe veset e tyre. Autori ishte tepër kritik dhe i prerë, i pakursyer në epitete negative, me fjalë deri dhe të rënda e të pamëshirshme. Kështu i quante shqiptarët sipas krahinave mercenarë, sharlatanë, budallenj, gënjeshtarë, dembelë, llafazanë, gomerë e kokëpalarë, hajvanë, koprracë, karrieristë etj. Por në pak strofa thoshte dhe fjalë të mira si trima, të fortë, gazmorë, njerëz të zgjuar, komandantë të zotë, të pastër e nikoqirë, patriotë. (Kurse në variantin e fundit që më ka rënë në dorë, vjersha ka 22 strofa, nga të cilat shumica janë me ngarkesë negative dhe vetëm 7 pozitive)
Më në fund i dhamë përgjigje të ardhurit që priste me padurim. I thamë se kemi të bëjmë me një vjershë të panjohur, interesante nga ndonjë pikëpamje, por në themel është e diskutueshme, sepse nuk i bën nder shqiptarëve. Për aq sa e njohim ne Nolin, ai s’ka pas mendime negative deri në këtë shkallë që dalin në këtë vjershë. Megjithatë, ne ju falënderojmë për mirësinë që patët të na e besonit. Ne do ta studiojmë e, ç’është më e rëndësishme, do ta verifikojmë. Duhet patjetër të kërkojmë origjinalin në arkiv, ndryshe nuk mund të japim një gjykim shkencor. Por i ardhuri, para se të largohej, na tha se “Të keni besim te im atë. Ai ka qenë aktivist i Vatrës dhe i afërt me Nolin.”
“Dakord, i thamë ne, por jemi para një problemi që duhet studiuar dhe studimi bëhet mbi bazën e dokumentit origjinal, përndryshe nuk mund të quhet i vërtetë.”
Pas këtij debati të shkurtër, ne u ndamë dhe pas asaj dite nuk u takuam më. Dhe s’kishim pse ta takonim. Kjo ishte një punë që tani na takonte ne si specialistë.
Ç’është e vërteta, Vehbiu dhe unë ishim njohur me arkivin e Nolit që gjendet në Arkivin e Shtetit, por vjersha që na solli i panjohuri na bëri që t’i rikthehemi dhe një herë fondit të dorëshkrimeve të poezive të Nolit dhe kështu bëmë. Shkuam, gjurmuam, verifikuam dhe nuk gjetëm gjë, qoftë dhe ndonjë gjurmë. Kështu bëmë dhe me fondin e Faik Konicës, pasi dyshuam se vetëm ai mund të tregohej aq kritik dhe i pamëshirshëm ndaj bashkatdhetarëve të tij. Por më kot, përsëri nuk gjetëm gjë. Sa për problemin e vjershës që na solli burri i panjohur, ishim të një mendje që të mos e botonim për problematikën delikate dhe qëndrimin negativ që mbahej nga autori anonim.
Ndërkaq, Vehbiu u nda nga jeta. Iku me pengun e vjershës, megjithëse kishte shumë dyshime për vërtetësinë e saj. Në këto pozita isha dhe unë, por prapë kisha një merak dhe kur rifillova punën për të hartuar biografinë e Nolit pas viteve 90 dhe m’u dha rasti të shkoja disa herë në SHBA, nuk harrova fatin e vjershës enigmatike. Kështu bëra disa përpjekje në arkivin e Nolit të Kishës së Shën Gjergjit, të Vatrës, shfletova shtypin e viteve 20-30, bisedova me miq të Nolit, bashkëkohës të tij, fola me At Liolinin dhe studiuesin P. Prifti dhe përsëri nuk doli gjë në dritë. Bile kur u a jepja vjershën për ta lexuar jo vetëm nuk e njihnin, por nervozoheshin dhe refuzonin ta zgjasnin bisedën. Megjithatë, unë do të vijoja punën time për biografinë dhe do të njihesha me burime nga më të ndryshmet, por prapë kurrkund nuk dilte një vjershë e tillë.
Në arkivin e Nolit dhe veçanërisht atë të poezive, rezultonte se poeti gjatë gjithë jetës, pavarësisht nga detyrat dhe rrethanat e rënda, ishte kujdesur për dorëshkrimet e vjershave të veta. Jo vetëm që i kishte ruajtur dorëshkrimet, bile dhe variantet, por bashkë me to mbante dhe kypyrat e gazetave me vjershat e tij. Por ç’ishte më e rëndësishme, poeti mendonte dhe punonte për t’i botuar vjershat origjinale dhe përkthimet poetike në vëllime të veçanta. Për këtë rezultojnë dy plane të hartuara prej tij, një në vitet 20 e tjetri në vitin 1964, pak para se të ndahej nga jeta. Është interesante që në këto plane gjejmë jo vetëm titujt e vjershave të botuara, por dhe atyre të pabotuara ose atyre që do të shkruante në të ardhmen. Kështu shohim tituj si “Vajtimet e grave”, “Vizionet”, “Darka mistike”, “Juda” etj. Por nga një vështrim serioz e i hollësishëm, duke iu përmbajtur kritereve shkencore, nuk rezultonte ndonjë vjershë, qoftë si titull, me temë si vjersha apokrife që qarkullonte në publikun shqiptar. Nga ana tjetër, kërkimet tona në letërkëmbimin e Nolit, në shtypin letrar-kulturor të diasporës në SHBA, në kujtimet e tij, të bashkëpunëtorëve dhe miqve, nuk gjejmë të flitet për këtë vjershë jo të zakonshme e jo normale, qoftë dhe tërthorazi. E them këtë se tema e kësaj vjershe, me tërë ato kritika dhe etiketime të rënda, me theks tallës e poshtërues për bashkatdhetarët e tij, në qoftë se do të ishte krijim i Nolit nuk do të kalonte pa u vënë re, pa jehonë, pa kritika apo gjykime të kundërta në shtyp e në biseda apo debate midis shqiptarëve pro dhe kundër Nolit, veçanërisht në diasporën e tyre në SHBA. Po kështu, armiqtë dhe kundërshtarët e tij politikë do ta kishin përdorur kundër poetit. E pra, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe ky është një argument tjetër që tregon se Noli nuk ka shkruar një vjershë të tillë. Është e vërtetë se ai ka shkruar vjersha humoristike e sarkastike, të suksesshme, për armiqtë e kundërshtarët politikë që janë dhe figura historike. E tillë është dhe figura e Ahmet Zogut që paraqitet në qendër të disa prej vjershave më të njohura, si “Marshi Barabajt”, “Kënga e Salep Sulltanit”, “Sulltani dhe Kabineti” etj., por në asnjë rast nuk gjejmë epitete banale, fyese, përkundrazi qëndrimin e tij e paraqet përmes paralelizmave që bën me figura mitologjike dhe historike. Ishte kjo poezia e tij politike që e përdorte si mjet efikas në luftën ndaj kundërshtarëve politikë. Ai i drejtohet lexuesit nga pozita e poetit dhe intelektualit atdhetar dhe demokrat. Ndërsa kur është fjala për popullin, Fan Noli shkruan me dashuri, venerim e dhimbje, ku lartëson e himnizon virtytet dhe vlerat historike, bëhet zëdhënës këngëtar i aspiratave kombëtare dhe i progresit shoqëror të shqiptarëve. Mjafton të kujtojmë poezitë “Anës lumenjve”, “Rent or maratonamak”, Himni i flamurit” etj.
Jam i bindur se vjersha apokrife që qarkullon prej vitesh dorazi dhe i atribuohet F. Nolit jo vetëm nuk i takon atij dhe e përbalt figurën prej korifeu, por shtrembëron dhe falsifikon realitetin shqiptar. Ajo ngjall përçarje dhe tenton të hedhë farën e grindjeve mes krahinave të vendit. S’ka dyshim se një vjershë e tillë nën emrin e Nolit është shkruar me qëllim keqdashës dhe të mbrapshtë në dëm të bashkimit dhe mirëkuptimit kombëtar të popullit shqiptar.
Fan S. Noli
MERR E ZGJIDH”
A të duhen luftëtarë?
Dhe arratinë armiku të marrë?
A do botës t’i vësh zjarrë?
Merr nja dhjetë kosovarë.
A do male me dëborë
Trima të fortë e malësorë
Fort bujarë e burrërorë
Shkon në Kukës i ke në dorë.
A të duhen sharlatanë
Që lëpihen në çdo sahanë
Që të përçajnë vatanë
Ke sa të duash tropojanë.
A do njerëz për aheng
Për tryeza e për kuvend
Burra e gra kërcejnë me lodër
Këta i gjen veç në Shkodër
Njerëz të zgjuar me lezet
Që i gjen në çdo anë
Që të bëjnë muhabet
Këta janë mjeshtrit dibranë.
A të duhen budallenj
Ca gomerë e ca kopukë
Hajdut, kaçak e batakçinj
Shko e merri mu në Pukë.
A do trima sejmenë?
Kapardisur kudo venë
Gjumi pa i zënë t’mos flenë
Për tre mirditorë bëj benë.
Këta matjanë burra të zotë
Që dikur kanë bërë barot
Se i njeh gjithë vendi mbarë
Nuk bëjnë tjetër veç për xhandarë.
A të duhen gënjeshtarë?
Matrapazë e kokëtharë?
Kripën ta shesin për farë
Merr krutanë dhe je i larë.
Do dembelë për Stamboll?
Mos u lodh e mos hiq hall
Të rreshtosh nja tri taborë
Tiranasit t’i zgjedhësh me dorë.
Po qejflinj a të duhen
Që me jevga dinë të kruhen
Zonja që pjellin çdo vit
Veç Elbasani i rrit.
Në do burra llafazanë,
Që çudisin gjithë dynjanë
Që rrinë tërë ditën rrugës
Nga këta gjen plot në Durrës.
Po kërkove kokë palarë
Kryengritës dhe gomarë
Që punët të shkojnë vaj
Shko e merri në Kavajë.
Kërkon hoxhë e kërkon prift
Mos bridh e mos u ngjit
Se si këta që bëjnë mëkat
I gjen vetëm në Berat.
A do urtë njerëzit të rrinë
Nën komandë të kesh ushtrinë
Në tabjate të kesh njerëzinë
Merre të gjithë Labërinë.
Do për punë një korçar?
I ke bujq e ustallarë
Me gra bashkë e hapin varrë
Krah e kokë s’u ka të sharë.
Do budallenj që veç hanë?
Me dy këmbë do hajvanë?
Pasuri që s’dinë të venë
Merr shëtit gjithë Myzeqenë.
A do të ruash florinj?
Katandinë e shtëpinë?
Me dy qofte mbush sininë
Ec e merr gjirokastrinë.
A do të hash e të bësh qejf?
Sofra e shtruar si për mbret
Pastërti e për hyzmet
Të tillë gjen veç në Përmet.
Do ministra kolonjarë?
Se mbahen burra për mend
Duan kudo të jenë të parë,
Në mexhlis e në kuvend.
Hall i madh me skraparllinj
Ka rrezik të hash dhe dru
Dy ministra le të rrinë
Se na duhen dhe pa tre.
Ore të gjorë harruam Vlorën
Se kjo punë lahet me gjak,
Dy shirit e një medalje
Kësaj pune i vënë kapak.