Për intensifikim të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, një delegacion prej pesë zyrtarësh të lartë ndërkombëtarë do të qëndrojë në Kosovë në fund të kësaj jave. Delegacioni i udhëhequr prej emisarëve Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar, të premten, do ta vizitojnë edhe Serbinë. Gjatë vizitës së tyre, ata do të takohen me kryeministrin Albin Kurti e presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Me Kurtin e Vuçiqin, Lajçaku është takuar edhe sot në Davos të Zvicrës
Pesë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë të premten në Kosovë.
Vizita e emisarit të SHBA-së, Garbriel Escobar, atij të BE-së, Miroslav Lajçak, këshilltarëve të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, të presidentit francez, Emmanuel Macron, e të kryeministres italiane, Giorgia Meloni, është konfirmuar nga zëdhënësi evropian, Peter Stano.
“Lajçaku do ta vizitojë Kosovën e Serbinë këtë të premte. Në Prishtinë do të takohet me kryeministrin Albin Kurti e pastaj në Beograd me presidentin Aleksander Vuçiq, për t’i diskutuar hapat e ardhshëm në normalizimin të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Në këtë vizitë emisari Lajçak do të përcillet nga këshilltarët për politikë të jashtme të presidentit të Francës, kancelarit të Gjermanisë dhe kryeministrit të Italisë, si dhe nga zv.sekretari amerikan Gabriel Escobar”, ka thënë Stano.
Takime me udhëheqës të Kosovës e Serbisë, i dërguari i posaçëm i BE-së ka zhvilluar edhe këtë të mërkurë.
Në kuadër të Forumit Ekonomik që është duke u mbajtur në Davos të Zvicrës, emisari Lajçak ndaras ka takuar kryeministrin Albin Kurtin e presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Diplomati sllovak tha se me Kurtin ka zhvilluar një diskutim të thellë
“Fillova ditën time në Davos me një diskutim të thelluar me kryeministrin Albin Kurti. Folëm për hapat e ardhshëm në dialog, për normalizimin e marrëdhënieve dhe çështjet aktuale”, ka thënë Lajçak.
Për takimin me Lajçakun njoftoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Tha se situata në rajon e dialogu me Kosovën ishin temat për të cilat u diskutua.
Në vjeshtë të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia kanë pranuar një propozim nga zyrtarët evropianë, përmes të cilit synohet të përshpejtohet arritja e një marrëveshjeje mes të dyja shteteve.