Janë bërë pesë vjet që kur u vra para zyrës së partisë së tij në Mitrovicë të Veriut politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq. E ky përvjetor është shënuar me kthimin e akuzave ndaj udhëheqjes së Serbisë se po i fsheh faktet për këtë akt. Për vrasjen e Ivanoviqit janë ngritur disa aktakuza nga Prokuroria Speciale, e disa të dyshuar janë ende në arrati
Pesëvjetori i vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq ka kthyer akuzat e rënda në adresë të Beogradit zyrtar.
Ish-bashkëpunëtorë të Ivanoviqit dhe politikanë e kanë fajësuar udhëheqjen e Serbisë për moszbardhjen e rastit.
Rada Trajoviq, politikane e këshilltare në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, ka shpërndarë një citat të analistit Branislav Kërstiq, ku me gjuhë të videolojërave aludoi se përgjegjësia për fshehjen e fakteve të vrasjes së Ivanoviqit bie mbi udhëheqjen në Beograd.
“A e ka pasur shteti i Serbisë në atë moment, në ditën e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, mbulimin e rrugëve në veri të Kosovës në masën 90 për qind, kurse joysticku (v.j. telekomanda e lojës) dihet se ku ishte, në Beograd. Për këtë, ai që menaxhon me telekomandë në Beograd, sigurisht i ka edhe pamjet e dorasit të Oliver Ivanoviqit”, ka vlerësuar Trajkoviq.
Angazhim të institucioneve të drejtësisë ka kërkuar kryeministri Albin Kurti, i cili përmes një videoje ku foli serbisht, tha se vrasja e Ivanoviqit ishte me pasoja për të gjithë shoqërinë kosovare.
Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë, dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij. Vrasja e Oliverit ndikoi në gjithë shoqërinë. Ky krim vrau jo vetëm Oliver Ivanoviqin, por edhe pluralizmin politik te serbët, është shprehur Kurti.
Të hënën, nga vendi ku u krye vrasja, në Mitrovicë të Veriut, politikanë serbë dhe miq të Ivanoviqit bënë thirrje për zbardhjen e rastit.
“Nga ky vend kemi vetëm një porosi. Na intereson që pas pesë vjetësh të dimë kush e vrau Oliver Ivanoviqin, kush e porositi vrasjen e tij, dhe nuk do të ndalemi së parashtruari këto pyetje”, ka thënë ish-zëvendësministrja nga Lista Serbe Ksenjija Bozhoviq
Ndërsa nënkryetari i Partisë Kombëtare të Serbisë, Miroslav Aleksiq, ka thënë se të shtënat ndaj “Oliverit kanë qenë në fakt të shtëna ndaj Serbisë”.
“Ndaj juve që jetoni këtu në Kosovë dhe të shtëna ndaj neve të cilët jetojmë në Serbinë qendrore. Për më keq, edhe pas pesë vjetësh nuk arrihet të kuptohet e vërteta, kush janë urdhërdhënësit dhe kryesit e këtij akti”, ka deklaruar ai.
Ndriçim të rastit ka kërkuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai zgjodhi ta bëjë këtë nga Kisha e Beogradit, Sveti Sava, ku ndezi qirinj së bashku me ish-partneren e Ivanoviqit, Milena Popoviq, e cila është tash anëtare e partisë së Vuçiqit, SNS. Popoviq së fundmi është emëruar sekretare e Ministrisë së Serbisë për Turizëm dhe Rini.
Si dëshmitare, Popoviq ka marrë mbi 20 ftesa, sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë, e pavarësisht se ka komunikuar, sipas gjyqtarëve ajo e ka zvarritur në vazhdimësi dhënien e dëshmisë së saj.
Të dyshuar kryesorë për organizimin e vrasjes së Ivanoviqit janë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, biznesmeni i përfolur për lidhje me krimin Zvonko Veselinoviq, si dhe ish-shefi i Policisë për veri, Zheljko Bojiq. Në aktakuzën për rastin e Ivanoviqit, tashmë po gjykohen Silvana Arsoviq, Marko Roshiq, Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara, Zharko Jovanoviq e Dragisha Markoviq.
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, para zyrës së partisë që udhëhiqte në Mitrovicë të Veriut.