Adem Jashari, simbol i rezistencës sonë kombëtare
Ashtu si mosha e një rrapi madhështor,që përcaktohet nga rrathët e trungut të tij, edhe dhimbja e një kombi, mund të përcaktohet nga të rënët e tij. Këta të rënë për idealin e lartë kombëtar, assesi nuk vdesin, nuk humbasin në muzgjet .
e harresës. Ashtu si rrathët që tregojnë moshën e rrapit, jetët e tyre potencojnë shkallën e dhimbjes krenare. Paqja e gjelbër nderet pafundësisht mbi ta. Shembuli i Adem Jasharit, përveç si simbol qëndrese dhe heroizmi, vlen të shikohet
edhe si flijim në emër të një të ardhmeje fatsjellëse për kombin e vet.Drenica lind veç trima…Duke dëgjuar këtë varg lapidar,në këngën kushtuar Adem Jasharit, natyrisht që të pushtojnë emocione të thella.Historia, në këtë rast nuk shërben më vetëm si një burim informacioni, por të fal edhe ndjesi të tilla për çka mund ta çuash veten krenar, që ke lindur në truallin shqiptar dhe mban këtë emër gjithkund.
Ngase je i prirur të dish për heroizmin e sotëm të Drenicës,të vijnë në kujtesë si në celuloidin e një filmi,ngjarje dhe data të lavdishme,gjëmime luftërash,këngë djepi trimërie e këngë vaji, po kaq, trimërie dhe heroizmi.Hyn në bisedë intime
me të kaluarën tënde. Në Drenicë,ende sot,midis majash të larta është fshati Kopiliq.Këtu,gjashtë shekuj më parë ka lindur dhe është rritur Milosh Kopiliqi,ai trim i rrallë, për të cilin ende sot legjendat janë të dyzuara,nëse ishte serb apo
shqiptar.Flas për legjendat sepse në dokumenta të shumta të Perandorisë Osmane si edhe të Evropës,Milosh Kopiliqi dëftehet prej viseve të Drenicës.Dhe pikërisht ky trim, që në vitin 1389,në betejën e Fushë Kosovës,në atë zallamahi thirrjesh e gjaku,duke mos përfillur rrezikun,vrapon përmes turqve duke goditur për vdekje Sulltan Muratin e Parë.Drenica kësisoj hynte në analet e historisë për trimëritë e birit të saj.Dhe sipas zakonit të lashtë shqiptar,kur dikush bënte diçka të ndershme e të lavdishme për fshatin e krahinën e vet,ai thirej me emrin e fshatit.
Ai nderohej kësisoj e përjetësohej në këngë e legjenda. Shumë vite më pas,në kullat e rënda të tij,një tjetër trim, i cili shumë shpejtë do të hynte në legjendë, quhej Isa Boletini, e prej kushtrimit të tij u trembën në dhjetra vjet, ushtritë turke dhe hordhitë serbe.Kullat e Isës u dogjën e u rrafshuan disa herë.
Babai,vëllai,djem e nipër u vranë, duke luftuar me turq e shkije.Lumi Ibër rrodhi për ditë e net të tëra gjakun e boletinëve që donin të rronin si shqipe mali.
Por, Isa s’u tremb,Isa s’u tund.Vetëm një tradhëti e serbo-malazezëve, do të bënte që gjokësi i tij të mbushej me plumba dhe zëri i tij të ndalej. Por ishin dhe Azem e Shotë Galica.
Emrat e tyre i thërasin ende sot erërat e maleve të Drenicës, borërat e Sharrit ende nuk mund t’i mbulojnë gjurmët e gjakut të tyre,heshtja e viteve kurrsesi nuk mund të përballet me krismat e pushkëve të tyre.Këtu është Shqipëria,të ngjan se thonë ende ato krisma,kjo është tokë e gjyshërve tanë,thonë bubullimat e Llapit,ne falim jetët tona,por jo nderin e vatrave.Azemi, duke rënë në luftë me shkjaun,lutej që beteja të vazhdonte.Shota në krye të çetës përcillte amanetin e prijësit dhe burrit.Më pas, kur edhe ajo binte në fushëbetejë, ishte një armatë e tërë e burrave prej Drenice, që vazhdonin udhën e nisur.
Për të ardhur kësisoj deri në dimrin e egër të vitit 1944-1945.Një Isa,një Azem,e një Shotë,jepnin kushtrim, në hap e në zë, të një burri, që quhej Shaban Polluzha.Edhe ky ishte lindur pranë këngëve dhe trimërive të Polluzhës,edhe ky pat thithur ajër prej bjeshkëve të lira të Drenicës.Dhe, kur pa se po shkelej amaneti i të parëvet, dhe kur ndjeu se gjakun e pastër të trimave të tjerë të Drenicës, donin ta bënin fli të ideologjive,nuk mundi të duronte më. Komunizmi, kjo sëmundje e urryer, do ta ndjente veten shumë ngushtë në kullat e Drenicës.
Ylli pesëcepesh, ardhur prej sllavëve,nuk mund të bënte dritë në ballët e bukur të djemve ku jetonte dashuria për shqiponjën e lirë.Polluzha,duke organizuar revoltën e parë antisllavo-komuniste të Drenicës,u jepte mesazhin e qartë,të një lufte të vazhdueshme midis nacionalizmit të ndershëm shqiptar dhe internacionalizmit proletar,ose e thënë ndryshe,ndaj proletarëve pa atdhe. Në një muzg në Tiranë, Ylli Mici,dikur oficer kariere në ushtrinë shqiptare,duke parë këmbënguljen time për të ardhurit nga Kosova më tregon : „Na thirrën në komandën e Akademisë Ushtarake „Skenderbej“ në Tiranë, dhe na treguan shkurt mbi atë se çfarë do të bënim.Duhej të stërvitnim një grup burrash të ardhur nga Kosova.Përgaditja e tyre,në strukturat tona ushtarake, do të konsistonte në atë taktike,të lëndëve të zjarrit dhe ato të përgaditjes fizike.Porosia e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare,ishte, që askush veç ne, kuadrove të akademisë ushtarake „Skenderbej“, nuk duhej të dinte mbi këtë mision. Që në ditët e para të stërvitjes të zjarrit,më ra në sy interesimi dhe serioziteti i Adem Jasharit.
Truplartë,me mjekër e mustaqe,sytë gati zhbironin gjithçka që unë shpjegoja.Përgjithësisht,krejt grupi mësimor kishte njohuri për automatikun,ndërsa për armët e tjera të këmbësorisë, njohuritë i kishin të pakta. E vërteta është se ne
kishim planifikuar gjashtë orë të plota mësimore, por unë asnjëherë nuk mbarova mësimin në orar, pasi edhe pas atij që patën caktuar,vëllezërit tanë, të ardhur nga Kosova, nuk shqepeshin prej kabinetit.Ata i merrnin armët, i zbërthenin,i
preknin me kuriozitet, bile më dukej se edhe me shumë dashuri. Adem Jashari një ditë,ndërsa dilja prej kabinetit,më vjen mbrapa dhe më thotë: Pedagog Ylli, a mundem me të pyet diçka ?
Fol, i thashë, mos u tut! Pasi heshti pak,me një vështrim të thellë më pyeti sërish : A i kena na krejt këto armë,në armatën tonë? Unë buzëqesha, sepse e kuptova shqetësimin e tij.Për arsye të sekretit ushtarak,unë s’mund t’i tregoja të gjithëve, por Ademin e çova një ditë në disa depo të reparteve.Ai shihte armët,municionet, aparaturat luftarake, dhe, kujtoj ende sot, se si duke më përqafuar, më tha : „Bash këtej e tutje s’kam ma asnji merak ! Dikur pata mësuar se i madhi, Sami Frashëri, pat shkruar, që shqiptari duhet të luftojë me dituri e penë, por edhe pushkën ta ketë plot.Tash e kuptoj më së miri këtë.Atëherë kur me fqiun tand s’ke gjuhë me u marrë vesh, atëherë edhe qytetërimi modern s’gjen gjuhë me u marr me të, le të flasi pushka.
Nuk asht ndonji gja e bukur, por asht e domosdoshme,për mos t’u shuar historia jonë nga më të vjetrat në Ballkan“. Vite më pas e kuptova shqetësimin e heroit, Adem Jasharit“ .
Krahët e prerë të shqiponjësE vërteta është se marsi i vitit 1998,nuk mund të vinte me kaq krisma,pa patur më parë,të tjerë therrore e fushëbeteja të tjera.Kështu në ditët e fundit të nëntorit 1997,në Drenicë, posaqërisht në fshatrat, Rakinicë,Rezallë,Vojnik e Llaushë,policia serbe ndërmori një sërë aksionesh befasuese kundrejt familjarëve të pambrojtur.
Më së tepërmi,ata kërkonin të vendosnin një terror psikologjik, për të ndaluar sadopak erërat e pavarësisë e të vetëvendosjes, që kishin filluar të frynin në ato gryka.Mandej për të treguar hapur se kundër kujt drejtohej ky terror dhe kjo luftë,serbët qëlluan varrin (më saktë fotografinë) e studentit Selman Vojvoda, i cili ishte vrarë në demonstratat e mëdha të rinisë shqiptare,në Mitrovicë,në vitin 1990.Rivrasja e këtij studenti, që u ngrit për të kërkuar të drejtat e kombit të vet,natyrisht nuk mund të kalonte pa një ndjenjë urrejtjeje madhore tek familjarët,miqtë dhe krejt studentët, që patën përcjellë Selman Vojvodën për në varreza, të mbuluar me flamurin kuq e zi.
Dhe pikërish aherë,kur kjo revoltë kishte nisur të dallgëzojë,kur djem e burra të Drenicës mbushnin radhët e UÇK-s,nga sirtarët e komandave ushtarake serbe,u nxorën planet për goditjet e mëdha,vrasjet mizore dhe maltretimet ndaj popullsisë së pabrojtur shqiptare.E nëse kish një „radhë“ goditje, kjo padyshim do të niste me familjen e Jasharajve në Prekaz,pasi serbët nuk do të harronin ngjarjen e janarit 2008.Kështu,bashkë me borën e madhe që binte në mesnatën e 22 janarit 1998, grupe speciale të ushtrisë fashiste serbo-çetnike rrethonin kullat e Jasharajve në heshtje të plotë.ata patën marrë gjitha masat që goditja të ishte e menjëhershme, e fuqishme, vdekjeprurëse duke paraparë se në përfundim të kësaj beteje do të luhatej revolta e Drenicës,ashtu si luhaten fortunat në gjoks të malit.Dhe pikërisht, ngase kështu llogari kanë bërë në të shumtën e herës, serbët, gjithmonë kanë dështuar. Ka qenë ora 5 e mëngjesit e datës 22 janar 1998, kur brenda një çasti të vetëm,toka ku ishin kullat e Jasharajve,ka shungulluar prej një numri të pazakontë krismash.
Në muret e kullave,janë derdhur njëherësh mijëra gjyle topash,granatash,fishekë mitrolozi e automatiku,sikur të luftohej në front të rregullt lufte.Për nga sasia e sidomos lloji i armatimeve, që u përdor aty,merret vesh se tashmë në ndihmë të
policisë,ishin formacionet e ushtrisë gjakatare serbe.Në këtë rrëmje predhash,janë synuar sidomos ato ambiente të kullave, ku mendohej se ndodheshin gratë dhe fëmijët.
Mandej, futja në luftim e minahedhësve,dëshmoi se ky aksion i pushtuesve serbë tek e mbramja kërkonte shfarosjen e plotë të kësaj familjeje të madhe trimash.Në fakt,sipas dëshmive të mëvonshme të fshatarëve të Prekazit, beteja ka zgjatur vetëm 35-40 minuta,ngase në krah e shpinë të bandave ushtarakopolicore serbe, pas kësaj, ka filluar goditja po aq vendimtare me armë nga ana e UÇK-s.Kjo e ka detyruar tërheqjen e forcave serbe pa mundur të realizojnë qëllimin final të tyre.
Të pajisur me mjete të çelikta,ata janë larguar me ngut duke vazhduar terrorin e duke vrarë njerëz të pafajshëm në rrugë.Pas kësaj, çdokush e pat kuptuar se diplomacitë midis serbëve dhe shqiptarëve kishin dështuar fund e krye.Lufta ishte shpallur.Kjo luftë,midis dy etnive të vjetra ballkanike,nuk ishte e para.Sidoqoftë,fati mjegullor dukej se e parashihte si të fundit.
Dhjetë ditë më pas,me 1 mars 1998,herët në mëngjes,drejt fshatrave Likoshan dhe Qirez,ishin drejtuar njësi të mëdha paramilitere çetnike e policore.Duke përfituar prej zhurmës si dhe terrenit të pyllëzuar,mjaftë banorë të këtyre fshatrave,të bindur prej rrezikut të madh, u fshehën në pyje.Dy-tre helikopterë që kanë vëzhguar lëvizjet kanë bombarduar gati krejt zonat. Ata janë larguar në të errur pasi kanë shkatëruar shumë shtëpi dhe vrarë e plagosur dhjetëra vetë prej këtyre vendeve.
Madje, më 5 mars, do të niste epopeja e madhe.E vërteta është se një natë më parë,janë vënë re lëvizje të mëdha të forcave ushtarako policore serbe.Tashmë për banorët e Prekazit,Gradicës,Qiriezit, Açarevës,Llaush,Rrezallë e Re etj,ishte e qartë se dhuna serbe nuk do të kursente askënd.
Megjithkëtë,përndryshe nga ç’mendonin serbët,burrat e gratë trime të Drenicës,ndiheshin të paepur në sytë e tyre të frymëzuar prej idealit të madh të lirisë e pavarësisë.
Kështu, dëshmitarë okullarë të fshatit Polac,disa minuta larg lagjes së Jasharajve, kanë pohuar tashmë vendosmërinë e kësaj familjeje heroike.
E vërteta është se ndërsa zona rreth Prekazit po rrethohej,disa fshatarë kanë shkuar në shtëpinë e Jasharajve dhe kanë mundur të bisedojnë me plakun Shaban mbi mundësinë e largimit të tyre të fshehtë,pasi dihej historia e dy sulmeve serbe të mëparshme ndaj këtij fisi.Shaban Jashari,ai plak i bëshëm e plot kurajë,ai ballist i vendosur që ngriti në shtizë flamurin në Plloçicë,ka heshturdisa çaste e mandej ka thirrur dy djemt e tij, Hamëz e Adem Jasharin, duke u propozuar që ata të largohen me gra e fëmijë, ndërsa ai t’i priste hordhitë e hasmit siç i kishte pritur në rininë e tij,me pushkë në dorë,ndërkaq këtë nuk e kanë përkrahur bijtë, me gjithë respektin e madh që patën treguar kurdoherë për të jatin.Me atë rast,mësohet, që Ademi t’i jetë përgjigjur të jatit se, „na nuk mund të largohemi me shpëtue kryet tonë.Serbët do vijnë të djegin kullat e të vrasin fqinjët,miqtë e dashamirët tonë.
Ma mirë se me shpëtue jetën,asht me e dhanë për Kosovën e krejt Shqipërinë“.Baba Shaban,një pinjoll i nacionalistëve të dëgjuar në Prekaz e Drenicë,atëherë asht que e i ka puthur djemt në ballë,si zakon nacionalisti,ka puthur mbesat e nipat e vet, duke qenë i bindur se jeta e tyre,pranverat e tyre, aq të njoma e të shtrenjta, do të shërbejnë si një shteg, prej nga do të vijë lirija e Kosovës,ai e njihte mirë armikun që sulej në votër.Beteja ka filluar në orën 3 të mëngjesit.
Drejt kullave të Jasharajve është derdhur si lukuni ujqish një mizeri policësh,çetnikësh e ushtria serbe, të vendosur që të shujnë aty çdo gjurmë jete.
Tank,topa,autoblinda,helikopterë,kanë derdhur gjatë gjithë ditës, aq sasi të madhe zjarri, sa flaka e rrënojave ka vazhduar deri më 8 mars. Nga kulla e Jasharajve qëndresa ka qenë e menjëhershme, e plotë.
Por, rezistenca e këtyre burrave të mëdhenj, ka qenëveç pushkë e zemra, ngase tanket,avionët e topat, i dispononin forcat disa mijëra të okupatorëve serbë.Madje, duke parashikuar ndonjë sulm të mundshëm të UÇK-s,rreth e përqark fshatit Prekaz, në largësinë 10-15 kilometra,forcat militare serbe, formuan një unazë tjetër rrethuese, duke hapur zjerr me çdo lloj arme.
Vështirë të gjesh në historinë e luftërave të këtij shekulli një paradoks kaq ekstrem të palëve ndërluftuese.Nga njëra anë,ushtria e rregullt,e pajisur me mjete luftarake më moderne, ndërsa nga ana tjetër, populli i pafajshëm e i pambrojtur.
Kështu, midis flakëve e gjëmimeve,midis atij tmerri predhash e bombash,ranë një nga një trimat e Kullës së Jasharajve,burrat e Kalasë së pamposhtur-Kosovës.Kështu,do të binte duke luftuar deri në çastin e mbramë edhe Ademi,ky lis me rrënjët në liri,ky mal, ku mbështeti gjoksin dhe kryet e saj, vetë rezistenca kosovare e këtij
fundshekulli.
Pjesë nga libri : Flori Bruqi,,Olimpi shqiptar,,Prishtinë,2009.Faqe 437-442